Morën peng Fatjon Xhafën, dënohen me nga 3 vite burg tri të rinjtë

0
183

Sonja Caka

Vendimi: Gjykata u pezullon masën e burgun Artur Kolpepës e Bledar Vatës, i detyron të kryejnë veprimtari profesionale dhe të monitorohen nga Shërbimi i Provës. Martin Kshtenjari do kryejë burgun

 

Gjykata-e-Tiranës-Të-pezullohet-greva-e-ish-të-burgosurve-ska-baza-juridikeMorën peng dhe e mbajtën të mbyllur një të ri për një ditë të tërë, ndërsa kërcënonin të atin në telefon duke i kërkuar një shumë prej 86 mijë lekësh, me pretendimin se i biri ua kishte borxh. I trembur, frikësuar për jetën e djalit të tij, Ismet Xhafa nga Stebleva e Librazhdit është nisur drejt kryeqytetit, ka njoftuar policinë, duke e vënë në lëvizje këtë të fundit. Policia organizoi operacionin dhe brenda pak orësh, në momentin e dorëzimit të parave, dy nga tri të rinjtë ranë në pranga, ndërsa i treti ishte duke ruajtur pengun në depon e një lokali në rrugën e Barrikadave. I riu Fation Xhafa ka rrëfyer se është dhunuar fizikisht dhe piskologjikisht nga tri të rinjtë, të cilët pak ditë më parë janë dënuar nga gjykata. Por, pavarësisht veprës penale të kryer, vetëm njërit prej tyre do të duhet tashmë të vuajë masën e dënimit me burg, përkatësisht i pandehuri Martin Kshtenjari, pasi dy shokëve të tij, Artur Kolpepaj dhe Bledar Vata u është pezulluar dënimi, me kusht që të mos kryejnë më vepra penale përgjatë një afati 3-vjeçar dhe gjatë kësaj kohe të kryejnë veprimtari profesionale.

Pengmarrja

Nga vendimi i zbardhur i gjykatës së Tiranës rezulton se më datë 5 mars të këtij viti, rreth orës 07.00, shtetasi Fatjon Xhafa është  nisur nga shtëpia e tij, e cila ndodhet në Steblevë, Librazhd, për të shkuar në Tiranë. Qellimi i udhëtimit ka qenë punësimi. Për këtë udhëtim ka vënë në dijeni babanë e tij. Rreth orës 12.00 të po kësaj dite, Fatjoni, nga një numër telefonik celular Vodafone ka marrë në telefon të atin dhe i ka thënë se e kishin marrë peng në Tiranë disa shokë të tij, pasi ai u detyrohej 86000 lekë, të cilat duhet t’ua kthente brenda tre ditësh, sepse më pas nuk dinte se çfarë mund t’i bënin. Fatjoni i kishte kërkuar babait t’i gjente lekët. Ismet Xhafa kishte kërkuar të fliste me njërin nga pengmarrësit dhe nga telefoni i djalit të tij kishte komunikuar me një person me dialekt nga veriu, i cili i kishte thënë se Fatjoni u kishte borxh 86000 lekë dhe nëse nuk i sillte për tre ditë atë do ta vrisnin. Më pas, Ismeti është telefonuar nga një tjetër numër dhe personi me të cilin kishte folur më parë i kishte kërkuar përsëri lekët. Gjatë ditës Ismeti kishte patur disa telefonata nga ky numër dhe disa sms me përmbajtje kërcënuese dhe gjithmone i kërkohej borxhi që djali i tij u kishte atyre personave. Kishte komunikuar edhe me djalin e tij, i cili i kishte thënë se ndodhej në vështirësi, prandaj duhet t`i gjente patjetër lekët, për t’ua dhënë personave që u kishte borxh, pasi këta të fundit po e dhunonin dhe po e kërcënonin për jeten. Në këto kushte, Ismet Xhafa kishte takuar disa të afërm dhe kishte siguruar 20 000 lekë. Kishte komunikuar me njërin nga personat dhe ia kishte sqaruar këtë fakt, por ky i fundit i kishte thënë se i donte të gjitha lekët, ndryshe nuk do të takonte as ata dhe as djalin e tij.

Ndërhyrja e policisë

Në këto kushte, Ismet Xhafa ka shkuar në komisariatin e policisë Librazhd e më pas në komisariatin e policisë Elbasan, ku këta të fundit e kanë orientuar që të paraqitej menjëherë në Tiranë për të njoftuar për këtë ngjarje. Ismet Xhafa ka shkuar në Tirane ku ka bërë kallëzim për ngjarjen më datë 6 mars, një ditë pas pengmarrjes. Menjëherë është njoftuar Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe janë vënë në përgjim tri numra telefoni, dy të Ismet e Fatjon Xhafës dhe njëri i pengmarrësit. Nga bisedat e realizuara është bërë e mundur të mësohej vendndodhja e personave të dyshuar, e cila ishte në afërsi të rrugës së Barrikadave Tiranë. Është orientuar shtetasi Ismet Xhafa që të lërë takim me personat që mbanin peng Fatjonin, duke u thënë atyre se i kishte paratë. Takimi është lënë tek Stacioni i Trenit Tiranë. Nga policia gjyqesore është organizuar puna duke përfshirë edhe specialistë të operacioneve speciale, për të bërë të mundur kapjen e të dyshuarve. Rreth orës 20.00 të po asaj dite, pranë shtetasit Ismet Xhafa janë afruar dy persona, të cilët e kanë detyruar atë të zhvendoset në një zonë me pak lëvizje dhe i kanë thënë se përse kishte ardhur i shoqëruar. Në këtë moment kanë ndërhyrë punonjësit e policisë, të cilët i kanë kapur këta shtetas, që ka rezultuar se kanë qenë Artur Kolpepaj dhe Martin Kshtenjari. Më pas është bërë e mundur që të gjendej vendndodhja e shtetasit Fatjon Xhafa, i cili ishte në një bar-kafe, që ishte në përdorim nga shtetasit Artur Kolpepaj dhe Bledar Vata. Ky lokal ndodhej në Rrugën e Barrikadave, Tiranë. Punonjesit e policisë kanë shkuar atje dhe kanë bllokuar e kontrolluar personat që ndodheshin në lokal, ku kanë kapur edhe shtetasin Bledar Vata. Në një ambient (depo) të veçuar pas banakut të lokalit, i mbyllur me një derë duralumini me xham në pjesën e sipërme dhe me perde pas tij, është vënë re një person i cili kërkonte ndihmë. Është hapur dera me një çelës të gjetur në banak dhe ka rezultuar se personi që ndodhej atje ishte Fatjon Xhafa. Ky person ishte dhunuar fizikisht dhe ishte i frikësuar. Është bërë kqyrja e vendit ku është gjetur Fatjon Xhafa dhe atje janë gjetur tesha të gjakosura, copëza kablli elektrik me nyje lidhëse, pjesë tubash fleksibel uji, si dhe sende të tjera që u përkisnin lokalit të të pandehurve Artur Kolpepaj e Bledar Vata.

Kallëzimi

Fatjon Xhafa ka bërë kallëzim para oficerëve të policisë gjyqësore. Nga kallëzimi ka rezultuar se Fatjon Xhafa njihej prej disa kohësh me shtetasin Artur Kolpepaj. Shumën prej 86000 lekësh ata e kishin shpenzuar për disa ditë, një javë përpara ngjarjes. Më pas Fatjoni ishte larguar për në fshatin e tij, duke i premtuar Arturit se do t’ia sillte lekët. Në datë 4 mars, një ditë para pengmarrjes, Arturi i kishte telefonuar Fatjonit që të vinte në Tiranë e të qëndronin bashkë. Më pas, një ditë më pas, Fatjoni kishte ardhur në Tiranë dhe e kishin futur në depon e lokalit të përmendur më lart, ku e kishin dhunuar sistematikisht, fizikisht dhe psikologjikisht, duke e kërcënuar seriozisht për jetën. Pas kesaj ishin zhvilluar bisedat telefonike, duke i kërkuar paratë përmes kërcënimit babait të tij.

Vendimi

Gjykata e Tiranës, pasi ka pranuar gjykimin e shkurtuar me kërkesë të vetë të pandehurve, ka dëgjuar prokurorin dhe kërkesat e tij për dënimin e tri të pandehurve, konkretisht dënimin me 6 vjet burg për Artur Kolpepaj, 6 vjet burg për të pandehurin Martin Kshtenjari dhe 4 vjet e 6 muaj burg për Bledar Vatën, si dhe pendesën e njërit prej tyre dhe pretendimeve se nuk kihsin lidhje me ngjarjen të dy të tjerëve, dnëoi me burg vetëm njërin nga të pandehurit ndërsa dy të tjerëve ua pezulloi masën e dënimit. Kështu, protagonistin e ngjarjes Artur Kolpepaj e liroi, duke i pezulluar dënimin me 3 vjet burg dhe duke e lënë nën mbikqyrje të Shërbimit të Provës, me kusht që për 3 vjet mos të kryejë asnjë vepër penale dhe këto vite të kryejë veprimtari profesionale. Të njëtin fat pati edhe i pandehuri Bledar Vata, i cili sërish u dënua me kusht nga gjykata duke u liruar menjëherë nga paraburgimi dhe masën e mbetur të dënimit prej 2 vjetësh e 4 muaj ta kryejë veprimtari profesionale, ndërsa ngeli në qelitë e burg vetëm Martin Kshtenjari, i cili do të duhet të vuajë dënimin prej 3 vitesh burg.

Pretendimet e të pandehurve

Reagimet e të pandehurve para gjykatës kanë qenë të ndryhsme, duke pranuar plotësihst apo pjesërisht akuzat, ose duke i mohuar ato. I pandehuri Artur Kolpepaj e pranoi plotësisht akuzën dhe fajësinë para gjykatës, ndërsa tregoi pendim të thellë për veprat  e kryera prej tij. I pandehuri Martin Kshtenjari pranoi pjesërisht fajësinë, si dhe tregoi pendim të thellë. Por, i pandehuri Martin Kshtenjari nuk e pranoi faktin se ka ndihmuar për mbylljen në dhomë, pra heqjen e paligjshme të lirisë, si dhe ka ushtruar dhunë ndaj shtetasit Fatjon Xhafa. Ky i pandehur pranoi se ndihej fajtor që nuk ishte larguar e nuk kishte treguar për krimin. Ndërsa i pandehuri tjetër Bledar Vata nuk e pranoi akuzën. Sipas mbrojtjes, ky i pandehur nuk është përfshirë në ngjarje. Ai nuk ka asnjë marrëdhënie borxhi me të dëmtuarin. Nuk ka asnjë të dhënë mbi baza telefonike që ai të ketë lidhje me ngjarjen. Nuk ka asnjë komunikim të tij me të demtuarin apo babanë e tij, si dhe nuk ka kryer asnjë veprim aktiv apo mosveprim për të mbajtur peng apo për t’i kërkuar para të dëmtuarit. I dëmtuari është mbajtur në lokal për shkak se lokali administrohej edhe nga kushëriri i Bledarit, Artur Kolpepaj.

Akuza

Tri rinjtë akuzohen për kundravajtjen penale “Vetëgjyqësia”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 277-25 i Kodit Penal dhe veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 110/2 i Kodit Penal.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency