Konflikti me pronat tek kisha e Laçit,akuza nis verifikimet

0
200

Elton Qyno

Rektorati i kishës, letra ankesa për ndërtimet pa lejë në truallin e shenjtë të kishës

 

UnknownKanë mjaftuar disa ankesa nga krerët katolikë, që kryeprokurori Adriatik Llalla, të vendosë nisjen e hetimeve lidhur me konfliktet e pronësisë që Kisha e Shën Ndout në Laç ka me disa banorë të zonës. Hetimi për këtë çështje ka nisur disa ditë më parë, dhe se tashmë për administrimin e dosjes është ngarkuar prokurori i rrethit Elvin Gogaj. Ky i fundit mësohet se që prej ditës së hënë ka kërkuar informacion nëpërmjet shkresave zyrtare në zyrën e regjistrimit të pasurive, për të mësuar të vërtetën se e kujt është trualli ku po ndërtohen disa banesa, afër vendit të shenjtë siç është Kisha e Shën Ndout në Laç. Aktualisht hetimi për këtë çështje është në fazën fillestare dhe se pritet që në ditët në vijim, Prokuroria e Kurbinit të tërheqë një sërë dokumentesh me qëllim, verifikimin e tyre me imtësi. Sipas burimeve të prokurorisë së Përgjithshme, pritet që pas verifikimit të plotë të dokumentacionit, në pyetje do të merren përfaqësues ligjore të Kishës së Shën Ndout në Laç si dhe anëtarë të klerit Katolik të kësaj kishe, të cilët mendohet se kanë dijeni rreth kufijve të sipërfaqes së pronës së këtij kulti të shenjtë. Në hetim nuk do të lihen mënjanë edhe personat dhe subjektet private që janë duke ndërtuar disa objekte pa lejë në këtë truall, të cilin ata mendojnë se e zotërojnë me dokumente të rregullta dhe se nuk ia kanë marrë truallin kishës.

Falsifikimi i dokumenteve

Ajo që më tepër i ndruhen ekspertët e prokurorisë është se në këtë çështje mund të jenë kryer falsifikime të dokumentacionit dhe për pasojë palët janë futur në një konflikt ligjor në gjykatën civile dhe në prokurori. Në mënyrë që një gjë e tillë të zbardhet, pritet që në ditët në vijim prokuroria të kërkojë kryerjen e ekspertizave për të mësuar rreth vërtetësisë së dokumentacionit, pasi në këtë kohë falsifikimi i dokumenteve të pronave është kthyer në modë. Burime zyrtare pranë prokurorisë së përgjithshme thanë se ka qenë vetë rektori i Kishës së Shën Ndout, që ka dërguar në prokurori, ku informonte se në territorin e këtij objekti ka nisur nga subjekte private ndërtimi i strukturave prej druri dhe betoni, të cilat cenojnë të drejtën e pronësisë, si edhe mund të bëhen shkak për probleme të tjera më të rënda, sipas tij. Nisur nga kjo situatë prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka kërkuar nga drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin të ndjekë me përparësi këtë rast, nisur nga fakti se ky objekt fetar ka një ndjeshmëri të lartë në një komunitet të gjerë qytetarësh shqiptarë.

Konflikti i trashëguar

Sherri për pronat e kishës në Laç është trashëguar që prej vitit 1990. Pikërisht në këtë vit, kisha ka shpyllëzuar një territor që ndodhet shumë afër vendit të shenjtë, duke pretenduar se kjo sipërfaqe i takon, kishës. Mirëpo me kalimin e viteve, sipërfaqes prej 1 dynym tokë i kanë dalë si zot disa banorë të zonës, të cilët kanë lidhje dhe me kryetarin e Komunës së Milotit. Pikërisht këta persona shpesh herë janë bërë objekt i ngjarjeve të dhunshme duke kërcënuar me jetë, priftërinjtë e kishës, ndërkohë që në një rast kanë prishur dhe meshën brenda në Kishë. Kjo në atë periudhë përbëri një skandal të vërtetë duke sjellë dhe reagimin e kishës katolike. Personat në fjalë janë arrestuar dhe më pas janë liruar nga gjykata e Kurbinit. Ndërkohë që ajo që është më e diskutueshmja dhe më paradoksalja është se pikërisht për sipërfaqen ku është objekt konflikti mes kishës dhe subjekteve private, ka një konflikt të heshtur mes bashkisë së Laçit dhe komunës së Milotit, të cilat pretendojnë se ky territor është në administrimin juridik të këtyre dy institucioneve.

 

Policia sekuestroi 700 gr drogë

Kapet shqiptari me kokainë, u denoncua për prishje qetësie

Një shtetas shqiptar është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Rimini të Italisë. Policia italiane shkoi në banesën e të riut shqiptar, Elton Saliaj, pasi ishte njoftuar nga një banor për prishjen e qetësisë, por pas kontrollit u gjet e fshehur lënda narkotike. Në aksion morën pjesë 6 agjentë të departamentit të Parandalimit të Krimit në Peruxha, të vendosur në Rimini për sezonin e verës. Fillimisht, forcat e policisë kanë hasur në kundërshtimin e Saliajt, por pasi kanë shqyer derën, janë gjendur përballë të riut i cili ndodhej thuajse krejtësisht i zhveshur dhe në gjendje histerie. Pasi e kanë prangosur, oficerët e policisë kanë nisur kontrollin e banesës dhe kanë gjetur tri pako që kishin brenda në total rreth 700 gramë kokainë, përzierës droge, peshore dhe dhjetëra mijëra euro. Sipas të dhënave të policisë, Elton Saliaj ishte i njohur edhe më parë për probleme të tilla. Aktualisht, policia italiane është duke hetuar me imtë ngjarjen për të zbuluar persona të tjerë në këtë trafik droge.

 

Problem gjuetia në kohën e çiftëzimit

Gjuetia në rajonin e Korçës rrezikon zhdukjen e kafshëve

Gjuetia e paligjshme në sezonin e shumimit të gjahut, po shkatërron tërësisht faunën në Qarkun e Korçës. Kjo gjueti ilegale që po kryhet në një kohë të papërshtatshme, ka bërë që kaprolli, lepuri i egër dhe thëllëza, të cilat kafshë dhe shpendë karakteristike të rajonit juglindor, të zhduken dita – ditës. Sipas kryetarit të shoqatës së gjuetarëve në Korçë, Sezai Shehu, ajo që po ndodh, fare mirë mund të konsiderohet si një masakër, pasi po zhduket dhe shkatërrohet gjithë fauna e vendit tonë. Shehu ka kërkuar dhe kontributin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor dhe policisë së rendit për kapjen e gjuetarëve të cilët mbajnë armë gjahu pa leje. Deri më sot, pavarësisht deklaratave të kryera, si nga shërbimi pyjor por edhe nga policia e rendit, nuk ka asnjë person të vënë para drejtësisë për shkatërrimin e madh të kësaj pasurie që ka qyteti juglindor.

 

Masa e sigurisë

I dogji shtëpinë xhaxhait, lihet i lirë

Gjykata e Matit ka lënë të lirë në masën e arrestit 27-vjeçarin Imerjon Barleta, i cili i vuri flakën banesës së xhaxhait teksa ishin duke ngrenë iftarin e agjërimit të Ramazanit. Ngjarja ndodhi në 18 korrik, dhe vetëm fati i shpëtoi pjesëtarët e familjes së të xhaxhait të autorit, të cilët mundën të dilnin në kohë nga banesa. Mehmet Barleta, ka kërkuar takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla, pasi masa e detyrimit të paraqitjes e dhënë për Imerjonin, në kushtet kur dy familjaret nuk janë ulur për të ulur gjakrat, familja e tij ndihet e kërcënuar nga vendimi që e inkurajon 27-vjeçarin të marrë vendime të tjera. Shkak për grindjen ishte një mur i ndërtuar shtrembër. Imerjon Barleta leu me benzinë muret dhe digji si banesën e xhaxhait dhe të vetën, për këtë shkak u arrestua nga krimet e rënda të policisë së Mat.

 

Operacioni

Kapet një person me 22 kg drogë çokollatë

Skuadrat e antidrogës dhe antikrimit të organizuar kanë zbuluar një bazë për shpërndarjen e drogave në zonën e Kombinatit. Sipas policisë, gjatë kontrollit në banesën në rrugën Vangjel Ceco, e cila shërbente si bazë për shpërndarjen e drogave u gjetën 23 pako me mbështjellje transparente, ku brenda ndodheshin pako të vogla në formë paralelepipedi, ku ndodhej drogë e njohur si çokollatë marijuane me peshë 22 kilogramë e 304 gramë. Policia ka shpallur në kërkim pronarin e banesës Krenar Mamo, si personin e përfshirë në shpërndarjen e saj, ndërsa ka nisur hetimet për vendin e origjinës dhe laboratorin e përpunimit të kanabisit në çokollatë.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency