Meta: Klimë favorizuese për biznesin. Arvizu: Duhet transparencë dhe qartësi

0
137

Gëzim Saliu

Takimi me Dhomën Amerikane

Shefi i Dhomës Amerikane: Sektori privat pret nga qeveria e re një strukturë konkrete, koncize dhe konsistente

 

993911_10151473689201836_1548171217_nQeveria e re do të sigurojë një klimë favorizuese për biznesin dhe mundësi të reja për investitorët e huaj. Kështu pohoi dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në një takim me Presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë z.Mark Crawford dhe Ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri Aleksandër Arvizu. “Ishte një kënaqësi sepse ndajmë qëllime të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, e cila duhet të bazohet në një situatë ekomomike më të mirë, në një klimë biznesi më të mirë dhe në mundësi të reja për investitorët e huaj, në mënyrë të veçanta ata amerikanë për të zgjeruar prezencën e tyre në vendin, për të qenë shembull pozitiv për tërheqjen e investimeve të tjera nga Amerika, Evropa etj në Shqipëri. Kjo do të ndihmojë në rritjen ekonomike të vendit, do të ndihmojë në rritjen e punësimit të qytetarëve tanë dhe do të përmirësojë edhe imazhin e Shqipërisë akoma më tej”, tha Meta pas përfundimit të takimit. Ndërkohë, kryediplomati amerikan pohoi se më e rëndësishme në marrëdhëniet mes qeverisë dhe biznesit është transparenca dhe parashikueshmëria. “Ajo që unë kuptoj qartë sa herë që flas me investitorë amerikanë është se në Shqipëri ka mundësi të mëdha investimi. Cilësia e forcës së punës, edukata për etikën e punës është shumë e lartë. Ne kemi biseduar sa i përket përmirësimit të klimës së biznesit. Na duhet më shumë qartësi, më shumë transparencë, më shumë parashikueshmëri”, deklaroi Arvizu.

Biznesi

Në takimin e zhvilluar mes kreut të LSI-së dhe Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë Craëford e Ambasadorit të SHBA-ve Arvizu, biseda u përqendrua në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri me qëllim thithjen e investimeve të huaja si dhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Kryediplomati amerikan në vend theksoi se punësimi dhe ekonomia ishin kryetemat e takimit me kreun e LSI-së. “Si amerikan jemi realist për sa i përket arsyeve  gjeografike, traditës dhe historisë që disa nga partnerë strategjikë të Shqipëria si Italia, Greqia, Austria, Turqia etj, kanë disa avantazhe për të qenë investitorë të mëdhenj këtu. Por amerikanët janë gjithmonë në kërkim të oportuniteteve dhe mundësive të reja”, tha Arvizu. Ndërsa Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë theksoi se punësimi është një tematike kryesore në Amerikë dhe sipas tij është një tematikë tek e cila biznesi amerikan kërkon të fokusohet edhe në Shqipëri. “Sepse sektori privat nuk pret që të jetë qeveria ajo që i krijon këto vende pune, por sektori privat dhe veçanërisht Dhoma Amerikane e Tregtisë pret një strukturë sa më konkrete, sa më koncize dhe sa më konsistente dhe qartësi nga qeveria për sa i përket funksionimit të biznesit në këtë vend. Biznesi amerikan ka qenë aktiv dhe i angazhuar në Shqipëri, do ta vazhdojë të jetë gjithnjë i angazhuar”, deklaroi Crawford.

 

Kompensimi i pronarëve

AKKP: Përparësi do të kenë vendimet e hershme

Shpërndarja e fondit të vitit 2013 prej 3 milionë dollarësh për pronarë pritet të fillojë në muajin shtator. Agjensia e kthimit dhe Kompensimit të Pronave bën të ditura se më shumë avantazhe për të marrë kompensimin do të kenë vendimet e hershme. “Me hyrjen në fuqi të vendimit,do fillojnë aplikimet dhe me përfundimin e tyre do bëhet përzgjedhja. Vendimet e hershme do kenë më shumë përparësi për të përfituar”,  u shpreh nëndrejtori  i AKKP Agim Toro. Dy ditë më parë qeveria miratoi kriteret dhe dokumentet e reja për kompensimin e pronarëve. Kushti i parë për të marrë kompensimin është që vendimi i njohjes së pronës dhe i të drejtës së saj për kompensim të jetë përfundimtar, pra të mos jetë në proces trajtimi administrativ apo gjyqësor, ndërsa kriteri i dytë është të jetë i ekzekutueshëm. Po ashtu ekziston edhe një kushte tjetër ku sipas së cilit vendimi me të cilin aplikohet duhet të mos jetë trajtuar më parë me kompensim si në të holla, ashtu edhe fizik. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar dhe rastet kur pronarët nuk përfitojnë nga fondi i kompensimit të këtij viti. “Nuk përfitojnë ata që kanë çështje gjyqësore të hapura, ose ata që kanë përfituar më parë”, theksoi Toro. Kompensimi i pronarëve do të kryhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e re të pronave.  Masa e kompensimit do të jetë e njëjtë me atë të vitit 2012, ku sa më e madhe është sipërfaqja, aq më e lartë do jetë dhe vlera financiare që do përfitojnë pronarët.

 

Marrëveshja me FMN

PS: Bashkëpunim i ngushtë, por me status të ri. Shehi: FMN step politika liberale fiskale

Partia Socialiste e sheh si të domosdoshëm bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por sipas saj kjo marrëdhënie e re duhet të zhvillohet me një status të ri. Deputeti socialist, njëherësh koordinator i hartimit te programit qeverisës të koalicionit fitues të 23 qershorit, Ilir Beqja tha dje se marrëveshja me FMN-në nuk mund të jetë e njëjtë me atë të vitit 2005, pasi Shqipëria tashmë ka dalë nga lista e vendeve me të ardhura të ulëta.  “Marrëveshja e mëparshme ka qenë në kontekstin kur Shqipëria ishte vend me të ardhura të ulëta. Përtej rolit këshillues ekzistues, sigurisht ne do të ndërtojmë një marrëveshje më të ngushtë me FMN-në, sepse një marrëveshje me ngushtë do ta rrisë kredibilitetin e Shqipërisë në sytë e tregjeve financiare dhe investitorëve të huaj dhe për më tepër bashkë me një marrëveshje të FMN-së jemi të vetëdijshëm që raitingu që do t’i bëjnë agjencitë do jetë më profesional dhe më i qëndrueshëm”, pohoi Beqja për TCH. Më tej, ai bëri të ditur se FMN do të ketë rolin e saj edhe në auditivin e financave të vendit. Për deputetin e PS-së, ndihma e FMN-së, edhe me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare është e domosdoshme në fazën që po kalon vendi.”Situata makro-ekonomike është shumë delikate, kemi informacione jo krejtësisht të plota, të pjesshme, analiza të tërthorta. Jemi te vendosur te bëjmë fillimisht një audit të plotë të gjithçkaje zotëron vendi, brenda financave publike dhe përtej tyre dhe gjykojmë që ndihma e një institucioni të rëndësishëm si FMN, edhe me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare është e domosdoshme ne fazën qe është vendi”. Ndërkohë që deputeti i djathtë, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi pohon se rivendosja e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes qeverisë së re dhe FMN-së mund të ndikojë në tkurrjen e hapësirave për një politikë financiare liberale. “FMN do kërkojë të ulet borxhi, Shqipëria ka nevoje te kaloje tavanin e borxhit 70-75 % qe te ketë mundësi te beje investime, disa reforma në ekonominë shqiptare, të pompojë nëpër kanalet ekonomike. Me FMN-në nëpër këmbë, nëse marrëveshja nuk është e studiuar mirë, do të jetë e vështirë”, tha Shehi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency