Mbijetesë në dëm të lirisë së të gjithëve

0
112

mbijetesÇelo Hoxha

 

Pardje qarkulloi një lajm në rrjetet sociale, blogje dhe gazeta online, se në një miting ishte pikasur, nga socialistët, një armik i jashtëm. Të shpallesh armik tani mjafton të kesh një kamera në dorë dhe t’i afrohesh, pa autorizim, ndonjë mitingu socialist (nga demokratët ende s’kemi lajme të tilla, ndoshta nuk guxon t’u afrohet kush). Një nga figurat e larta të PS-së e kishte akuzuar kameramanin si të infiltruar të PD-së. Pas verifikimeve, rezultoi që kameramani jo vetëm që nuk ishte dërguar nga PD-ja, siç u akuzua, por ishte edhe i majtë (i një televizioni që e ka ose e ka pasur në pronësi një kandidat për deputet në listat e tanishme, i PS-së, shumë i përfolur si biznesmen që i janë sosur lekët).

Në paraqitjen e çështjes nuk përdora asnjë emër, sepse lajmi u hoq me urgjencë nga faqja ku kishte dalë dhe nuk dua t’i lë shkas dikujt të pretendojë se e kam sajuar. Gazetat, dje, nuk e botuan. Justifikimi, që më mbërriti koleg pas kolegu, ishte ky: “E hoqëm [lajmin] se na e kërkuan si nder ata të stafit të Majkos”.

Kontrolli i mediave është në natyrën e Edi Ramës, por ai është i vetmi person përgjegjës për kontrollin e shtuar të politikës mbi mediat. Ai vepron me ndihmën e atyre që ka rrotull, veçse ata nuk janë të ndërgjegjshëm që jetojnë politikisht bazuar në një filozofi të dështuar. Gjysmë shekulli histori e PPSH-së nuk u ka mjaftuar të nxjerrin në mësime.

Në kujtimet e tij, Petro Marko shkruan se kur ishte kthyer në Shqipëri, nga fundi i luftës, Sejfulla Malëshova e kishte porositur të mos fliste hëpërhë, se i ikte koka. Ata të dy ishin nga komunistët më të vjetër, por drejtimin e partisë e kishin marrë të tjerë. Dhe Petroja ashtu bëri. Heshti, por nuk e ndali dot fatin e tij të keq. Pas disa vitesh përfundoi në burg, internim e persekutime të vazhdueshme. Më vonë i burgosën dhe të birin.

Sejfulla Malëshova pati të njëjtin fat, ai ishte ndër të parët që u ndëshkua. Kjo lloj filozofie vazhdoi. Koçi Xoxe, një ndër ndihmësit më të afërt të Enver Hoxhës dhe jugosllavëve, i cili kishte dënuar sa e sa njerëz, përfundoi dhe në plumb. Bedri Spahiu që dënoi Koçi Xoxen, u dënua vetë më vonë. Të gjithë vepronin me egërsi kundër “armikut” të radhës, duke mos e shkuar fare në mendje fatin e tyre. Dhe të gjithë, një nga një, përfunduan në plumb, burg ose internim, deri te “heroi” i luftës, Mehmet Shehu. Mehmet Shehu ishte, nga këndvështrimi komunist, një hero i vërtetë, sepse ai kontribuoi më shumë nga të gjithë në marrjen e pushtetit nga PPSH-ja, por në fund nuk e shmangu dot vdekjen e tij, nga duart e njerëzve të cilëve ai u kishte shërbyer.

Në lidhje me vdekjen e tyre, të gjithë – Malëshova, Xoxe, Spahiu, Jakova, Balluku, Dume, Çako, Ngjela, Lubonja, Paçrami, Nase, Ziçishtët, Hasbiu, Shehu – nuk ishin fajtorë, domethënë, nuk kishin bërë asgjë kundër regjimit komunist. Ata mund të gjykoheshin nga një gjykatë për krimet e njerëzimit, por jo nga gjykatat e një regjimi kriminal, i cili ishte ngritur mbi kufoma njerëzisht të pafajshëm. Ai ose ata që i dënonin, nuk ishin më të mirë. Megjithatë, të gjitha ata përfunduan në gijotinë, sepse ajo ishte filozofia e sistemit që ata vetë kishin ngritur.

Në PS-në e Ramës u rikthye filozofia puniste e mbijetesës. Të gjithë mendojnë si ta kenë mirë me liderin dhe radhët rrallohen përditë. Janë larguar shumë, por më i spikaturi (Mehmet Shehu i PS-së) ishte deputeti që e ndihmoi Ramën të bënte Kodin Zgjedhor që është në funksion ende, i cili i ka bërë kryetarët e partive të fuqishëm dhe ka ligjëruar ndikimin e partive mbi mediet, shtetërore e private, gjatë fushatave elektorale. Ai deputet tashmë nuk është më në radhët e PS-së. Si ai kanë ikur shumë të tjerë, të cilët, deri ditën e tyre të fundit në parti, kishin kontribuar për përjashtimin e të tjerëve.

Ata që sot përjashtojnë kamerat nga mitingjet, një ditë do të kenë nevojë të ankohen për fatin e tyre brenda partisë, për padrejtësinë që ushtron kryetari ndaj tyre, për kërcënimin që i vjen demokracisë nga një sjellje e tillë e kryetarit, por kamerat do të mungojnë, sepse ata i kanë përzënë në kohën që mendonin se ishin të pacenueshëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency