Agjencia e Zonave Malore drejt anëtarësimit në EURADA

0
169

Ervin Kaduku

 

maloreAnëtarësimi i Agjencisës së Zhvillimit të Zonave Malore (MADA), në Agjencinë Europiane të Zhvillimit të Shoqatave (EURADA), pritet t’i japë një impakt të ri zbatimit të programeve zhvillimore me qëllim përmirësimin e jetesës së njerëzve në zonat malore të vendit. Burime nga MADA bëjnë të ditur se EURADA, një organizatë e pavarur, përfaqësuese e shumë agjencive që zbatojnë programe për zhvillimin ekonomik në vende të ndryshme të Europës, i shërben nevojave të anëtarësisë në identifikimin dhe promovimin e praktikave më të mira në zhvillimin ekonomik, prezantimin e interesave të anëtarëve në Komisionin Europian dhe organizatat kryesore, ndihmon anëtarët për të punuar në mënyrë më efektive, duke krijuar dhe zgjeruar partnershipe dhe duke forcuar bizneset ndër-kufitare, etj.

Agjencia Europiane e Zhvillimit të Shoqatave lobon në Komisionin Europian në emër të anëtarëve të saj dhe ruan një rrjet komunikimi efektiv me anëtarësinë për zhvillimin e zonave malore dhe inkurajimin e zhvillimit të balancuar dhe të qëndrueshëm. Përfitimi real nga anëtarësimi në EURADA vjen nga të qenurit anëtar pjesëmarrës aktiv, ashtu sikundër është dhe aktiviteti i MADA-s në vendin tonë.

MADA, përmes projekteve për infrastrukturën, promovimin e turizmit, nxitjen e prodhimit bujqësor, rritjen e standardeve ushqimore, etj, nxit dhe mbështet zhvillimin ekonomik të zonave rurale malore, nëpërmjet ndërhyrjeve të saj në nivele të ndryshme lokale, rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare për forcimin e komuniteteve, mbështetjen e popullsisë për të përmirësuar kushtet për rritje ekonomike dhe rritje të të ardhurave në zonat malore.

Gjatë këtij viti MADA po zbaton projektin “Malet drejt tregut”, që synon të zbusë varfërinë në zonat e thella rurale të Tropojës, Dibrës e Kukësit.

 

Sigurimet, kompanitë rritin fitimet, por paguajnë më pak dëme

 

Tregu i sigurimeve u rrit me rreth 3.9% për muajin prill, duke vijuar në ritme të një rritjeje pozitive, por gjithsesi modeste. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë një ecuri më të mirë në tregun e sigurimit të jetës, që është rritur me 12.55%, ndërsa primet në kategoritë e sigurimit të jo-jetës janë rritur me 2.4%. Në tregun e jetës, pjesën kryesore vazhdon ta zërë produkti i sigurimit të jetës së debitorit, që njohu një rritje prej afro 38% për katër muajt e parë të këtij viti.

Segmenti më i madh, ai i jo-jetës vazhdon të dominohet nga sigurimet motorrike, por rritje patën edhe disa prej kategorive kryesore të sigurimit vullnetar. Në sigurimet e detyrueshme motorrike, sigurimi i brendshëm u rrit me rreth 3%, ndërsa kartoni jeshil me afërsisht 13%. Ndër sigurimet vullnetare, sigurimi i shëndetit është ndër produktet me ecurinë më pozitive edhe për vitin 2013. Për katërmujorin, të ardhurat nga ky produkt u rritën me 36%. Në rritje me afro 8% edhe sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës.

Ndërkaq për këtë vit shoqëritë e sigurimeve po paguajnë ndjeshëm më pak dëme krahasuar me vitin e kaluar. Të dhënat e AMF tregojnë se pagesat e dëmeve kanë rënë me 21% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Nga ana tjetër, numri i dëmeve të raportuara është rritur me 0.33%, çka tregon se megjithëse kanë ndodhur më shumë dëme, janë bërë më pak pagesa. Raporti mes dëmeve dhe primeve ka rënë sërish këtë vit në rreth 30%, nga 40% që ishte për të njëjtën periudhë të vitit 2012.

Gjatë periudhës janar-prill të vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 844 milionë lekë.

 

Tregu, shtohet prodhimi bujqësor, ulen çmimet

 

Shtimi i prodhimit vendas ka ulur çmimet e produkteve ushqimore të stinës, kryesisht perimeve dhe disa frutave. Domatja ka rënë deri në 50-60 lekë për kg, trangujt tregtohen me 60 lekë/kg. Një tendencë në ulje kanë çmimet e kungujve, patateve, sallatës jeshile, specave, qepëve me nga 20- 30 lekë për kg. Tregtarët e pakicës pranojnë se prej afro 3 javësh çmimi ka nisur të reduktohet, pasi ka shtim të prodhimit vendas, i cili ka ulur produktet e importit që shiten në tregje. Ulje më e lehtë ndihet tek frutat, të cilat kur dalin për herë të parë në treg kanë çmime të larta, por pas disa ditësh edhe ato nisin të bien, siç ka ndodhur me çmimin e qershive.

Kur qershitë dolën në treg për herë të parë ato kushtonin 300 lekë/kg, më pas zbritën me nga 50 lekë dhe tashmë ato tregtohen me 150 lekë/kg.

Prej disa javësh, me daljen në treg të prodhimit bujqësor vendas, treguesi i çmimeve për këto produkte vazhdon të ruajë trendin e rënies. Por edhe produktet ushqimore që vijnë nga importi kanë çmime të qëndrueshme, kështu sheqeri, vaji, orizi dhe makaronat, kanë ruajtur gati të njëjtat çmime si disa muaj më parë.

Burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bënë të ditur se të shtunën, në tregjet e kryeqytetit, vaji i lulediellit u shit me 220 lekë për litër, sheqeri nga 100 lekë. Kjo ulje çmimesh ka si shkak rënien e çmimeve në bursat ndërkombëtare prej nga furnizohen grosistët.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency