Kombinat Kryeministri: Do të rrisim rrogat dhe pensionet dy herë më shumë se çmimet

0
135

Ina Jano

beroZotohem me solemnitet se do të financoj shtrimin e çdo rruge dhe rrugice të kryeqytetit të Shqipërisë brenda dy viteve që vijnë

 

Edhe gjatë katërvjeçarit të ardhshëm rrogat dhe pensionet do të vijojnë që të rriten dhe kjo rritje do të jetë sa dyfishi i çmimeve që do të jenë në treg. Ky është programi që ofron Partia Demokratike dhe alternativa që ajo paraqet përpara shqiptarëve në këto zgjedhje të përgjithshme. Këtë premtim bëri zoti Berisha nga Kombinati. Ai u shpreh nga Kombinati se për sa kohë që të votohet alternativa e djathtë, rrogat dhe pensionet do të pësojnë një rritje të tillë. Kryeministri Berisha premtoi në këtë zonë të kryeqytetit më shumë vende pune si dhe përmirësim të infrastrukturës. Duke u ndalur tek rrugët, në një miting madhështor, ai akuzoi ish-kryebashkiakun Edi Rama për shndërrim të fondeve të dhëna nga qeveria e tij, në rroga për Partinë Socialiste. “Jemi të vendosur, për ne punësimi juaj është objektivi më absolut. Ne vijmë tek ju me një plan konkret punësimi, jemi të vendosur të krijojmë në Tiranë dhjetëra e mijëra vende pune. Vetëm dy parqet logjistike industriale që po ndërtohen midis Tiranës dhe aeroportit punësojnë së bashku 30 mijë persona. Transformime të mëdha do pësojë infrastruktura e qytetit të Tiranës, ju hidhni fillimet e Tiranës së këtij shekulli. Qeveria ka miratuar kredinë prej 60 miliardë euro për ndërtimin e bulevardit dhe sistemimin e lumit të Lanës. Qytetarë të Kombinatit kudo që udhëtoni kaloni në rrugë të reja, ju dilni përsëri në rrugë me baltë, sepse në Tiranë kryetari i larguar i bashkisë fondet e 3-fishuara të qeverisë me destinacion rrugë e kanalizime, i shndërroi në rroga për partinë. E shndërroi bashkinë në sipërmarrje të partisë dhe e dorëzoi me 250 mijë km rrugë të pashtruara”, – tha Berisha. Më tej ai u shpreh: “Zotohem me solemnitet se do financoj shtrimin e çdo rruge dhe rrugice të kryeqytetit të Shqipërisë brenda 2 viteve që vijnë. Ne që kemi ndërtuar rrugë jemi të gatshëm të katërfishojmë grantin për bashkinë, në mënyrë që jeta e qytetarëve të Tiranës të jetë sa më normale. Ne jemi të vendosur të krijojmë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë vende pune më shumë se kurrë në historinë tonë”, – premtoi shefi i qeverisë. Duke u ndalur të komentojë alternativën e majtë, Berisha ftoi banorët e Kombinatit të kenë kujdes nga ato që ai i quajti mashtrime të Ramës, në lidhje me taksat. “Alternativa tjetër, juve ju quajnë robër dhe skllevër, mësuesit injorantë, fëmijët dele, policët, i shoqëruar me vrasës vetë, i quan banditë. Kjo është alternativa e tij e sharjeve kolektive më të papranueshme. Por qytetarët e mençur shqiptarë dinë t’i hedhin në kazan sharjet dhe fyerjet e tij. Kujdes nga taksat, janë mashtrimi i tij më i madh. Nga sheshi në shesh kalon duke mashtruar se sot në Shqipëri Kryeministri paguan taksa më pak se polici, deputeti më pak se mësuesi, këto janë gënjeshtra të trasha. Deputeti paguan taksa 4 herë më shumë se infermierja, se rroga e tij është 4 herë më lartë. Kryeministri paguan taksa 5 herë më shumë se mësuesja, se rruga e tij është më e madhe. Taksa e sheshtë është taksa e të dhjetave, më e ndershme e të gjitha kohërave. Taksa që ofron shoku i autobusit është ajo e urrejtjes që vendosi Karl Marksi, taksa që vendosi në Tiranë famëkeqi Spiro Koleka. Taksa e shkatërrimit të dhjetëra e mijëra vendeve të punës”, – vlerësoi Berisha. Ai u ndal edhe tek projekti për gazifikimin total të Shqipërisë dhe në këtë drejtim pohoi se lajmet për TAP janë qartësisht pozitive dhe gazifikimi i Shqipërisë do të krijojë mbi 10-15 mijë vende të reja pune. “Në do të punësojmë shqiptarët sepse ne këto vitet që shkuan ja dolëm të rendisim Shqipërinë në 10 vendet me rritjen më të madhe të turizmit në botë. Shqipëria turistike do të punësojë rreth 30 mijë shqiptarë më shumë, do të përgjysmojmë taksat për industrinë turistike dhe do të heqim taksat për turizmin malor”, – vijoi lideri demokrat.

Basha

Edhe Kryebashkiaku Lulzim Basha shprehu bindjen e tij se nga Kombinati do të vijë fitorja e madhe për të gjithë demokratët. Ai tha se dy vjet më parë u vendos që të ndryshohej administrimi i qytetit, duke vendosur të parin qytetarin. Basha shtoi se vetëm në dy vitet e fundit dhe një kohë të shkurtër bashkia ja doli që të marrë pjesë në ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Qytetari i parë i Tiranës përcaktoi si një arritje të madhe vendosjen e linjës së autobusëve Kombinat-Kinostudio, të cilat ishin bërë një gangrenë për të gjithë banorët e këtyre zonave që detyroheshin të lëviznin me autobusë tejet të amortizuar dhe të vjetër. Basha nënvizoi se tashmë në qytet ka 5 mijë biznese të reja më shumë dhe rreth 12 mijë persona të punësuar më shumë në kryeqytet. Duke u ndalur te çështja e pronës ai u shpreh se edhe në bashkëpunim me qeverinë, është bërë e mundur që në disa zona të cilat kanë qenë prona shtetërore dhe kanë banuar familje, tashmë këto familje të kenë në dorën e tyre një certifikatë pronësie.

 

 

Topi: Partitë t’u qëndrojnë programeve të tyre elektorale

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, u bëri dje thirrje partive politike që të mos heqin dorë nga programet e tyre elektorale dhe të mos bëjnë deklarata që nuk janë realiste. Për numrin një të FRD-së forcat politike duhet të përqendrohen në programet që ata ofrojnë për shqiptarët dhe jo në batutat dhe mashtrimet. “Këta kanë marrë të drejtën ekskluzive për të qenë të drejtë specialistë. Mashtrojnë, mashtrojnë. Partitë politike duhet t’i qëndrojnë besnikë programit, lideri duhet të thotë esencën, këta e marrin mikrofonin nga mëngjesi deri në 2 të natës, po e helmojnë shoqërinë me batuta, janë të çorientuar”, – tha Topi. Sipas tij, dy liderët po e ushqejnë me zor me politikë edhe ata që nuk janë të interesuar të merren me politikë. “Kjo është një politikë shume agresive”, – tha ai.

 

 

Ndahen çmimet për aktivitetin “Tirana Teens”

Bashkia e Tiranës për një muaj me radhë ka organizuar konkursin në fushën e artit dhe të sportit, mes të gjithë gjimnazeve të kryeqytetit. Pas një muaji intensiv, të lodhshëm dhe plot aktivitete dje ishte dita e madhe për të gjithë gjimnazistët. Të mbledhur në një prej klubeve të Tiranës, mbrëmë u ndanë çmimet. Gjimnazi “Ismail Qemali” ishte ai që fitoi çmimin e parë, ndërsa nuk munguan edhe çmimet për çdo gjimnazist në të gjitha fushat ku ata kishin spikatur. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i bashkisë Lulzim Basha dhe Kryeministri Sali Berisha. Gjatë fjalëve përshëndetëse ata i nxitën të rinjtë që të vijojnë të merren me aktivitete sportive dhe artistike, ndërsa i uruan fat edhe kapitenit të kombëtares Lorik Cana, i cili ishte i pranishëm në aktivitet për ndeshjen e sotme.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency