PD, kundër Tahirit si ministër i Brendshëm, goditje për shtetin ligjor

0
176

Ina Jano

Bogdani: Është person i cili në asnjë moment nuk u distancua apo kërkoi falje për kapjen në flagrancë në trafik të ilaçeve dhe as për evazionin fiskal të prindërve të tij

 

Selia-e-PD-300x199Partia Demokratike në fokus të saj këto ditë ka qeverinë e re të Ramës dhe emrat që e përbëjnë atë. Ditën e djeshme deputeti i selisë blu, zoti Gerti Bogdani, ka vënë në fokus të deklaratës së tij ministrin e ri të Brendshëm, zotin Saimir Tahiri. Në qëndrimin e partisë opozitare më të madhe në vend, vihet re haptazi kundërshtimi për postin e Tahirit në krye të këtij dikasteri. Për demokratët kjo nuk është një qeveri në shërbim të qytetarëve dhe po ashtu nisur kjo nga figurat e zgjedhura për të drejtuar ministri të caktuara.Qeveria e re e shpallur nga Edi Rama, nuk do mund t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë, sepse anëtari i skuadrës përgjegjës për rendin dhe sigurinë, në më shumë se një rast ka qenë përgjegjës për shkatërrimin dhe destabilizimin e tij. Nuk do mund ti shërbejë qytetarëve shqiptarë, sepse është person i cili në asnjë moment nuk u distancua apo kërkoi falje për kapjen në flagrancë në trafik të ilaçeve dhe as për evazionin fiskal të prindërve të tij”, – u shpreh dje Bogdani. Nga selia blu ai u shpreh se vendi për vite me radhë ka luftuar krimin e organizuar dhe për këtë arsye ai ka marrë ftesën për të qenë pjesë e NATO-s. Por për demokratët duket se të gjitha këto do të jenë të kota, pasi me emërimin e Tahirit, këto arritje zbehen. “Për vite me radhë Shqipëria e luftoi krimin e organizuar dhe asetet e tij dhe për arritjet e kësaj lufte iu akordua ftesa dhe anëtarësimi ne NATO dhe shqiptarëve iu hoqën vizat. Me emërimin e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm, jo vetëm zhbëhen këto arritje, për më tepër, përfaqësuesit e krimit rikthehen kërcënueshëm tashmë të veshur me imunitet parlamentar dhe me ndërlidhësin e tyre në qeveri, jo më pak se në postin e ministrit të brendshëm; njeriun e lidhjeve të shkrurtra me përfaqësues të njohur për Interpolin dhe Europolin të trafiqeve, pastrimit të parave dhe atentateve ndaj uniformave të Policisë së Shtetit. Lidhje që e bëjnë të vetmin ministër të Brendshëm në historinë e Shqipërisë dhe në mbarë Ballkanin pronar të një skafi”, – deklaroi deputeti demokrat. Gert Bogdani tha se emërimi i Sajmir Tahirit është goditja më domethënëse që i bëhet shtetit ligjor dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, një shpërblim i drejtpërdrejte i Edi Ramës për rolin e krimit në deformimin e votës në 23 qershor. Përballë kësaj furie të opozitës vjen edhe reagimi i selisë blu. Deputeti i kësaj force politike deklaroi se PD-ja është e vendosur që të mbrojë me vendosmëri institucionet. “Çdo qytetar shqiptar duhet ta dijë se Partia Demokratike do të mbrojë me vendosmërinë më të madhe institucionet e zbatimit të ligjit dhe shtetit në tërësi, nga çdo lloj revanshi antiinstitucional dhe me lidhje të qarta kriminale!”, – përfundoi ai.

PS

Deputeti i Partisë Socialistë, Taulant Balla, ka reaguar në profilin e tij zyrtar në Facebook në lidhje me deklaratat e kreut të Forumit Rinor Demokrat. Për Ballën sulmi i djeshëm kundër ministrit të Brendshëm Tahiri tregon se Partia Demokratike ka frikë nga vendosja e rendit publik dhe nga goditja që shteti ligjor do t’i bëjë krimit. “PD dështoi në luftën kundër krimit për shkak të lidhjeve të kryeministrit, të ministrave dhe të deputetëve të saj me elementët kriminalë. Kanë qenë lidhjet kriminale dhe korruptive të Sali Berishës, bodigardit të tij Agron Kuliçi, Flamur Nokës e të tjerëve, ato që kanë sabotuar përballjen e Policisë së Shtetit me krimin. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të ketë mbështetjen e grupit parlamentar socialist për një goditje asgjësuese të lidhjeve të politikanëve me krimin. PD, nëse ka frikë, të fillojë të distancohet nga krimi brenda saj”, – përfundon statusin e tij Balla.

 

 

Tahiri, qytetarëve: Të ndajmë përgjegjësinë së bashku

Ministri socialist, Saimir Tahiri, të premten ka bërë një propozim konkret për të gjithë shqiptarët. Me anë të një statusi në Facebook, ai i ka ftuar ata të ndajnë përgjegjësinë me çdo qytetar. Për Tahirin, e rëndësishme është që çdo qytetar të mund të ndihmojë dhe të kontribuojë për Policinë e Shtetit dhe të tregojë të gjitha ato që nuk shkojnë apo të bëjë propozimet e veta.Dua që përgjegjësinë time ta ndaj me çdonjërin prej jush për aq sa është e mundur! Me cilindo që qoftë edhe një herë të vetme, ka menduar çfarë nuk shkon sot në Policinë e Shtetit e si duhet ndrequr. Duke filluar nga komunikimi, etika dhe sjellja, uniforma, siguria në komunitetin/ qytetin/ fshatin që banoni, vendin e punës apo çfarëdo lloj çështjeje që keni hasur ose ndjeni se duhet trajtuar. Policia e Shtetit duhet të jete Policia Juaj! Ndaj nisni që sot e ndjehuni të lirë të më shkruani çdo sugjerim, çdo mendim, çdo eksperiencë tuajën personale prej të cilës mund të mësojmë diçka më shume nga ç”dimë sot, çdo iniciativë që në vlerësimin tuaj Policia e Shtetit duhet ta ketë në axhendën prioritare. Pra gjithçka e vlerësoni të nevojshme për ta implementuar bashkë nga Shtatori e tutje! Ne kemi program për reformimin e thellë të Policisë së Shtetit bazuar në angazhimet tona para zgjedhjeve. Program që vazhdon të detajohet me ekspertet më të mirë. Për këtë arsye, ndihma juaj është më shume se e vyer. Bëje Policinë e Shtetit Policinë tënde dhe më shkruaj sugjerimet e tua! Do t’i mbaj shënim për t’i kthyer në axhendë pune menjëherë duke komunikuar bashkë në vazhdimësi”, – shkroi dje Tahiri.

 

Ndërkombëtarët, vlerësime për pjesëmarrjen e grave në qeveri

Emrat e kabinetit të ri qeveritar që u bënë zyrtarë nga Kryeministri i zgjedhur Edi Rama janë ndjekur me interes nga faktori ndërkombëtar në Tiranë. Kështu vetëm dy ditë më parë Ambasada Amerikane në Tiranë shprehu urimet më të mira për qeverinë e re dhe shpresën se bashkëpunimi do të vijojë edhe me qeverinë e majtë. Tashmë ambasadori i Holandës në Shqipëri ka komentuar ekzekutivin e ri. “Jam i surprizuar për mirë të shikoj një numër të madh grash në qeveri të emëruara si ministre. Mendoj se shumë prej tyre sjellin një eksperiencë të mirë nga fushat përkatëse të ekspertizës së kultivuar në të shkuarën. Në këndvështrimin tim është një kabinet premtues”, – deklaroi De Labeij. Ambasadori holandez është optimist se ky kabinet qeveritar do të mund ta përmbyllë me sukses procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. “Ata i njohin fushat e tyre shumë mirë. Qeveria ka vendosur integrimin si prioritet në axhendën e saj. Ata pritet të punojnë shumë. Nuk e kemi parë ende programin qeverisës të 300 ditëve të para. Siç e dini, mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-së zhvillohet në dhjetor dhe qeverisë së re do t’i duhet shumë punë. Ne shpresojmë se ata do t’ia dalin me punën e tyre në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE”, – tha De Labeij.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency