Ndihma ekonomike, ndryshojnë kriteret, ja dokumentacioni shtesë

0
151

Kjo ndihmë është e plotë, kur familjet përfituese nuk kanë të ardhura dhe e pjesshme kur familjet pretenduese kanë të ardhura të pamjaftueshme. Buxheti i akorduar nga shteti për këtë program u delegohet njësive të qeverisjes vendore në formën e një grandi të kushtëzuar.

 

 

timthumbTë gjithë familjarët që nuk gëzojnë një gjendje të mirë ekonomike mund të aplikojnë pranë Shërbimit Social Shtetëror për të marrë ndihmë ekonomike. Këshilli i bashkisë ose komunës ka të drejtë të miratojë kritere specifike për të dhënë ndihmë ekonomike me fonde të buxhetit lokal, për familjet me shumë pjesëtarë apo familjet e varfra. “Këshilli i bashkisë dhe komunës miraton fondin dhe numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike. Vendos, ne përputhje me legjislacionin në fuqi të drejtën dhe masën e përfitimit të ndihmës ekonomike për familjen si dhe ofrimin e përfitimeve të veçanta të parashikuara me ligj.
Miraton strukturat e institucioneve në vartësi të saj qe merren me shpërndarjen e ndihmës ekonomike”, – përcakton vendimi i ri. Për gjendjen e familjes apo anëtarëve të saj,që kërkojnë ndihmë ekonomike, administratorët shoqërore, në bazë të listave, në bashki/komuna, kërkojnë informacionin e nevojshëm, nga institucionet e mëposhtme:

-Zyra e punës

-Zyra e tatim-taksave

-Zyra e sigurimeve shoqërore

-Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (hipoteka)

-Zyra e regjistrimit të automjeteve

-Seksionet pranë bashkive

-Inspektorati i punës

 

Këto institucione duhet që, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës, të dërgojnë informacionin e kërkuar. Programi i Ndihmës Ekonomike mbështet me pagesë mujore familjet pa të ardhura apo me të ardhura të pamjaftueshme. Alokimi i fondeve të Ndihmës Ekonomike bëhet mbi bazën e treguesve statistikorë që dërgohen nga Njësitë e Qeverisjes Vendore. Këto të fundit paraqesin nevojat për fonde duke u mbështetur në strukturën e familjeve përfituese si dhe në të ardhurat që siguron familja nga toka dhe veprimtaritë e tjera prodhuese. Kjo ndihmë është e plotë kur familjet përfituese nuk kanë të ardhura, dhe e pjesshme kur familjet pretenduese kanë të ardhura të pa mjaftueshme. Buxheti i akorduar nga shteti për këtë program u delegohet njësive të qeverisjes vendore në formën e një grandi të kushtëzuar.

 

Kush përfiton

 

-Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme
-Jetimët e papunë, mbi 25 vjeç
-Jetimët e moshës 18-25 vjeç, të çilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari
– Prindërit e fëmijëve të lindur trinjak e më shumë, që u përkasin familjeve në nevojë.

Dokumentacioni
Kryetari i familjes, qe kërkon ndihmë ekonomike, duhet të paraqes, pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore ne bashki/komune, ku ka vendbanimin nga data 1-15 të çdo muaji, dokumentet e mëposhtme, së bashku me kërkesën e nënshkruar nga të gjithë anëtarët madhorë të familjes:
– Deklaratën për gjendjen social-ekonomike të familjes, sipas modelit të përcaktuar, e cila plotësohet, nga kryefamiljari, një herë në vit, si dhe në rastet kur familja përfituese rikthehet ne skemën e ndihmës ekonomike.
– Deklaratën tip mujore qe plotësohet detyrimisht çdo muaj dhe firmoset nga të gjithe personat madhorë të familjes që aplikon për ndihmë ekonomike.
– Certifikatën e gjendjes familjare, ku shënohet data e regjistrimit në regjistrin themeltar, vendbanimi i mëparshëm dhe ndryshime të tjera të familjes.
– Certifikatën e pronësisë,të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
– Aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës (tapinë e tokës) për zonat, ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende. Pas përfundimit të regjistrimit të tokës dhe për këto zona do të jetë e vlefshme certifikata e pronësisë mbi tokën sipas pikës ç.
– Vërtetimin si punëkërkues të papunë, për të gjithë anëtarët e familjes, të aftë për punë, që aplikojnë për ndihmë ekonomike. Ky vërtetim lëshohet nga zyra e punës çdo tre muaj.

Familjet që kanë vendbanimin në qytet,të regjistruara në zyrat e gjendjes civile pas datës 1 gusht 1991, të çilat vendbanimin e mëparshëm e kanë pasur në fshat, duhet të paraqesin, për të kërkuar ndihmë ekonomike përveç dokumenteve të mësipërme dhe këto dokumente:
– Vërtetimin e nënshkruar dhe të vulosur nga kryetari i komunës a bashkisë (që në përbërje kanë fshatrat, banorët e të cilave janë trajtuar me tokë), nga kryetari i fshatit dhe përgjegjësi i zyrës së kadastrës, ku të thuhet se këto familje nuk disponojnë tokë në pronësi, sipas vendimit të komisionit të ndarjes së tokës,meqenëse janë larguar nga vendbanimi, para datës 1 gusht 1991, për arsye pune.
– Kopjet e librezës së punës, të noterizuara, që vërtetojnë së pjesëtarë të tyre kanë qenë të punësuar nga çasti i largimit nga vendbanimi në fshat.
– Certifikatën e pronësisë së tokës, kur kanë përfituar tokë.

Rastet e veçanta

Kur këto familje e ndryshojnë vendbanimin, ato duhet të paraqesin, brenda 30 ditëve, në vendbanimin e ri, një dokument, ku vërtetohet se kanë përfituar ndihmë ekonomike në vendbanimin e mëparshëm. Jetimët që janë të papunë, përveç dokumenteve të përcaktuara më sipër duhet të paraqesin edhe kopjen e noterizuar për statusin e jetimit. Familjet e invalidëve të punës, përveç dokumenteve të përcaktuara më sipër duhet të paraqesin edhe kopjen e noterizuar të vërtetimit KMCAP-it. Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike familjet, që kanë në përbërje edhe një anëtarë të vetëm, që plotëson kushtet e mëposhtme, i çili:
– pronar i çdo kapitali, me përjashtim të shtëpisë së banimit dhe të tokës bujqësore.
– është ekonomikisht aktiv (punëdhënës, i punësuar ose i vetëpunësuar).
– është jashtë shtetit për çdo arsye me përjashtim të personave që kryejnë studime ose janë me kurim.
– nuk është i regjistruar si punëkërkues i papunë.
– refuzon punën e ofruar nga zyra e punësimit.
– ka refuzuar të marrë tokën e dhënë sipas ligjit nr. 7501.
– nuk tërheq ndihmën ekonomike brenda afatit.
– ndërmerr veprime të qëllimshme për të përfituar ndihmë ekonomike

Procedura
Ndihma ekonomike shpërndahet një herë në muaj me vendim të Këshillit të Njësisë të Qeverisjes Vendore. Kërkesa për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet me shkrim nga Kryetari i familjes dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët madhor të saj. Aplikantët paraqesin dokumentacionin tek administratori shoqëror pranë njësisë së pushtetit vendor.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency