Gati formulari A2, degët që ju bëjnë fitues mes 328 programeve të studimit

0
141

10 ditë kohë për t’u plotësuar A2-shi

Plotësimi online, konfirmimi në shkollën e mesme

 

maturante-Ka përfunduar hartimi i formularit A2 dhe pritet që Ministria e Arsimit sot ose nesër të bëjë publikimin e tij. Burime të gazetës bëjnë me dije se të gjitha programet e studimit janë hedhur në sistemin online, bashkë me to edhe detajet e formularit. Me publikimin e tij shkollat e mesme do të thërrasin për konsultime kandidatë. Këto konsultime do të kenë si qëllimin, mënyrën se si duhet të bëhet plotësimi bashkë me zgjedhjen e degëve. Po kështu specialistët të orientojnë maturantët lidhur me mundësinë që do të kenë për të kapur një degë ose jo, në bazë të pikëve që ata kanë. Afati që do të kenë maturantët për të plotësuar formularin A2 do të jetë 10 ditë dhe sipas specialistëve është kohë e mjaftueshme në mënyrë që secili të jetë i qartë lidhur me preferencat që do të zgjedhë. Këtë vit do të jenë 328 programe studimi të cilat do të bëjnë të mundur më shumë konkurrencë mes kandidatëve

Degët që ju bëjnë fitues

Në një kohë që maturantët janë ende të pavendosur se cilat degë të zgjedhin në formularin A2, specialistët e arsimit i këshillojnë ata që të zgjedhin degë “të mesme” dhe jo vetëm degë të cilat kapen me mbi 5400 pikë. Degët e mësuesisë janë një mundësi e mirë për secilin për të konkurruar për në shkollën e lartë. Në vitet e kaluara Historia, Gjeografia, Gjuhë-Letërsia, Matematika etj. janë kapur duke filluar nga 5000-5200 pikë. Në këtë mënyrë një i ri që dëshiron të studiojë për Ekonomik, të shikojë edhe mundësinë e zgjedhjes së Matematikës si preferencë të 7-të apo të 8-të, pavarësisht pikëve që ka. Për preferencat e fundit këshillohet që të lihen degët e rretheve. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për degët e profileve të tjera apo degët e rretheve ku këtë vit pritet një konkurrencë më e lartë për shkak të rritjes së kuotave. Nëse këto janë llogaritjet që ju bëjnë fitues ka dhe nga ato mundësi që ju ulin shanset për të fituar. Rastet të tilla mund të jetë zgjedhja e degëve nga profile shkencore, kur në provimet me zgjedhje janë dhënë lëndë shoqërore. Në këtë mënyrë pikët e çdo maturanti do të uleshin ndjeshëm dhe do të ishte e pamundur për të qenë fitues në një nga degët e Universitetit të Tiranës.

Plotësimi

Plotësimi i formularit A2 do të nisë nga vetë kandidatët online. Maturantët do të mund të zgjedhin 10 preferencat e tyre si dhe të bëjnë renditjen e saktë. Mesatarja e shkollës së mesme dhe të dhënat e tjera të kandidatëve do të plotësohen në ambientet e caktuara nga MASH për të përfunduar aplikimin. Pas zgjedhjes se degëve, kandidatët do t’u drejtohen shkollave të mesme për të mbyllur procesin e plotësimit të formularin A2. Për të plotësuar formularin më parë kandidatët duhet të paguajnë në një nga pikat e postës shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë tarifën prej 2 000 lekësh të përcaktuar nga specialistët e arsimit. Nëpërmjet formularit A2 mund të aplikojnë edhe kandidatët të cilët kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë shtetit, por dëshirojnë të vazhdojnë universitetin në Shqipëri.

Gabimet

Specialistët këshillojnë të gjithë maturantët që të kenë kujdes nga gabimet. Nëse zgjidhet gabimisht një degë gjatë plotësimit online, të cilin kandidatët do ta bëjnë vetë, atëherë ky gabim mund të rregullohet. Por nëse edhe gjatë plotësimit në shkollën e mesme është bërë ndonjë gabim, nuk do të mund të rikuperohet më, për shkak se të dhënat hidhen automatikisht në sistem.

 

Miratohet leja për kampusin universitar, së shpejti nis ndërtimi

Kampusi universitar shumë shpejt do të nisë ndërtimin. Pas miratimit të lejes në fund të muajit maj, projekti është drejt fazës së nisjes së punimeve. Ndërtimi i kampusit të universitetit do të zgjidhë përfundimisht problematikën e ofrimit të një infrastrukture cilësore dhe moderne në universitet, sipas standardeve më të mira evropiane. Projekti i kampusit të universitetit është financuar nga Universiteti i Tiranës dhe qeveria shqiptare. Ka qenë rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, gjatë një konference për mbylljen e vitit akademik 2012-2013, i cili ka konfirmuar investimin dhe nisjen e punimeve. Më tej, rektori i universitetit ka theksuar se i mirëpret të gjithë studentët e bachelor-it të cilët për herë të parë do të ulen në auditorët e këtij universiteti. Ai ka theksuar se përzgjedhja e Universitetit të Tiranës për të ndjekur studimet, e rrit shkallën e përgjegjshmërisë për të ofruar shërbime sa më cilësore për studentët. “Një nga sukseset e këtij viti lidhet me hapjen e Zyrave të Karrierës, Alumni-t dhe Lifelong Learning në Universitetin e Tiranës. Fillimi i vitit akademik në tetor 2012 shënoi hapjen e Zyrës së parë të Karrierës në Fakultetin e Ekonomisë dhe më pas edhe në Fakultetin e Drejtësisë. Ka pasur një bashkëpunim të suksesshëm dhe të vazhdueshëm me USAID, Ambasadën Franceze, Agjencinë Universitare të Frankofonisë si dhe të gjithë institucionet e tjera partnere për mbështetjen dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në realizimin e kësaj iniciative. Zyrat e Karrierës mundësojnë kalimin e studentëve me tregun e punës dhe së shpejti do të hapen edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Sociale”, – theksoi Kule në fjalën e tij. Në mbyllje të fjalës së tij rektori i universitetit falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm në realizimin e projekteve të universitetit.

 

Ekspertët e FMN-së dhe BB-së, kontroll sistemit financiar

Specialistë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore kanë nisur misionin e tyre në vendin tonë me fokus kontrollin e sistemit financiar në vend. Ka qenë Banka e Shqipërisë, e cila bëri të ditur se më kërkesën e institucioneve shqiptare Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB) do të kryejnë përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). “Nëpërmjet vlerësimeve të FSAP-së, dy institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ofrojnë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej. Vlerësimi i fundit i FSAP-së për Shqipërinë është kryer në vitin 2005 dhe ky ushtrim i planifikuar do të realizojë një përditësim të vlerësimit të mëparshëm. Misioni planifikues i FSAP-së do të qëndrojë në Tiranë në datat 17-19 korrik për të diskutuar me autoritetet vendase mbi spektrin e shtrirjes dhe procesin. Puna kryesore për FSAP-në do të kryhet gjatë një misioni të mëvonshëm, i planifikuar paraprakisht në periudhën tetor-nëntor 2013. Veçmas nga ky proces, një mision ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Tiranën në fund të muajit shtator 2013”, – thuhet në njoftim. Sipas BSH-së “kjo vizitë është pjesë e mbikëqyrjes ekonomike që kryen FMN-ja dhe do të pasohet nga një mision i Konsultimeve për Artikullin IV nga fundi i këtij viti. Zakonisht, gjetjet më të rëndësishme të Artikullit IV dhe FSAP-së përfshihen në raportin e stafit të FMN-së në përfundim të ciklit të konsultimeve”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency