Aktiviteti elektoral i LGI-së Meta: LSI merr 26 mandate

0
178

Gëzim Saliu

Ilir Meta te LGI

Kreu i LSI: Revolucioni ekonomik i grave është lokomotiva e suksesit të shoqërisë

 

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta shpreh bindjen se forca që ai drejton do të marrë 26 mandate në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Pjesëmarrës në aktivitetin elektoral të Lëvizjes së Gruas për Integrim, ku u prezantuan 48 kandidatet gra dhe vajza për deputete në të gjithë Shqipërinë, Meta theksoi se në saj të ndihmës që do të japë gjinia femërore në garën elektorale, LSI do të arrijë të përmbushë synimet e saj elektorale. “Ky angazhim, kjo sakrificë, ky përkushtim është frymëzimi ynë për të fituar dhe për të arritur objektivin që tha Nora Malaj, që Lëvizja Socialiste për Integrim jo vetëm të ketë numrin 26, por të synojë 26 mandate në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Meta.

Konventa

Duke theksuar se pjesëmarrja sa më aktive e gruas dhe vajzës në politike do t’i shërbente, jo vetëm mbrojtjes së të drejtave të tyre por edhe rritjes së përgjegjshmërisë së klasës politike në vend, Meta tha se LSI është forcë politike që beson në politikën e dyerve të hapura ku gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, kanë shanse të barabarta për tu bërë pjesë e vendimmarrjes politike. “LSI ka një plan konkret punësimi dhe një program të qartë, i cili i jep një rëndësi të veçantë fuqizimit ekonomik të gruas sepse ne besojmë te një shoqëri e drejtë ku zhvillimi ekonomik dhe shoqëror do të ishte gjysmak në rast se grave do t’i mbyllej dera e tregut të punës dhe integrimi i plotë në shoqëri. LSI ka prioritet të veçantë forcimin e vlerave familjare dhe fuqizimin ekonomik të gruas, të cilat synojnë në radhë të parë në mundësinë për punësimin dinjitoz të çdo gruaje dhe vajze shqiptare si garancinë kryesore për të zbutur problemet sociale me të cilat ato, familjet tona dhe shoqëria jonë ndeshen çdo ditë. Potenciali ekonomik i grave dhe i vajzave është i jashtëzakonshëm dhe shoqëria jonë nuk mund të ecë më shpejt pa i vënë këto potenciale në punë”, theksoi kreu i LSI-së. Në këtë kontekst, Meta pohoi se LSI ka në programin e saj synimin për të mbështetur me kredi të buta dhe me interes deri në 3 për qind të gjitha gratë sipërmarrëse në aktivitetet prodhuese dhe të shërbimit. Kjo do të bëhet e mundur sipas tij duke nënshkruar marrëveshje me bankat e nivelit të dytë për ti mbështetur të gjitha gratë në biznes. “Ne do ti japim fund këtij tranzicioni politik për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian, për të ecur më shpejt drejt një modeli ekonomik që sjell një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha të një modeli që sjell punësim për të gjithë qytetarët tanë, e në mënyrë të veçantë për gratë dhe për vajzat e Shqipërisë”, deklaroi Meta. Ndërkohë që kandidatja për deputete e LSI-së në Qarkun e Tiranës, njëherazi kryetare e LGI-së, Klajda Gjosha, deklaroi se detyra kryesore për këtë forcë politike mbetet fokusimi në fuqizimin ekonomik të gruas në punësimin e grave. “Ne do të punojmë shumë për të bërë realitet ëndrrën e çdo familje shqiptare. Le ta quajmë sot si një dite feste për gruan shqiptare, të festojmë kontributin që ju jepni në çdo aspekt të jetës, në shtëpitë tuaja, në shoqëri, në punë, në komunitet, si nëna, si motra, si bija, si bashkëshorte dhe qytetare”, tha Gjosha. Ndërkohë që kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së Erisa Xhixho pohoi se inspirimi kryesor për të gjithë është sipas saj se politika nuk është më një bastion i burrave por një bastion i qytetarëve. “Gruaja shqiptare nuk është vetëm një zonjë e përkushtuar që sjell vetëm dashuri dhe mirësi në familjen e saj por mbi të gjitha ajo shpreh dashuri, mirësi në politikë dhe shoqëri, prandaj pjesëmarrja e saj në politikë është vendimtare”, deklaroi Xhixho.

 

 

Kryemadhi: Gratë e LSI-së do ti japin fitoren Metës në 23 qershor

Në konventën e LGI-së, kandidatja për deputete në qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të arrijë fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit në saj të ndihmës së grave.  Vetëm në LSI ne i kemi kuotat, ku jemi të barabarta. Ne do t’i tregojmë Ilir Metës dhe të gjithë shqiptarëve se, gratë e LSI-së do t’i japin fitoren LSI me 23 qershor”, tha Kryemadhi. Duke folur për kandidimin e saj në qarkun e Lezhës ajo tha se ky kandidim është kërkuar nga strukturat e partisë në këtë qark. “Qarku i Lezhës ka një strukturë të gruas të mrekullueshme duke filluar me strukturat e saj në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo lagje, ku gratë e SI-së të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës, jo vetëm që janë punëtore por janë edhe të besës janë edhe të bukura. Nuk dua të flas për barazinë gjinore, sepse ne kemi barazi gjinore në parti dhe për këtë do të luftojmë në çdo moment. Sepse lufta jonë nuk është me burrat, lufta jonë është me mentalitetin e vjetër të politikës së vjetër në Shqipëri”, tha Kryemadhi.

 

Meta firmos marrëveshje me bizneset: Do e përfshijmë në qeverinë e re

Kreu i LSI-së Ilir meta firmosi dje një marrëveshje me përfaqësues të biznesit vendas, duke premtuar se kjo paketë do të përfshihet sipas tij në qeverinë e re që do dalë pas 23 qershorit. I shoqëruar në këtë takim nga ekspertët e ekonomisë të LSI-së, Meta deklaroi se mbështetja për biznesin do të thotë mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e ekonomisë. Këtë fakt kreu i LSI-së e bëri të ditur edhe në konventën e grave të kësaj force politike, ku tha se,: “Një orë më parë unë firmosa me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës një marrëveshje dakordësie për të bërë një zhvillim të mëtejshëm të partneritetit midis politikës, qeverisë dhe parlamentit me biznesin.  Kjo për të krijuar atë partneritet që ka munguar këto vite, i cili synon që përmes politikave nxitëse dhe mbështetëse të krijojë jo vetëm një ekonomike dinamike që rritet , që prodhon, që eksporton dhe garanton vende të reja dhe të qëndrueshme pune, por njëkohësisht edhe një ekonomi më përfshirëse, ku falë politikave tona do të krijohet mundësia për të stimuluar më tej punësimin e grave dhe të vajzave”.

 

Reagimi për deklaratën e pasurisë

Rama: Kam paguar një më një taksën e “Zotit” për “Kurban”

Kreu i PS-se, Edi Rama ka deklaruar dje se ka paguar çdo detyrim për çdo kopje të shitur të librit të tij, “Kurban” dhe gjithçka tjetër që lidhet me të ardhurat e tij e ka deklaruar. Në një reagim në rrjetin social “twitter”, Rama theksoi se,: “Kam paguar një me një taksen e “Zotit” për çdo kopje të shitur të Kurbanit e kam deklaruar gjithçka,po maskarallëku do shkojë në fund! TURP! Saliu,me tatimet e gazetat e tij,ka fabrikuar e po propagandon një shpifje tw ulet sa vetja e tij për deklaratën e te ardhurave te mia!TURP! Ka humbur, ka ikur, ka marre fund e prej dëshpërimit do beje edhe me keq se kaq po ne fund do t’i mbetet veç ajo qe mbetet për këtë soj: TURPI!”.

 

Falja fiskale hyn në fuqi më 22 qershor

Ligji “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, i cili mori miratimin e Kuvendit në seancën e tij të fundit dhe që vendos shtyrjen e afatit të zbatimit të amnistisë fiskale deri në fund të këtij viti do të hyjë në fuqi me 22 qershor. Bëhet fjalë për variantin e parë të amnistisë, të miratuar në mars të vitit 2011, që në fakt është një falje për gjobat dhe detyrimet e prapambetura, por nga ana tjetër jepte dhe mundësinë e rivlerësimit të aseteve. Afatet dhe kushtet e faljes mbeten të njëjta si në ligjin “Per legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjesë të borxhit tatimor dhe doganor”. Kjo shtyrje afati u jep thjeshtë mundësi atyre që nuk e shfrytëzuan në atë kohë, që të përfitojnë nga lehtësitë e saj. Kjo nënkupton që falen të gjitha detyrimet tatimore të papaguara të individëve për periudhën tatimore deri më 31 dhjetor 2010; detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008. Po ashtu në këtë falje përfshihen edhe detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë, apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuara në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, të cilat falen nëse tatimpaguesi, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, paguan 30 për qind të principalit të tatimit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency