Babai i Nazime Vishës, gjyq për drutë e Fiqiri Muçës së vrarë

0
178

 Elton Qyno

Fiqiri MucaBeqir Visha dëshmon në gjykatë: Sasia e druve në Burrel ishte e mikut tim, Fiqiri Muça

Drejtoria Pyjore: Firmose procesverbalin, tani paguaj 3 milionë lekë. Visha:S’di shkrim e këndim.

 

Beqir Visha, babai i Nazime Vishës të dënuar me 10-vite burg për vrasjen e të dashurit të saj Fiqiri Muça, po zhvillon një proces gjyqësor ku rrezikon të dënohet me 3 milionë lekë gjobë për 10 metra kub dru, që kanë qenë në pronësi të viktimës Fiqiri Muça. Ky i fundit i vdekur, por dikur shok i ngushtë dhe mik shtëpie i Beqirit, nuk mund të japë llogari për prerjen e druve në zonën e Burrelit dhe se për këtë krim në vend të personit të vdekur, duhet të japë llogari babai i vajzës që ekzekutoi me 30 plumba shtetasin Fiqiri Muça. Çështja është iniciuar nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor dhe se seanca e radhës është caktuar të zhvillohet në datën 13 gusht të këtij viti. Në seancën e kaluar, gjyqtarja Marjana Shegani, ka hapur shqyrtimin gjyqësor, ku ka marrë në pyetje të paditurin Beqir Visha. Në dëshminë e tij para gjykatës së Tiranës, ky i fundit ka kërkuar rrëzimin e padisë pasi nuk mund të japë ai llogari dhe të dënohet për një pasuri që se ka pasur në fakt ai vetë. Sasinë e druve, që ka sekuestruar Drejtoria Pyjore, Visha ka thënë se e ka pasur ish-miku i tij Fiqiri Muça. Mirëpo nga ana tjetër, përfaqësuesi i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, kanë pohuar gjatë gjykimit se i padituri Beqir Visha, nuk mund ta mohojë me fjalë pronësinë e druve, pasi ka firmosur në procesverbalin e sekuestrimit të tyre nga ana e inspektorëve të kësaj drejtorie. Pritet që tashmë procesi gjyqësor të vijojë në ditën e enjte ora 12:00, ku sërish palët do ballafaqohen me njëra-tjetrën.

Debati në gjykatë

Në procesin gjyqësor, gjykata ka pyetur përfaqësuesin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, se si shpjegohet diferenca me dëmin e shkaktuar të prerjeve të druve nga Beqir Visha, me shumën prej 3 milion lekë gjobë, që kërkohet të vilet nëpërmjet vendimit të gjykatës. Nga ana e tij përfaqësuesi është përgjigjur se diferenca shpjegohet me faktin se sasia e druve prej 10 m stër është pranuar nga vetë shtetasi Beqir Visha, që janë të tijat, gjë për të cilën ka nënshkruar dhe në procesverbalin e konstatimit të kundravajtjes ndërsa pjesa tjetër prej 13 m kub ah, janë sipas thënieve të Beqir Visha, të një mikut të tij Fiqiri Muça. Beqiri është proceduar vetëm për sasinë që ka deklaruar se janë të tijat, pjesa tjetër është sekuestruar. Për këtë është vendosur një gjobë dhe se është lëshuar urdhri i ekzekutimit, por nuk është ekzekutuar akoma nga zyra e përmbarimit. Ndërkohë që nga ana tjetër, pala e paitur ka pretenduar se ka marrë në zonën e Burrelit 3 metër kub mbeturina, në kufi me Ketën e Burrelit dhe në Xibër të Burrelit, kufi me zonën e Tiranës. Visha ka pohuar se nuk është e vërtetë që të ketë prerë dru siç pretendon pala paditëse. “Unë jam proceduar në zonën e Burrelit për 3 metër kub dru zjarri,në zonën e Tiranës nuk kam prerë asnjë fije pishe, nuk qëndron asgjë nga ato që thotë paditësi,të rrëzohet padia”-është shprehur Beqir Visha. Ndërsa për sa i përket firmosjes së procesverbalit Visha ka treguar se ka firmosur është e vërtetë, por për materialin në ruajtje të mikut të tij, pjesa tjetër nuk qëndron. Më tej Visha ka treguar se nuk ka qenë në gjendje të shikojë se për sa metra bëhej fjalë, pasi ai nuk di shkrim dhe këndim, duke këmbëngulur se kishte marrë vetëm 3 metër kub dru zjari në zonën e Burrelit dhe jo 10 metër stër në Tiranë.

Dosja e gjykatës

Dosja civile është regjistruar në Gjykatën e Tiranës në shtator të vitit 2012. Pikërisht paditësi i kësaj çështje është Drejtoria e Shërbimit Pyjor, në Tiranë, ndërkohë që i padituri është babai i Nazime Vishës, shtetasi Beqir Visha. Ky i fundit akuzohet për shkatërrim të pyjeve në zonën e Burrelit dhe për pasojë nga një kontroll i ushtruar ai është kapur në flagrancë, ku kishte shkatërruar një sipërfaqe të konsiderushme e përbërë me dru të llojeve të ndryshme. Për pasojë drejtoria ka vendosur sekuestrimin e lëndës drusore, ndërkohë që menjëherë ka kërkuar nëpërmjet gjykatës, shumën prej 3 milion lekëve, që duket se është dëmi i shkaktuar. Aktualisht janë zhvilluar plot katër seanca gjyqësore, në të cilat Visha nuk ka pranuar pretendimet Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, duke pretenduar se është përfshirë në këtë çështje krejt rastësisht, pasi sasia e druve nuk ishte e tij, por e shtetasit Fiqiri Muça, preson ky i vrarë në muajin gusht të vitit të kaluar nga vajza e Beqirit, 18-vjeçarja Nazime Visha.

 

 

18-vjeçarja: Muça më përdhunonte sistematikisht

Nazimja ekzekutoi Fiqiriun me

30 plumba, u dënua me 10 vite burg

 

Megjithëse iu drejtua gjykatës me një letër ku i kërkonte ta mëshironte për krimin që kishte kryer, 18-vjeçarja Nazime Visha e dënuar me 15 vite burg do të vuajë 10 vite në qeli pas gjykimit të shkurtuar. Vendimi u shpall pak kohë më parë nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, i cili e shpalli fajtore për akuzën e vrasjes me dashje të 45-vjeçarit Fiqiri Muça. Me herët në konkluzionet përfundimtare avokatja mbrojtëse e Vishës kërkoi që e pandehura të dënohej vetëm për akuzën e armëmbajtjes pa lejë. Sipas mbrojtëses Pustina 18-vjeçarja ishte viktime e një përdhunimi që kishte nisur që në moshën 10-vjeçare. Në konkluzionet përfundimtare prokurori Tominaj kërkoi që Nazime Visha të dënohej me 17 vite burg. për veprën e kryer. Megjithëse sipas prokurorit 18-vjeçarja e kishte kryer vrasjen me paramendim ai argumentoi se ajo ishte vetëm një autore e krimit por jo një kriminele. Në kërkesën për gjykim që prokuroria paraqiti në gjykatë, thuhet se vajza e ka thirrur vetë Fiqiri Muçën,duke komunikuar me të në telefon nëpërmjet sms-ve. Sapo babai i tre fëmijëve është afruar afër derës së banesës së gjyshes së autores të krimit, e pandehura i ka dalë në një distancë prej 50 metra dhe i ka drejtuar automatikun. Pikërisht në këtë moment, viktima ka vrapuar për ti shpëtuar plumbave, por është ndjekur nga e pandehura, derisa në momentin kur i është afruar dhe më pas e ka qëlluar rreth 30 herë në trup. Fiqiri Muça, ka mbetur i vdekur në vend, ndërkohë që 18-vjeçarja është vetëdorëzuar duke pohuar se kishte kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi viktima e ka përdhunuar që në moshë të mitur.

 

3 milion

Kjo është shuma financiare që Drejtoria e Shërbimit Pyjor kërkon nga gjykata dënimin e Beqir Vishës, për akuzën e shkatërrimit të pyjeve. Procesi gjyqësor ka hyrë në fazën fillestare të tij, ndërkohë që Visha ka mohuar faktin e shkatërrimit të pyjeve, duke ia hedhur përgjegjësinë Fiqiri Muçës.

 

10 vite burg

Gjykata e Tiranës, ka vendosur dënimin me 15 vite burg të vajzës së Beqir Vishës, Nazime Visha. Mirëpo për shkak se kjo e fundit pranoi autorësinë e vrasjes dhe kërkoi gjykim të shkurtuar, ky dënim u ulën në masën e 1/3, duke bërë që Nazime Visha të dënohet përfundimisht në masën e 10 viteve burg.

 

3 metër kub

Gjatë procesit gjyqësor Beqir Visha ka pretenduar se ai ka pasur vetëm 3 metra kub dru zjarri dhe se për këtë ka firmosur, por në fakt Drejtoria e Shërbimit të Pyjeve pretendon se Visha ka pasur 13 metra kub dru. Për pasojë, nisur nga ky dëm drejtoria ka kërkuar dënimin me tre milion lekë gjobë.

 

Shtator 2012

Pikërisht në muajin shtator të vitit 2012 është regjistruar padia në Gjykatën e Tiranës, kundër Beqir Vishës. Aktualisht, janë zhvilluar plot katër seanca gjyqësore, ndërkohë që gjyqi i radhës do të zhvillohet në datën 13 qershor, në mënyrë që palët të sjellin pretendimet e tjera.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency