Krimi në familje, efektivi vret me 5 plumba gruan e më pas veten

0
146

policiaElton Qyno

Ali Nikoleci nxori dy fëmijët jashtë dhe më pas u mbyll bashkë me gruan në banesë

 

Një punonjës i mjekësisë ligjore ka vrarë bashkëjetuesen e tij Mira Nikolli dhe më pas ka qëlluar mbi veten. Ali Nikoleci ka qëlluar plot pesë herë mbi gruan e tij dhe më pas një plumb të vetëm e ka ruajtur, duke e qëlluar veten me të. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Kombinatit në rrugën “Altin Basha”, ku punonjësi i mjekësisë ligjore ka nxjerrë jashtë dy fëmijët e tij dhe më pas është mbyllur me shtetasen që bashkëjetonte. Për gati 1 orë e 30 minuta ka ndodhur gjithçka, ku siç mësohet mes çiftit ka plasur një debat i ashpër. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia e Tiranës nuk qartësoi me saktësi shkaqet e këtij krimi, por nga dëshmitë e banorë të zonës, u mësua se çifti kishte probleme të vazhdueshme. Ali Nikoleci ka dyshuar shumë herë se bashkëjetuesja e tradhtonte dhe për pasojë mes çiftit kanë lindur debate të ashpra, që më pas sollën edhe vrasjen e dyfishtë. Skena e krimit ka ndodhur brenda ambienteve të shtëpisë, ndërkohë që dy fëmijët janë nxjerrë jashtë nga punonjësi i mjekësisë ligjore me qëllim që ata të mos shihnin atë që do të ndodhte më pas mes dy të rriturve.

Krimi i dyfishtë

Efektivi i mjekësisë ligjore ka planifikuar në detaje hakmarrjen ndaj bashkëjetueses së tij. Konfliktet e herëpashershme me Mira Nikollin mbrëmjen e të mërkurës kanë arritur kulmin, duke bërë që Nikoleci t’i japë fund lidhjes së saj, duke u larguar së bashku nga kjo botë. Rreth orës 20:30 ai ka shkuar në banesën e tij që ndodhen në rrugën “Altin Basha” dhe menjëherë është shfaqur i tensionuar. Për pasojë, ka vendosur të nxjerrë jashtë banesës dy fëmijët dhe e ka mbyllur sërish derën nga brenda, duke mbetur i vetëm me bashkëjetuesen e tij. Gjatë kësaj kohe është dëgjuar vetëm një e shtënë, gjë e cila ka sjellë alarmimin e banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar policinë e Tiranës. Edhe pse kanë mbërritur me shpejtësi, efektivat e policisë e kanë pasur thuajse të pamundur për të hyrë në banesë. Gjatë kësaj kohe, Ali Nikoleci ka vepruar me gjaknxehtësi, ku pasi ka shkëmbyer disa fjalë me bashkëjetuesen, ka qëlluar më pas në drejtim të saj plot 5 herë me armë zjarri. Të shtënat janë dëgjuar dhe nga ana e policisë, të cilat më pas kanë vepruar me forcë, duke shqyer derën. Mirëpo teksa kryhej një proces i tillë, një tjetër e shtënë e vetme është dëgjuar, duke sjellë edhe vetëvrasjen e punonjësit të mjekësisë ligjore. Policia ka mundur të depërtojë brenda ambienteve të banesës ku edhe ka konstatuar dy trupat e pajetë të mbytur në gjak.

Konflikti për xhelozinë

Dyshimet më të forta për këtë vrasje flasin se mes çiftit bashkëjetues kishin lindur kohët e fundit konfliktet, pasi Mira Nikolli kishte krijuar një lidhje tjetër. Një gjë e tillë ishte vënë re dhe nga i dashuri i saj, që më pas ka vendosur t’i kërkojë llogari bashkëjetueses. Mirëpo atëherë kur gjërat mes tyre sheshoheshin, situata përkeqësohej akoma dhe më tepër, duke arritur kulmin mbrëmjen e djeshme. Aktualisht policia është duke hetuar vetëm në pistën e xhelozisë si dhe atë të problemeve ekonomike, ndërkohë që gjatë mbrëmjes janë marrë dëshmitë e personave që kanë pasur dijeni rreth marrëdhënies së çiftit. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë, si dhe 7 gëzhoja. Arma e krimit u gjend, shumë afër trupit të Ali Nikolecit.

 

 

 

 

Ngjarja në Elbasan

Nipi qëllon për pronën xhaxhain e tij

Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një konflikti për pronën në Elbasan. Policia tha se ngjarja e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Deshiran. Mësohet se babë e bir janë goditur disa herë me sende të forta nga një i afërm i tyre, i identifikuar si Ilir Zdrava, 32 vjeç. 32-vjeçari është konfliktuar me xhaxhain e tij 71-vjeçar E. Zdrava dhe me kushëririn B. Zdrava 33 vjeç. Sipas policisë, konflikti e kishte origjinën kohë më përpara për një sipërfaqe toke. Ndërkohë mësohet se policia ka arrestuarin autorin Ilir Zdrava. Gjatë marrjes në pyetje ai ka treguar se shkak ka qenë sheret e vazhdueshme mes familjes së tij dhe xhaxhait për tokën që kishin pranë shtëpisë. Pas administrimit të provave materiale, çështja tashmë i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Elbasanit.

 

Koloneli i shkarkuar fiton gjyqin kundër Arben Imamit

Kujtim Rustemaj, komandanti i qendrës së stërvitjes në Bunavi, fiton gjyqin kundër ministrit aktual të Mbrojtjes Arben Imami, i cili nëpërmjet një vendimi ka vendosur ta nxjerrë në lirim. Rustemaj i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke arritur të kthejë mbrapsht vendimin e Imamit, që një vit më parë e nxori në lirim kolonelin e ushtrisë, pikërisht periudhën kur ai kishte konkurruar për të marrë gradën “Gjeneral brigade”. Komisioni i shqyrtimit të kërkesave kishte vendosur pro Kujtim Rustemajt, duke aprovuar kërkesën, mirëpo kur emri i rij ka shkuar në zyrën e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, ky i fundit ka vendosur ta nxjerrë në lirim, duke argumentuar se ai kishte përmbushur periudhën 30-vjeçare të qëndrimit në Forcat e Armatosura. Mirëpo me këtë vendim nuk është pajtuar komandanti i Qendrës Kombëtare të Stërvitjes Bunavi, Vlorë. Rustemaj ka kundërshtuar në gjykatë urdhrin e ministrit dhe se pak kohë më parë koloneli ka arritur të fitojë të drejtën e tij me një vendim gjyqësor, të dhënë nga Rilinda Selimi, duke u rikthyer sërish në vendin e mëparshëm. Paditësi Rustemaj parashtroi në gjykim se edhe në vitin 2011 është vendosur nxjerrja e tij në rezervë mbështetur në po këto referenca ligjore. Paditësi parashtroi se me vendimin nr. 1164, dt. 13 shkurt 2012, Gjykata e Tiranës ka pranuar padinë e tij duke vendosur anulimin e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes dhe rikthimin e tij në detyrë dhe pagimin e pagës nga data e ndërprerjes. Paditësi shprehet se urdhri për nxjerrjen e tij në rezervë është lëshuar vetëm pas pak muajsh nga fillimi i detyrës së re caktuar në zbatim të vendimit gjyqësor. Paditësi parashtroi se në vitin 2008 ka përmbushur kriteret për të konkurruar për gradën pasardhëse “Gjeneral brigade”, procedurë e cila nuk është realizuar. Në pritje të dërgimit të rekomandimit të Presidenti i Republikës, ndërkohë që nga ana e ministrit të Mbrojtjes është nxjerrë urdhri objekt kundërshtimi për nxjerrjen e tij në rezervë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency