Cërrik dhe Pogradec Kryeministri-Ramës: Mos u merr me xhaketën time, ofro alternativa për qytetarët

0
171

beroNuk është fjala për sharjet ndaj Sali Berishës, se për ato ia hedh të gjitha në kazan, le t’i bëjë gjithë ditën, nuk kam ndonjë të keqe, por fyerjet kolektive janë të papranueshme

 

Sali Berisha, kryetar i PD-së prezantoi dje kandidatët për deputet në Pogradec dhe në Cërrik. Kreu i selisë blu, i bëri thirrje kundërshtarit të tij politik të çlirohet nga komplekset dhe të paraqesë alternativa dhe ide për të zgjidhur problemet dhe hallet e qytetarëve. Numri një i qeverisë u shpreh se kreu i selisë rozë duhet të çlirohet nga komplekset dhe duhet që të mos bëjë më fyerje kolektive për shqiptarët, duke i cilësuar ata si robër. “Një gjë do t’i them këtu para jush, se i bën mirë, i shërben. Në vitin 2009, unë nxora një urdhër që ndalonte kryeministrin, ministrat, të gjithë zyrtarët që të përdorin në fushatë elektorale mjetet publike që ecin me taksat tuaja. Unë mora një makinë me qira, por makina ime iu duk helikopter dhe dilte e ju thoshte shqiptarëve se Berisha po bën fushatë me helikopter. Unë i thashë se helikopteri nuk mbledh vota dhe unë jam për vota. Tani e njëjta makinë i duket si autoblindë dhe çdo ditë thotë se kryeministri ecën me blindë. Jo Edi, është e njëjta makina që po rend nga mitingu në miting, nga fushata në fushatë që ti nuk e ke më. Më e forta, kjo xhaketë dhe kur nuk kam xhaketë vesh një triko jelek, atij i duket parzmore. Po Edi, ato janë parzmore. Je i humbur siç ke qenë i humbur gjer sot. Kot e ke. Edhe me këmishë e në çdo formë ti je i mundur, je i humbur, je i pashpresë. Qytetarët presin nga ty alternativa dhe jo xhaketën apo veturën time, presin nga ti si do t’ia zgjidhësh problemet që ata kanë, presin të çlirohesh nga komplekset”, – u shpreh Berisha. Kryeministri e klasifikoi në tre shtylla programin e Edi Ramës. Fyerjet kolektive, analfabetizmi në ekonomi dhe shpifjet e trillimet për kreun e qeverisë janë pikat ku e bazon të gjithë fushatën e tij kryesocialisti Rama. Për kreun e mazhorancës, Rama tashmë nuk ka më një fushatë elektorale ndërsa, shpifjet e tij janë më të mëdha, aq sa askush nuk i beson. Gjithashtu numri një i demokratëve, përpara të gjithë qytetarëve të Cërrikut tha se Rama është një analfabet në ekonomi dhe për këtë, ai u bazua tek të gjitha deklaratat e kryetarit të PS-së. “Shtylla e dytë e programit të tij ka nxjerrë krye në mënyrën më të shkëlqyer këto ditë: analfabetizmi total në ekonomi, në reforma dhe ligje. Vëllezër, çfarë po deklaron këto ditë? Po deklaron se do t’ia ul taksat 95 për qind të shqiptarëve dhe paratë do t’ua marr 5 për qind të shqiptarëve. I nderuar shoku i autobusit mavi, mësoje se është A-ja e çdo ekonomie të lirë, është A-ja e doktrinës së ekonomisë së lirë. Ekonomia e një vendi të lirë nuk rritet kurrë nga lart poshtë. Kjo është injorancë”, – nënvizoi lideri i mazhorancës.

Cërrik

Cërriku ka qenë stacioni i radhës i Partisë Demokratike, ku edhe ka prezantuar kandidatët e saj për deputetë. Shefi i mazhorancës në fjalën e tij përpara qytetarëve të Cërrikut u shprehu: “Me politikën e Partisë Demokratike Shqipëria morri investime 316% më shumë se 4 vitet e tjera. 4 vitet që shkuan ne morëm 4.2 miliard dollarë investime të huaja dhe garantuam vazhdimin e rritjes ekonomike dhe uljen e papunësisë. Ne do të krijojmë 250 mijë vend pune, sepse ne me heqjen e taksave mbi makineritë dhe kapitalet për të gjitha llojet e bizneseve, makinerive dhe imputeve të bujqësisë, hekurin dhe çimenton për hidrocentralet, tatimit mbi të ardhurat personale për punonjësit me rrogë nën 30 mijë lek, taksave për bizneset e emigrantëve, 4 vitet që vijnë Shqipëria do të marrë 6 miliard dollarë investime të huaja.” “Në qarkun e Elbasanit qeveria ka firmosur me sektorin privat kontrata për ndërtimin e mbi 80 hidrocentraleve, mbi të gjitha gjigandi i Devollit që punëson rreth 5 mijë punëtorë. Perspektiva më e madhe për zhvillim dhe begati është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shqiptarët duhet të mendohen se me cilën forcë politike kanë firmosur marrëveshjen e stabilizim asocimit me Europën, anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë në mbarë Europën, rekomandimin për statusin kandidat? Të gjitha këto vetëm me Partinë Demokratike. Rruga e integrimit është e sigurt vetëm me Partinë Demokratike”,- tha Kryeministri. Ai premtoi vazhdimin e politikës së uljes së taksave, dhe rritjes së rrogave dhe pensioneve. Gjithashtu Berisha tha se në programin e PD-së, janë parashikuar që të hapen 250 mijë vende pune, një premtim ky të cilin Kryeministri e ka mishëruar edhe në të vetmin spot elektoral që ai ka realizuar deri më tani, i cili filloi të shfaqet në ekranet shqiptare ditën e djeshme.

 

 

Rikonstruksioni i spitalit të Pogradecit

Kryeministri: Rritje e konsiderueshme e numrit të pacientëve në spitale

 

Në qytetin e Pogradecit, Kryeministri inauguroi edhe fazën e parë të rikonstruksionit të të fazës së parë të rikonstruksionit të spitalit, një investim i qeverisë me vlerë 60 milionë lekë. Berisha theksoi se shëndetësia është një nga sektorët prioritarw, që ka njohur zhvillime pozitive në këto tetë vite, gjatë të cilave është rritur aksesi i qytetarëve në shërbimin e kujdesit shëndetësor, ku nga 2.4 milionë vizita në vitin 2006 ka arritur në 6 milionë në vitin 2012; 1.7 milionë qytetarë me librezë shëndeti si përdorues dhe përfitues; është përmirësuar lista e barnave të rimbursueshme dhe fondi i rimbursimit është rritur me 2.4 herë, nga 3.8 miliardë lekë në vitin 2005 në 8.4 miliardë në vitin 2013; sot rimbursohen në total 1135 alternativa barnash dhe është rritur numri i barnave për kategoritë e pacientëve me sëmundje të rënda, 520 mijë pensionistë i kanë barnat 100 për qind të rimbursueshme. Po ashtu është rritur aksesi për një sërë trajtimesh si në rastin e pacientëve që trajtohen me dializë, të cilët sot janë 600 nga 45 të sëmurë që e merrnin këtë shërbim në vitin 2005. Një arritje të madhe, shefi i qeverisë konsideroi rritjen e pagave për mjekët, infermierët dhe punonjësit shëndetësorë. Duke sjellë në vëmendje se paga mesatare e personelit infermieror është rritur me 2.4 herë nga viti 2005, paga mesatare e mjekut të shërbimit parësor është rritur 170 për qind, Kryeministri garantoi se politika e rritjes së pagave do të vazhdojë. Në një tjetër aktivitet elektoral, numri një i demokratëve komentoi edhe vizitën e zotit Basha në zyrën elektorale të zonjës Lindita Nikolla në Tiranë. Kryeministri tha se kryebashkiaku ishte në mision të shërbimit të qytetarëve. “Zoti Basha ishte në mision të shërbimit të qytetarëve. Rastisi që po rregullohej rruga, pasi zoti Rama la si trashëgimi 250 kilometra rrugë e rrugica të baltosura në Tiranë. Natyrisht, zoti Basha bëri mirë që po ndërton rrugën ku është zyra e përkohshme e zonjës Lindita Nikolli dhe kjo është normale. Por shoku është në autobus mavi. Po ta shihni e dëgjoni, ai i ka të gjitha elaboratet nga autobusi mavi, ia redakton Koçoja, pasi ai është zëvendës shoferi, ndonëse de facto është shoferi i autobusit”, – komentoi Berisha.

 

 

Fushata

Idrizi: Përfshirja e të rinjve në politikë garanci për fatin e tyre

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka vijuar takimet elektorale në Qarkun e Korçës. Fillimisht Kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi është ndalur në qytetin e Pogradecit ku ka prezantuar kandidatin e PDIU-së, Arbër Kulla. Gjatë fjalës së tij, zoti Idrizi ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në politikë, si një mundësi që u jepet atyre për të vendosur vetë për çështjet që kanë të bëjnë direkt me të ardhmen e tyre. “Miq, të rinjtë janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe si e tillë ne duhet t’u kushtojmë atyre kujdesin maksimal. Ka ardhur koha që të rinjtë të vendosin vetë për fatin e tyre dhe përfshirja e tyre në politikë, është një garanci për këtë. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka treguar se mbështetet shumë tek të rinjtë dhe një shembull konkretë është Klubi i Patriotëve të Rinj, të cilët kanë qenë pjesa më vitale e partisë sonë. Prandaj miq, unë ju ftoj që më datë 23 qershor të votoni numrin 50, Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si forca e vetme që ka në themel të saj çështjen kombëtare e ju jep prioritet të rinjve”, – tha Idrizi. Qyteti i Bilishtit ishte ndalesa e radhës, ku kryetari i PDIU-së prezantoi kandidatin për deputet, zotin Spartak Meraku. Nga qendra e Devollit, zoti Idrizi u bëri thirrje qytetarëve që me votën e tyre më datë 23 qershor t’i japin Korçës, atë që meriton, një deputet patriot. “Korça është djepi i kulturës, trashëgimisë e patriotizmit, prandaj ka ardhur koha që ky qytet të përfaqësohet në Parlamentin e Shqipërisë me patriotë. Për këtë arsye unë ju ftoj që më datë 23 qershor të gjithë të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të votoni numrin 50 në mënyrë që Korça të këtë një zë patriot, një zë që e do qytetin dhe mbi të gjitha një zë që punon për çështjen kombëtare”, – përfundoi ai. Lista e kandidatëve për deputet të PDIU-së në Qarkun e Korçës kryesohet nga zoti Spartak Meraku, i pasuar nga zoti Arbër Kulla dhe nga 10 kandidat të tjerë të cilët përfaqësojnë të gjitha zonat e Qarkut të Korçës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency