Nuk ndryshon Shkodra, PD ruan mandatin, PR rrudhet vota

0
150

Gëzim Saliu

Nuk ndryshojnë raportet mes koalicioneve, PD ruan mandatin

Rinumërimi i 417 kutive, PR nuk siguron mandatin e pretenduar

 

KQZ-rinumerim-votashKomisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli dje rinumërimin e 417 kutive të qarkut të Shkodrës, ku rezultati i dalë prej tij nuk ndikoi në ndryshimin e raporteve në mandate mes koalicionit të majtë dhe atij të djathtë. Partia Republikane, e cila ishte edhe forca politike që kërkoi rinumërimin për këtë qark, nuk arriti të merrte mandatin e pretenduar, për sigurimin e të cilit i nevojiteshin edhe 158 vota. Ndërkohë, Partia Demokratike ruajti mandatet e saj të 5-të në qarkun e Shkodrës dhe nga rinumërimi mundi të merrte 78 vota më shumë.

Rinumërimi

Me rinumërimi e ZAZ-ve nr. 7 dhe 8, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli dje përfundimisht të gjithë procesin për qarkun e Shkodrës. Nga rinumërimi i 417 kutive të këtij qarku nuk u shënuan diferenca të mëdha në vota mes tabelave të KQZ-së dhe rezultateve të dala nga procesi i këtyre katër ditëve. Partia Republikane nuk arriti të përfitojë mandatin e pretenduar e ndërkohë Partia Demokratike siguroi mandatin e saj të 5-të duke shënuar gjithashtu rritje me 78 vota. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Niazi Kosovrasti, tha se rinumërimi solli një përmirësim të rezultatit për Shkodrën në favor të PD-së, edhe pse nuk pati ndryshim mandatesh. “Hapja e kutive i shërbeu transparencës, i shërbeu dyshimit që ngritën partitë. Rezultoi një përmirësim i rezultatit për PD. Nuk ndodhi ajo që priste PR”, – tha ai. Sipas Kosovrastit, edhe pse KQZ përfundoi rinumërimin, ajo do të zbatojë vendimin që do të japë Kolegji Zgjedhor. “Vendimi i Kolegjit është i detyrueshëm të zbatohet, tabela do mbetet ajo e miratuara më herët nga KQZ”, – pohoi përfaqësuesi ligjor i PD-së. Në të njëjtën linjë ishte edhe anëtari i KQZ-së Hysen Osmanaj, i cili duke marrë për bazë shembullin e Lezhës, theksoi se vendimet e Kolegjit nuk diskutohen. “E vërteta është se nuk i kam diskutuar vendimet e Kolegjit Zgjedhor, pasi ku flet drejtësia, duhet të heshtim. KQZ është i detyruar të zbatojë vendimet e kolegjit ne kemi menduar se procesi ka qenë i drejtë, por kolegji e ka rrezuar”, – pohoi Osmanaj për “News 24”. Pak ditë më parë, KQZ me kërkesë të anëtarit të saj Klement Zguri vendosi me katër vota pro të hapë të gjitha kutitë e qarkut të Shkodrës. Në nisje të procesit, Partia Socialiste kërkoi shtyrjen e procedurës se rinumërimit të votave për qarkun e Shkodrës, derisa Kolegji Zgjedhor të shprehej për kërkesën ankimore të PS-së, lidhur me vendimmarrjen e KQZ-së për këtë qark. Kjo nuk është pranuar nga anëtarët e KQZ-së, të cilët argumentuan se vendimi i parë i Kolegjit lidhej me qarkun e Lezhës e në këtë formë sipas tyre nuk kishte ndikim automatik për qarkun e Shkodrës. Nisur nga kjo, PS depozitoi dy ditë më parë në Kolegjin Zgjedhor ankimin e dytë që synon të shfuqizojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e 8 KZAZ-ve të qarkut të Shkodrës. Kolegji vendosi që ta shtynte vendimmarrjen për kërkesën e socialistëve deri ditën e sotme, ku edhe do të mësohet nëse rinumërimi i KQZ-së për qarkun e Shkodrës do të cilësohet i vlefshëm apo do të anulohet, duke mbajtur në fuqi rezultatin e dalë gjatë numërimit pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

 

Rezultatet

Rinumërimi për qarkun e Shkodrës

ZAZ Nr. 1 

PD humbi 176 vota arriti në 45623 vota
PR humbi 94 vota dhe arriti në 4836 vota

ZAZ Nr. 2 
PD mori 8 vota dhe arriti në 45631 vota
PR fitoi 6 vota dhe arrtit në 4842 vota

ZAZ Nr. 3 
PD humbi 2 vota arriti në 45629 vota
PR fitoi 1 votë arriti në 4843

ZAZ Nr. 4 
PD fitoi 61 vota arriti në 45690 vota
PR fitoi 9 vota arriti në 4852 vota

ZAZ Nr. 5 
PD ka fituar vetëm 1 votë dhe arriti 45691 vota
PR nuk ka ndryshuar (4852 vota)

ZAZ Nr. 6 
PD fitoi 31 vota dhe arriti në 45722 vota
PR ka humbur 1 vote dhe shko në 4851 vota

ZAZ Nr. 7 
PD humbi 30 vota dhe arriti 45692 vota
PR humbi 21 vota dhe arriti 4830 vota

ZAZ Nr. 8
PD humbi 2 vota dhe arriti 45690 vota
PR fitoi 10 vota dhe arriti 4840 vota

 

Para rinumërimit                       Pas rinumërimit

PD 45799 vota                         PD 45690 vota

PR 4930 vota                           PR 4840 vota

 

Rezultatet e Shkodrës në tabelat e KQZ-së

Koalicioni i majtë- 6 mandate

Partia Socialiste- 4 mandate

Lëvizja Socialiste për Integrim- 1 mandat

Partia Kristian demokrate e Shqipërisë- 1 mandat

Koalicioni i djathtë

Partia Demokratike- 5 mandate

 

Rinumërimi për Kukësin

Kolegji Zgjedhor vendos sot, merr në dorëzim akt ekspertimin e kryer nga LSI dhe PD

Kolegji Zgjedhor shtyn për ditën e sotme vendimin për kërkesën e LSI-së që lidhet me rinumërimin e 8 KZAZ-ve në qarkun e Kukësit, ku forca e drejtuar nga Meta pretendon se ka fituar një mandat deputeti. Relatori Valbon Çekrezi urdhëroi dje sekretarinë që të marrë nga dy ekspertët Ardian Pollo (LSI) dhe Zamir Hoxha (PD) aktet e ekspertimit dhe t’ua vërë ne dispozicion palëve. Ky i fundit ka në thelb të tij ekspertimin e kryer nga pamjet filmike gjatë procesit në numërimit të votave në 15 kuti në qarkun e Kukësit, ku sipas LSI-së tregohet mospërputhja e numrit të votave me rezultatin e tabelave përmbledhëse. Forca e dytë e koalicionit të majtë pretendon se ka 155 vota më shumë në këtë qark, ku për të marrë mandatin e deputetit i duhen vetëm 15 vota.

 

Procesi i Bërdos

Nishani merr mbështetje për integrimin evropian: Shqipëria, shanse të mëdha për statusin

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaroi dje se pas përmbushjes së rekomandimeve, ka më shumë optimizëm për marrjen e statusit të vendit kandidat në fund të këtij viti. Në takimin e Kryetarëve të Procesit të Bërdos, në Slloveni, ku mori mbështetjen për integrimin evropian të vendit, Kryetari i Shtetit theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për luftën ndaj korrupsioni dhe krimit të organizuar.“Ky është një proces që kërkon vijueshmëri. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më parësor strategjik, integrimin evropian”, – deklaroi Nishani. Në prani të presidentëve të vendeve të rajonit dhe Presidentit francez Hollande, Nishani nënvizoi në fjalën e tij edhe faktin se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh, në hapësirën e mundësive të shumta që duhen shfrytëzuar nëpërmjet projekteve konkrete të bashkëpunimit. “Tashmë, dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota”, – theksoi Presidenti. Ndërkohë në vigjilje të takimit të Kryetarëve të Procesit të Bërdos, Presidenti Nishani zhvilloi dje një bisedë me Presidentin e Francës, François Hollande, ku ky i fundit shprehu mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Shqipërisë dhe vlerësoi zgjedhjet e fundit si një dëshmi më shumë të përparimit të demokracisë. Nga ana e tij, kreu i shtetit falënderoi Francën për mbështetjen e vazhdueshme, dhënë Shqipërisë në procesin e reformave dhe integrimin evropian, dhe garantoi se Shqipëria do të mbetet e angazhuar në përshpejtimin e reformave për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, në realizimin e agjendës së saj evropiane.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency