Grabitën e tentuan të përdhunonin turisten, 12.4 vite burg autorëve

0
188

Elton Qyno

policiDënohen tre personat që sulmuan në malin e Korabit katër turistë nga Çekia

 

Tre persona që grabitën dhe më pas tentuan të përdhunonin një turiste në prani të tre shokëve të saj, kanë bërë që Gjykata e Tiranës të japë një dënim prej 12.4 muaj burg për autorët. Rrahman Domi, Orient Hoxha dhe Kadim Madana, janë shpallur nga gjykata e kryeqytetit, pasi në vitin 2011 në zonën e Peshkopisë afër malit të Korabit, kanë grabitur katër turistë nga Çekia, dhe më pas kanë tentuar të përdhunojnë një turiste që ishte pjesë e grupit të të huajve. Ngjarja e rëndë shkaktoi shumë polemika në atë kohë, dukë vënë në rrezik kështu jo vetëm imazhin e Shqipërisë përballë turistëve të huaj, por edhe besimin tek Policia e Shtetit. Nisur nga ko situatë, uniformat blu arritën të kapnin për disa javë të tre autorët e këtij krimi të rëndë, të cilët të maskuar dhe të armatosur kishin sulmuar parkingun ku kishin qëndruar për të kaluar natën katër turistët. Dy prej të pandehurve janë arrestuar në zonën e Dibrës, ndërkohë që njëri prej tyre, Rrahman Domi, është arrestuar në zonën e Durrësit. Gjatë procesit hetimor dhe atij gjyqësor të tre të pandehurit kanë pranuar autorësinë e krimit, duke bërë që gjykata ti ulë një pjesë të dënimit. Kështu për të pandehurin Rrahman Domi, gjykata vendosi dënimin e tij me 7 vjet burg por pas uljes së 1/3 të dënimit, përfundimisht ai është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg. Ndërkohë dënime të njëjta janë dhënë për dy të pandehurit e tjerë si Orient Hoxha dhe Kadim Madana, të cilët u dënuan me nga 3.4 vjet burg.

Ngjarja në muajin korrik

Ngjarja e rëndë ku u përfshinë turistët e huaj dhe që angazhoi forca policore nga Tirana të cilat kontrolluan dhe me helikopter nga ajri ndodhi më 29 korrik të vitit 2011. Domi në bashkëpunim me dy persona të tjerë, në vendin e quajtur Fusha e Korabit në Kalanë e Dodës kanë vjedhur me dhunë katër shtetas çekë, të cilëve u kanë marrë sendet personale si dhe kanë tentuar të përdhunojnë një nga vajzat e grupit. Turistët ndodheshin prej pak ditësh në këtë zonë duke shijuar luginat dhe freskinë e zonës, por janë dhunuar duke u goditur me shkopinj nga adoleshentë të cilët u kanë marrë çantat e shpinës dhe sende të tjera. Menjëherë njëri prej tyre ka mundur të njoftojë ambasadën çeke në Tiranë, e cila ka njoftuar Ministrinë e Brendshme dhe vënë në lëvizje policinë. Që në fillim u dyshua se ngjarja ishte vepër e çobanëve të zonës, që nxjerrin bagëtitë për verim në zonën e Korabit. Ata kanë sulmuar dy çiftet, një prej të cilave ka mundur të shkëputet dhe të njoftojë ambasadën, ndërsa çifti tjetër ka pësuar dhunë fizike dhe vetëm rezistenca e tyre e ka shpëtuar gruan çeke nga përdhunimi i adoleshentëve vendas.

Rrahman Domi
Në aplikimin e nenit 55 të K. Penal në bashkim të dënimeve të mësipërme, dënimin e të pandehurit Rrahman Domi me 7 vjet burgim. Në aplikim të nenit 406 të K. Pr. Penale ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Rrahman Domi me 4 vjet e 8 muaj burgim.

Orient Hoxha
Në aplikimin e nenit 55 të K. Penal në bashkim të dënimeve të mësipërme, dënimin e të pandehurit Orient Hoxha me 5 vjet burgim. Në aplikim të nenit 406 të K. Pr. Penale ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Orient Hoxha me 3 vjet e 4 muaj burgim.

Kadim Madana
Në aplikimin e nenit 55 të K. Penal në bashkim të dënimeve të mësipërme, dënimin e të pandehurit Kadim Madana me 5 vjet burgim. Në aplikim të nenit 406 të K. Pr. Penale ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Kadim Madana me 3 vjet e 4 muaj burgim.

 

Vendimi i gjykatës

Kopjimi në Maturën Shtetërore, dënohet mësuesja

Një mësuese në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz është dënuar nga Gjykata e Tiranës me kusht që brenda 18 muajve të mos kryejë vepër penale. Nevila Fiku u gjet fajtore për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi ka ndihmuar dy nxënëse në Maturën Shtetërore, ndërsa dy koleget e saj u shpallën të pafajshme. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se procedimi penal për këto shtetase është regjistruar në datën 29 maj 2012, pas një kallëzimi sipas të cilit mësuese të shkollës së mesme të përgjithshme “Ibrahim Rugova” në Kamëz kërkonin para në këmbim të ndihmës në dhënien e provimeve. Dyshohej se personi që merrej me këtë aferë ishte shtetasja Nevila Fiku, me detyrë mësuese fizkulture në këtë shkollë. Është autorizuar përgjimi i bisedave ambientale në vende publike i Nevilës si dhe përgjimi i komunikimeve telefonike të kësaj shtetaseje. U dokumentua që në të tria provimet e zhvilluara, nxënëseve A. C. dhe F. K. u janë dërguar përgjigjet e pyetjeve të provimit.

 

Ngjarja në Greqi

Shqiptarët e dehur vjedhin 662 litra vaj ulliri

Dy shqiptarë kanë vjedhur 662 litra vaj ulliri në depon e një shtetasi grek me qëllim t’i shisnin në Shqipëri. 41-vjeçari dhe bashkëpunëtori i tij kanë hyrë fshehurazi në depon e një shtetasi grek, 42-vjeçar, në Potiada të Halkidikisë, në Selanik dhe i vodhën sasi të mëdha vaji ulliri. Sipas hetimeve të policisë, vjedhja ka ndodhur mëngjesin e 12 majit. Hajdutët kanë hyrë në depo dhe kanë marrë 662 litra vaj ulliri dhe dy damixhana me raki, të cilat i ngarkuan në makinën e 41-vjeçarit. Shtetasi shqiptar u kap nga policia, pasi disa ditë më vonë, pikërisht më 17 maj, kur kishte pirë raki, ndoshta nga damixhanët e vjedhur, u mburr përpara shokëve për vjedhjen. Synimi i tij ishte që sasinë e vajit të ullirit ta dërgonte në Shqipëri për ta tregtuar. Njerëzit me të cilët ai bisedoi duket se kanë lajmëruar dhe autoritetet policore, të cilat kanë vënë në pranga shqiptarin e menjëherë më pas, edhe shokun e tij.

 

Aksidenti

Përplasen dy makina, plagosen dy persona

Si pasojë e një aksidenti të ndodhur dje pasdite në Laç, kanë mbetur të plagosur rëndë dy persona. Mësohet se dy automjete, një autoveturë dhe një furgon mallrash janë përplasur me njëri-tjetrin në aksin Laç – Fushë-Krujë. Ende nuk ka të dhënë mbi shkaqet apo identitetet e të plagosurve, por mësohet se ata janë dërguar në spitalin rajonal. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po mbledh prova për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Nga shqyrtimi i fakteve në vendin e ngjarjes është mësuar se shkak i këtij aksidenti është bërë një parakalimin i gabuar i njërit prej automjeteve, i cili duke qenë me shpejtësi të madhe ka sjellë një përplasje të fortë dhe më pas ka shkaktuar të lënduar. Në pyetje janë marrë disa persona të cilët treguar momentin e aksidentit, ndërkohë që sipas policisë së Laçit aktualisht të dy drejtuesit e automjeteve janë marrë në ndjekje penale për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

 

 

Tre grabitësit në Greqi vidhnin karburante dhe taksistët

Greqi-Itali, arrestohen katër shqiptarë

për trafik heroine dhe grabitjen e bizneseve

Trafikonin drogë, grabisnin banesa, karburante e çfarë u dilte përpara. Kjo është veprimtaria e dy bandave shqiptare në Itali dhe Greqi, të shkatërruara nga policitë përkatëse. Policia italiane e Savonës arriti të shkatërronte një organizatë narkotrafiku dhe të arrestonte 4 persona të implikuar, me shtetësi shqiptare. Shqiptarët e arrestuar mbrëmjen e 17 majit janë Granit Trezhnjeva, 31 vjeç, Arben Berisha, 38 vjeç, Dorald Uruçi, 21 vjeç dhe Anil Gjyriqi, 21 vjeç. Këta persona, sipas policisë italiane, jetonin në Itali prej disa vitesh. Hetimet janë shtrirë në kohë, duke vëzhguar e përgjuar me metoda speciale shqiptarët, ku në përfundim, për policinë ka rezultuar se Trezhnjeva dhe Berisha ishin krerët e organizatës, ndërsa dy të tjerët ishin anëtarë të bandës dhe shërbenin për transportimin e mallit. Gjatë operacionit është sekuestruar gjysmë kilogrami heroinë, si dhe 1000 euro. Sasia e drogës ishte destinuar të hidhej në treg, ku falë punës së policisë, nuk ka mundur të shitet, duke bërë kështu që të arrestohen dhe 4 shqiptarët të cilët tani do të përballen me drejtësinë. Ndërsa në Greqi, Drejtoria e Policisë së Athinës Verilindore ka shpartalluar një bandë kriminale shqiptarësh, të cilët grabisnin taksistët nën kërcënimin e armëve. Në veprimtarinë e tyre kriminale regjistrohen edhe grabitje pikash karburanti dhe dyqanesh floriri e supermarkete. Nga policia greke janë arrestuar tre shqiptarë, njëri të enjten, i moshës 23-vjeçare, ndërsa të premten u vunë në pranga dy bashkëpunëtorët e tij, 22 dhe 23 vjeç. Sipas policisë greke, më 16 maj, në orën 02:30 të mëngjesit, dy nga personat e arrestuar, duke u shtirë si pasagjerë, kanë marrë një taksi, me destinacion zonën e Peanisë. Taksisti 27-vjeçar, në një zonë krejtësisht të shkretë, është kërcënuar me pistoletë dhe thikë dhe është grabitur.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency