KQZ vendos sot për ambientet private, Rama: S’bëhemi pjesë e makijazheve. Dule kërkon anëtarët

0
129

Florenc Drizari

kqzParalajmërimi për PS-në dhe LSI-në, Dule: Nuk tolerojmë që votat tona të na i marrin partitë e mëdha

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet ditën e martë për marrjen e disa vendimeve për votimin në ambiente private, ndërsa ende forcat politike nuk kanë gjetur konsensusin për plotësimin e vendeve vakante në KQZ. Pas miratimit të vendimit për zëvendësimin e anëtarëve të LSI-së me ata të PR-së, në komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë, gjë që solli më pas edhe zëvendësimin e anëtarëve të PDBNJ-së me ata të LSI-së, në të njëjtat komisione, palët ende nuk kanë gjetur konsensusin për këta komisionerë dhe kërkojnë formulë të re për kompozimin e KQZ-së. Nga njëra anë kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule pasi kundërshton zëvendësimin e anëtarëve të partisë që ai drejton në administratën zgjedhore, propozon një formulë me tri parti përfaqësuese në KQZ nga secili kamp, ndërkohë nga ana tjetër kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se nuk tërhiqet nga qëndrimet e tij për KQZ-në, duke thënë se le ta mbajë mazhoranca shumicën.

RAMA

Gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi një ditë më parë në selinë e Partisë Socialiste, Edi Rama tha se PD-ja duhet të tërhiqet nga pretendimet për të marrë shumicën në KQZ. Por edhe nëse kjo nuk ndodh tha ai, PS do të vazhdojë të jetë prezentë në administratën më të lartë zgjedhore me përfaqësuesit politik të saj. “Ka vetëm një forcë që duhet të tërhiqet në këtë histori dhe bën mirë të tërhiqet për veten e vet, në radhë të parë, dhe sigurisht për të mirën e vendit. Kjo është partia familjare e Saliut që ka uzurpuar KQZ duke shkelur Kushtetutën, duke shkelu ligjin, duke shkelur çdo standard të zhvillimit të zgjedhjeve pluraliste dhe duke shkelur padyshim edhe në të gjithë partneritetin e Shqipërisë me botën demokratike. Ne nuk do të bëhemi pjesë e asnjë makijazhi të KQZ, ndërkohë që ne do të jemi të pranishëm në të gjithë administratën zgjedhore dhe do të mbrojmë si asnjëherë më parë çdo votë për Aleancën për Shqipërinë evropiane. Çdo votë!”, – tha Rama.

VANGJEL DULE

Nga ana e tij, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kërkon riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas vendimit të fundit të ndërmarrë në KQZ, ku përfaqësuesit e PBDNJ-së në komisionet e niveleve të dyta, të treta dhe në grupet e numërimit të votave i kaluan LSI-së, Dule pohoi dje se nuk do të tolerojë që votat e tij t’i kalojnë partive të tjera më të mëdha. “Nuk tolerojmë. Zgjedhjet e 2011-ës treguan se kishim rreth 40% më shumë se në zgjedhjet e mëparshme”, – tha ai, duke paralajmëruar dy forcat kryesore në koalicionin e majtë, PS dhe LSI. Duke shprehur rëndësinë e riformatimit të KQZ-së, Dule bëri të ditur edhe formulën që propozon forca e drejtuar prej tij. “KQZ me përfaqësim me tri parti nga secili kamp dhe kryetari konsensual”. PBDNJ ka nisur ditët e fundit kontaktet me faktorin ndërkombëtar prezent në Shqipëri për të sqaruar pozicionin e saj mbi procesin e përgatitjes së zgjedhjeve.

 

KQZ mblidhet sot për votimin në qendrat private

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet ditën e martë për miratimin e disa qendrave të votimit në ambiente private. Vendim i KQZ-së pritet të shoqërohet me debate mes përfaqësuesve politik në komision, për faktin se në çdo vendim të ngjashëm të marrë më parë, palët kanë debatuar ashpër për votimin në këto ambiente. Në ato zona ku në nivel lokal qeveris PS-ja, PD-ja ka kundërshtuar votimin në ambiente private duke arsyetuar se gjenden vende publike si shkolla, palestra sportive apo qendra shëndetësore, ndërsa të anasjellën kanë bërë përfaqësuesit e opozitës në zonat ku qeveris PD-ja. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e martë, më datë 30.4.2013 ora 12:00 zhvillon mbledhje me këtë rend dite: Projektvendim “Për miratimin e vëzhguesve të qendrës “Polit On”, për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 23 qershor 2013”. Për miratimin e disa qendrave të votimit në ambiente private, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23 qershor 2013”, – thuhet në njoftimin e KQZ-së.

 

 

KQZ, Berisha, Ramës: Kthe sa më shpejt anëtarët

“Rama të kthejë një orë e më parë anëtarët në këtë institucion”. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, në lidhje me vendet vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Duke iu përgjigjur akuzave të PS për përdorimin politike të KQZ-së, Berisha ia ka lënë në dorë kreut të opozitës plotësimin e vendeve vakante duke thënë se nëse do ti plotësojë, atëherë ti dorëzojë sa më parë, në të kundërt komisioni do të vazhdojë punën me 4 anëtarë dhe për këtë Kryeministri premtoi zgjedhje me standarde të lartë. “Kthe sa më shpejt anëtarët në KQZ se nuk do të ketë as edhe një germë ndryshim në Kodin zgjedhor dhe përbërjen e institucioneve, sikundër duhet të dënoj lojën që bëri me përfaqësuesin e partisë së minoriteteve. Ajo që i ndodhi Jani Janit, as në romane nuk lexohet. Edhe një herë dua të garantoj shqiptarët se këto zgjedhje do të jenë të standardeve më të larta ndërkombëtare”, – ka thënë disa ditë më parë Kryeministri Berisha.

 

 

Bregu: Impenjimi i Ramës, bllokimi i integrimit

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi një ditë më parë kryetarin e opozitës, Edi Rama, si shkaktarin kryesor të bllokimit të votimit të tri ligjeve duke sjellë si pasojë mosmarrjen e statusit të vendit kandidat nga Bashkimi Evropian. Në një deklaratë për mediat, Bregu tha se “bashkë me statusin e vendit kandidat, Rama u mohoi shqiptarëve dhjetëra miliona euro, fonde të BE, duke vazhduar t’u mohojë shqiptarëve të gjitha përfitimet që do të vijnë nga marrja e statusit të vendit kandidat, si vende pune apo bursa për studentët, në universitetet më të mira evropiane”. Sipas saj, “200 ditë më parë, Bashkimi Evropian deklaroi se Shqipëria ishte një hap larg marrjes së statusit. Që të kapërcehej ky hap u vendos vetëm një kusht: votimi i 3 ligjeve. Në plot 200 ditë, vazhdimisht e vazhdimisht Rama pati vetëm një impenjim: bllokimin e këtyre 3 ligjeve, bllokimin e aspiratës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Në çdo seancë parlamentare, të zhvilluar në këto 200 ditë, Rama e ka refuzuar, i ka thënë me këmbëngulje “Jo” kërkesës së përhershme të mazhorancës, për t’i votuar 3 ligjet. Sot qytetarët shqiptarë kanë 200 arsye për të mos e votuar Edi Ramën. Çdo ditë e bllokimit të statusit kandidat është një arsye më shumë për të mos e votuar Edi Ramën”.

 

Biberaj: FRD, forcë e tretë politike në vend

Nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj, deklaroi një ditë më parë se FRD-ja do të jetë forca e tretë politike, bazuar kjo në sondazhe, siç përmendi ai. “Sondazhet na nxjerrin forcë të tretë politike në vend. Nuk jemi përqendruar tek shifrat, kontratën e kemi me qytetarët shqiptarë”, – tha ai. Nënkryetari i kësaj force tha më tej: “Ne do kemi listë dinjitoze kandidatësh, që të maksimizojmë votën, do kemi listë me 140 kandidatë. Përpjekja jonë që të kemi një numër sa më të madh votash. Qytetarëve u themi nëse doni të vazhdoni me tranzicion, me korrupsion e varfëri, me probleme në shëndetësi, arsim e drejtësi vazhdoni me forcat e vjetra, nëse doni diçka tjetër keni FRD. Di të them që të djathtët po vijnë çdo ditë me FRD”, – tha ai për “News 24”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency