Vrasja Konflikti në familje, babai vret me thikë djalin, pasi i keqtrajtonte

0
146

Elton Qyno

vret nenen Agron Fisniku u gjet dy ditë më parë në lumin e Tiranës. Ishte qëlluar me tri thika në bark nga i ati

 

Trupi i pajetë i gjendur nga kalimtarët e rastit në lumin e Tiranës, quhet Agron Fisniku, i cili rezulton të jetë vrarë me tri goditje thike. 44-vjeçari është qëlluar për vdekje teksa ka hyrë në një konflikt me dy prindërit e tij të moshuar, të cilët jetonin së bashku me djalin e tyre në zonën e Babrrusë. Dyshimet e para të policisë së Tiranës flasin se 44-vjeçari me probleme mendore është qëlluar për vdekje nga dy prindërit e tij Rushdi dhe Huzrie, pasi ai ka ushtruar dhunë sistematike mbi ta. Nisur nga kjo situatë, dy të moshuarit kanë vendosur ta vrasin fëmijën e tyre, duke e qëlluar Agron Fisnikun tri herë me thikë në bark. Skena e tmerrshme ka ndodhur brenda ambienteve të banesës së tyre në Babrru të kryeqytetit dhe pas këtij akti, burrë e grua mendohet se e kanë marrë trupin e pajetë duke e hedhur atë në lumin e Tiranës. Trupi i pajetë i Agron Fisnikut ka qëndruar në ujë pesë ditë dhe pas gjetjes nga policia është identifikuar nga disa banorë të lagjes, të cilët i kanë parë në krah një tatuazh spirancë me yll, shenjë e cila solli dhe identifikimin e tij nga organet policore. Më pas, një grup hetuesish kanë shkuar në banesën e viktimës, ku edhe kanë dhënë lajmin e vdekjes së djalit të tyre e më pas ushtruan kontroll që siguruan disa prova materiale të vlefshme për hetimin.

Gjaku dhe thika

Fakti i mostronditjes për atë që kishte ndodhur me djalin e tyre, ka shtyrë oficerët e vrasjeve të kryejnë një kontroll në banesë. Pikërisht nga ky kontroll janë arritur të gjenden disa njolla gjaku në një dhomë të shtëpisë, si dhe të sekuestrohet një thikë në kuzhinë, me të cilën mendohet se është qëlluar tri herë në bark 44-vjeçari Agron Fisniku. Pikërisht këtyre provave u janë përgjigjur me indiferentizëm dy prindërit të cilët më pas janë shoqëruar në ambientet e policisë. Ata janë marrë gjatë natës në pyetje ku kanë treguar se si kishte ndodhur krimi i rëndë. Në fillim ata e kanë mohuar vrasjen duke pohuar se me thikën që policia pretendon se është përdorur në vrasje janë therur kafshë, prandaj dhe kanë mbetur njolla gjaku. Mirëpo pas analizave të kryera nga laboratori i mjekësisë ligjore është arritur të bëhet me dije, se njollat e gjakut të gjetura në thikë, i përkisnin pikërisht gjakut të viktimës Agron Fisniku. Në këto kushte dy prindërit janë dorëzuar dhe kanë treguar para oficerëve të policisë të gjitha skenat e krimit të ndodhur brenda në banesë.

Babai qëlloi djalin

Ruzhdi Fisniku, i moshuari nga zona e Dibrës dhe banues në Tiranë, ka deklaruar se ishte pikërisht ai që ka qëlluar me thikë djalin e tij 44-vjeçar. I moshuari ka sqaruar se i biri ishte bërë i padurueshëm dhe se për pasojë ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike të vazhdueshme mbi të dhe gruan e tij. Ky rast i përsëritur kishte ndodhur dhe pesë 6 ditë më parë, kur Agron Fisniku me probleme mendore është kthyer në banesë dhe ka filluar të konfliktohet me prindërit e tij të moshuar. Nisur nga kjo situatë ai ka qëlluar me grushte të atin e tij dhe më pas i është drejtuar të ëmës, Huzries. Pikërisht në këtë moment Rushdiu mendohet se ka rrëmbyer thikën në kuzhinë dhe ka qëlluar tri herë në bark, djalin e tij duke e lënë të vdekur në vend. Pas këtij veprimi burrë e grua gjatë orëve të vona të natës, pa u vënë re nga askush, kanë marrë trupin e pajetë dhe e kanë hedhur atë në lumë. Mungesa në shtëpi e 44-vjeçarit nuk i ka bërë përshtypje asnjë prej komshinjve të familjes Fisniku. Ata kanë folur për policinë vetëm pasi kanë marrë njoftimin e gjetjes së trupit të pajetë të Agron Fisnikut.

Në dëshminë e tyre, fqinjët kanë treguar se Fisniku njihej si person problematik në familje dhe me probleme mendore. Aktualisht nën arrest është duke u mbajtur vetëm shtetasi Ruzhdi Fisniku, ndërkohë që gruaja e tij është lënë e lirë nga ana e policisë së Tiranës. Verifikimet për të vijojnë me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit të rëndë. Në dosjen hetimore, policia ka siguruar një sërë provash materiale që tregojnë se vrasja e 44-vjeçarit është bërë nga babai i tij.

 

Dy grabitje në Tiranë, asnjë person i arrestuar

Maskat sulmojnë kazinonë dhe Ujësjellësin

marrin 10 milionë lekë, autorët në kërkim

 

Tentohet të grabitet arka e Ujësjellësit në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur tek Shkolla e Bashkuar, ku dy persona të armatosur, nën kërcënimin e armëve, kanë marrë një sasi parash, por më pas i kanë hedhur ato në tokë dhe janë larguar nga vendngjarja. Dy personat në kokë mbanin kapele dhe se nën ushtrimin e ndikimit të armës, kanë detyruar punonjësit e Ujësjellësit t’i japin sasinë e lekëve që kishin në arkë. E gjithë skena ka ndodhur për disa sekonda, ndërkohë që gjatë kësaj kohe teksa grabitësit po merrnin lekët, njëri nga punonjësit ka shtypur butonin e alarmit dhe menjëherë një patrullë policie është gjendur me shpejtësi në vendngjarje. Në ndjekje e sipër dy autorët kanë vendosur të hedhin lekët në tokë, ose sasia e tyre mund ti ketë rënë gjatë largimit. Policia është vënë në ndjekje por pa mundur të arrestojë dy personat ende të paidentifikuar. Në pyetje janë marrë të gjithë punonjësit e arkës së financës si dhe disa qytetarë që ishin duke paguar faturat e ujit. Ndërkohë në mëngjesin e djeshëm një tjetër grabitje ka ndodhur në Tiranë,ku këtë herë në një kazino janë marrë 10 milion lekë të vjetra. Ngjarja ka ndodhur në një kazino që ndodhet në rrugën “Sulejman Delvina”, pranë sheshit “Willson” në Tiranë. Sipas policisë dy persona kanë hyrë në ambientet e kazinosë dhe nën kërcënimin e armëve kanë mundur të zbrazin paratë e kasafortës. Autorët kanë mundur të largohen, ndërsa policia mbërriti në vendngjarje për hetimet për zbardhjen e krimit. Sipas policisë autorët kanë pasur maska dhe doreza dhe është mjaft e vështirë për të fiksuar gjurmë apo pamje identifikuese për ta. Policia ka kaluar në shërbime 12-orëshe dhe ka rritur masat e sigurisë për tentativat për kryerjen e grabitjeve apo krimeve të tjera tashmë që vëmendja kryesore e uniformave blu është në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

 

 

Kukës, pas presioneve dorëhiqet shefi i rendit

 

Shefi i Rendit dhe Sigurisë në Policinë e Qarkut të Kukësit, Embro Zholi, dorëhiqet dy ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit. Vetë Zholi ka bërë me dije se shkak i dorëheqjes së tij janë bërë presionet nga punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Sipas tij, njëri nga punonjësit e SHKB-së me iniciale P. Gjana e ka fyer dhe kërcënuar publikisht. Dorëheqja e tij konfirmohet ndërkohë edhe zyrtarisht nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit, sipas të cilës, Embro Zholi ka paraqitur një shkresë ku deklarohej dorëheqja, ku si motiv është shprehur ngarkesa në punë. Menjëherë pas dorëheqjes së Embro Zholit, është vendosur zëvendësimi i tij me një tjetër oficer policie, me qëllim mosdëmtimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtyre ditëve të zgjedhjeve elektorale.

 

Grabiste e përdhunonte femrat, pranga shqiptarit në Athinë

Arrestohet nga autoritetet greke shqiptari i dyshuar për përdhunime dhe grabitje në lagjen “Galaci” në kryeqytetin grek. 32-vjeçari Shkëlqim Sinani njihej ndryshe si “Dragoi i lagjes”, pasi ai kishte shpërndarë tmerrin për të gjithë banorët e lagjes në Athinë, duke përdhunuar femrat dhe duke i plaçkitur. Për muaj me radhë policia kishte nisur një operacion të madh për të identifikuar dhe arrestuar, duke përdorur si “karrem” femrat police. Operacioni i policisë u krye me sukses dhe “Dragoi” që godiste në lagjen “Galaci” është arrestuar. Ndërkaq gjatë arrestimit Sinani ka rezistuar duke gjuajtur me grushte dhe shkelma policët. Atentatori sipas raportimeve të policisë helene ka përdhunuar të paktën dy gra, ndërsa policia po heton mundësinë për më shumë viktima. Sipas policisë greke të dhënat e të dyshuarit janë bërë publike 6 muaj më parë dhe kishin për qëllim sipas ligjit të mbrojnë shoqërinë, të lehtësojnë realizimin e operacioneve të shtetit si dhe të ndëshkojnë këto veprave penale.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency