Tenton të mbysë gruan me çarçaf, arrestohet Armando Kapa

0
148

Sonja Caka

Policia: 33-vjeçari i dënuar me kusht për plagosje të rëndë, mbikqyrej nga Shërbimi i Provës. Katër javë më parë u shoqërua për dhunë ndaj gruas, e cila nuk bëri denoncim

 

dhuna-ndaj-gruasDhuna ndaj grave vazhdon në kryeqytet, e shfaqur në mënyra nga më të dhunshmet. Tri ditë më parë burri tentoi ta vrasë gruan me thikë, ndërsa dy ditë më parë një tjetër bashkëshort tentoi ta mbysë gruan 27-vjeçare me çarçaf për shkak të xhelozisë. Ka qenë ndërhyrja në kohë e policisë që i hoqi nga duart 33-vjeçarit gruan, ndërsa në qafën e saj shiheshin ende shenjat e dhunës nga tentativa për ta mbytur. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se mëngjesin e së shtunës, Armando Kapa, i dënuar me kusht, ka tentuar ta mbysë gruan e tij me çarçafin e lidhur rreth qafës, duke i lënë gjurmë të dukshme aty. Policia e Tiranës e ka arrestuar dje bashkëshortin e dhunshëm, person i dënuar edhe më parë për plagosje të rëndë. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, arrestimi u bë në banesën e tij në rrugën “Dritan Hoxha”. Për bashkëshorten e tij R. Kapa u plotësua menjëherë urdhëri i mbrojtjes për në Gjykatë, ndërsa materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, për veprën penale të “Dhunës në familje”, parashikuar nga neni 130/a/2 i Kodit Penal.

Ngjarja

Një telefonatë e mbërritur në sallën operative për britma nga familjen e Armando Kapës ka vënë në lëvizje policinë e Tiranës, e cila ia ka behur me shpjetësi për të parandaluar një krim të mundshëm. Në afërsi të zonës ka qenë një patrullë policie, e cila menjëherë ka trokitur në derën e banesës dhe pas hapjes së saj, uniformat blu kanë parë 33-vjeçarin Armando Kapaj me çarçaf në dorë, ndërsa kanë konstatuar shenja dhune në fytin e gruas. Policia i ka vënë prangat 33-vjeçarit, i cili ndodhej nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, ndërsa ishte dënuar për plagosje të rëndë me dashje. Edhe pse gjatë kësaj kohe ishte urdhëruar të mos kryente ndonjë vepër tjetër penale, i riu nuk i është trembur aspak gjykatës dhe drejtësisë, duke tentuar të vrasë gruan. Por, ndërsa disa javë më parë i ka shpëtuar arrestimit pasi gruaja e ka falur duke mos e denoncuar dhunën e tij, kësaj herë policia e ka kapur në dhunë e sipër dhe me prova, duke e akuzuar për “dhunë në familje”.

Dëshmia

Edhe pse fajtor dhe i kapur në dhunë e sipër, Armanda Kapaj nuk ka hezituar të bëjë fajtore gruan për situatën e krijuar në familje. Por, ka mohuar se tentoi të mbysë gruan e tij, duke u shprehur se gjithë përgjegjësia bie mbi 27-vjeçaren R.Kapaj. Nga ana e uniformave blu bëhet me dije se kjo nuk është hera e parë kur çifti shoqërohet në polici. Konfliktet mes tyre dhe skenat e dhunës kanë qenë gjithmonë prezent. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se vetëm para 4 javësh mes çiftit ka pasur një debat mjaft agresiv dhe të dy janë shoqëruar menjëherë në komisariat. Por, pas disa orëve qëndrimi, çifti është pajtuar dhe gruaja 27-vjeçare nuk ka bërë asnjë padi. Vetëm pak ditë ka zgjatur qetësia dhe harmonia në çift për të shpërthyer sërish mbrëmjen e së premtes. Blutë kanë vënë në afërsi të zonës ku jeton çifti një patrullë policie, për të parandaluar një krim të mundshëm apo dhunë në familje. Ndërsa në bashkëpunim me forcat e policisë ka qenë edhe një fqinj i çiftit, të cilit i është kërkuar që të njoftonte në rast se do të kishte sërish debate. Dhe pikërisht, në momentin që ka dëgjuar debate dhe britma nga banesa, fqinji ka lajmëruar policinë, e cila ka vënë në pranga 33-vjeçarin Kapa. Ndërkohë mësohet se bashkëshortja e tij ka hezituar sërish që të bëjë denoncim, ndonëse mund të kishte humbur jetën nga dhuna e burrit. Gjatë marrjes në pyetje nga blutë R.Kapa ka pohuar se 33-vjeçari është shumë xheloz dhe mjafton vetëm një gjë e vogël për të nisur debatin i cili degjeneron në dhunë. Gjithashtu, gruaja ka rrëfyer se konfliktet janë skena të përsëritura dhe në pjesën më të madhe të rasteve, ajo ka preferuar ta falë bashkëshortin, duke mos ngritur denoncim ndaj tij.

Vendimi: Plagosi një shtetas, Kapa u dënua nga gjykata me kusht

Me datë 9 shtator të vitit 2012, Gjykata e Tiranës ka dënuar me 4 vjet heqje lirie shtetasin Armando Kapaj, për akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Por në saj të përfitimit të gjykimit të shkurtuar, i cili ul një të tretën e dënimit, për 33-vjeçairn do të aplikohej Shërbimi i Provës. “Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal gjykata vendos pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit Armando Kapaj për një periudhe 2-vjeçare. Një ndër kriteret e Shërbimit të provës është ndalimi i kryerjes së veprave penale, të cilët do të rikthenin procedimin penal për të pandehurit. Ndërsa ka qenë nën periudhën e mbikëqyrjes, 33-vjeçari ka tentuar të mbysë bashkëshorten e tij. Armando Kapaj është dënuar për plagosjen e shokut të tij të ngushtë Ilir Qehajaj, i cili është goditur me gotë birre në qafë nga Kapa, i cili pretendonte se është ofenduar nga i dëmtuari. Ditën e ngjarjes, autori bashkë me të dëmtuarin ishin ulur për të pirë birra, kur pas 30 minutash mes tyre ka nisur debati dhe ofendimet. Në një moment, Kapa është çuar në këmbë duke goditur me gotën e birrës në pjesën e qafës të dëmtuarin. Nga goditja, Qehajaj ka pësuar çarje, të cilat mund t’i rrezikonin jetën. Në dëshminë e tij në gjykatë, i dëmtuari Ilir Qehajaj është shprehur se “i kam kërkuar Armandos që të mos pinte më dhe e kam sharë. Ndërsa Armando ka reaguar duke më goditur një herë të vetme me gotën e birrës që ishte mbi tavolinë”.

 

Itali

Ha një mollë ndërsa vjedh, e tradhëton ADN-ja, arrestohet shqiptari

Një histori gati e njëjtë, veçse ndryshe nga Adami dhe Eva dhe historia e tyre e mollës, kjo e një shqiptari në Itali ndodhi në të tjera rrethana. E përbashkët në dy historitë është konsumimi i mollës dhe ndëshkimi prej ngrënies së saj. Nuk i ka rezistuar konsumimit të një molle në banesën ku kishte shkuar për të vjedhur dhe ishte ajo mollë që e çoi te policia. Te mbeturinat e saj kishin mbetur edhe gjurmët e vjedhjes, ku përmes përshtymës u zbulua se kujt i përkiste ADN-ja. Kjo e çoi në burg një të ri 28 vjeç, emigrant shqiptar në Itali, i cili akuzohet të ketë vjedhur dy banesa në mars të vitit 2011 në Vigonovo. Sipas mediave italiane, të cilat i janë referuar policisë, gjatë vjedhjes së një banese, i riu 28-vjeçar nuk i ka rezistuar ngrënies së një molle dhe kanë qenë të dhënat e ADN-së në mbetjet e frutit që çuan karabinierët e autori, i cili u vu në pranga. I riu shqiptar ishte pa leje të rregullt qëndrimi dhe dyshohet se ka realizuar vjedhjen e dy banesave në qendër të Vigonovo-s në Venezia, ngjarje të ndodhura në mars të vitit 2011. Aty ka vjedhur bizhuteri ari në vlerë 800 euro. Nga hetimet dhe analiza e ADN-së rezultoi se autori ihste një 28-vjeçar, i cili gjendej në liri me kusht po për akuzën e vjedhjes së banesave. Ndërkohë që, gjykata vendosi të gjykohet në gjendje të lirë për vjedhje në vijimësi të banesave.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency