Pse e hodhën në plehra referendumin për plehrat?

0
134

Fuga_-_Photo1Artan Fuga

 

Shqeva sytë nga habia.Një nga themeluesit dhe bartësit kryesorë të lëvizjes kundër importimit të mbetjeve në territorin shqiptar, para dy a tri ditësh, në një nga gazetat kryesore të përditshme deklaronte se kishte hequr dorë nga “referendumi kundër plehrave”, aq shumë i kërkuar dhe i debatuar, i fituar me një mijë mundime, kundër burokracisë dhe dëshirave për të mos lejuar një lloj të veçantë demokracie, atë më të lashtën, ku populli vetëvendos drejtpërsëdrejti për çështje të ndryshme.

Ai, njeri i respektuar në publik, jepte si argument se meqë një nga vendimet e qeverisë së re ishte anulimi apo zhvlerësimi i kuadrit normativ që lejon importimin e mbeturinave, atëherë as referendumi nuk kishte përse bëhej më. Ishte lënë të bëhej, me sa më kujtohet, aty nga dhjetori i këtij viti.

Nuk mund ta di nëse ka një kokë drejtuese zyrtare në këtë aleancë kundër importimit të mbeturinave, sikurse e quajnë, të plehrave, jo rastësisht, pra nuk e di se kush e ka tagrin prej tyre ta deklarojë këtë dorëheqje apo heqje dorë. Nuk e di sesi funksion demokracia brenda kësaj lëvizjeje. Por, çfarë rëndësie ka!

Gjykimi im është se midis vendimit të qeverisë për mosimportimin e mbeturina dhe heqjes dorë nga referendumi për importin e tyre në Shqipëri nuk ka fare lidhje, ose ka aq lidhje sa ka lidhje mes fjalës “mbeturina” dhe fjalës “plehra”. Jo më kot fjala mbeturina zëvendësohet me fjalën plehra. Supozohet se të pranosh importin e mbeturinave do të thotë ta mbushësh territorin e Atdheut tonë me ujëra të zeza, pisllëqe, plehra, duke e bërë mjedisin edhe më pis dhe të ndyrë sesa është. Gjithçka mund të ndodhë dhe gjithçka mund të thuash. Por, kur mendon se vende shumë herë më të zhvilluara sesa ne në Perëndim importojnë mbetje dhe e kanë kthyer këtë në një industri që sjell fitime, në parim, është shumë padituri të barazosh përpunimin e mbeturinave me importimin e plehrave. E para është industri, e dyta do të ishte kriminale.

Se shoqëria është pak si trupi i njeriut, rrezik se nuk jeton dot pa krijuar mbeturina kur prodhon dhe harxhon, përndryshe bllokohen “zorrët”, “stomaku” etj.

Fjala plehra në shqip ka marrë një vlerësim negativ. Edhe tjetrit kur e përbuzim i themi “Ik ore plehër!” Me të drejtë, sepse e para plehrat, hidhen andej këndej dhe të kalosh në lagjen time apo te urat e Lanës duhet të mbyllësh hundët nga era që vijnë plehrat e kalbëzuara. Për të mos thënë se plehrat në raste të tjera as nuk arrijnë deri te kazanët sepse hidhen në mes të rrugës. Po ashtu, përbuzje ka edhe shoqëria shqiptare tradicionalisht edhe për mbledhësit e plehrave ose plehraxhinjtë, ndonëse ai është një zanat si të gjithë të tjerët. Shpesh caktojnë me punë atje njerëz nga shtresat që i përbuzin në mënyrën më të paturpshme dhe kot fare se shpesh herë ata mund të jenë edhe më të ndershëm sesa gjysma e popullsisë tjetër. Plehrat në gjuhë perëndimore, kur bëhet fjalë saktësisht për to dhe mbledhja dhe përpunimi i plehrave, nuk kanë asnjë mbishtresë kuptimore negative, përkundrazi përbëjnë një degë të rëndësishme të shoqërisë.

Por të kthehemi te heqja dorë ose dorëheqja “demokratike” nga referendumi mbi plehrat. E kërkuan referendumin, bravo u qoftë! E fituan, kundër kokëshkëmbësisë ligjore dhe tani meqë qeveria e re nuk importon më plehra, edhe ata heqin dorë nga referendumi. E hedhin në plehra! As nuk përpiqen ta trajtojnë si mbeturinë, as dinjitetin e mbeturinës nuk i japin, por direkt, nga penxherja e banjës drejt e në oborr…

Referendumi pasi u caktua u bë një e drejtë ligjore e të gjithë qytetarëve. Edhe atyre që aderuan në lëvizje edhe e atyre që nuk aderuan por e shihnin me simpati. Madje, edhe atyre që janë kundër kundërshtarëve që me profile ekologjiste janë kundër importimit për përpunim të mbetjeve të ardhura nga jashtë në territorin e Shqipërisë. A thua se nuk vijnë vetura gati për plehra, e nuk mbushemi nga jashtë me lloj-lloj shishesh, kanoçesh etj.

Referendumi është kthyer në një të drejtë, pra edhe iniciuesit nuk kanë të drejtë ta anulojnë, sepse kështu jo vetëm tallen me qytetarët, por edhe me veten e tyre, e mbi të gjitha vihet re një dalje mbi ligjin dhe të drejtën qytetare.

Sepse referendumi ka një “jo”, por ka edhe një “po”. Mund të ketë qytetarë që të jenë “për” importimin për përpunim të mbetjeve të ardhura nga jashtë.

Pse plehrat e të tjerëve do të përpunojmë ne? Pyetja është fare naive, teknologjikisht do të ishte sikur të thoshim: Pse rrobat e gabit të të tjerëve do të veshim ne? Pse makinat e lëna të të tjerëve do të vozisim ne? Pse në autobusët e lëna prej të tjerëve do të hipim ne? Po, ashtu bëjmë, i varfëri riciklon ato që lë i pasuri. Sado që na shkel në krenarinë kombëtare sepse për ne vendet e hedhjes së plehrave barazohen me WC, i varfëri bën punët që nuk i bën i pasuri. Përndryshe nuk mbijeton dot. Edhe në Perëndim është i varfëri që bën pazaret e veta atje ku të pasurit lënë produktet e përdorura. Si te gabi, pra… por edhe te veturat e përdorura, por edhe te “lëmoshat” që na jepen si ndihma etj. Njeriu duhet të jetë i thjeshtë dhe të mos jetë qibar. Gradualisht do të ngrihemi edhe ne… Mua po të më jepte dikush nja pesë kamera profesionale të përdorura për praktikat e gazetarëve të rinj, do t’i kisha pranuar për qejf dhe me falënderime për dhuruesin.

E shoh që dikush po bëhet gati të pyesë: E kush e donte importimin e plehrave?

Gabim pyetja. E para edhe sikur për “po” të ishin zero vetë, edhe ky është një rezultat ligjor. E dyta, nuk paragjykohet një rezultat referendumi. Por, e treta është edhe më e fortë. Nuk i dihet, mund të ketë njerëz që edhe janë për përpunimin e mbeturinave të huaja në Shqipëri.

Unë mund të isha, nuk e di akoma, një prej atyre që do të përkrahnin lindjen e kësaj industrie në vend. Ah, ja të kapëm! Ti je për kthimin e territorit të Shqipërisë në një kazan plehrash. Turp!

Prit, mos u nxito!

Po të pyesësh edhe më të pandërgjegjshmin e shqiptarëve nëse do të donte që vendi i tij të kthehej në një grumbull plehrash, ku plehrat e të huajve, me rrezatim apo pa rrezatim, të na mbulonin deri në çati, askush, aq më pak unë, nuk do t’i dridhej dora të firmoste ndalimin e mbledhjes së plehrave të huaja në Shqipëri.

Por, por, por, çështja nuk është këtu. Nëse do të ndiqej një politikë ku mbeturinat e ardhura do të ishin të klasifikuara, të parrezikshme, të përpunueshme, të riciklueshme, të përpunuara në mënyrë industriale, nën kontrollin e rreptë ligjor, policor, burokratik, e mbi të gjitha qytetar, çështja shtrohet ndryshe dhe mund të marrë një përgjigje tjetër. Nëse bashkë me këto “plehrat” do të na vinte edhe një teknologji e lartë përpunimi, ku bashkë me të huajat do të mblidhnim edhe plehrat tona, këtu është tjetër hesap.

Po sikur kjo industri të hapte disa mijëra vende pune, të sillte mjete financiare dhe këto parà të shkonin për të blerë medikamente për spitalet shqiptare, apo të përmirësonin gjendjen e shërbimit mjekësor në Shqipëri, duke sjellë miliona euro, a nuk do të duhej të mendoheshim pak! A nuk do të na akuzonte dikush se ne me refuzimin tonë kapricioz, pa kushte, pa e trajtuar çështjen si një industri, kemi shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerzve që kanë nevojë për shërbim mjekësor të specializuar dhe shumë të kushtueshëm! E qetë do të ishte ndërgjegjja jonë? E imja jo njëherë.

Edhe njëherë, tjetër mbledhja e plehrave, tjetër përpunimi i mbeturinave. Kam pasur rastin të shoh uzina përpunimi mbeturinash që janë më higjienike sesa disa nga restorantet tona gjatë verës…! Bile edhe më higjienike sesa ndonjë spital pisanjoz dhe i ndyrë…

Pra, do të votohej në varësi sesi do të shtrohej çështja. Por, si duket, dorëheqësi ose heqësidorë, ka menduar se në referendum do të bëhej pyetja: A dëshironi ta ktheni Shqipërinë në kazan plehrash? Sigurisht që të gjithë shqiptarët, me përjashtim të ndonjë të marri, me “jo” do të përgjigjeshin. Por, nëse pyetja do të shtrohej si e theksuam më lart, atëherë dale, se nuk i dihet se çfarë vendimi do të merrnin shqiptarët.

Qeveria në të drejtën e vet ka anuluar importin e plehrave. Por, kjo nuk legjitimon anulimin e referendumit kundër plehrave. Pa pikë lidhje dy ngjarjet. Pa logjikë lidhja e tyre. Pse? Por, sepse pas gjashtë muajsh ta zëmë, ose dy vjetësh, qeveria shqiptare, nën presion, ose për shkaqe nevojash, apo për korrupsion të dikujt, a për një mijë arsye që askush nuk i mendon dot, mund t’i kthehet përsëri vendimit për t’i pranuar plehrat. Po qe se një referendum do të ishte bërë, atëherë edhe qeveria do të çlirohej nga presioni, edhe asnjëherë nuk do t’i kthehej këtij problemi pa konsultuar qytetarët e vet. Kurse kështu rruga është e hapur për të bërë çfarë të dojë.

E tradhtuan çështjen kundër plehrave dorëheqësit…

E mbi të gjitha u diskreditua jo përmbajtja, por vetë ideja e referendumit si demokraci e drejtpërdrejtë popullore. Ne kishim nevojë për një përvojë të parë ku populli merr në dorë qeverisjen e vet, këtë na e hoqën dorëheqësit… Mëkat i madh. Edhe sikur të kishim një referendum kot, ta zëmë “A jeni që ta bëjnë një referendum kundër importimit të mbeturinave?”, edhe ky si përvojë demokratike do të kishte qenë i shkëlqyer.

Dikush më ka thënë: Mirë e ke ti, plehrat përpunohen bukur fare, por jo me një shtet si joni. Argument krejt idiot. Atëherë duhet të bëjmë një referendum nëse kemi shtet ose jo? Kot u biem në qafë plehrave në vetvete.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency