Jo për moral, por presionit të madh ndërkombëtar

0
156

Zvicra flamur

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Bankat në Zvicër nuk duan të kenë më klientë me para të pista, por jo për moral, por prej presionit të madh ndërkombëtar.

Pas reformimit të rregullave për sekretin bankar Zvicra nuk është më vendi ideal për të fshehur paratë apo për evazion fiskal, prandaj shumë njerëz që kanë depozituar paratë atje duan t’i nxjerrin paratë nga Zvicra dhe për këtë fantazia e tyre nuk njeh kufij.

Policët e pikave kufitare mes Zvicrës dhe Gjermanisë kanë shtuar kontrollet dhe tregojnë se evazorët fiskalë po bëhen nervozë dhe po përpiqen të kalojnë sasi të mëdha parash në dorë përmes kufirit.  Kur kalon kufirin ke të drejtë të kesh me vete jo më shumë se 10 mijë euro. “Ne kemi zbluar para të padeklaruara të fshehura në tavanin e makinës, poshtë baterisë, në ndenjësen e fëmijës e madje në trupat e fëmijëve.” – tregon një prej kufitarëve.

Masa për përmirësimin e imazhit

Pas artikujve negativë për shkak të Uli Hënes që kishte fshehur para në bankat zvicerane imazhi i tyre u dëmtua. Tani ato duan ta heqin nga vetja imazhin si strehë për para të zeza, thotë Rudolf Strahm, ekspert për bankar. “Pjesa më e madhe e bankave në Zvicër, si ato të huaja dhe ato private, nuk duan të kenë më klientë me para të pista. Kjo jo për shkak morali, por prej presionit të madh ndërkombëtar.”

Aksionerëve të bankës UBS u pëlqejnë përfitimet e ardhura nga paratë e zeza, por në Asamblenë e Përgjithshme kryetari i bordit administrativ të UBS, Weber, foli për një epokë të re dhe për një realitet me para të pastra.

Mesazhe të qarta për klientët

Ky mesazh vajti mjaft qartë në veshët e klientëve me para të pista. Në këtë kontekst Credit Suisse ka shkuar më tej duke iu kërkuar klientëve një vërtetim nga zyra e taksave gjermane që kanë paguar taksat, në të kundërt  rrezikohet ndërprerja e marrdhënieve. Banka private Coutts e kërkon një dokument të tillë më me edukatë, me arsyen e rregullimit të brendshëm të bankës.

Vetëdeklarim vullnetar i pasurive

Karsten Randt, kontabilist nga Boni, merret me çështjet e vetëdeklarimit të pasurive dhe sqaron se: “Bankat bisedojnë specifikisht me çdo klient dhe u bëjnë të qartë se nuk duan të kenë klientë që u janë shmangur taksave në Gjermani dhe në varësi të bankave ka edhe raste që ato ndërpresin marrdhëniet me klientin.”

Kush bën vetëdeklarim duhet të paguajë një taksë prej 15% të shumës që nuk ka deklaruar tek organet e taksave dhe nuk ka nevojë të përgjigjet më vonë para ndonjë prokurori apo gjykate.

Për shkak të marrveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara nga Zvicra, situata po ndryshon në mënyrë pozitive. Në krahasim me dekadat e mëparshme sektori bankar është i gatshëm për të bashkëpunuar, veçanërisht në çështjet e evazionit fiskal, çka nuk ka qenë e mundur më parë, sqaroi Karsten Randt.

Deutsche Welle

 

 

 

Nicholas Burns

International Herlad Tribune

Rritja e urrejtjes në Evropë

Në Athinë, një parti e popullarizuar e së djathtës ekstreme, i ka dënuar hebrenjtë si burim i fatit të keq të këtij vendi dhe e riciklon gënjeshtrën e lashtë duke i përshkruar ata si “vrasës të Krishtit”, shkruan në fillim të artikullit autori Nicholas Burns, në të përditshmen International Herald Tribune, dhe pastaj e përmend edhe rastin e Hungarisë, duke vlerësuar se kryeministri i këtij vendi ka dështuar ta distancoj vetveten në mënyrë të besueshme nga një grup fashist anti-semitikme fuqi në rritje.

Pastaj autori e shtron pyetjen se mos këto skena janë nga Evropa e viteve të 30-ta, dhe menjëherë përgjigjet se jo, por të dy shembujt, sipas tij, fatkeqësisht janë nga politikat e sotme evropiane.

Gazeta shkruan se organizata greke, Golden Dawn (Agimi i Artë), tash është partia e tretë më e popullarizuar në vendlindjen e demokracisë. Partia hungareze, e cila po e shton ndikimin, është Jobbik. Afro 70 vite pas disfatës së Hitlerit, Mussolinit dhe fashizmit evropian në Luftën e Dytë Botërore, urrejtja, ideologjia e djathtë ekstreme, është kthyer pothuajse në secilin vend evropian, shkruan Nicholas Burns në International Herald Tribune. Përderisa asnjëra nga këto parti nuk është mjaft e fortë për ta fituar pushtetitn, ato shpeshherë janë të dhunshme dhe agresive.

Po ashtu, ato janë jotolerante ndaj imigrantëve, hebrenjve, dhe grupeve të pakicave të tjera, që nuk e plotësojnë definimin e shtrembëruar të tyre për atë se për çka grekët, hungarezët dhe evropianët e tjerë, do të duhej të qëndronin.

Grupi Golden Dawn e ka tërhequr vërejtjen në mbarë botën me fanatizmin e papërpunuar, garën me karrema dhe përdorimin e Kryqit të Thyer dhe përshëndetjen naziste.

Për një kohë të gjatë ky grup ishte i panjohur dhe i parëndësishëm në politikën greke. Ai e filloi rritjen e tij të qëndrueshme në hulumtime të opinionit, derisa po përkeqësohej kriza ekonomike në Greqi, gjatë tri viteve të kaluara.

 

Në zgjedhjet kombëtare të vitit 2012, Golden Dawn befasoi duke fituar 7% dhe 18 vende në Parlamentin e Greqisë. Aktualisht, në hulumtimet e opinionit ky grup qëndron në pikën 11%.

Legjislatorët e kësaj partie, javën e kaluar, janë përleshur me pjesëtarët e së majtës në parlament. Më herët këtë muaj, në lider i partisë është përpjekur ta qëlloj me grusht prefektin e Athinës, në një tubim humanitar, dhe në vend të tij, gabimisht e goditi një vajzë 12 vjeçare, shkruan International Herald Tribune. Gjatë pak muajve të fundit, Golden Dawn, veçanërisht, ishte kritike ndaj Komitetit Amerikan të Hebrenjëve, pjesërisht për shkak të thirrjes që i është dërguar kryeministrit të Greqisë, Adonis Samaras, për të mbajtur fjalim muajin e ardhshëm në Forumin Global në Uashington.

Komitetin Amerikan të Hebrenjëve, partia Golden Dawn, e kritikon ashpër, me ç’rast hebrenjtë i përshkruan si “peshkaqenë të huadhënies dhe tiranë të popullit grek”. Drejtori ekzekutiv i Komitetit Amerikan të Hebrenjëve, David Harris, këtë kërcënim e ka përshkruar në këtë mënyrë: “Golden Dawn as nuk përpiqet ta kamufloj ideologjinë e saj të urrejtjes” dhe “paraqet një pikëpamje tinzare, që nuk mund të injorohet sot”.

Më tej, International Herlad Tribune, shkruan se sikur nazistët dhe Mussolini, që kanë bërë gjueti mbi bazën eatëhershme të popullarizuar të shqetësimeve kryesore gjatë krizave ekonomike në vitet e 20-ta dhe të 30-ta, Golden Dawn i merr në shënjestër grekët e varfër, që jetojnë në këtë kohë të zhgënjimit, me papunësi të të rinjve afro 50%. Derisa do të ishte gabim i madh sikur Hitleri të mos merrej seriozisht nga liderët demokratikë në vitet e 30-ta, si duhet të reagojnë sot Evropa dhe Shtetet e Bashkuara?, e shtron pyetjen autori Nicholas Burns në International Herlad Tribune. Disa e shohin si qesharake partinë, e cila i madhëron nazistët në shekullin 21. Por, ky është reagim naiv duke pasur parasysh zemërimin, paragjykimin dhe urrejtjen, që i nxisin shumë lëvizje evropiane fashiste. Do të jetë gabim serioz për të vlerësuar se të gjitha ato janë të përbëra nga njerëzit e krisur të së djathtës ekstreme të padëmshme. Lufta kundër neofashistëve evropianë fillon nga vetë evropianët. Jo më larg se javën e kaluar, një zyrtar i Këshillit të Evropës i ka sugjeruar Athinës, që ta ndalë veprimin e partisë Golden Dawn nga jeta politike greke. Liderët më të njohur të Evropës, siç janë gjermanja Angela Merkel dhe francezi Francois Hollande, kanë përgjegjësi të veçantë për t’i udhëhequr ndryshimet. Ata mund të fillojnë duke e përjashtuar kryeministrin e lëvizshëm hungarez, Viktor Orban, nëse ai nuk e dënon partinë Jobbik me fjalë të qarta dhe të padyshuara, shkruan International Herald Tribune. Amerikanët, po ashtu, duhet të jenë të zëshëm. Arritja e jonë më e madhe është ndërtimi i shoqërisë së hapur, shoqërisë së shumëllojshme, tolerancës dhe lirisë. Në përpjekjet shtesë për tu mbrojtur nga grupet tona të së djathtës ekstreme, ne duhet të vazhdojmë t’i dënojmë grupet fashiste, siç është Golden Dawn. Ne, po ashtu, duhet t’i riafirmojmë lidhjet tona me kontinentin e vjetër. Për të gjitha diskutimet për kthim të vëmendjes nga Azia, Evropa ende e zë vendin më të rëndësishëm të partnerit ekonomik dhe të aleatit më lojal në NATO. Thirrja e presidentit Obama për një marrëveshje ambicioze të re tregtare dhe investuese me Evropën, mund ta rivitalizoj aleancën trans-atlantike dhe ta forcoj demokracinë evropiane në proces. Me Evropën ne i kemi lidhjet më të thella historike, shoqërore dhe politike, dhe të gjitha ato e kanë zanafillën në zbulimin evropian të vetë Amerikës. Ne jemi të thirrur t’i mbrojmë ata kundër ideologjisë së turpshme, që i sulmon të gjitha ato që Evropa i ka arritur prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Evropaelirë.org

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency