Fshesë tek rrugorët, shkarkohen 88 oficerë, anulohen karrotrecët

0
162

Elton Qyno

Dy vendimit e ministrit Tahiri. Policia Rrugore, çerdhe korrupsioni, të ikin abuzuesit me ligjin

Raporti i menjëhershëm i SHKB-së për gjendjen në komisariat. Karrotrecët marrin më shumë se një gjobë

 

sequitahiriI konsideruar nga ministri i Brendshëm si një çerdhe korruptive, Komisariati i Policisë Rrugore në Tiranë ka pësuar ndryshime rrënjësore si nga stafi i punonjësve, por edhe tek struktura e përbërjes së tij. Me një urdhër të paralajmëruar më parë në media, ministri Saimir Tahiri vendosi të shkarkonte nga puna plot 88 oficerë të këtij komisariati, duke i cilësuar ata si të korruptuar dhe që nuk kanë kryer me rigorozitet detyrën e tyre. Përkundrazi, sipas vendimit të ministrit, pjesa më e madhe e efektivave të këtij komisariati kanë shpërdoruar detyrën dhe për pasojë, për disa prej tyre është referuar material kallëzues në Prokurorinë e Tiranës dhe se tashmë kanë nisur veprimet hetimore për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit”. Mes të shkarkuarve janë 77 oficerë të rolit bazë dhe 11 oficerë të rolit drejtues.

“Fshesa” tek rrugorët

Të cilësuarit prej shumë vitesh si punonjësit më të korruptuar në vend, tashmë pjesa më e madhe e tyre janë “fshirë” nga radhët e Policisë së Shtetit. Vetë ministri Tahiri ka urdhëruar largimin e tyre nga puna dhe zëvendësimin me efektivë të tjerë policie, të cilët sipas ministrit, do të jenë më të aftë të kryejnë detyrën e policit rrugor dhe të mos kenë prirje për t’u korruptuar. Veç kësaj, Tahiri paralajmëroi se shumë shpejt do të shkrihet edhe Komisioni i Verifikimit të Patentave, ku për këtë do të shërbejë në ditët në vijim Gjykata Administrative. Sipas ministrit Tahiri, ka prova për përfshirjen e tyre në veprime të paligjshme, si marrje ryshfetesh nga drejtuesit e makinave. Pas një takimi mes Tahirit dhe drejtuesve të policisë, u vendos shkarkimi masiv i policëve dhe zëvendësimi i tyre me efektive nga komisariatet e tjera, pas një plani, me sa duket, të paracaktuar, për të mos krijuar vakum në menaxhimin e trafikut në kryeqytet. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, thuhet se pas një hetimi të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pranë kësaj ministrie, rezulton se më shumë se 80 për qind e këtij efektivi kanë shkelur rëndë ligjin. Ministri lajmëroi shkarkimin nga detyra të 77 oficerë të rolit bazë dhe 11 oficerë të rolit drejtues. Për pesë prej të shkarkuarve, ka nisur procedimi penal, për shpërdorim detyre. Sipas ministrisë janë verifikuar shkelje të rënda në procedurat e bllokimit të patentave, masave disiplinore dhe mënyrës së trajtimit të tyre në komisionet e disiplinës, ku kundrejt pagesave nën dorë toleroheshin shkeljet e rregullores.

Anulohen karrotrecët

Dita e djeshme i ka kapur në befasi dhe kompanitë e karrotrecëve, të cilët shfaqen në Tiranë duke marrë makinat e qytetarëve, të cilët i detyrojnë më pas të paguajnë 70 mijë lekë të vjetra për të nxjerrë nga pika e bllokimit automjetin e tyre. Për një sërë veprimesh abuzive, dje ministri Tahiri ka vendosur të anulojë tenderin për karrotrecët që shërbenin për transportimin e makinave të bllokuara si pasojë e shkeljes së rregullave të vend parkimit. Tenderi nuk duhej të zhvillohej nga Komisariati i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, pasi nuk ka kapacitetet e duhura për të realizuar këtë procedurë. Tenderët analogë për të njëjtin shërbim në qarqet e tjera janë kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Tenderi i shërbimeve nuk mund të shtrihet në 5 vjet. Është vendosur një vlerë e kontratës, në një kohë kur pagesa e firmës do të behet sipas të ardhurave të realizuara nga shërbimi. Çmimi i shërbimit të transportit është 4000 lekë, pra më i lartë se gjobat për kundërvajtje administrative që është akt juridik.

Takimi me Sequi-n

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, i ka cilësuar si mjaft entuziaste reformat që pritet të ndërmerren nga Ministria e Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në një prononcim për mediat pas takimit me ministrin e Brendshëm, ambasadori Sequi shprehu mbështetjen ndaj Ministrisë së Brendshme, ndërsa theksoi se ministri Tahiri ka një sfidë të madhe përpara. “Falënderoj ministrin për këtë takim të shkëlqyer. Më tregoi për një sërë reformash që do të bëjë, janë një sërë reformash që besoj se kanë për ta bërë policinë më efikase në punën e tyre. Ministria e Brendshme luan një rol kritik për një sërë prioritetesh për integrimin, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Diskutuam edhe një çështje tjetër, bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës mes institucioneve që luajnë rol të rëndësishëm në shtetit ligjor”, – tha Sequi. Gjithashtu ambasadori Sequi theksoi se ka diskutuar me ministrin Tahiri edhe për në sërë projektesh të cilat priten të vihen në zbatim. Nga ana tjetër, Samir Tahiri ka garantuar ambasadorin se ai dhe institucioni që drejton ka vullnet të plotë dhe angazhim për plotësimin e kushteve për integrimin e vendit në BE, në mënyrë të veçantë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ministri Tahiri theksoi se do të sigurojë bashkëpunim më të mirë me të gjitha institucionet si dhe me prokurorinë.

Rasti 1

Në 28 raste të vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative mungonin lejet e drejtimit të shtetasve, të cilat ishin brenda afatit të bllokimit.

Rasti 2

Rezultuan mangësi në mënyrën e plotësimit të procesverbaleve të konstatimit të shkeljeve. Konkretisht, në mjaft raste janë tërhequr dokumentet e automjeteve si mënyrë presioni për të garantuar pagesa abuzive.

Rasti 3

Nga punonjësit e rolit drejtues gjatë kësaj periudhe nuk është marrë asnjë masë administrative ndaj shkeljeve të punonjësve të qarkullimit, për mënyrën e plotësimit të procesverbaleve

Të shkarkuar

  1. 77 policëve të rolit bazë
  2. 11 oficerë të rolit drejtues
  3. 5 oficerë ndjekje penale
  4. Shpërdorim “detyre”
  5. “Korrupsion pasiv”

 

Pas njohjes me urdhrin pritet që sindikata të reagojë

Reagimi i kreut të Sindikatës së Policisë

Fishta: Pas shkarkimeve, morëm gjashtë ankesa

Shkarkimet masive që janë kryer nga ministri Tahiri në Komisariatin e Policisë Rrugore nuk kanë shpëtuar pa tërhequr vëmendjen e Sindikatës së Policisë. Kreu i kësaj sindikate, i kontaktuar nga me telefon nga gazeta “Standard”, është shprehur se me urdhrin e ministrit është njohur vetëm nëpërmjet mediave dhe disa prej punonjësve të Policisë Rrugore. “Unë jam në pritje të ardhjes së shkresës zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe pasi të jem njohur zyrtarisht me argumentet e shkarkimit, atëherë shumë shpejt ne si sindikatë do të vendosim të dalim me një deklaratë publike rreth këtij vendimi”, – ka deklaruar kryetari Satedin Fishta. Më tej ky i fundit shtoi se që prej ditës së djeshme në zyrën e tij, kanë mbërritur rreth 6 ankesa të efektivëve të Policisë Rrugore, të cilët kanë kërkuar ndihmën e sindikatës. “Që nga momenti i daljes së urdhrit të ministrit më kanë marrë në telefon rreth 6 efektivë të policisë, të cilët ma kanë shfaqur si problem serioz largimin e menjëhershëm nga puna. Këtyre efektivave u kam kërkuar që të depozitojnë ankesat me shkrim dhe kështu ka ndodhur. Për momentin unë kam 6 ankesa me shkrim dhe besoj që në ditët në vijim ky numër të ritet akoma më tepër. Tashmë ne jemi në pritje vetëm të vendimit të ministrit Tahiri. Pasi ta shqyrtojmë me imtësi, atëherë do të vendosim se çfarë do të bëjmë më tej dhe se çfarë masash ligjore do marrim për ta kundërshtuar urdhrin e ministrit Tahiri”, – theksoi kryetari i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Satedin Fishta. Pritet që pas shkarkimit masiv në Komisariatin e Policisë Rrugore, shkarkime do të ketë edhe në struktura të tjera të policisë, kjo edhe si pasojë e reformës në polici, por edhe si rezultat i dyshimeve për veprime korruptive dhe mospërmbushjes me rigorozitet të detyrës. Për të gjithë ata që kanë abuzuar me ligjin, ministri Tahiri ka paralajmëruar largimin e menjëhershëm nga puna.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency