Konferenca për mjedisin në Elbasan Rama: Brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, do të anulojmë importin e plehrave

0
129

Gëzim Saliu

ramaKreu i PS-së: Nuk plotësojmë mekanikisht KQZ-në me emra, duam riformatim

 “I hapur për debat me Berishën, për çdo temë, në çdo televizion dhe me çdo gazetar që do ai”

 

Partia Socialiste do të anulojë importin e plehrave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Ky është premtimi që ka bërë dje para qytetarëve të Elbasanit, kreu i PS-së, Edi Rama, duke theksuar se të majtët janë të vendosur për të bllokuar importin e çdo lloj mbeturine që vjen nga jashtë vendit. “Do anulojmë brenda 100 ditëve të para për ligjin e importit të plehrave në Shqipëria. Ne do ta anulojmë ligjin dhe do vendosim bllokimin për çdo lloj mbeturine nga jashtë. Arsyeja se përse këto vende i dërgojnë plehrat në Shqipëri, është mungesa e standardeve. Siç ka një mafia për drogën ka një mafia për plehrat”, – tha Rama në konferencën e organizuar nga Bashkia e Elbasanit për mjedisin. Më tej, kreu socialist bëri të ditur tri nga pikat kryesore të programit të PS-së që lidhen me mjedisin dhe pastërtinë e vendit, duke theksuar se vetëm “Rilindja” do t’i japë zgjidhje situatës. “Ne jemi të vendosur që t’u krijojmë të gjitha bashkive dhe komunave kushtet që të fillojnë menjëherë nga puna për zbatimin e projekteve të gatshme që kanë bashkitë. Këto projekte kërkojnë ndërveprim mes bashkisë, qendrës së rrethit dhe bashkive dhe komunave më të vogla. Së dyti do të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria, qoftë me fondet e buxhetit të shtetit, qoftë me përfshirjen e donatorëve. Dhe e treta, hapja e rrugës për investime private. Një gjë është e sigurt. Në maj të vitit të ardhshëm në Elbasan nuk do jemi duke diskutuar si do ta bëjmë, por do ta kemi nisur projektin për t’i hequr ato plehra nga varrezat e qytetit”, – pohoi kryesocialisti.

 

KQZ-ja dhe tri ligjet

Pas mbylljes së fjalimit të tij për piketat që parashikon programi i PS-së për mjedisin, kreu socialist Rama u pyet nga gazetarët e pranishëm në konferencë, lidhur me votimin e tri ligjeve të Brukselit, ku tha: “Ka mundësi të votohen ato tri ligje me kushtin që të hyjnë në fuqi pasi të vijojë punën Parlamenti i ri. Nëse plotësohet kushti, nuk i kemi problem”. Ndërkohë, kreu socialist foli gjithashtu edhe për situatën aktuale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku pohoi se PS i mbetet qëndrimit për riformatimin e institucionit më të lartë zgjedhor në vend. “Është e qartë se po prevalon standardi shqiptar, ndërkohë që standardi evropian është të zbatojmë ligjin, që e kemi votuar bashkërisht dhe të shkojmë në zgjedhje me standarde evropiane. Ne jemi të gatshëm të riformatojmë KQZ-në me ligjin aktual elektoral. Plotësim mekanik të vendeve vakante në KQZ ne nuk bëjmë”, – tha Rama. Po ashtu, lidershipi i socialistëve komentoi edhe deklaratat e Kryeministrit për debatin publik, duke thënë se është i gatshëm të përballet me Berishën në çdo televizion dhe për çdo temë. “Besoj që ju jeni mjaftueshmërisht të vëmendshëm si njerëz që punoni në organet e shtypit dhe e dini prej kohësh se unë kam thënë se shqiptarët meritojnë jo një, po shume debate. Deri tani Kryeministri ka refuzuar, unë jam i gatshëm në çdo moment për të zhvilluar debatin në çdo moment, në çdo orë, çdo teme dhe çdo gazetar që zgjedh Saliu”, – deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.

 

 

Takimet në Belsh dhe Cërrik

Kreu i PS-së: Secili prej jush të marrë një tjetër me vete, vetëm kështu sigurojmë fitoren

Takimin elektoral në qarkun e Elbasanit kreu socialist Edi Rama e nisi dje në Belsh, ku prezantoi Musa Ulqinin si një vlerë të madhe për banorët e kësaj zone. Sipas Ramës, Ulqini do të bëjë gjithçka që të realizojë premtimet e tij. “Për ta sjellë Musain këtu në Belsh dhe në Dumre na u desh të marrim përsipër zemërimin e shumë socialistëve në Tiranë, që e donin Musain aty, sepse me Musain deputet në të shkuarën kanë pasur provën e madhe të të qenit bashkë çdo ditë, që në Parlament i ka përfaqësuar me dinjitet dhe që vendin nuk e ka pasur në karrigen e Parlamentit, por në komunitet mes njerëzve. Ne jemi të sigurt që me Musain deputet këtu ju keni fituar një fuqi të madhe më shumë dhe ne nesër në qeveri do kemi një dhimbje koke më shumë, sepse jam i bindur që Musai nuk do të na ndahet për të realizuar të gjitha premtimet këtu dhe për t’ju mbështetur të gjithëve ju në familje, biznesin tuaj të vogël apo atje në fushë”, – tha Rama. Ndërkohë, në bashkëbisedimin e zhvilluar në Cërrik, kryesocialisti i bëri thirrje banorëve të zonës dhe të gjithë shqiptarëve: “Mjafton që secili, çdo njeri që e ka vendosur të votojë për PS më 23 qershor, të mos shkojë vetëm në zgjedhje, por të marrë edhe një tjetër që s’ka votuar më parë, pastaj Saliu të vjedhë gjithë ditën se nuk ka çfarë i bën fitores sonë”. Më tej, duke u ndalur tek menaxhimi i llixhave, Rama iu premtoi banorëve të kësaj zone se ato do kthehen në një pasuri që do sjellë mirëqenie jo vetëm për ata që jetojnë në këtë zonë. “Në një vend tjetër me ujëra termale në Evropë prodhohet mirëqenie për gjithë vendin, jo më për zonën ku janë. Ndërsa këtu njerëzit janë të varfër e të papunë. Ne do bëjmë çmos që këtë pasuri ta vëmë në dispozicion të mirëqenies tuaj, do ta kthejmë në një zonë turistike tërheqëse për të mirën e të gjithë vendit”, – shtoi Rama, duke premtuar bërjen zero të taksës 20%, tatim mbi vlerën e shtuar për plehrat kimike, apo për përgjysmim të kësaj takse për farërat dhe fidanët.

 

Prezanton kandidatët në Mallakastër

Meta: Asnjë forcë nuk e mbron luftën e LANÇ si ne, krenarë që jemi të kuq

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar dje një takim në qytetin e Ballshit, ku ka prezantuar kandidatët për deputetë në Qarkun e Fierit, në veçanti kandidati i LSI-së për Rrethin e Mallakastrës, Ardian Alushi. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehu bindjen në një fitore të forcës që drejton në Qarkun e Fierit, duke premtuar se rezultati do të jetë një surprizë e madhe. “Ne shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit dhe kemi dallime shumë të forta me Kryeministrin që do të largohet, sepse ne me planin tonë të punësimit duam që ta vëmë Shqipërinë në punë, ndërsa Saliu me përrallat që tregon çdo natë do që ta vërë në gjumë. Por Mallakastra dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të votojnë më për premtime boshe dhe sa për rrugët që janë bërë para shtatë vitesh, ndërkohë që papunësia rritet çdo ditë, çmimet rriten çdo ditë dhe kosto e jetesës bëhet më e vështirë për mallakastriotët dhe të gjithë shqiptarët”, – u shpreh lideri i LSI-së. Sipas Metës, LSI ka planin e saj për zhvillimin e vendit, ku veçanërisht synohet nisma për të bërë zero taksën për pagat deri në 35 mijë lekë të reja. “Edhe heqja e taksës që bëri Saliu për pagat deri në 30 mijë lekë para pak kohësh ka qenë një insistim yni dhe ka qenë në planin për veprim të LSI-së që në 2009-ën. Për pagat nga 35 mijë lekë deri në 50 mijë lekë të reja do të paguhet tatimi, jo mbi të gjithë pagën, por vetëm për diferencën nga 35 mijë deri në 50 mijë lekë të reja. Për çdo të ri dhe të re që nuk ka një eksperiencë pune, që merret në punë nga një biznes do të subvencionohet një pjesë e pagës deri në 6 muaj në mënyrë që të ulim koston për formimin profesional në interes të biznesmenit apo sipërmarrësit. Në përfundim të fjalës së tij, kreu i LSI-së shprehur krenarinë për ngjyrat që mban kjo forcë politike, duke pohuar: “Nuk ka asnjë parti që e ka mbrojtur dhe e mbron Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare hapur dhe me krenari si LSI-ja. Dhe ngjyrën e kuqe e kemi për krenari dhe do ta mbajmë gjithnjë të kuqe, sepse simbolizon gjakun dhe sakrificat e dëshmorëve në të gjitha kohërat dhe për Mallakastrën sakrificat e tyre kanë qenë dhe mbeten të lavdishme dhe të pacenueshme”, – deklaroi Meta.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency