Tahiri: Jemi të gjithë në provë s’ka tërheqje prapa kundër krimit

0
138

Takimi i parë i ministrit të ri me forcat e policisë. Shkarkohen publikisht dy efektivët e Rrugores

 

cache-210-150-strict-91795_1“Jemi të gjithë në provë, duke filluar nga unë i pari e deri tek polici më i thjeshtë. Ai që tërhiqet në luftën me krimin apo që frenohet nga një telefonatë, do të konsiderohet si tradhtar”. Kjo është vetëm një fjali e fjalës së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, mbajtur përpara dhjetëra drejtuesve të Policisë së Shtetit. Situata e rënduar kriminale në vend ka bërë që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të thërrasë në një takim krerët e policisë së shtetit. Në fjalën e tij, ministri Tahiri theksoi se situata e rendit publik është shumë, shumë larg në atë qenit alarmante por pa ekzagjerim është emergjencë kombëtare. “Tranzicioni i pushtetit mbaroi dhe bashkë me të ka mbaruar dhe hutimi kolektiv për të bërë punën. Dhuna po shkund themelet e shoqërisë dhe armët po flasin më shumë se fjalët. Përgjegjësia duhet gjetur tek vullneti politik por po njëlloj përgjegjësie është brenda kësaj salle dhe brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Megjithatë kjo nuk është koha për përgjegjësitë dhe unë jam këtu që të ngremë në këmbë policinë për të vendosur sigurinë”, – tha Tahiri.

“Mbështetje drejtuesve”

Ai ka garantuar mbështetje pa kursim për drejtuesit e përkushtuar të Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se nuk do të ekzistojnë më të paprekshmit. Sipas tij, një gjë e tillë nuk do të tolerohet e nuk do të funksionojë pasi ligji është një për të gjithë. “Ne do mbështesim të gjithë drejtuesit e përkushtuar të Policisë së Shtetit si dhe të gjithë ata që detyrën e justifikojnë me punë. Pres maksimumin tuaj, pa orar, pa kursim, pa kompromis. Presim që qytetarët të mos jenë të dobët e të pasiguritë. Askush prej punonjësve prej përmbushjes së detyrës nuk do të pengohet të bëjë detyrën në shërbim të ligjit. Që sot do të shembim murin e pandëshkueshmërisë, askush nuk ka imunitet nga ligji. Policia e Shtetit nuk ka asnjë imunitet tjetër përveç ligjit”, – tha Tahiri.

Besimi tek publiku

Ministri Tahiri theksoi se një prej sfidave të Policisë së Shtetit është rikthimi i besimit tek publiku duke kërkuar të rishikohen denoncimet e qytetarëve për ngjarje të ndryshme. “Sfida jonë është të rikthejmë besimin tek publiku. Pres të rishikoni urgjentisht strukturën e marrjes së denoncimeve. Të mos ndodhë më që qytetarit të marrë në telefon apo të bëjnë denoncim e të kthehen mbrapsht. Nuk ka kohë për këto gjëra. Merrni masa të rregulloni këtë marrëdhënie, punë më të madhe se ajo me qytetarin nuk ka”, – tha Tahiri. Ministri i Brendshëm ka deklaruar se puna me dy standarde e policisë nuk do të tolerohet më, duke kërkuar korrektesë nga punonjësit e policisë rrugore. Tahiri ka theksuar gjithashtu se duke filluar nga ai i pari e deri tek çdo polic sot janë në testin përballë qytetarëve. “Nga sot unë i pari, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe çdo polic këtu, jemi në provë para publikut për të zbatuar ligjin dhe për t’i rikthyer qytetarëve rendin dhe qetësinë”, – përfundoi Tahiri. Ndërkohë, dy ditë më parë vetëm pak orë pasi kishte marrë detyrën, ministri Tahiri zhvilloi edhe një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ndërkohë që dje ka zhvilluar një takim pune me prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe kreun e SHISH, Vizho Ajazin.

 

Dëshmia në Prokurorinë e Tiranës

Drejtori i Inspektimit në Metrologji

jep të dhëna para prokurorëve të task-forcës

Drejtori i Inspektimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë u mor këtë të hënë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për të zbardhur dyshimet se si janë mashtruar qytetarët nga disa subjekte tregtare gjatë shitjes së karburantit. Seladin Xhidaj, kreu i inspektimit dhe një ndër personat që ka hedhur firmën në raport-kontrollin ku u evidentuan shkelje të tilla nga 14 subjekte, deklaroi se është i hapur me prokurorinë për të dhënë informacionet e nevojshme. “Më thirrën për atë çështjen e bujshme në media. Ofrova bashkëpunimin tim dhe fola për raportin. Konstatohen shkelje jo në sasi, por në dokumentacion”, – ka deklaruar Xhidaj pas marrjes në pyetje. Në prokurori pritet të japin versionin e tyre shtatë inspektorë të tjerë të kësaj drejtorie, në një kohë që javën e kaluar është pyetur në zyrën e saj edhe drejtoresha e përgjithshme e Metrologjisë, Kozeta Mesiti. Prokuroria dyshon paraprakisht se qytetarët gjatë blerjes së karburantit janë mashtruar në sasira të vogla, në një kohë që ka procedimi penal është regjistruar për tre vepra penale: vjedhje, mashtrim dhe evazion fiskal.

 

Ngjarja në Itali

Kapen për vjedhje makinash tre emigrantë shqiptarë

Tre emigrantë shqiptarë janë arrestuar në flagrancë nga policia italiane, pasi akuzohen për disa vjedhje makinash. Arrestimi i Ernald Taçit, 27 vjeç, Mark Nikollës, 23 vjeç dhe Ndue Lokut, 27 vjeç, është bërë në një makinë të vjedhur në Teramo. Sipas policisë, drejtuesi i makinës është një person me precedentë penalë. Tre shqiptarët, kishin udhëtuar me një makinë me targa shqiptare të cilën më pas e kishin parkuar. Të tre shqiptarët më pas kishin vjedhur një makinë “Volkswagen Golf”, duke u larguar me shpejtësi. Pasi kishin udhëtuar për 200 metra ata e kishin lënë makinë e vjedhur ishin kthyer për të marrë makinën “Benz”. Në këtë moment janë ndaluar nga policia dhe akuzuar për disa vjedhje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency