PD, Bogdani: Rama, i sëmurë psikik që se mbajnë nervat, me dy standarde për “incidentin” e Vjenës

0
131

Florenc Drizari

gertiGerti Bogdani: Vetëm  njerëz të sëmurë psikikë që mjekohen në spitale psikiatrike shpalli  në Twitter  datën  24 prill  si ditën  e shkuljes së veshit

 

Partia Demokratike reagoi dje me anë të deputetit Gerti Bogdani në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga kryesocialistit Edi Rama, për “incidentin” e ndodhur në Vjenë mes tij dhe diplomatit shqiptar, Egin Ceka. Z. Bogdani thotë se Rama ka mbajtur qëndrime me dy standarde lidhur me ngjarjen në fjalë dhe për këtë citon deklaratat e tij dy ditëve më parë nga qyteti i Vlorës. Sipas tij, kryetari i opozitës njëherë nuk ka pranuar incidentin mes tij dhe diplomatit kur u rikthye në Shqipëri dhe pak ditë më pas, ka ironizuar për 24 prillin si ditën e shkuljes së veshit. “Edi Rama dje në Vlorë  përgënjeshtroi Edi Ramën e Tiranës të  një dite më parë lidhur me aktin e tij të ulët dhe çnjerëzor të pashembullt në historinë e shtetit shqiptar:  shkuljen e veshit dhe flokëve, goditjen e Diplomatit të ri shqiptar në sallën e Akademisë Politike në Vjenë duke diskretituar veten  para opinionit publik shqiptar  dhe diplomacisë botërore që ndodhet në kryeqytetin Austriak, duke dëmtuar imazhin e Shqipërisë në botë. Si një i sëmurë psiqik apo i droguar me overdozë që humbet kontrollin e vetes së tij, Z. Rama në  Tiranë pas kthimit  nga Vjena mohoi se ka përdorur dhunën fizike ndaj diplomatit shqiptar, përkundrazi ngjarjen e paraqiti si një trillim që nuk ka ndodhur.

Kurse dje në Vlorë Rama konfirmoi, vetë personalisht, të zezë mbi të bardhe, atë që kishte mohuar një ditë më parë ndonëse të gjithë shqiptarët besonin, se ishte më e pakta që ai kishte bërë në Vjenë në sallën e konferencave të Akademisë Politike ndaj diplomatit  Egin Ceka.

Dje në Vlorë në vend të faljes publike që i kërkoi familja Ceka të bënte zoti Rama ai ofroi të kundërtën. Z. Rama nga Vlora në një akt cinik që mund ta bëjnë vetëm  njerëz të verbuar nga urrejtja njerëzore  apo të sëmurë psiqikë që mjekohen në spitale psiqiatrike shpalli  në Twitter  datën  24 prill  si ditën  e shkuljes së veshit, dhe në të njëjtën kohë duke pritur me një cinizëm mavi, se sa do ishin njerëzit që do pëlqenin propozimin e tij dhe të miqve të tij, që u munduan ta mbulojnë paturpësisht sulmin fizik që kreu  i opozitës shqiptare bëri publikisht në zemër të Europës”, – thuhet në deklaratën e deputetit demokrat Gerti Bogdani. Duke e quajtur këtë një akt që goditi jo thjesht për herë të dyte diplomatin dhe familjen e tij, ai tha se tentoi t’i shkulte veshët çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, që priste nga Rama një sqarim apo një falje publike. Qëndrimin e kryesocialistit për “incidentin” e Vjenës, Gerti Bogdani e lidhi me pamundësinë që sipas tij ka Rama për të përballuar fushatën e 23 qershorit. “Rama nuk kërkon falje dhe i thotë hapur shqiptarëve se do ta vazhdojë rrugën e dhunës, pasi ai më shumë se kushdo tjetër, e ka të qartë se sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve atë aq më pak e mbajnë nervat. Atë nuk e mbajnë nervat sepse ai më parë se të gjithë e di se do të humbasë më 23 qershor. Ankthi humbjes e detyron të mos kontrollojë veten e tij ose të përdorë doza që bëjnë të humbasë ekuilibrin psiqik . Ankthi i humbjes e detyron atë të ofendojë çdo shqiptar që kërkon t’i bëjë një pyetje të thjeshtë, çdo shqiptar që e sheh në sy”, – tha Bogdani. Në fund të fjalës së tij, deputeti i PD-së konfirmoi qëndrimin e mazhorancës për ngritjen e komisionit hetimor ndaj Ramës.

 

 

Rama në Twitter: 24 prilli, dita e shkuljes së veshit! Sa like jepni?

Kryesocialisti Edi Rama komentoi të shtunën e kaluar incidentin e ndodhur në Vjenë me diplomatin Egin Ceka. Në profilin e tij në internet, në Twitter, Kryetari i PS-së Edi Rama, komentoi deklaratën që një ditë më parë bëri organizatori i aktivitetit në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Fate Velaj, bëri në lidhje me incidentin mes kryesocialistit dhe diplomatit Egin Ceka duke thënë se ky i fundit nuk ishte i regjistruar për dialog. “Propozim i Fate Velaj: 24 prilli te shpallet dita e Shkuljes se Veshit:-) Jam kurioz sa like-s merr ky propozim(?)!” ironizon Rama. Velaj deklaroi dje se diplomati Egin Ceka nuk ishte regjistruar për dialog me kreun e PS, Edi Rama, gjatë vizitës që ky i fundit kreu në Vjenë. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi mesditën e së premtes në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor “për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës”

 

 

 

 

Kuvendi mbledh sot Komisionin Hetimor ndaj Ramës për “incidentin” e Vjenës

Kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj Ramës është firmosur nga 36 deputetë të PD-së

Florenc Drizari

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike pritet të mbledhë ditën e hënë komisionin parlamentar për “incidentin” e ndodhur pak ditë më parë në Vjenë, mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomatit shqiptar pranë OSBE-së, Egin Ceka. Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor u dorëzua  ditën e premte në Kuvendin e Shqipërisë nga 36 deputetë të mazhorancës.

Demokratët kërkojnë zbardhjen e incidentit me argumentin se është cenuar  imazhi i Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

“Qoftë edhe për faktin se për ngjarjen mund të ketë mosmarrëveshje për sa i përket dinamikës dhe impaktit të ngjarjes, një verifikim i plotë i saj është më se i nevojshëm si për rikuperimin e imazhit të vendit, edhe për rikuperimin e funksionit dhe veprimtarisë dinjitoze dhe brenda ligjit të shërbimit diplomatik shqiptar”, – arsyetojnë deputetët e mazhorancës në kërkesën e tyre.

Deputetët e Partisë Demokratike argumentojnë se ngritja e këtij Komisioni Hetimor nga Kuvendi në cilësinë e bartësit të sovranitetit popullor, siguron edhe përmbushjen e të drejtës kushtetuese të çdo shtetasi për të marrë informacionin e duhur për çështje me interes publik ose shtetëror. Në kërkesën e tyre, ata bëjnë edhe një shpjegim të ngjarjes që ka ndodhur, ku theksojnë se djali i Neritan Cekës, diplomati nuk ka dashur të debatojë me Edi Ramën, në takimin zyrtar edhe për shkak të detyrës që ai mbart. Sipas selisë blu, diplomati shqiptar i është prezantuar Ramës, dhe i ka shprehur qartësisht kreut të selisë rozë se teza e shpalosur prej tij se shërbimi diplomatik është i politizuar dhe se për këtë arsye emigrantët nuk mund të votojnë, nuk pasqyron realitetin. “Z. Rama pas këtij momenti ka reaguar çuditshëm, duke iu drejtuar me fjalët “kush të ka dërguar” dhe me ton arrogant dhe jashtë etike e ka urdhëruar të largohej nga ambientet e Akademisë. Pas këtij momenti z. Rama me veprime fizike i është avitur dhe e ka kapur në pjesën e kokës dhe të flokëve, duke e tërhequr me dhunë”, – citohet nga kërkesa e deputetëve demokratë.

Në bazë të projekt vendimit parashikohet që komisioni hetimor parlamentar, të përbëhet nga 9 deputetë, ku sigurisht që mazhoranca do i takojë demokratëve, po ashtu edhe kryetari. Demokratët kanë propozuar edhe pesë emra që do të jenë në përbërje të komisionit hetimor për kryesocialistin Edi Rama. Fatbardh Kadilli, Paulina Hoti, Osman Metalla, Gert Bogdani dhe Dashnor Sula do të jenë pesë ligjvënësit e zgjedhur nga selia blu për të qenë pjesë e këtij komisioni. Ndërsa ndër emrat që kanë firmosur këtë kërkesë, mund të përmendim deputetët Ledina Aliolli, Sybi Hida, Edi Paloka, Osman Metalla, Selami Xhepa, Ndue Paluca, Edmond Spaho, Luan Skuqi etj. Pritet që në seancën e radhës të Parlamentit, kjo kërkesë të kalojë në votim në mënyrë që komisioni, të nisë nga puna. Sipas demokratëve kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor mbështetet në nenet 77 dhe 78 të Kushtetutës, neneve 8 dhe 9 të ligjit numër 8891, datë 2.5.2002 “ Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore”, si dhe të neneve 25 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit. Ndërkaq, selia rozë ende nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar në lidhje me iniciativën e demokratëve, por në seancën e fundit plenare kur u parashtrua kërkesa nga demokratët, ata braktisë seancën në shenjë proteste.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency