Kaosi që na kanoset

0
163

Artan FUGA

 

fugaKëto ditë u shpallën listat e kandidatëve për deputetë nga partitë e ndryshme dhe nga koalicionet politike që janë krijuar.

Afrimi i datës së zgjedhjeve sigurisht që e kërkonte këtë.

Por, çfarë ndodhi? Krahas procesit normal të paraqitjes së kandidatëve, ku jo medoemos ata që kanë qenë deputetë edhe duhet të vazhdojnë të jenë medoemos (rëndësi ka që kjo përzgjedhje të bëhej transparente dhe në kolegjialitet dhe sipas meritave të gjithkujt – çka nuk duket), pati edhe disa procese të tjera.

– Disa individë që nuk u kandiduan, shpallën se do të dilnin të pavarur.

– Disa të tjerë kur panë se partitë e tyre nuk po i kandidonin shkuan dhe vunë kandidatura për parti të tjera që nuk janë edhe në spektrin e tyre politik.

– Të djathtë shkojnë te e majta dhe të majtë shkojnë te e djathta.

– Disa të tjerë, pasi qëndruan në opozitë për katër vite, vendosën të vinin kandidatura pikërisht për atë parti ndaj së cilës kishin bërë opozitë për të gjithë këtë kohë.

– Ca të tjerë duke qenë anëtarë të një partie kanë vendosur kandidatura në listat e partisë tjetër.

– Pak më parë, deputetë të caktuar të një partie në pushtet shpallën largimin nga kjo parti dhe formuan parti tjetër sikurse ishte rasti i asaj që quhet Partia e Frymës Demokratike.

– Po kështu, persona të caktuar, ish juristë, biznesmenë, teknokratë etj., që kurrë nuk ishin shfaqur në një krah politik, pas propozimeve të caktuara duken si kandidatë në parti politike dhe publiku nuk di asgjë as për bindjet e tyre dhe as për angazhimin e tyre subjektiv te partia që kandidojnë.

 

 

I gjithë ky kaos, ku shihen emra që publiku veç për politikanë nuk i njeh, ka një problem që lidhet me atë se klasa politike, e cila sigurisht duhet të rinovohet, nuk e bën këtë rinovim gradualisht, por në forma me kërcitje dhe pa vazhdimësi ku deputeti të vijë gradualisht në politikë dhe të njihet për idetë e tij në politikë.

Por, sot nuk e kemi këtu fjalën.

Lidhur me këto procese anomalike që përmendëm ka disa ditë që debatohet, por sipas mendimit tim nuk është prekur ende problemi themelor. Janë diskutuar probleme të tjera, ndofta me një farë rëndësie, por jo problemi themelor.

Gjithsesi. Është debatuar për shembull nëse është e moralshme ose jo që dy forca politike që deri dje kanë pasur divergjenca të thella sot të bëjnë koalicion sikundër partia socialiste dhe partia e lidhjes socialiste për integrim. A është e moralshme ajo që ndodhi apo jo? Sigurisht gjithkush ka të drejtë ta quajë si të dojë.

Po kështu përsëri në anën morale është diskutuar dhe po diskutohet nëse kalimet e deputetëve nga njëra anë te tjetra janë ose jo morale.

Po debatohet arsyeja dhe mosarsyeja e kryetarëve të partive që në mënyrë personale caktuan listat e deputetëve, duke lënë mënjanë disa prej tyre, pavarësisht se kishin qenë figura të njohura publike.

Ta zëmë, Partia Socialiste lë pa vendosur në lista Ilir Gjonin, Partia Demokratike Mark Markun, Lëvizja Socialiste për Integrim Shezai Rrokaj e kështu me radhë.

 

 

Mirëpo këtu, unë do të diskutoj me lexuesit e mi diçka tjetër.

Ajo që po ndodh po dëshmon diçka të rëndësishme. Partitë politike nuk janë më me një kohezion social, politik dhe ideologjik që të pengojnë kalimin e anëtarëve të tyre në formacione të tjera politike apo të kandidojnë si të pavarur.

Një lajm nga Gjirokastra na thoshte pardje se disa qindra anëtarë të AKZ kishin kaluar me partinë socialiste.

Por, këtu nuk është fjala për anëtarët e thjeshtë të një partie politike apo të një partie tjetër. Këtu është fjala për deputetë apo figura kryesore partiake që janë kandidatë për deputetë.

Partitë politike u treguan këtë radhë të pafuqishme që të ruajnë forcën tërheqëse, forcën kohezive, për të qenë qendra graviteti që i pengojnë individët kryesorë brenda tyre të kalojnë sa nga një krah politik te tjetri.

Kam përshtypjen se kjo është dukuria e re e kësaj kohe, kjo është ngjarja më e rëndësishme në planin politik, social dhe sociologjik, çka shpreh një risi, por edhe tregon se shoqëria shqiptare ka ndryshuar dhe ka prirje për ndryshim në të ardhmen.

 

 

Duhet studiuar hollësisht se për çfarë arsye ka ndodhur kjo dukuri e re. Ndofta kjo analizë kërkon studime të gjata dhe të thelluara në planin e sociologjisë së politikës, por edhe këtu, duke u ndodhur afër procesit në fjalë mund të thuhen disa fjalë.

Së pari, duhet thënë se individët për të kaluar nga një kamp tjetër politik morën shembull nga vetë partitë politike dhe kryetarët e partive politike, nga aleancat dhe kontradiktat e tyre. Në fillim të këtij mandati politik, partia demokratike dhe partia e lidhjes socialiste për integrim bën një aleancë të çuditshme nëse e shihje nga pikëpamja e identitetit dhe e së kaluarës së tyre politike. Tani, së fundi, lidhja socialiste për integrim dhe partia socialiste pas katër vitesh sherresh dhe armiqësish kanë bërë një aleancë politike dhe kalojnë kohë paqeje mes tyre.

Tani çështja qëndron kështu: Kur partitë politike i prishin dhe i ndreqin aleancat sipas oreksit të çastit dhe pragmatizmit politik, jashtë çdo boshti ideologjik dhe vlerash politike, kush nga kryetarët e partive politike do të kishte fuqi që t’u thoshte deputetëve të vet: “Mos kaloni në parti të tjera nëse unë nuk ju kandidoj?” Kjo do të ishte e pamundur dhe askush nuk do t’i dëgjonte.

Ndërkohë, ka luajtur rol edhe një faktor tjetër. Jeta politike është çideologjizuar së tepërmi. Partitë politike janë bërë krejtësisht elektoraliste dhe nuk kanë dallime të mëdha programore për sa u përket ideve që hedhin dhe programeve politike. Aq e qartë është kjo, sa prej kohësh ka filluar lufta për të akuzuar njëra-tjetrën se kanë kopjuar programet. Duket sikur jemi në një sallë shkolle, kur nxënësit kopjojnë nga njëri-tjetri. Programet politike duken më shumë si çështje dijesh, dhe jo si çështje alternativash politike identitare. Kur është puna për të mbledhur vota, përse partia politike të mos ketë tjetër shqetësim, veçse këtë, pra edhe jo besnikërinë ndaj disa vlerave ideologjike, kurse individi deputet ose kandidat për deputet ta ketë? Edhe deputeti thotë se kur qenka puna thjesht për të mbledhur vota, edhe unë po mbledh votat e mia, pavarësisht se po i mbledh me Partinë Socialiste, me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me Partinë Demokratike apo me Partinë Republikane?

Vlerat nuk paskan asnjë rëndësi në politikë. Është fjala për vlerat politike dhe jo thjesht ato vlera që rregullojnë moralin bashkëshortor, sikurse i ngatërron ndonjë tip që shpik edhe lëndë të reja me tituj absurd në universitete.

E treta, jeta në Shqipëri mbase nuk është demokratizuar shumë, por për t’u liberalizuar është liberalizuar. Publiku në një pjesë të madhe as nuk do t’ia dijë për politikën. Të bësh mitingje të mëdha sot është sikur të ngresh shkëmbinj sizifianë mbi supe. Besnikëria e publikut të gjerë ndaj partive politike është në rënie të lirë. Në këto kushte presioni i partive politike për të mbajtur brenda sferës së tyre individët deputetë apo kandidatë për deputetë është zvogëluar shumë. Forca tërheqëse e partive politike është zbehur mjaft.

Vetëm disa individë shkuan te shtëpia e banimit e Kastriot Islamit për t’i bërë presion për të votuar për Partinë Socialiste. Ishte një nga format e dështuara për ta mbajtur individin, me ose pa të drejtë, brenda sferës së partisë politike që konsideronte se kishte “pronësi” mbi të. Por, këto forma jo vetëm janë sporadike, por edhe shuhen shpejt. Koha e tyre ka kaluar.

E fundit fare, sistemi zgjedhor proporcional rajonal e ka humbur pothuajse fare lidhjen direkte midis deputetit dhe elektoratit të vet. Askush nuk di më se me votën e kujt apo të cilëve aksh individ shkoi në Kuvend. Ky fakt e ka bërë deputetin të papërgjegjshëm jo vetëm në raport me ligjin, por edhe pa ndonjë përgjegjësi morale lidhur me elektoratin. Pesha e rëndesës nuk e mban më atë të lidhur me asnjë forcë politike.

 

 

Çfarë mund të na ndodhë së shpejti?

Tri rreziqe që unë preferoj të uroj të mos realizohen.

E para, elektorati në shumë raste nuk di se për cilët voton dhe çfarë besueshmërie duhet të ketë te ata që u jep votën.

E dyta, edhe nëse i voton, nuk ka asnjë siguri që ata pasi të marrin mandatin e deputetit, nuk do të lëvizin andej-këndej nëpër parti të ndryshme pa iu bindur as grupeve parlamentare dhe as kryetarëve të partive. Jeta politike në Kuvend do të bëhet e paqëndrueshme ose rrezikon të bëhet shumë e tillë. Dhe në këtë rast ne do të ndodhemi përpara një kaosi politik.

Së treti, një grup politik mund të fitojë zgjedhjet, por nuk ka asnjë siguri se ku do t’i shkojnë deputetët nën presionin e forcave ekonomike apo të tjera.

Dhe sidomos nëse ekuilibri politik do të jetë i tillë, që partitë politike do të kenë rezultate afër njëra-tjetrës, atëherë mund të ndodhemi përpara osmozës politike, ku deputetë të ndryshëm mund të kalojnë sa andej-këndej, çka mund të sjellë si vështirësi në formimin e kabinetit qeveritar ashtu, edhe më pas, në votimin e ligjeve të ndryshme.

Se si do t’i mbajnë kryetarët e partive deputetët nën forcën tërheqëse të grupeve të tyre parlamentare, do ta shohim. Por, që vështirë, shumë vështirë do ta kenë. Këtë paralajmëron gjendja e tanishme, kurse historitë me qejfmbetje dhe me pakënaqësira janë një problem që do të kalojë. Kutia e Pandorës është hapur. Besnikëria e deputetit ndaj partisë ka rënë.

Kjo mund të në parashikojë një kaos politik të mundshëm që nuk e uroj të ndodhë, por që shenjat e veta i troket në dyert tona.

E, po qe se do të ishte ky skenar, ne do të dilnim nga ca zgjedhje për të shkuar në të tjera.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency