Ballsh Berisha, qytetarëve: Ju kërkoj votën për të vazhduar projektet së bashku

0
168

Ina Jano

berishasKreu i PD-së mbyll fushatën elektorale në Mallakastër. Ai premtoi zhvillimin e mëtejshëm të të gjithë vendit, nëse shqiptarët zgjedhin alternativën e djathtë

 

Mallakastra ishte qyteti i fundit ku shefi i qeverisë, Berisha, u ndal gjatë kësaj fushate elektorale për të përmbyllur takimet me qytetarët. Nga Ballshi numri një i demokratëve u deklaroi të gjithë qytetarëve se vota për Partinë Demokratike është një votë për integrimin dhe për vazhdimësinë e projekteve që së bashku janë nisur. “Është dita të meditoni. Sali Berisha kërkon votën tuaj, jo për karrigen e tij, por kërkon votën tuaj të vazhdojmë projektet së bashku, të ecim në rrugën e zhvillimit, të ecim në rrugën e integrimit, sepse ne kemi faktuar se kemi ecur. Ndërsa shoku i autobusit mavi nuk premtoi asgjë, përveç karriges së tij dhe autobusit të tij. Ndaj të bashkohemi të gjithë me 44-ën, numrin e fatit, numrin e integrimit, numrin e begatisë, numrin e punësimit, numrin e zhvillimit”, – deklaroi zoti Berisha. Ky i fundit nuk la pa përmendur edhe alternativën e majtë, që ofron Partia Socialiste në këto zgjedhje. Kryeministri Berisha ftoi sërish qytetarët të votojnë PD-në ndërsa ripërsëriti premtimet për rritjen e punësimit, e rrogave dhe pensioneve si dhe rritjen e ndihmës ekonomike. “Të bashkohemi për Mallakastrën e zhvilluar, kemi investuar këtu dhjetëra herë më shumë se më parë, ftoj socialistët të bashkohen me ne. Do lidhim Ballshin me autostradën, do ndërtojmë të gjitha rrugët e fshatrave, çdo shkollë e qendër shëndetësore që ka mbetur pa ndërtuar. Muajin që vjen ne do marrim statusin e vendit kandidat, do hapim negociatat, do përfitojmë qindra mijë euro investime. Zhvillimi i një vendi ka si kusht rritjen e mirëqenies, të të ardhurave, ne po rrisim rrogat dhe pensionet po zgjerojmë fermat, jemi në rrugë të mbarë, le të vazhdojmë së bashku. Vëllezër e motra, zonja e zotërinj, socialistë të Mallakastrës, të paparti dhe të çdo bindje politike, bashkohuni me ne! Në të katër anët e Mallakastrës ne kemi ndërtuar një infrastrukturë moderne. Natyrisht, nuk e kemi përfunduar atë, por të vazhdojmë së bashku të lidhim Ballshin me autostradën, të ndërtojmë të gjitha rrugët e fshatrave të grave dhe burrave punëtorë të Mallakastrës, të ndërtojmë çdo shkollë që ka mbetur pa ndërtuar, qendra shëndetësore, të përdorim ujëmbledhësin e Lumarës për të furnizuar me ujë për vaditje dhe çdo gjë tjetër të gjithë Mallakastrën”, – tha ai. Duke iu drejtuar socialistëve të Ballshit, Berisha tha se premtimi i vetëm i Ramës është se do mbyllë dyert e universiteteve duke sjellë modelin e kohës së shkuar. “Ju ftoj të mendoni një herë për kryetarin tuaj që nuk e shqipëroi njëherë fjalën rritje rrogash, pensionesh për fermat tuaja, premton heqje TVSH që ta marrin tregtarët, jo ju. Ne ju premtojmë rimbursim në dorë që të lulëzoni fermat. Kujtohuni pak ç’ju ka mbetur në mendje nga premtimet tremujore të kryetarit të opozitës dhe shihni vetëm se do t’jua mbyllë dyert e universiteteve edhe do të rrënojë ëndrrat e 2/3 së të rinjve dhe të rejave, ëndrrat universitare tuajat, sepse do modelin e vjetër, do modelin e kohës së shkuar”, – tha kreu i qeverisë.

 

 

Përfundon impianti i ujërave të zeza në Vlorë

Kryeministri Berisha ishte dje i pranishëm në ceremoninë e përurimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Vlorë. Ky investim, sipas kreut të qeverisë, e rendit Vlorën në hartën e qyteteve më të pastra të Evropës. “Sot e tutje, Vlora, perla e Mesdheut, hyn në hartën e qyteteve më të pastra të Evropës dhe botës me impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Pas infrastrukturës rrugore dhe energjetike, ajo ujore është jetike për zhvillimin e një qyteti, për zhvillimin e një vendi. Vlora është qyteti i infrastrukturës ujore ndër më modernet. Me 26 milionë euro është ndërtuar ujësjellësi që do t’u japë vlonjatëve ujë 24 orë pa ndërprerje. Vlora e kishte po kaq jetik impiantin”, – tha ai. Kreu i qeverisë, teksa ftoi vlonjatët t’i bashkohen sot mitingut përmbyllës të PD-së në Tiranë, u shpreh se vota për numrin 44 sjell fatin e mirë, ndërsa ajo për numrin 29 sjell ters. “Ne po bëjmë gjithçka të ecim drejt zhvillimit, ndaj dhe ju bëj thirrjen më të sinqertë qytetarëve të Vlorës që pasnesër të zgjedhin 44. Shqiptarët, përveç mundit dhe djersës, meritojnë edhe fatin e mirë, ky është numri i fatit të mirë, shqiptarët e dinë këtë, nuk kanë asnjë arsye të prekin numrin e tersit, 29. Ju ftoj sot të gjithëve të festojmë në Tiranë sot në orën 19:44, të festojmë së bashku me shpirtin e fitores, me besim tek e ardhmja”, – nënvizoi Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency