Agron Duka: Mandati im do jetë djathtas, u vlerësova padrejtësisht nga Rama

0
141

Florenc Drizari

Intervista/ Duka: I fuqishëm edhe në opozitë me 10500 vota

“Kam marrëdhënie të mira me liderët e PD-së”

 

Agron-Duka-250x320Pak ditë para fillimit të punimeve të Kuvendit të ri të Republikës së Shqipërisë, të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, deputeti i Partisë Republikane, Agron Duka, deklaron se do të jetë në opozitë me mazhorancën e re socialiste. Sipas deputetit Duka, vota e tij do të jetë pro opozitës dhe për këtë ai thotë se do t’i qëndrojë besnik mbështetjes së demokratëve zgjedhjet e kaluara. Deputeti i republikanëve thotë se ka marrëdhënie të mira si me krerët e PR-së ashtu edhe me liderët e PD-së.

Duke folur për marrëdhëniet me kryesocialistin Rama, Agron Duka thotë se marrëdhëniet janë të rregullta, edhe pse shprehet se nuk ka marrë ende një urim prej tij, me rastin e zgjedhjes si deputet në Qarkun e Durrësit.

“Unë e shoh veten në opozitë dhe mora mandatin si i djathtë, kjo pyetje më bëhej dhe në takime elektorale dhe unë jam përgjigjur njëlloj, pavarësisht se sjellja ime me njerëzit do jetë siç ka qenë, si me të majtët dhe të djathtët. Mandati im do jetë djathtas. Jam besnik i ideve të mia, nuk qëllon që të luaj ndryshe. Unë kështu e perceptoj. Në rast se për një arsye në të ardhmen kam konflikte ose nëse e majta ka zhvillime pozitive për të ardhmen e kombit, mund të rishoh mundësinë vetëm pas mandatit. Njeriu e gjen veten mirë aty ku vlerësohet mirë, unë ndihem mirë dhe kam marrëdhënie të mirë me anëtarë e PR si dhe liderët e PD”, – deklaroi Duka një ditë më parë, i ftuar në rubrikën “Opinion” në TV “News 24”.

Lidhur me marrëdhëniet me kolegët e tij socialistë dhe kryesocialistin Edi Rama, Duka pavarësisht “pakënaqësisë” për përjashtimin nga listat e PS-së, ai priste një urim nga ana Ramës për rezultatin e arritur.

“Siç ju thashë, ka qenë një periudhë qetësie. PS dhe LSI janë marrë me formimin e qeverisë. Kam marrëdhënie të mira me të gjithë deputetët e PS-së, me Ramën kam marrëdhënie të rregullta, por s’kemi pasur komunikim telefonik apo takime direkte. Unë mendoj se u vlerësova padrejtësisht nga ai. Prisja një urim, pasi urimi u takon 10 mijë e 500 njerëzve. Secili në krahun e tij ka pasur të drejtë. Ai fitoi në aleancë me LSI, me një numër më të vogël se në 2009, por nga krahu tjetër edhe unë fitova. Se kush nga ne pati të drejtë në Qarkun e Durrësit i takon së ardhmes. Nuk kam kontakte dhe nuk kam pasur asnjë ftesë, por dhe po të kisha preferoj të qëndroj në opozitë, pasi ndihem mirë me kolegët e mi dhe kryetarin e PR dhe PD”, – tha Duka.

Deputeti i koalicionit të djathtë komentoi edhe zhvillimet më të fundit politike në vend, teksa shprehu rezervat për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. Gjithsesi, ai preferoi të mos paragjykonte pa parë punën e 100 ditëve të para. Për sa i takon ndërtesës së re të PD-së, Duka tha se kalimi i selisë në ish-shtëpinë e ushtarakëve nuk ka asgjë të keqe. Më herët mes tij dhe kryesocialistit Rama janë shkëmbyer deklarata në distancë lidhur me mospërfshirjen e tij në listat e PS-së dhe kandidimin në listat e Partisë Republikane.

 

Reeker: Kryeministri ka meritën për administrimin e zgjedhjeve më të mira në Shqipëri

Zv.ministrja e Punëve të Jashtme Edit Harxhi takon në Slloveni zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker

Administrimi i procesit zgjedhore të 23 qershorit 2013 në Shqipëri vazhdon të marrë vlerësimin e ndërkombëtarëve. Një ditë më parë, zv.ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, e cila po merr pjesë në punimet e Forumit Strategjik të Bledit, Slloveni, zhvilloi një takim me zv.ndihmëssekretarin e Shtetit Philip Reeker. Përfaqësuesi i DASH-it i shprehu zonjës Harxhi opinionin e tij edhe në lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, duke thënë se ato ishin një sukses për Shqipërinë dhe qeveria dhe Kryeministri Berisha kanë meritën për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve më të mira në Shqipëri.

Zonja Harxhi nga ana e saj shprehu mendimin se opozita e re në Shqipëri do të jetë një forcë solide dhe konstruktive në të mirë të integrimit të vendit dhe se Shtetet e Bashkuara do te gjejnë tek opozita e re e Shqipërisë një partner të fortë për bashkëpunim.

“Palët diskutuan në lidhje me situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, parlamentin e ri dhe përbërjen e tij si dhe sulmet e fundit ndaj institucioneve kushtetuese veçanërisht ndaj Presidentit duke shpresuar se këto sulme nuk do të vazhdojnë më tej dhe se kjo do të ishte mënyra për të marrë, gjithashtu statusin e vendit kandidat brenda këtij viti.

Z. Reeker shprehu edhe një herë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë Amerikane ndaj Shqipërisë dhe bindjen e tij se opozita e re e Shqipërisë do të jetë konstruktive dhe e fortë dhe se do të ketë mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë qëndrimit në Bled, Slloveni, zv.ministrja e Punëve të Jashtme pati takime edhe me Ministra të Jashtëm të vendeve të rajonit dhe këmbeu pikëpamje në lidhje me situatën aktuale në rajon”, – thuhet në njoftimin zyrtar të MPJ-së.

 

 

 

Presidenti Nishani dekoron kapitenin Giovanni Cosini, shpëtoi dy shqiptarët e humbur në det

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekoroi me motivacion “Për ndjenjë të lartë solidariteti dhe humanizmi” kapitenin Giovanni Cosini.

Kapiten Giovanni Cosini është komandanti i anijes turistike “Costa Voyager” e cila bëri të mundur shpëtimin e jetës së dy qytetarëve shqiptarë, të cilët rrezikonin të mbyteshin në det në muajin mars të këtij viti.

Duke vlerësuar dimensionin njerëzor që paraqesin akte të tilla të kryera përgjatë përmbushjes së detyrës, Presidenti Nishani u shpreh:

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoron z. Giovanni Cosini me titullin e nderit “Për merita të veçanta civile”, “Për të afërmit dhe miqtë e një njeriu, jeta e mikut, e një familjari është pa dyshim një vlerë shumë e çmuar. Por, për një shoqëri të tërë akti humanitar është një vlerë e cila i jep dimension vet qenies njerëzore. Ndoshta nuk është koinçidencë që jeta e dy qytetarëve shqiptarë u shpëtua pikërisht nga një kapiten, nga një qytetar i një vendi mik me të cilin na bashkon një det, me të cilin na bashkon një miqësi, një vend i cili gjatë dy dekadave të fundit e ka ndihmuar dhe ka qenë aq pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Duke shprehur falënderimin dhe duke premtuar se do ta mbajë në uniformë gjatë gjithë jetës Titullin e Nderit që iu akordua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, kapiten Giovanni Cosini theksoi se shpëtimi i jetës të dy shtetasve shqiptarë u bë i mundur nga i gjithë ekuipazhi i anijes “Costa Voyager” duke respektuar atë parim që jeta e njeriut është më e çmuara dhe kapërcen çdo lloj norme dhe ligji ndërkombëtar.

“Shpëtimi i këtyre jetëve ka bërë të mundur të forcojë më tej këtë ndjenjë vëllazërie dhe miqësie mes nesh, sepse deti nuk është një kufi natyror që na ndan, por thjesht është një hapësirë që na bashkon më tej”, – u shpreh kapiten Cosini. Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency