16 deputetët e rinj që do të ulen në Kuvend në shtator, mes tyre 20-vjeçarja Mehmetaj

0
194

Gëzim Saliu

Kodi i ri përcakton se nëse mandati dorëzohet nga një femër duhet të zëvendësohet në listën e kandidatëve po nga një femër dhe e njëjta procedurë ndiqet edhe për një kandidat të gjinisë mashkullore

 

qeveria e re....Dorëzimi i mandatit të deputetit nga ana e ministrave të zgjedhur nga kreu i koalicionit fitues në zgjedhjet e 23 qershorit Edi Rama për t’u bërë pjesë e kabinetit të ri qeveritar bën të mundur përfshirjen e 16 emrave të rinj në Kuvendin e Shqipërisë. 12 deputetë aktualë të Partisë Socialiste dhe 4 të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të lënë mandatin e tyre dhe do të zëvendësohen. Por ajo që vihet re në këtë ndryshim që do të pësojë Kuvendi i ri, i cili pritet të nisë punimet me betimin e qeverisë së re në fillim të muajit shtator, është fakti se zëvendësimi i deputetëve të dorëhequr nuk bëhet në bazë të pasuesit të listës së kandidatëve. Kodi i ri Zgjedhor, përkatësisht neni 164 pika 2, thekson se nëse do të jetë një femër që do të dorëzojë mandatin e deputetit, atëherë ajo duhet të zëvendësohet po nga një femër dhe jo nga kandidati pasues në listë. E njëjta praktikë ndodh edhe në rast se mandatin e dorëzon një deputet, gjë kjo që sjell kapërcime të listës së kandidatëve të partive.

Emrat e rinj

Tirana do të jetë qarku ku do të ketë më shumë ndryshime, nisur nga fakti se 4 deputetë të Partisë Socialiste dhe 1 nga LSI do të duhet të dorëzojnë mandatin e deputetit. Kështu nga Partia Socialiste do të heqin dorë nga mandati i deputetit Saimir Tahiri, Lindita Nikolli, Milena Harito dhe Ditmir Bushati. Në bazë të Kodit Zgjedhor në Kuvend këto deputetë do të zëvendësohen nga Ervin Bushati, Enkelejda Shkreli, Blerina Gjylameti dhe Bledar Doracaj. Ndërkohë që tek lëvizjet në LSI vihet re një fakt interesant, pasi me dorëzimin e mandatit nga Klajda Gjosha në bazë të Kodit Zgjedhor vendin e saj në Kuvend do të zërë 20-vjeçarja Kejdi Mehmetaj, aktualisht nënkryetare e LRI-së. E datëlindjes 1993, Mehmetaj pritet të jetë deputetja më e re në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Ndërkohë, edhe në qarkun e Fierit lëvizin dy deputetë të PS-së, pasi me dorëzimin e mandatit nga Eglantina Gjermeni dhe Ilirjan Celibashi në Kuvend do të përfshihen Adelina Rista dhe Anduel Xhindi. Po ashtu edhe në qarkun e Gjirokastrës do të kemi dy zëvendësime, përkatësisht heqin dorë nga mandati Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj dhe në vend të tyre vijnë Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi. Ndërkohë, në qarkun e Durrësit ndodhin zëvendësime nga të dy aleatët e koalicionit të majtë. Lefter Koka i LSI-së dorëzon mandatin dhe zëvendësohet nga Bujar Derveni e po ashtu Ilir Beqja, të cilit i zë vendin Shkëlqim Troplini. Në Elbasan për partinë Socialiste Damian Gjiknuri do të zëvendësohet me Arben Kamamin dhe e ndërsa për LSI-në Edmond Haxhinasto do të zëvendësohet nga Shkëlqim Elezi. Nga ana tjetër në Dibër, ministri i ardhshëm i Financave Shkëlqim Cani do të zëvendësohet nga Hasan Ceni dhe në Berat, Nasip Naço i LSI-së do të dorëzojë mandatin e deputetit dhe në vend të tij do të vijë Selfo Kapllani.

 

Zëvendësimet e deputetëve

Partia Socialiste

Tiranë

Dorëzon mandatin – Saimir Tahiri, Lindita Nikolli, Milena Harito dhe Ditmir Bushati

Zëvendësohen nga – Ervin Bushati, Enkelejda Shkreli, Blerina Gjylameti dhe Bledar Doracaj

Fier

Dorëzon mandatin – Eglantina Gjermeni dhe Ilirjan Celibashi

Zëvendësohen nga – Adelina Rista dhe Anduel Xhindi

Lezhë

Dorëzon mandatin – Mimi Kodheli

Zëvendësohet nga – Mejreme Delishi

Dibër

Dorëzon mandatin – Shkëlqim Cani

Zëvendësohet nga – Hasan Ceni

Durrës

Dorëzon mandatin – Ilir Beqja

Zëvendësohet nga – Shkëlqim Troplini

Elbasan

Dorëzon mandatin – Damian Gjiknuri

Zëvendësohet nga – Arben Kamami

Gjirokastër

Dorëzon mandatin – Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj

Zëvendësohen nga – Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi

 

Lëvizja Socialiste për Integrim

Tiranë

Dorëzon mandatin Klajda Gjosha

Zëvendësohet nga – Kejdi Mehmetaj

Elbasan

Dorëzon mandatin – Edmond Haxhinasto

Zëvendësohet nga – Shkëlqim Elezi

Dorëzon mandatin – Lefter Koka

Zëvendësohet nga – Bujar Derveni

Berat

Dorëzon mandatin – Nasip Naço

Zëvendësohet nga – Selfo Kapllani

 

Neni 164 pika 2 e Kodit Zgjedhor (ndryshuar me ligjin nr. 74/2012)

Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës

2. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë.

 

Qeveria e re

Kryeministër

Edi Rama

Zv.kryeministër

Niko Peleshi

1. Ministër i Financave

Shkëlqim Cani

2. Ministër i Brendshëm

Saimir Tahiri

3. Ministre e Mbrojtjes

Mimi Kodheli

4. Ministër i Jashtëm

Ditmir Bushati

5. Ministre e Integrimit Evropian

Klajda Gjosha

6. Ministër i Drejtësisë

Nasip Naço

7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

Arben Ahmetaj

8. Ministër i Energjisë dhe Industrisë

Damian Gjiknuri

9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës

Edmond Haxhinasto

10. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Eglantina Gjermeni

11. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave

Edmond Panariti

12. Ministër i Shëndetësisë

Ilir Beqaj

13. Ministre e Arsimit dhe Sportit

Lindita Nikolli

14. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Erion Veliaj

15. Ministre e Kulturës

Mirela Kumbaro – Furxhiu

16. Ministër i Mjedisit

Lefter Koka

17. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin

Ilirian Celibashi

18. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike

Milena Harito

19. Ministër për Çështjet Vendore

Bled Çuçi

 

 OMONIA: Qeveria e re nuk ka ministër minoritar, PBDNJ të rishikojë orientimin politik

Pas publikimit të emrave të ministrave të rinj nga kreu socialist Edi Rama ka reaguar dje organizata OMONIA, e cila kritikon mos përfshirjen e PBDNJ-së në qeverinë e re dhe i kërkon partisë së Dules të rishikojë qëndrimin e saj me PS-në. “Mospërfshirja në mënyrë të drejtpërdrejtë në përbërjen e qeverisë me post ministri, të një pjesëtari të komunitetit etnik grek ndonëse kjo përbën praktikë që nga kalimi normal në demokraci më 1991, për më tepër të propozuar drejtpërdrejt nga Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – PBDNJ, është një ogur jo pozitiv. Rezervat tona politike lidhen sigurisht me faktin se sa dhe si forcat që po ndërmarrin qeverisjen e re kanë vullnetin dhe do të punojnë për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të minoritetit etnik grek. Kjo në përputhje dhe sipas standardeve të BE kundrejt të cilit dhe procedurave të përafrimit të mëtejshëm integrues në të, qeveria shqiptare është e angazhuar. Zhvillimet e ditës së sotme, sidoqoftë, ngrenë pikëpyetje serioze dhe hedhin hije mosbesimi. Përpos këtyre ne si OMONIA i drejtojmë apel Bashkimit për të Drejtat e Njeriut – PBDNJ të riorientojë qëndrimin e tij politik në bazë të zhvillimeve të sotme. Nuk bëhet fjalë për interes mikropolitik por për çështje parimore që lidhen drejtpërdrejt me terrenin sensibël të pozicionit të MEG”, – theksohej në deklaratën e organizatës OMONIA.

 

Peleshi si zv.kryeministër

Zgjedhje të reja në Bashkinë e Korçës

Pas propozimit të bërë nga Kryeministri i ardhshëm Edi Rama për të qenë zëvendëskryeministër, Niko Peleshi duhet të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Korçës, të cilin e mban prej vitit 2007. Kjo dorëheqje e Peleshit do të sjellë ribërjen e zgjedhjeve në këtë qytet. Referuar ligjit, zgjedhjet mbahen jo më vonë se 45 ditë nga deklarimi i vendit vakant, i cili mësohet se do të shpallet ditën që Niko Peleshi do të betohet si zëvendëskryeministër i Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency