Halimi: Në shtator, drafti final i reformës së Kodit të Procedurës Penale

0
287

Sonja Caka

kodi penalPropozimet: Të implementojmë Institutin e “marrëveshjes paraprake të pranimit të fajit”. Korrupsioni t’i kalohet për hetim dhe gjykim Krimeve të Rënda

 

Reforma në drejtësi nuk ka përfunduar ende. Pas propozimit të ashpërsimit të dënimeve për disa vepra penale, tashmë pritet që nga eskpertët të përfundojë edhe reformimi i Institutit të gjykimit të shkurtuar ose i quajtur ndryshe i pranimit të fajit. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka njoftuar dje përmes rrjetit social “Facebook” se një nga ligjet e para që do të miratohet në shtator do të jetë reforma e Kodit të Procedurës Penale, ndërsa theksoi se së shpejti drafti final do të konsultohet me aktorët e drejtësisë. “Një grup ekspertësh në Ministrinë e Drejtësisë, së bashku me disa organizata partnere, prej 1 viti janë duke punuar për një nga reformat më të rëndësishme në drejtësinë penale: Reformimin e Kodit të Procedurës Penale. Drafti final do të jetë shumë shpejt për konsultim me ju dhe aktorët e drejtësisë. Por konsultimi paraprak me ju, për disa prej çështjeve, si vepruam me paketën e Kodit Penal, mbetet shumë i rëndësishëm” thekson Halimi. Ministri thekson më tej se në sajë të kësaj pakete, kodi do pësojë ndryshime të mëdha që sipas tij janë më thelbësoret në këto 15 vjet. Ndërsa ka paraqitur të gjitha këto ndryshime, ministri Halimi thekson se këto çështje, por dhe shumë të tjera të cilat do të diskutohen në javët në vijim, do të përbëjnë reformën më të thellë në fushën e hetimit penal në këto 15 vjet.

Hetimi i krimeve

“Procesi i hetimit të krimeve duhet të reformohet, që hetimi të jetë më efikas, më i shpejtë në zbulimin e së vërtetës. Ajo që qytetarët kanë nevojë të dinë një orë e më parë është e vërteta e një ngjarje, pa pritur me vite të tëra për zbulimin dhe ndërshkimin e autorëve. Policia gjyqësore dhe institutet e marrjes, kërkimit dhe analizimit të provave duhen reformuar. Të implementojmë Institutin e “marrëveshjes paraprake të pranimit të fajit”. Një model që do të përshpejtojë hetimet dhe do lehtësojë gjykimin dhe dhënien e drejtësisë penale efektive. Duhet reformuar Instituti i gjykimit të shkurtuar. Qëllimi për të cilin u vendos shumë vite më parë ka deformuar dhënien e drejtësisë. Në pjesën më të madhe të rasteve, ky institut ka shërbyer për shmangien e dënimit dhe dhënies së një drejtësie penale efektive. Korrupsioni duhet të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Qytetarët duhet të shohin çdo ditë se ata që abuzojnë me fonde publike apo shërbime ndaj tyre, qofshin në administratën qëndrore apo lokale, të gjykohen shpejt, por dhe me dënim të gjatë si shprehje e një drejtësie penale efektive” shkruan Halimi.  “Këto cështje por dhe shumë të tjera të cilat do t’i diskutojmë në javët në vijim, do të përbëjnë reformën më të thellë në fushën e hetimit penal në këto 15 vjet. Reforma e Kodit te Procedurës Penale, do të jetë një nga ligjet e para që do të miratojmë në shtator të këtij viti”, përfundon ministri i Dejtësisë.

 

Dënohet

Jo vetëm nuk i kthen borxhin, por i merr edhe telefonin përmes mashtrimit

Një i ri nga Puka është dënuar nga Gjykata e Tiranës pasi ka mashtruar një kushërirën e tij të largët, pasi më parë i ka marrë borxh të cilin nuk ia ka kthyer, dhe më pas i merr asaj telefonin përmes mashtrimit. Pas shprehjes së pendesës që në momentet e para, gjykata e ka dënuar me 8 muaj burg për akuzën e “mashtrimit” të pandehurin Fatjon Hasani. Sipas vendimit të gjykatës, në prg të festave të fundvitit, konkretisht në datën 28.12.2012, e dëmtuara Adriana Dokaj ka bërë kallzim penal për vjedhjen e telefonit të saj celular. Në kallzim ajo ka deponuar se në datën 28.12.2012 rreth orës 16:00 ka qenë bashkë me një shoqen e saj Stela Sulaj tek lokali “La Voglia” pranë Shallvareve. Gjatë kësaj kohe aty ka shkuar i pandehuri Fatjon Hasani  dhe i ka kërkuar telefonin për të folur me vëllanë e tij. I pandehuri Fatjon Hasani është kushëri i largët me kallzuesen dhe para dy javësh i kishte marrë 20.000 lekë borxh dhe për të siguruar këto lekë do të fliste me të vëllanë. I pandehuri pasi merr telefonin dhe e ka vënë atë tek veshi për të folur me të vëllanë, është larguar nga lokali. E dëmtuara, pasi ka parë që po vonohet i pandehuri, i ka telefonuar nga telefoni i shoqes saj por ai kishte fikur telefonin. Gjithashtu, i ka telefonuar dhe në numrin e telefonit celular që kishte i pandehuri por dhe ky telefon dilte i mbyllur. E gjendur përballë kësaj situate, kallëzuesja ka bërë përpjekje të tjera për të komunikuar me të por nuk ja ka arritur që të kontaktojë. Kur ka folur me të atin e të pandehurit, ky i fundit i ka thënë se e ka përzënë nga shtëpia. Nga kushërinjtë është informuar se i pandehuri Fatjon merrej me punë të tilla pasi kishte mashtruar dhe një kushëririn e tyre. Pasi është bindur se nuk do t’i kthehej telefoni ka shkuar dhe ka bërë kallëzim në polici. Pas kallzimit, nga uniformat blu është kapur i pandehuri Fatjon Hasani dhe është bërë ndalimi i tij e më pas është vendosur si masë sigurimi ajo e “arresit në burg” parashikuar nga neni 238 e K.Pr.Penale. Në këto rrethana, nga organi i akuzës është sjellë për gjykim i pandehuri Fatjon Hasani i akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal. I pandehuri Fatjon Hasani si në hetim dhe në gjykim e ka pranuar fajësinë në ngarkim të tij dhe është treguar i penduar, ndërsa ka kërkuar që ndaj tij në gjykim të aplikohet gjykimi i shkurtuar. Pas pranimit të kërkesës së tij, gjykata e dënoi Hasanin me 1 vit burg dhe pas uljes së një të tretës së dënimit, e ka dënuar atë përfundimisht me 8 muaj burg.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency