Hapja e fushatës Berisha: Gati fondet dhe projekti për By Passin e Vlorës

0
130

Ina Jano

berisha-20131Modeli i Ramës për taksat e biznesit të vogël, unik në botë

 

Uragani i fitores së demokratëve u ndal dje në qytetin e Vlorës. Kreu i PD-së, Berisha gjatë fjalës së prezantimit të kandidatëve për deputetë për këtë qark, u shpreh se investimet nuk do të mungojnë, ndërsa deklaroi se qeveria tashmë i ka gati fondet për By Passin e Vlorës, dhe po ashtu edhe projektin. “Jam sot (dje) këtu për tu zotuar para jush, vepra e parë që fillon by-passi. Kemi fondet, kemi projektin. Do ta ndërtojmë atë”, – tha Kryeministri, ndërsa përgjigjja e qytetarëve ishte brohoritje, pasi ky është një aks shumë i rëndësishëm për të gjithë zonën, marrë parasysh edhe faktin që është vend turistik. Ndërsa në këtë drejtim, kryetari i së djathtës lançoi edhe një tjetër projekt mjaft tërheqës: “Jam sot (dje)  këtu për tu zotuar para jush se me kompanitë më serioze të botës, po punojmë për projektin, ndofta më madhështori, jo vetëm në historinë  e Shqipërisë, por në historinë e brigjeve, detrave të këtyre zonave, të kompleksit Karaburun-Sazan-Nartë-Zvërnec. Ky kompleks është kompleksi më mahnitës natyror. Do të bëjmë gjithçka për ndërtimin e një kompleksi nga biznesi i huaj ,ndër më elitarët që mund të ekzistojë, ndër më elitarët në Mesdhe”.

Taksat

Në fjalimin e tij rreth 30 minuta, shefi i mazhorancës përpara të gjithë vlonjatëve, foli edhe për kreun e opozitës, kundërshtarin e tij politik. Duke marrë parasysh edhe prezantimin e një dite më parë, si kandidat për deputet në këtë qytet, Berisha tha se atë në Vlorë e solli Kokëdhima, person ky për të cilin Kryministri nuk kishte rezervuar fjalët më të mira. Referuar modelit ekonomik të cilin propozon kryesocialisti, numri një i qeverisë së ajo është një platformë unike në botë. “Jam këtu për tu bërë thirrje, kontrolloni taksat e biznesit të vogël në mbarë botën. Në qoftë se gjeni një vend me 1,5 % taksë xhiroje, ejani dhe më thoni dhe unë do të marr të gjitha masat që ju të keni taksën më të ulët në botë. Por unë nuk di që ka. Zoti Rama mashtron në mënyrë të rrezikshme. U thotë ju do tu heq taksën 1,5 % dhe pastaj taksën progresive do tua vendosë atyre që kanë mbi 1. 5 milion. Cili është biznesi i vogël që nuk ka në ditë 1,5 milion. Pra do tu vendosë një taksë 25, 30 % , aq sa do ai, sepse kur ishte kryetar bashkie, ai taksat i dy dhe trefishoi”, – pohoi Berisha.

E ardhmja

Kryeministri tha se rruga që kanë përpara shqiptarët dhe qeveria nuk është e shtruar me lule, sidomos duke marrë parasysh edhe faktin se gjithë Europa është duke kaluar një krizë ekonomike. “Rruga jonë nuk është bulevard me lule. Ajo është rrugë mundimi, djerse, por rrugë serioze, rrugë suksesi, rrugë arritjesh, rrugë vizioni. Katër vitet që vijnë, ne do realizojmë sëbashku katër herë më shumë se vitet që përcollëm. Zonja dhe zotërinjtë që folën para meje paraqiten këtu projektet e realizuara. Unë qëndroj para jush për t’ju dhënë fjalën banorëve të Vlorës dhe të këtij qarku se aty ku jetojnë do kenë rrugë të reja, shkolla moderne, qendra shëndetësore e shërbime cilësore”, – u shpreh zoti Berisha. Duke paraqitur të gjitha aritjet e qeverisë, ai tha se investimet nuk do të ndalen, ndërsa falënderoi të gjithë fermerët të cilët me djersën e tyre kanë arritur që të gjelbërojnë të gjitha kodrat e kësaj zone, duke i shtuar edhe më shumë bukurinë, kësaj zone. Ai u premtoi ayre trefishim të subvencionimeve qeveritare, ndërsa shtoi se marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, do t’ja lehtësonte shumë punën qeverisë, pasi donacionet do të ishin shumë të mëdha.

 

“Rruga jonë nuk është bulevard me lule. Ajo është rrugë mundimi, djerse, por rrugë serioze, rrugë suksesi, rrugë arritjesh, rrugë vizioni”.

 

Patozi: Rama nuk kalon në Vlorë

Vlora do ta ndalojë modelin Rama-Kokëdhima. Kështu u shpreh nënkryetari i PD-së Astrit Patozi, njëherësh kreu i listës për kandidat për deputet në qarkun e Vlorës, gjatë mitingut mbrëmjen e djeshme në qytetin ku ai kryeson listën shumë emërore të deputetëve. “Më 23 Qershor, Vlora nuk do të votojë vetëm për vete, por për të gjithë Shqipërinë, për të zbrapsur modelin e shëmtuar Rama-Kokëdhima”, – tha kreu i grupit parlamentar demokrat. “Vlonjatët e dinë mirë se Rama me mos votimin e ligjeve të statusit, nuk bllokoi vetëm integrimin në Europë, por bllokoi shtrimin e rrugëve, ndërtimin e by pasit aq të rëndësishëm për këtë qytet, si dhe shumë vepra të tjera, shkolla, spitale, investime në të mirë të qytetarëve të Vlorës dhe te gjithë Shqipërisë”,- theksoi Patozi.  Nënkryetari i PD-së, deklaroi se, Rama me kandidimin e Kokëdhimës në Vlorë, kërkon të pushtojë kryeqytetin e pavarësisë.
“Ai ju premtoi rrugë, ju premtoi uljen e taksave për biznesin, ndërsa në Tiranë në 11 vite shkatërroi sheshin Skënderbej, nuk mbështeti biznesin, pasi ai punoi për Kokëdhimën, partnerin dhe ortakun e tij në grabitjen e Tiranës në 11 vite. Të njëjtën gjë kërkon të bëj edhe në Vlorë, kërkon që biznesmenët e Vlorës të punojnë për Koçon, i cili nuk di të paguajë taksa”, – tha Patozi. “Edi Rama Vlora nuk të lë të kalosh. Ne do t’i themi jo modelit Rama-Kokëdhima. Do i themi po zhvillimit të Vlorës, po vendeve të punës, do i themi po Vlorës”, theksoi ai.

 

Topalli: 23 qershori bën diferencën mes bllokimit dhe integrimit

 

Nga Postriba, vendi që refuzoi i pari diktaturën, Jozefina Topalli e cilësoi 23 qershorin si ditën kur do të bëhet diferenca e madhe mes ecjes përpara  drejt integrimit në BE dhe bllokimit që prej katër vitesh mban peng aspiratën evropiane të shqiptarëve. “Më 23 qershor do të bëhet një diferencë e madhe. Është diferenca mes asaj që ne votonim në Parlament, projektit të kryeministrit Sali Berisha për rrugë të reja, për shkolla të reja, për ujësjellësa të rinj, për qendra shëndetësore, dhe atij tjetrit që votonte kundër çdo rruge, çdo projekti, çdo shkolle, çdo qendre shëndetësore, çdo ujësjellësi, çdo universiteti. Është diferenca mes atij që ka ndryshuar Shqipërinë dhe atij që nxin sa herë që Shqipëria arrin një progres të jashtëzakonshëm”, – tha Topalli. Kryeparlamentarja theksoi se ashtu siç dukej e pabesueshme që vendi të anëtarësohej në NATO, të hiqeshin vizat dhe të përparonte drejt integrimit evropian, qeveria e Kryeministrit do të bëjë çdo reformë për të arritur një tjetër objektiv; heqjen e vizave me SHBA. Sipas saj kjo është plotësisht e mundshme pasi është faktuar se zoti Berisha guxon. Në fjalën e saj, zonja Topalli u ndal edhe në projektet e realizuara nga qeveria në zonën e Postribës, ndër të cilat veçoi ndërtimin e rrugës së Kullajve, Dragoçit, rrugën dhe argjinaturën e Urës së Mesit, rrugën e Prekalit, ndërtimin e ujësjellësve, qendrave shëndetësore, etj. Ajo garantoi se në 4 vitet e ardhshme do të trefishohen fondet për subvencionimin e bujqësisë, për infrastrukturën rrugore dhe shkollat.

Ndërkohë që fushata elektorale vijon intensive edhe për kreun e republikanëve, zotin Fatmir Mediu. Ky i fundit prezantoi në Kamëz kandidaten për deputete të PR-së, zonjën Rozeta Shira. Mediu theksoi se forca politike që drejton po shkon në zgjedhjet e 23 qershorit si pjesë e një aleance ku kontribuon me vlera, ide dhe njerëz. “Jeta, liria dhe prona private janë të drejta hyjnore dhe mundësi që duhen gëzuar dhe zhvilluar nëpërmjet punës së ndershme dhe ky është besimi që përcjell Partia Republikane”, – deklaroi Mediu. Ndërsa kreu i listës së Elbsanit, ka vijuar me prezantimin e kandidatëve nëpër qytete dhe komuna të këtij qarku.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency