PD, PS dhe pronarët

0
214

Çelo Hoxha

 

pd psProna në Shqipëri është e shenjtë vetëm për ata që e kishin dikur dhe nuk e kanë më, por megjithatë vazhdojnë të përgatisin dokumente, të bëjnë gjyqe, të trokasin nëpër dyer zyrash, të organizohen politikisht, me shpresën se do ta rifitojnë një. Për pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare nuk mund ta them këtë gjë. Për një pjesë dashuria për pronën fillon me reformën agrare të vitit 1945. Për një pjesë fillon me reformën agrare të vitit 1991, që ndryshe quhet si ligji 7501. Për një pjesë fillon akoma më vonë, varet kur ata kanë rrethuar diku një copë tokë (e cila ka qenë e pambrojtur, por jo pa pronar) dhe mbi të kanë ndërtuar shtëpi, vilë, pallat, lokal apo fabrikë. Brenda këtyre grupeve gjenden dhe një numër njerëzish që pronën e kanë objekt talljeje, të cilët merren me politikë, por me përqendrim më të madh të PS-së, por jo ekskluzivisht aty.

Prona ka qenë problem që në fillimet e shtetit shqiptar. Pasi mbaruan konfliktet e jashtme, në sipërfaqe dolën konfliktet e brendshme: ata që s’kishin me ata që kishin. Fan Noli, pas rënies nga pushteti, deklaroi se duke premtuar se do të bënte reformën agrare u armiqësua me pronarët e tokës, kurse duke mos e bërë atë (kur erdhi në pushtet), u armiqësua ata që nuk kishin tokë. Për reformën agrare ishte folur gjatë në Shqipëri deri në 1945, edhe gjatë luftës, por asnjëherë nuk ishte bërë seriozisht. Pas lufte, komunistët e bënë ndryshe: ata grabitën tokën e pronat e tjera, vranë pronarët, ua dhanë ca kohë në përdorim atyre që s’kishin dhe pastaj e morën gjithçka nën kontrollin e tyre. Reforma e vërtetë agrare u bë në 1991, kur toka nuk iu kthye më pronarëve, por iu dha fshatarëve që jetonin në të. Një pjesë e këtyre fshatarëve morën tokë nga reforma agrare dhe pastaj zaptuan dhe në vende të tjera, si në zonat pranë qyteteve ose në bregdet. Pronarët ishin të pafuqishëm ta ndalonin reformën agrare ose abuzimet e tjera.

Tashmë prona është bërë objekt talljeje, saqë dhe Partia Socialiste kritikon të djathtën për çështjen e pronës dhe u bën thirrje pronarëve të votojnë për të në 23 qershor. Kjo meriton një shpjegim, pavarësisht për kë do të votojnë pronarët apo pavarësisht se ka ndonjë prej tyre që voton dhe për PS-në.

Pronarët e humbën pronën kur humbën pushtetin politik dhe do ta fitojnë atë kur të kenë pushtet politik. PS dhe PD nuk do të bëjnë më shumë seç kanë bërë për pronën, megjithëse ajo që ka bërë atë çfarë është bërë deri tani e ka bërë PD-ja. Fan Noli dhe Ahmet Zogu, kur ishin në pushtet, nuk e bënë reformën agrare sepse pronarët e tokës ishin politikisht shumë të fortë, jo s’e ata (Noli dhe Zogu) nuk e donin atë reformë. Ai që do të kishte bërë reformën agrare padyshim që do t’ua vështirësonte kundërshtarëve rrëzimin e vet nga pushteti. Edhe komunistët gjatë luftës deklaruan se nuk do ta preknin pronën dhe marrëdhëniet shoqërore sepse ato ishin koncepte shekullore të formuara në vetëdijen e qytetarëve dhe nuk mund të ndryshonin në mënyrë drastike, brenda natës.

Të shtunën e kaluar, në Berat, Edi Rama e sulmoi PD-në për çështjen e pronës. Sigurisht nuk tha se do t’ua kthejë atë pronarëve, por i kujtoi pronarët që ata nuk i kanë marrë pronat e tyre as nga PD-ja, për të cilën ata kanë votuar 20 vjet me radhë. Sa efekt do të ketë demagogjia nuk i dihet, po pronarët besoj që e kanë të qartë se gjithçka që ata rifituar nga prona e tyre e kanë rifituar vetëm nga vullneti politik i PD-së. Nëse nuk e kanë marrë të gjithë pronën, atëherë ky nuk është faji i PD, kjo tregon se ajo aq fuqi ka pasur për t’ia shkëputur nga thonjtë PS ose PPSH (është e njëjta gjë). PPSH (më vonë PS) nuk doli një ditë të bukur e tha se ajo do t’u kthente pronat pronarëve, por ishte PD-ja që e rrëzoi nga pushtetit dhe e detyroi të bënte lëshime e të hynte në kompromise. Pa PD kjo as që mund të mendohej më parë. Edhe PD nuk shkoi më tutje sepse atëherë gjithë fshatarët do të ktheheshin kundër saj politikisht, edhe ajo iu përshtat realitetit, por sigurisht, duke bërë llogaritë e saj politike, nuk mund të dëmtonte të ardhmen e saj për një pakicë njerëzish, sepse pronarët janë realisht një pakicë. E përveç kësaj, pronarët në këtë mes meritojnë dhe të paguajnë pasivitetin e tyre gjatë luftës, që nuk investuan, por shpresonin se do t’i blinin komunistët, siç mund të kishin bërë me pushtetarët e tjerë më herët. Komunistët, natyrisht, nuk ishin të pakorruptueshëm, ata i donin gjithëka dhe e zaptuan me grykën e pushkës. E tani, pasardhësit e tyre, janë po aq cinikë kur u kërkojnë pronarëve votën.

Pronarët duhet të shikojnë fuqinë e tyre politike si grupim, pastaj të përkrahin atë forcë politike që është më afër interesave të tyre dhe ka bërë më shumë për ta në këto 20 vjet, pastaj të shpresojnë se një ditë në Shqipëri sistemi drejtësisë do të përsoset në atë pikë sa t’i kthejë pronat, individualisht, rast pas rasti, bazuar në Kushtetutë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency