Misioni i FMN-së, nisin bisedimet zyrtare

0
166

Ervin Kaduku

Borxhi duhet të ulet, por shqetësimi i ndërkombëtarëve është se çfarë rrugësh mendon të ndjekë qeveria e re për të kryer një gjë të tillë, pa cenuar nivelet e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto

 

IMFPërfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë zhvilluar dje një takim zyrtar me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, si dhe me drejtuesit e drejtorive kryesore të këtij dikasteri. Sipas burimeve nga takimi, i cili zgjati përreth dy orë, u diskutua kryesisht për zhvillimet e fundit makroekonomike dhe perspektiva e rritjes, inflacioni, bilanci i pagesave, kushtet fiskale dhe kreditit. Gjithashtu është diskutuar mbi strukturën e borxhit dhe parashikimet, qëndrueshmëria e borxhit, diskutimi i strategjisë së menaxhimit të borxhit.

Nevojat për financim afatmesëm dhe mënyrat për të reduktuar varësinë nga bankat tregtare, kanë qenë tema të tjera të këtij takimi. Burimet sqarojnë, se është diskutuar mbi politikat dhe mundësitë për kontraktimin e borxhit të ri, si dhe treguesit e buxhetit 2013 deri më tani dhe hartimi i projektbuxhetit 2014. Vetëm një ditë më parë, gjatë një aktiviteti të Bankës së Shqipërisë, shefi i misionit të FMN për vendin tonë, Nadeem Ilahi, vlerësoi se borxhi publik është rritur në përmasa shqetësuese, ku një problem më vete janë detyrimet e prapambetura dhe të padokumentuara ndaj bizneseve. Sipas FMN-së, borxhi mund të arrijë deri në 80% të PBB në vitin 2018, nëse nuk merren masa serioze për mbajtjen e tij nën kontroll.

Por, zoti Ilahi theksoi se ulja e borxhit duhet të jetë e kujdesshme, për të ruajtur nga shtrëngimet e mëtejshme ekonominë që po vuan pasojat e krizës. Ekspertët e misionit të FMN-së pritet të zhvillojnë takime në ditët e ardhshme edhe me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, me anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, por edhe me drejtues të KESH-it dhe AMF-së. Në fund të vizitës së tyre 8-ditore, pritet të mbahet një konferencë e përbashkët për mediat e përfaqësuesve të FMN-së, ministrit të Financave dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, dy delegacionet kanë biseduar lidhur me të gjitha temat shqetësuese të financave publike dhe ekonomisë shqiptare, duke nisur nga problemi i borxhit të rritur publik, të cilin qeveria e mëparshme e lejoi të kalonte mbi nivelin e mëparshëm të detyrueshëm prej 60 për qindësh. Ky borxh aktualisht ndodhet në nivelin e 64 përqindëve.

Misioni ka kërkuar të dijë lidhur me rrugët që mendojnë të ndjekin qeveritarët e rinj për uljen urgjente të deficitit buxhetor, duke rritur të ardhurat tatimore e duke ulur shpenzimet, të paktën deri në fund të këtij viti financiar. Po kështu, nga pala shqiptare u hodh ideja e kërkesës për financim prej Fondit Monetar, që do të zhvillohet më tej në takimet e ardhshme të FMN-së me zyrtarët e tjerë.

Ky takim i parë kishte karakter kryesisht informues.

Eksperti

Eksperti i ekonomisë, Max Watson, profesor në Universitetin e Oksfordit, tha në një intervistë në Tiranë se gjendja e financave publike të Shqipërisë është më e vështirë se ç’mendohet. Sipas tij, politikat monetare në Shqipëri gjatë viteve të fundit kanë qenë të suksesshme, ndërsa e njëjta gjë nuk mund të thuhet për politikat fiskale.

Zoti Watson shprehet se rritja e borxhit dhe sasia e lartë e detyrimeve të prapambetura e kanë bërë të nevojshëm një auditim të financave publike për të pasur një tablo të qartë të gjendjes. Por, sipas tij është e qartë se hapësirat e politikës fiskale për të nxitur ekonominë janë mbyllur dhe tashmë qeveria mund të japë kontributin e vet më të mirë përmes reformave.

Banka e Shqipërisë ka mbyllur një program trevjeçar bashkëpunimi me Universitetin e Oksford, program që ka mundësuar kontributin e ekspertëve anglezë në studimin e çështjeve ekonomike të Shqipërisë dhe rajonit. Mendimet akademike tashmë përputhen në atë që Shqipërisë i duhet të orientojë ekonominë drejt një modeli të mbështetur mbi prodhimin dhe eksportet.

 

Rritet me shpejtësi vlera e euros në treg, bie dollari

Euroja u rrit me shpejtësi këtë javë në tregun vendas, duke u këmbyer në fund të javës me 140.95 lekë, niveli më i lartë që nga fundi i qershorit. Të hënën e kësaj jave, monedha e përbashkët këmbehej me 140.3 lekë.

Edhe dollari, i cili të enjten zbriti në kuotën e 103.94 lekëve shënoi rritje të fortë dhe të papritur, në 104.3 lekë të premten.

Aktorët e tregut valutor pohojnë se arsyet e forcimit të euros lidhen si me faktorë të brendshëm ashtu dhe të jashtëm. Në bursat ndërkombëtare, euro u forcua ndaj dollarit ne nivelin e 1.35 USD, pasi Rezervat Federale të SHBA-së në mënyrë të papritur njoftuan të mërkurën vonë se nuk do të fillonin shkurtimin stimujve, ndryshe nga sa ishin pritshmëritë e tregut. euro po tregtohet ndaj dollarit në tregjet ndërkombëtare në nivelin më të lartë të shtatë muajve.

në tregun e brendshëm, ekspertët e tregut pohojnë se ky është rikthim në çmime normale, pas mbarimit të efekteve sezonale, që gjithsesi nuk kishin sjellë ndonjë forcim të ndjeshëm të monedhës vendase për shkak të prurjeve më të dobëta nga emigrantët.

Ekspertët e konsiderojnë kuotimin në nivelet midis 140.5-141 si normal.

Por, sipas tyre, efekt shumë të fortë ka pasur zhvlerësimi i dollari kundrejt lekut, pasi kjo ka stimuluar blerjet nga kompanitë e mëdha të fuqishme që kanë marrëdhënie me dollarin, kryesisht importet nga Kina, por dhe ato të naftës. Kjo shpjegon dhe rritjen e fortë të dollarit ditën e premte, ndonëse ai është i dobët në tregjet ndërkombëtare.

Efektet sezonale mbaruan dhe tani fillon një sezon me efekte të kundërta, teksa kjo periudhë stimulon një valutë të fortë, duke qenë se ka më pak euro në qarkullim, të ardhurat nga emigrantët dhe investimet kanë rënë. Në kushtet kur kërkesa për valutë mbetet e lartë dhe oferta e ulët, monedhat e huaja, sidomos euro, pritet të jenë të forta.

Një zhvlerësim gradual është normal për këtë periudhë pa marrë parasysh çështjen politike brenda vendit, pohojnë aktorët e tregut valutor.

 

 

 

Kodi Civil, pas ndryshimeve, sekuestrot më të lehta

Pas miratimit të paketës së ndryshimeve në Kodin Civil, që lehtëson procedurat e ekzekutimit të kolateralit, një vendim i ri i qeverisë që tashmë ka marrë fuqi ligjore thjeshton procedurat e marrjes së urdhrit të ekzekutimit. Ligji i ri parashikon një afat 5-ditor për marrjen e urdhrit të ekzekutimit pas vendimeve të gjykatës, në një kohë që procedurat e mëparshme zgjasnin minimalisht 2 muaj.

Referuar urdhrit që mban firmën e ministrit të Drejtësisë, titulli vihet në ekzekutim nëpërmjet lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, që lëshohet nga gjykata që ka dhënë vendimin. Në këtë rast, kancelari konfirmon urdhrin e ekzekutimit brenda pesë ditëve nga marrja formë të prerë e vendimit gjyqësor, nëse për vendimin nuk ka apelim. Miratimi i këtij urdhri i hap rrugë zbatimit të plotë të procedurave të reja të ekzekutimit të kolateralit, që kanë hyrë në fuqi në fillim të muajit.

Referuar procedurave të reja që pritet të ndikojnë kryesisht në uljen e kredive me probleme në vend, ekzekutimi i kolateralit do të bëhet në një kohë të shkurtër që arrin deri në 6 muaj. Po ashtu, ndryshimet në Kodin Civil i japin fund edhe zvarritjeve që i krijoheshin, procesit të shitjes së pronës në ankand, përmes ankimimeve të vazhdueshme nëpër gjykata. Me ndryshimet e reja, nëse kredimarrësi i cili nuk ka shlyer detyrimet ka humbur gjyqin me bankën dhe kjo e fundit i është drejtuar përmbarimit, që nga 1 shtatori, ai nuk ka asnjë shans të zvarrisë procesin dhe të rimarrë pronën e lënë peng.

 

Fier, Bankers Petroleum vijon të shkatërrojë mjedisin

Shpërthimet që shkakton kompania naftënxjerrëse “Bankers Petrolium” vazhdojnë të shkaktojnë dëme dhe ndotje masive të ajrit në disa fshatra të komunës Zharrëz në rrethin e Fierit. Banorët e fshatit Sheqisht vazhdojnë të ngrenë problemin e tyre se shpërthimet e kompanisë sa vijnë e shtohen ditë e natë, duke shkaktuar çarje të banesave të tyre, si dhe duke ndotur mjedisin nga tymrat që çlirohen.

Banorët thonë se shqetësimi i tyre është depozituar disa herë në komunë, por askush nuk merr masa, ndërsa tregojnë se kanë frikë të ngrihen në protestë, pasi policia sipas tyre në vend që të dënojë firmën private, burgos banorët e fshatit. “Kjo situatë prej një viti e ca. Jemi ankuar, por nuk pyet njeri për ne. Kemi dalë, kemi zënë rrugën, ka ardhur policia, ka dhunuar dy tre çuna të fshatit dhe ikin. Sa herë që ka lagështi këtu nuk mbushesh dot me frymë. Edhe për punë, në vend që të marrin banorët e fshatit marrin njerëz nga ana e anës. Ne vdesim nga ndotja dhe jemi pa punë. Komuna fshihet, s’dimë gjë, thonë ata.
Jemi ankuar në komunë, kreu i komunës nuk e ka vënë ujin në zjarr. S’kanë orare për shpërthimet, protesta kemi bërë, por policia dënon fshatin jo kompaninë.
Janë çarë shtëpitë janë bërë të gjitha copa. Janë ankuar të tërë, por asgjë deri tani. Janë shpërthime nga puset e naftës. Kanë filluar që vjet në këtë zonë.
Nuk po çan kokë asnjë për këtë punë.
Erërat e gazit na shqetësojnë shumë, jemi të bllokuar. Po të bëjmë analizat të gjithë dalim të sëmurë. Në fshatin tonë ka plot shtëpi që janë të dëmtuar, kjo ndodh nga firma “Bankers”. Ata që janë ngritur kundër firmës, sot janë në burg”, – shprehen banorët.
Pak ditë më parë banorët u ngritën në protestë, kundër aktivitetit të kompanisë naftënxjerrëse “Bankers Petroleum”, por deri tani asgjë nuk është bërë për këta banorë. Kjo situatë vazhdon prej më shumë se një viti, ndërsa banorët kanë paralajmëruar se do të bllokojnë rrugën nacionale Fier – Berat.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency