Kabineti “Rama” betohet tek Nishani, ja tre vendimet e para

0
189

Florenc Drizari

“Qeveria e re është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të qeverisë për të gjithë shqiptarët”

 

Nishani - RamaKryeministri Edi Rama dhe kabineti qeverisës prej 19 ministrash u betua pasditen e djeshme pranë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Rreth orës 18:00 Edi Rama mbërriti tek kreu i shtetit bashkë me ministrat e qeverisë, ndërkohë që ceremonia e betimit u zhvillua pa praninë e medias. Pamjet e para nga ceremonia u bënë publike disa minuta më pas nga zyra e shtypit e Presidencës. Në ambientet e presidencës, në krahun e djathtë të Nishanit ishin rreshtuar të gjithë anëtarët e kabinetit “Rama”, dhe në krahun e majtë qëndronin këshilltarët e tij.

Rreth 25 minuta nga hyrja në Presidencë, stafi i anëtarëve të Këshillit të Ministrave bashkë me Presidentin Bujar Nishani zhvilluan një foto të përbashkët para ambienteve të Presidencës. Më pas rreth orës 18:36 Kryeministri Rama sëbashku me ministrat e kabinetit ecën në këmbë deri në ambientet e Kryeministrisë, nga ku i priste ceremonia e radhës. Gjatë rrugëtimit të shkurtër në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përkrah Ramës qëndronin dy nga ministret femra të kabinetit si, Kladja Gjosha e LSI-së dhe Mimi Kodheli e Partisë Socialiste. Gjithashtu pranë tij ishte edhe pjesa tjetër e kabinetit bashkë me zv. Kryeministrin Niko Peleshi. Në ambientet para Kryeministrisë ishte i vendosur një tapet i kuq nga i cili Rama bashkë me ministrat bënë edhe foton e radhës, ndërsa pjesa hyrëse para godinës qeveritare, ishte ndriçuar me ngjyrat e “Rilindjes”. Rreth orës 18:48 minuta, Edi Rama mbaroi fjalimin përshëndetës dhe hyri bashkë me ministrat në godinën e Kryeministrisë.

EDI RAMA

Me një fjalim të shkurtër, Kryeministri Edi Rama foli për mbylljen e kapitullit opozitar dhe fillimin e një periudhe pune siç e quajti ai. Nën thirrjet Edi… Edi!… të të pranishmëve para godinës qeveritare, Kryeministri Rama falënderoi shqiptarët për votat e marra në 23 qershor si dhe nuk la pa përmendur edhe ata që nuk e votuan. Për këta të fundit ai tha se qeveria është e të gjithë shqiptarëve.

“Mirënjohje për ata miliona shqiptar që votuan ASHE më 23 qershor. Por edhe respekt po njësoj për të gjithë ata që më 23 qershor nuk e votuan ASHE. Qeveria e re është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të qeverisë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi zgjedhur për të bashkuar dhe jo për të ndarë dhe do të bashkojmë e jo të ndajmë. Jemi zgjedhur për të shërbyer dhe do të shërbejmë, e do të jemi shembull në luftën kundër padrejtësisë dhe korrupsionit. Ne jemi votuar për t’i dhënë të gjithë sëbashku Shqipërisë sonë të dashur energjitë që të ecë më shpejt për një Rilindje Shqiptare dhe të mos humbasë vite të tjera pafund drejt ëndrrës Evropiane, drejt BE dhe drejtë përmbushjes së atij amaneti që vjen nga larg dhe është misioni ynë. Ne me shumë përulje u themi  të gjithëve se rilindja që duam nuk mund të vijë brenda natës dhe se për rilindjen që duan kemi nevojë për të gjithë, prandaj do të qeverisim për njerëzit. Për ne këtu mbaron koha e fjalëve në opozitë dhe fillon koha e punës në qeveri”, – deklaroi Edi Rama.

 

 

 

Lista e emrave të qeverisë së re socialiste

1.  Edi Rama, Kryeministër
2.  Niko Peleshi, zëvendëskryeministër
3.  Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme
4.  Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes
5.  Saimir Tahiri, ministër i Punëve të Brendshme
6.  Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Evropian
7.  Shkëlqim Cani, ministër i Financave
8.  Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
9.  Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
10.  Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
11.  Lindita Nikolli, ministre e Arsimit dhe Sportit
12.  Nasip Naço, ministër i Drejtësisë
13.  Z Mirela Kumbaro Furxhi, ministre e Kulturës
14.  Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
15.  Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë
16.  Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
17.  Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë
18.  Lefter Koka, ministër i Mjedisit
19.  Milena Harito, ministre Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike
20.  Bledi Çuçi, ministër Shteti për Çështjet Vendore
21.  Ilirjan Celibashi, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin

 

 

 

 

KQZ zhvillon sot mbledhje, deputeti Vasil Bicaj pritet t’i lërë vendin Mhill Fufi-t

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që mesditën e së hënës të zhvilloi mbledhje për zëvendësimin e deputetit Vasil Bicaj në Qarkun e Lezhës. Më herët Kuvendi i Shqipërisë me anë të një shkrese vuri në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zëvendësimin e z. Bici me pasuesin e tij në listën shumemërore të PD-së, dorëzuar para zgjedhjeve të 23 qershorit. Deputeti demokrat gjatë betimit të ligjvënësve të rinj pak ditë më parë, dorëzoi një letër pranë Kuvendit në të cilën deklaroi dorëheqjen nga posti i deputetit, edhe pse këtë mandat nuk kishte marrë ende zyrtarisht. Sipas burimeve të KQZ-së, zëvendësimi i tij do të bëhet ditën e hënë në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor dhe vendin e z. Bicaj do ta zërë kandidati tjetër në listën shumemërore të PD-së, Mhill Fufi. Në Qarkun e Lezhës Partia Demokratike mori katër deputetë, Partia Socialiste dy dhe LSI një deputet.

Ndërkaq, pas betimit të kabinetit të ri qeveritar pranë Presidentit të Republikës Bujar Nishani, pritet të fillojnë procedurat sërish në KQZ për zëvendësimin e deputetëve që janë bërë ministra. Dorëheqja nga mandati i deputetit për anëtarët e Këshillit të Ministrave ishte një premtim i hershëm i kryesocialistit Edi Rama, ku pas fitores së të majtës në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qeshorit, premtimi pritet të shoqërohet me nismat ligjore në KQZ dhe më pas në Kuvend. Aktualisht në kabinetin qeverisë bëjnë pjesë 19 ministra dhe mandatin e deputetit nuk do ta lërë vetëm Kryeministri Edi Rama, ndërkohë që edhe deputetët e LSI-së që janë pjesë e qeverisë, pritet të bëjnë të njëjtën gjë si homologët e tyre socialist.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency