Berisha: Nuk e njohim pushtetin e vjedhjes. PS: Transparencën kërkojeni në Kuvendin e ri

0
127

Gëzim Saliu

Bogdani: Pa transparencë të plotë, nuk njohim zgjedhjet. PS ka vjedhur 1250 vota në qarkun e Lezhës

 

sali-berisha-565x438Hapja e të gjitha kutive të qarkut të Lezhës dhe rinumërimi i tyre nga KQZ ka sjellë ashpërsimin e debatit politik mes Partisë Demokratike dhe  Partisë Socialiste.  Manipulimet e bëra publike nga rinumërimi i votave, janë cilësuar nga forca më e madhe e së djathtës si një provë që zgjedhjet janë vjedhur. Kreu i mazhorancës aktuale Sali Berisha ka deklaruar dje se PD nuk do të njohë pushtetin e ardhur nga votat e krimit dhe karteleve të drogës. “Ky është ndryshim! Nga rinumërimi në Lezhë, 1200 vota të vjedhura. Të dashur miq, rinumërimi i fletëve te votimit dëshmoi se karteli i drogës qe erdhi në pushtet me zgjedhjet e 23 qershorit ka vjedhur me dhunë, terror e para të pista 1200 vota vetëm në qarkun e Lezhës dhe tani, po me dhunë, terror dhe para të pista, duan të bllokojnë rinumërimin e votave dhe të mbrojnë mandatet e krimit. Ky është ndryshimi që donin trafikantët dhe miqtë e tyre!! Por ne demokratët pushtetin e dalë nga krimi, droga dhe paratë e pista nuk do e pranojmë kurrë! Përpara për votën e lirë të shqiptarëve!”, shkruante ai në rrjetin social facebook. Ndaj këtij qëndrimi të ri të PD-së nuk ka munguar reagimi i socialistë, ku sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri ka akuzuar mazhorancën aktuale se po kërkon të pengojë përfundimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar. Në këtë kontekst, duke rikujtuar kërkesën e socialistëve në 2009 për hapjen e kutive të votimit, Gjiknuri tha se edhe në këtë rast, vendimin për transparencën do ta japë Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. “Rezultati duhet të dalë sa më shpejt dhe qeveria e re të fillojë punë. Nëse Berisha kërkon vërtet transparence le të kërkojë transparencë në Kuvend, gjë që ja mohoi ish-opozitës 4 vite më parë. Me këtë rast i gjen dhe një punë vetes në kuvend”, u shpreh ai.

Reagimet

Deputeti i selisë blu Gerti Bogdani deklaroi dje se PD nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit nëse nuk bëhet më parë transparenca e  plotë e votës së qytetarëve. “PD i deklaron shqiptarve, miqve dhe partnerëve të Shqipërisë se nuk do pranojë kurrë pushtetin e dalë nga këto zgjedhje as dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve të diktuar nga Edi Rama me vrasës serialë, trafikantë droge dhe para të pista, pa transparencën e plotë të votës së qytetarëve shqiptarë dhe për këtë përgjegjësia do bjerë vetëm dhe personalisht mbi Edi Ramën”, tha ai. Sipas tij në total pas rinumërimit të votave në të gjitha kutitë e të gjitha qendrave të zonës elektorale të KZAZ nr 13, të Qarkut Lezhë, rezulton se PS ka manipuluar 1250 vota të shqiptarëve. “Edi Rama dhe banda e tij e krimit dhe drogës ka vjedhur me dhunë dhe terror dhe para të pista mbi 1250 vota. Këto prova dhe dëshmi faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se PS me bandat e krimit përsëritën në Shqipëri zgjedhjet e 2001”, u shpreh Bogdani. Ndërkohë sipas deputeti socialist Gjiknuri është pikërisht mazhoranca aktuale ajo që po prish procesin zgjedhor, duke përdorur politikisht KQZ-në. Sali Berisha nëpërmjet atoporlantit te tij te markës “bogdani” deklaroi se nuk do të njohë zgjedhjet pa transparencën e plotë të tyre. Me pak fjalë po kërkon që përtej alibisë së humbjes për gjoja “vjedhje masive” nga opozita në kurriz të Kryeministrit të 21 Janarit, ta kthejë dhe në betejë politike në emër te transparencës. Kjo shpjegon qartë dhe pse KQZ ka marr rolin e një kamikazi politik që në kundërshtim me ligjin r-inumëron zona të tëra zgjedhore pa asnjë shkak ligjor duke vonuar nxjerrjen e rezultatit.  Nëse Berisha është penduar për pranimin e humbjes kjo nuk është shqetësim i askujt përveç i tij. Por që ky njeri në ikje e sipër të vazhdoj të pengojë daljen e rezultatit ky është një shqetësim popullor. Vendi ka prioritete të tjera dhe populli e ka thënë fjalën e tij”, theksoi deputeti i PS-së Damian Gjiknuri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency