Regjistrimi i pasurive, fillon afishimi sipas zonave

0
179

Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme në Zonën Kadastrale 8593, Shkodër

 

20080609201658_artikullNë vijim të ndërtimit të Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njoftoi se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale Nr. 8593, të qytetit Shkodër. Ky afishim bëhet në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8593, saktësisht në adresën, rruga “Marin Biçikemi”, në kryqëzim me rrugën “Simon Rrota” (200 metra larg kishës), Shkodër.

Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike.

Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8593, janë të ftuar të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre.

Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara.

Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër.

Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së Afishimit Publik.

Procesi i Regjistrimit Fillestar është falas për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme.

 

Verifikimi

Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8593, janë të ftuar të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre

 

 

 

Tokat bujqësore nëpër Kosovë janë degraduar

Tokat bujqësore në Kosovë që nga pas lufta janë shkatërruar në masë të madhe.

Këto toka janë shndërruar në zona industriale, në banesa kolektive, objekte afariste e komerciale, ndërkohë që parandalimi për shkatërrimin e tyre ka munguar përgjatë viteve.

Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometra katrorë. Nga kjo sipërfaqe, tokë bujqësore llogariten të jenë 577 mijë hektarë, nga e cila, rreth 500 hektarë sipas disa shifrave të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural shkatërrohen vetëm brenda një viti. Rajonet më të sulmuara nga ky fenomen janë përgjatë rrugës Prishtinë – Shkup. Përfaqësuesi i Federatës së Bujqve të Kosovës Tahir Tahiri, tregon se shkatërrimi i tokave bujqësore i cili ka filluar pas luftës po vazhdon edhe tani pa u penguar nga autoritetet shtetërore.

“Jemi të shqetësuar për atë çka po ndodh me tokat bujqësore. Ne kemi kërkuar nga organet më të larta prej qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, pasi që në masë të madhe po uzurpohen tokat bujqësore, me objekte të panevojshme që nuk kanë të bëjnë me veprimtari bujqësore, por nuk po merren masat në atë drejtim”, – tregon Tahiri.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi ligjin për tokën bujqësore i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën e cila i përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse.

Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizik apo juridik të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzon për qëllime jo bujqësore. Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro.

Por sipas Tahirit ky ligj asnjëherë nuk ka gjetur zbatim dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese për ata të cilët tokën bujqësore e përdorën për veprimtari tjera.

“Me të vërtetë për çdo vit sipas konstatimeve tona Kosova gati mbi 1.000 hektarë në vit i humbim tokë bujqësore nga njerëzit e pandërgjegjshëm që bëjnë uzurpimin e këtyre tokave bujqësore”, – bën të ditur Tahiri. Nga degradimi i tokës bujqësore ekspertë të bujqësisë, kishin konstatuar se Kosova deri në fund të kësaj dekade, do të ketë krizë në sigurimin e ushqimit. Sipas tyre, sipërfaqja e tokës së punuar në Kosovë është mjaft e ulët, që llogaritet të jetë 0.15 hektarë për kokë banori. Ndërkaq, sipas standardeve ndërkombëtare, minimumi ekzistencial për prodhimin e ushqimit të mjaftueshëm, është 0.17 hektarë për kokë banori. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Blernad Stavileci ka thënë se degradimi i tokës bujqësore ndërlidhet me shumë fusha të tjera që janë nën kompetencë edhe të ministrive të tjera, por edhe të organeve të nivelit lokal.

“Sado që Ministria e Bujqësisë mund të lëvizë në një drejtim, është e pamundur të bëhen zgjidhjet, nëse të gjithë nuk ecin në të njëjtën rrugë. Ndonjëherë është e pamundur edhe për shkak të asaj nëpër çfarë kemi kaluar, sepse nuk është se toka bujqësore ka filluar të degradohet nga dje”. “Ne e dimë të gjithë, pra, jemi dëshmitarë që pas luftës, në mungesë të infrastrukturës ligjore, në anën tjetër, si rrjedhojë e nevojave që kanë pasur njerëzit tek ne, janë bërë shumë ndërtime – edhe ato që kanë karakter më shumë privat, por edhe të tjera që kanë karakter komercial, afarist”, – shton Stavileci.

 

 

Ndihma për Greqinë, dyshime të mëdha të bankës

Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani mund të shpallet një program i ri ndihmash për Greqinë. Këtë e bën të ditur revista “Der Spiegel”, që citon një dokument të brendshëm të Bankës Qendrore gjermane.

Më e vona në fillim të vitit 2014, evropianët duhet të vendosin “me sa duket patjetër një program të ri kredish për Greqinë”, thuhet në një dokument të cilin e citon revista “Der Spiegel” në numrin e saj më të fundit. Në pozicionimin për Ministrinë gjermane të Financave dhe për Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) ekspertët kritikojnë dorën e dytë të kredisë për Greqinë e zhytur në borxhe si dhe verifikimin e bërë për këtë nga trojka dhe mendojnë se pas kësaj qëndrojnë “presione politike”.

Për mbikëqyrësin kryesor të financave shtetërore në Gjermani dhe për qeverinë gjermane, pozicionimi vjen në një kohë të papërshtatshme: ministri i Financave, Wolfgang Schäuble dhe Kancelarja Angela Merkel i kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur kërkesat për kredi të reja ose për një falje tjetër të pjesshme të borxheve. Vetëm në vitin 2014 mund të flitet për ndihma të reja, kështu janë shprehur në intervista politikanë të CDU-së.

Banka Qendrore gjermane, Bundesbanka, i vlerëson si “jashtëzakonisht të larta” rreziqet e programit të shpëtimit për Greqinë. Edhe politika e qeverisë greke është “e pakënaqshme” dhe ekzistojnë “dyshime të forta”, nëse Athina do të jetë në gjendje të zbatojë reforma të domosdoshme, thuhet në një pozicionim. Një zëdhënëse e Bankës Qendrore Gjermane nuk pranoi ta komentojë të dielën raportin e “Spiegel”-it.

Greqia ndërkohë lufton me vitin e gjashtë të recesionit në vazhdim. Vetëm në vitin 2014 pret Komisioni Evropian një rritje të lehtë ekonomike prej 0,6 për qind. Në maj, kuota e papunësisë në Greqi ishte tek 27,6 për qind. Kjo është më shumë se dyfishi i mesatares 12,6 në vendet e BE. Në korrik, Fondi i Shpëtimit të Euros dhe FMN përcollën tek Greqia 5,7 miliardë euro. Gjithsej deri tani Greqia ka marrë ndihma në shumën 200 miliardë euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency