Përdori valium për vjedhje bie në pranga 31-vjeçari Tiranë, zbulohen 3 raste

0
236

Elton Qyno

caliumZbardhet skema që Florenc Burri përdorte për të vjedhur qytetarët

Taksistit i vodhi 900 mijë lekë, dy të moshuarve u mori pensionin

 

Grabitësit në Tiranë kanë ndryshuar strategji për mënyrën e vjedhjes së qytetarëve. Në periudhën kur policia pretendon se ka arritur të ulë numrin e vjedhjeve dhe grabitjeve në rrugë, një skemë e pazakontë është shpikur kohët e fundit, ku medikamenti farmaceutik valium ka zënë vendin e pistoletës për të grabitur qytetarët. 31-vjeçari Florenc Burri kishte zgjedhur një skemë, duke mos përdorur as pistoletën, por as thikën, për të vjedhur qytetarët e ndryshëm. Ai kishte preferuar që një veprim të tillë ta kryente, duke përdorur valiumin e tretur në pijet freskuese dhe ujë, duke bërë që më pas qytetarët, që në shumicën e rasteve kanë qenë të moshuar, t’i zinte gjumi. Sapo viktimat e tij binin në gjendje dalldie, Florenc Burri hidhej në aksion, duke u bërë një kontroll fizik personave, prej nga më pas u merrte sendet personale dhe paratë që kishin me vete. Pas këtij veprimi, Burri largohej në drejtim të paditur, duke lënë në gjumë personat që kishin arritur të pinin pijen freskuese, në të cilën ishte hedhur valiumi. Aktualisht komisariati nr. 2 ka arritur të zbulojë plot tri raste që kanë të njëjtën skemë dhe të arrestojë shtetasin e dyshuar si autor të këtij krimi. Burri është denoncuar nga tre qytetarë, ku sipas policisë së Tiranës, identifikimi i tij është bërë nga një picier, të cili i kishte dhënë një pije freskuese dhe më pas e kishte grabitur, pasi atë e kishte zënë gjumi.

Grabitja e dy pensionistëve

Nga hetimet e kryera është arritur të provohet se Florenc Burri ka kryer aktivitetin kriminal në një periudhë 6-mujore. Gjatë kësaj kohe mendohet se 31-vjeçari ka arritur të kryejë dhjetëra vjedhje, duke përdorur si armë të tijën stimuluesin e valiumit që e blinte gjithnjë në farmaci të ndryshme. Sipas uniformave blu, rasti i parë i dokumentuar daton në muajin shkurt dhe ka lidhje me dy të moshuar, të cilët pritnin në radhë për të marrë paratë e pensionit. 31-vjeçari ka qëndruar në radhë mes pensionistëve dhe aty i ka ftuar dy të moshuarit për të pirë diçka freskuese në lokal. Ftesa i është bërë pas marrjes së lekëve të pensionit, ku 31-vjeçari gjatë qëndrimit në radhë ka zënë me pensionistët muhabet, duke i pohuar se edhe ai po qëndronte në radhë për të marrë pensionin e së ëmës. Pasi dy të moshuarit kanë marrë lekët, ai i ka ftuar për një kafe, duke u thënë se e kishin të nevojshme, pasi kishin qëndruar gjatë në këmbë. Kërkesës së 31-vjeçarit Burri dy të moshuarit i janë përgjigjur pozitivisht dhe janë ulur në kafe. Sipas policisë, Florenc Burri ka shkuar vetë në banak dhe u ka ofruar pijet, të cilat, edhe pse të hapura, nuk kanë ngjallur dyshime tek të moshuarit. Menjëherë pas pijes ata kanë humbur ndjenjat dhe kur janë zgjuar, nuk kanë gjetur portofolat dhe sendet personale.

Valiumi në “Red Bull”

Rasti i dytë, sipas policisë së Tiranës, lidhet me një shofer taksie, të cilit Burri ka arritur t’i marrë shumën prej 900 mijë lekësh të vjetra si dhe sendet personale. Sërish “arma” në këtë ngjarje ka qenë valiumi, ndërkohë që “silenciatori” ka qenë një pije energjike, “Red Bull”. Ngjarja është regjistruar në muajin mars, kur taksisti që ushtronte aktivitet në zonën e stadiumit “Dinamo”, ka marrë me taksi shtetasin Florenc Burri. Pasi kanë bërë pak rrugë bashkë, 31-vjeçari i ka kërkuar të ndalë dhe të presin një person tjetër që do vinte me ta. Nga çanta ka nxjerrë një kanaçe “Red Bull” dhe e ka hapur. E ka ndërruar me një tjetër të hapur që mbante në çantë dhe që duhej të ishte e hapur dhe ia ka ofruar si qerasje shoferit, ndërsa ka pirë vetë tjetrën. Taksisti ka humbur ndjenjat dhe kur është përmendur, ka parë se i mungonin 90 mijë lekë të reja, ora e dorës, unaza, byzylyku dhe katër telefona.

Vjedhja e picierit

Rasti i fundit, ai që e zbuloi 31-vjeçarin Florenc Burri, ishte ai i një picieri, të cilit iu deshën 24 orë në spital për të dalë nga koma ku kishte rënë si pasojë e ilaçit për gjumë. Burri kishte shkuar në picerinë e tij dhe e kishte ftuar të shikonte një lokal për të punuar bashkë, të cilin pretendonte se e kishte në pronësi. Ndërsa ka ulur picierin në tavolinën jashtë lokalit që do të shikonin ka dalë me dy pije freskuese të hapura, të cilat i kishte marrë në banak. Picierit i ka shpëtuar momenti kur i ka hedhur substancën e gjumit dhe kur është përmendur në spital, ka kuptuar skemën e pazakontë të vjedhjes.

 

Luan Koka, rëndë në Spitalin Ushtarak

“Hasmët” e biznesmenit, në polici

“S’jemi autorët e plagosjes së Kokës”

Vazhdojnë të mbeten mister shkaqet dhe autori i atentatit mafioz të kryer ndaj biznesmenit të betonit Luan Koka. Policia e Tiranës dhe prokuroria kanë kryer hetime në disa drejtime, por në fakt gjithçka ka qenë pa rezultat. Në kushtet e mospasjes së ndonjë prove konkrete, policia e Tiranës duket se është dorëzuar për zbardhjen e identitetit të autorit të krimit, duke pohuar jozyrtarisht se vrasja mund të jetë kryer nga persona të paguar. Pavarësisht nga kjo, gjatë ditës së djeshme në policinë e Tiranës, janë pyetur disa persona, të cilët kanë pasur konflikte me shtetasin Luan Koka, që është drejtori i kompanisë “Shkodra Beton”. Pikërisht personat e pyetur janë individë, që kanë pasur konflikte me Kokën, gjatë viteve 1999 deri në 2000, por që sipas dëshmisë së tyre, gjithçka mes fisit të Kokës nga Berati i kanë sheshuar. “Hasmët” e Luan Kokës kanë rrëfyer se nuk janë ata autorë apo organizatorë të plagosjes me armë, duke i lënë policisë së Tiranës barrën e gjetjes së provave materiale, me qëllim zbulimin e autorit të krimit. Që prej tri ditësh, Luan Koka vazhdon të qëndrojë në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ku pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale, sërish shëndeti i tij ka qenë në gjendje të rëndë, për shkak të marrjes në trup të katër plumbave. Sipas bluzave të bardha, në Spitalin Ushtarak, një plumb Luan Koka e ka në afërsi të shtyllës kurrizore, i cili ende nuk i është hequr nga trupi. Pritet që pas përmirësimit të gjendjes së biznesmenit Koka, sërish ai t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, me qëllim heqjen e plumbit. Vetë familjarët nuk kanë qenë në gjendje të japin një emër konkret të personit që qëlloi mbi Luan Kokën, ndërkohë që para se të qëllohej, ky i fundit ka qenë nën shoqërinë e fëmijëve të tij, të cilët ishin larguar pak minuta më parë nga ndodhja e krimit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency