Topalli: Rama, votë kundër çdo projekti për rininë

0
151

Ina Jano

JOZEFINWAKryeparlamentarja, kreut të opozitës: Ky ose ka marrë me hatër aritmetikën, ose nuk ka asnjë turp kur sajon, ose të dyja bashkë. Mendoni tani se ç’është në gjendje të bëjë një njeri i këtillë me përgjegjësitë shtetërore”

 

Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, duke akuzuar dje kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama tha se ai ka dhënë votën e tij kundër çdo nisme në Parlament për të rinjtë shqiptarë. Sipas saj, deputetët socialistë kanë votuar negativisht për çdo projekt që qeveria ka dashur që të realizojë jo vetëm për ta. “Ne kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar mbi 1.300 shkolla. i kemi pajisur me 24,000 kompjutera. Kemi ndërtuar laboratorë shkencorë për biologji, kimi dhe fizikë. Kemi zgjeruar programin e gjuhëve të huaja. Kemi ndërtuar 47 shkolla profesionale. Kemi shpërndarë mbi 1 miliard lekë për bursa profesionale dhe gati 3 miliardë lekë për bursa universitare. Gjatë këtyre kohëve kemi qenë të zënë me shumë punë! Por ka qenë edhe dikush tjetër shumë i zënë… duke sajuar statistika imagjinare. Duke shkruar slogane boshe. Duke thurur intriga, shpifje, hile. Duke vendosur se çfarë të bllokojë e çfarë të bojkotojë. Ky Rama duhet të jetë shumë i lodhur në fund të ditës. Sepse për çdo gjë… ky i ka detyruar deputetët të votojnë vetëm kundër dhe të thonë vetëm jo”, – tha numri dy i Partisë Demokratike. Ajo përmendi edhe disa shifra të cilat, sipas saj nuk mund të hidhen poshtë, por një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm kryesocialisti Rama. “1.300 shkolla të reja dhe rikonstruktuara! Ky thotë Jo! 24.000 kompjutera për të rinjtë! Ky thotë jo! Laboratorë shkencorë për shkolla e mesme! Thotë Jo! 47 shkolla profesionale! Në asnjë mënyrë, kurrë, jo!”, – deklaroi Kryeparlamentarja. Për zonjën Topalli, e vetmja gjë për të cilën shqetësohet zoti Rama është vetja e tij dhe puna e tij, duke nxjerrë në pah edhe individualitetin e tij për të qenë në krye të PS-së me çdo kusht. Jozefina Topalli, e cila tha se teksa mazhoranca punon, kryetari i PS sajon statistika të pavërteta. “Rama duhet të jetë shumë i lodhur në fund të ditës, pasi për çdo gjë i ka detyruar deputetët të votojnë vetëm kundër dhe të thonë vetëm jo”, – tha Kryetarja e Kuvendit. “Kam kaq vite dhe të tillë nuk kam parë asnjëherë një sallë kaq plot. Sot jemi aq shumë, më besimtarë se asnjëherë tjetër, sepse ne duam Shqipërinë dhe ju jepni besimin dhe ju do e realizoni”, – shtoi Topalli. “Nuk i tha jo për arsye morale, sidomos pas koalicionit të kartës së pazareve dhe as për arsye logjike. I tha jo, sepse personi i vetëm por të cilin shqetësohet është vetja dhe puna e tij. Rama tha jo, thjesht ka votuar kundër çdo ligji dhe reforme dhe buxheti, por në përgjithësi sulmon, arsimin, të rinjtë, pedagogët. Nuk ka nguruar të sulmojë gjithë sistemin arsimor, deri dje, të drejtën e arsimit mund të merrje jo vetëm se ishe më i zoti, por pasi partia e Edi Ramës vendoste nëse je i denjë për të vijuar shkollën e lartë. Ne nuk do i kthehemi këtyre ideve të dështuara që mbajtën peng rininë shqiptare, ne ecim para”, – u shpreh Topalli. Fjala e Kryeparlamentares u ndërpre nga mbërritja e Kryeministrit të vendit Sali Berisha, i cili u prit me brohoritje nga salla “Fitore! Fitore!” Një çështje në të cilën zonja Topalli vuri theksin gjatë fjalës së saj ishte edhe tema e analfabetizmit. Duke hedhur poshtë deklaratat e opozitës ajo u shpreh: “Por le t’i qëndrojmë për një moment shifrave të ‘rilindasve’ të tij. Nëse analfabetizmi në vitin 2005 paska qenë 5% kjo do të thotë se 5% e shqiptarëve nga 7 vjeç e lart – pra nga fëmijët 7-vjeçarë deri tek të moshuarit – duhet të kenë qenë afro 125 mijë vetë. Në vitin 2012, 15% analfabetë të moshës mbi 7 vjeç qenka bërë 375 mije vetë. Kujdes. Disa prej të moshuarve analfabetë në vitin 2005 duhet të kenë ndërruar jetë, ndërsa 7 vjeçarët analfabetë të vitit 2005 sot janë 14 vjeç. Që do të thotë se numri i analfabetëve në vitet 2006-2012 duhet të jetë shtuar me afro 300 mijë vetë dhe këto 300 mijë analfabetë shtesë janë veç nga 7-14 vjeç, të tjerët janë numëruar njëherë. Po a e dini se sa fëmijë të moshës 7-14 ka sot Shqipëria. Plot 300 mijë. Pra sipas këtij shokut dhe rilindasve të tij, çdo fëmijë 7-14 vjeç është analfabet. Prindër shqiptarë që keni fëmijë 7-14. Mësojeni sot nga rilindasi 2 m bashkë me taka, se fëmijët tuaj janë të gjithë analfabetë. Kjo është vetëm marrëzia e radhës e njeriut. Unë e di që ju fyheni e revoltoheni. Veç të tjerave ka edhe një të vërtetë. Ky ose ka marrë me hatër aritmetikën ose nuk ka asnjë turp kur sajon, ose të dyja bashkë. Mendoni tani se ç’është në gjendje të bëjë një njeri i këtillë me përgjegjësitë shtetërore”.

 

 

 

Bregu: Nëse do të kishim marrë statusin, më shumë studentë jashtë vendit

Në konventën e Partisë Demokratike për rininë, e cila u zhvillua pasditen e djeshme në Pallatin e Kongreseve, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se nëse do të kishim marrë statusin, do të kishim më shumë studentë që do të studionin jashtë dhe 76 milionë euro më shumë. ”Ju mbeteni prioriteti i Partisë Demokratike. Për më shumë shkolla, të drejta studimi universitare e pas universitare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për më shumë vende pune e mundësi biznesi”, – u shpreh zëdhënësja e qeverisë. Ajo tha se kontributi që BE-ja ka dhënë e vazhdon të japë për të rinjtë shqiptar është jo vetëm për rritjen e kapacitetit profesional por edhe në shtimin e mundësive të punësimit. ”Nëse do të kishim marrë statusin e vendit kandidat këto vende pune do të shtoheshin. Nëse do të kishim marrë statusin e vendit kandidat, fondet për shkollimin e punësimin tuaj do të ishin më të mëdha. Nëse vetëm për arsimin do të shkonin afro 30 milion euro më shumë në vit,do të kishim nga ju rreth 1800 studentë më shumë në vit, që do të kishin shansin të studionin në universitetet më të mira të botës”, – deklaroi Bregu. Ajo bëri të ditur se sot Shqipëria është asocuar në FP7 – programi i BE për kërkimin shkencor, që i ka krijuar universiteteve shqiptare mundësinë për t’u anëtarësuar në rrjete me universitete të vendeve të BE-së si dhe dhënie bursash për studentë shqiptarë në universitete evropiane. “Por nëse do të kishim marrë statusin, Shqipëria do të kishte përfituar dhe nga Fondi Social Evropian. Thënë më qartë do të kishim përfituar rreth 76 miliardë Euro më shumë. Me statusin Shqipëria do të kishte përfituar një sërë programesh të tjera shkëmbimi eksperiencash për studentë dhe mësues si Leonardo da Vinci: për shkollimin profesional apo Erasmus. Buxheti i alokuar për këto programe gjatë një periudhe gjashtë vjeçare shkon rreth13 miliardë euro”, – tha ministrja. Ajo shtoi se sot prej programeve e fondeve të Bashkimit Evropian kanë përfituar dhe organizatat e shoqërisë civile, që veprojnë në bashkëpunimet rajonale dhe ndërkombëtare,për rritjen e partneriteteve dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në programe komunitare dhe s’janë pak por plot 33 organizata përfituese. ”Ne jemi bashkë, me programet e së tashmes dhe vizionin e së ardhmes, më “Strategjinë Evropa 2020” që do të rrisë potencialet, kualifikimin dhe punësimin tuaj”, – përfundoi Bregu.

 

 

Takim mes strukturave të PD-së me emigrantët tanë në jug të Italisë

Këto ditë u organizuan disa takime me emigrantët tanë në jug të Italisë, konkretisht në Pulja. Në këto takime mori pjesë deputeti i PD-së, z. Tritan Shehu. Kështu u krijuan struktura të PD-së në zonat e Barit, Brindizit, Leçes, Altamurës e Galatinës. Në këto takime bashkatdhetarët tanë jo vetëm që shprehën përkrahjen për PD-në dhe besimin e tyre të thellë në fitoren e saj, por dhe u organizuan për të qenë aktivë për këtë fitore të 23 qershorit. Pjesëmarrësit në të gjitha këto takime u angazhuan në dy drejtime kryesore: që të influencojnë sa më shumë ne njerëzit e tyre që kanë në Shqipëri për të votuar për PD-në në zgjedhjet politike. Që të mobilizohen për të ardhur e votuar në Shqipëri më 23 qershor. Ata theksuan se pas refuzimit që i bëri z. Rama propozimit të Berishës për të krijuar mundësitë për të votuar pranë qendrave tona diplomatike jashtë vendit, kudo ku janë ato, ngel vetëm mundësia e ardhjes së tyre në Shqipëri për të votuar. Siç u theksua, kjo do të jetë një votë për PD-në, pikërisht për ta mbështetur atë dhe qeverinë Berisha në arritjet e këtyre viteve të fundit, nga njëra anë, apo dhe për të ndëshkuar z. Rama për të gjithë bllokimet e pengesat, që po i krijon vendit e shqiptarëve kudo ku ata janë. Pa dyshim nga të gjitha këto bllokime, si p.sh. nga bllokimi i marrjes së statusit kandidat të BE-së, nga mohimi i mundësisë për të votuar dhe jashtë territorit të Shqipërisë, nga kundërshtia që z. Rama i bëri uljes së moshës së votuesve etj, janë dëmtuar rënde interesat e të gjithë shqiptarëve, kudo ku janë ata, brenda apo jashtë vendit, u theksua në këto takime.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency