Si gjithmonë bojkoti

0
134

bojkotiEdhe një herë, përballemi me përplasje konceptesh ligjore, brenda Kodit Zgjedhor, për sa i përket KQZ-së. Ky Kod Zgjedhor, edhe pse është produkt i një marrëveshjeje politike, të sanksionuar në ligj, pafundësisht hap probleme dhe përplasje palësh. Me sa duket, për hir të marrëveshjeve apo ekuilibrave politikë, shumë shpesh po ndodh që preket cilësia e kodeve dhe e ligjeve. Kundërshtarët mezi arrijnë të hyjnë në një marrëveshje, secili lufton të sanksionojë interesin e tij, kjo duke reflektuar në cilësinë apo produktin e përfituar. Ligji, gjithmonë për pakujdesi apo për një djallëzi të ligjvënësve, ka deriçkën e tij nga ku mund të dalin apo të hyjnë të gjitha palët ndërgjyqës. Në këtë rast, të gjithë gjejnë një nen për të mbrojtur tezën e tyre që u intereson. Me këtë kod, si gjithmonë evaziv, detyrimisht kërkohet përgjegjshmëri politike, që më pas të rritet besueshmëria e elektoratit, ashtu siç po kërkohet nga faktori ndërkombëtar.

Në fakt, në Evropë apo Amerikë, institucionet zgjedhore janë krejt të pavarura, prandaj edhe ndërkombëtarët reagojnë fort ndaj një realiteti, që nuk është i tyri. Në Shqipëri, mbas përpjekjesh ekstreme, është arritur deri në paanshmëri, kurrë deri në pavarësi, të institucionit kryesor zgjedhor. Eksperti zgjedhor i PD-së, Oerd Bylykbashi deklaroi, në një emision televiziv, që juristët kanë propozuar ide për një KQZ apolitike, të pavarur, por ishin vetë parlamentarët që kërkonin kontroll, në këtë institucion. Duke parë këmbënguljen e politikës, për të qenë e pranishme sa më shumë, u realizua një marrëveshje mes palësh, për një balancë të forcave kundërshtare, ku anëtarët në komision, do të ishin të barabartë, tre me tre.

Për sa kohë është pjesë e ekuilibrit politik, mazhorancë-opozitë, nuk mund të prishet rrugës. Një anëtar komisioni, i zgjedhur nga politika, sa garanton, që në hapat e mëtejshëm do të shndërrohet, në njeri apolitik? Kur ky njeri, i propozuar nga grupimet politike dhe i firmosur, po nga ata, si do të shndërrohet në një individ të pavarur, gjatë rrugës? Që të ndodhë kështu, duhet të jetë, që në fillesë i tillë. Mund të hidhen shumë idera të reja, për këtë tezë. Ta zgjedhë shoqëria civile, të kandidojë në mënyrë të pavarur, të shndërrohet KQZ-ja, në një institucion krejt të pavarur nga politika, siç edhe mund e duhet të jetë. Por, që të përzgjidhet nga politika, më pas të purifikohet nga politika duke i bërë gjilpërën antipolitike, ky mund të jetë realiteti futurist shqiptar, por kurrsesi i sotmi.

Si mundet një KQZ politike në fillesë të shndërrohet apolitike në mbaresë? Por si ta quajmë Ilirjan Celibashin, i cili ka qenë zv.ministër në qeverinë socialiste, u zgjodh kryetar i KQZ-së, ndërsa sot është kandidat për deputet i PS-së. Fatos Klosi, ish-kryetar i KQZ-së, figurë e angazhuar totalisht në PS dhe më pas në LSI. Arben Ristani, mbas mandatit si kryetar i KQZ-së është emëruar zv.ministër i Brendshëm. Qeveritë shqiptare kanë në përbërje njerëz politikë dhe jo teknicienë si p.sh. në Gjermani.

Jurisprudenca është çështje interpretimi, nuk është shkencë e saktë, ndërsa politika është gjithashtu jo e sakte, por çështje marrëveshjesh. Politika dhe jurisprudenca ndahen, pikërisht këtu. Në Shqipëri, kur na intereson diçka, i referohemi marrëveshjes politike dhe kur nuk na intereson diçka tjetër, i referohemi ligjit, aq më tepër një ligji, që kurrë nuk ka rezultuar i saktë dhe historikisht ka prodhuar përplasje.

Kodi Zgjedhor, si gjithmonë manifeston pasaktësi, evidente në çdo zgjedhje, ku më pas duhet të bëhen ndërhyrje për ta ndryshuar, modifikuar, sepse nuk kishte parashikuar. Edhe kësaj radhe, ka parashikuar një aleancë në fillim mandati të një qeverie, por nuk ka parashikuar fundin e kësaj aleance, apo prishjen e krejt të ekuilibrave politike (që edhe kjo është përsëri e diskutueshme, pasi mundet që një forcë t’i fitojë e vetme zgjedhjet, në këtë rast si do të zgjidhej anëtari i pestë? Përse nuk parashikohet edhe kjo?).

Shpesh, është diskutuar që nuk ka ligj të keq, apo të mirë por, ka zbatim të saj të mirë, a të keq. Në Shqipëri, shumë shpesh, po hasim ligje, apo kode të “këqija”, me pasaktësi të cilat hapin probleme serioze. Problemet bëhen të pakapërcyeshme, sidomos kur preken interesat politike. Në këtë moment, ligji bëhet i padeshifrueshëm. E çuditshmja është që, si kodi zgjedhor, ka edhe shumë kode të tjera, që kanë pasaktësi, apo paqartësi, por askush nuk bërtet kaq shumë.

Sot, në kohët moderne, politika është shndërruar në artin e fleksibilitetit, apo spërdredhjes, hedhjeve për së gjeri e për së gjati. Dhe mbase kështu, është mirë, pasi palët detyrohen, apo imponohen të dialogojnë apo të bashkëpunojnë edhe me më kundërshtarin.

Në Itali, ka ndodhur që brenda një palë zgjedhjesh, një lider politik centrist, si Pier Ferdinando Casini, për një zonë zgjedhore është bërë aleat me një forcë politike, ndërsa në një zonë tjetër me palën kundërshtare. Si do të përzgjidhej një anëtar në këtë rast?? Cila është pozita dhe opozita, në këtë rast? Anëtari i përzgjedhur nga forca politike e Casinit, cilës forcë politike do t’i përkiste? Mund të ndodhë shumë shpejt ky fenomen, edhe në Shqipëri. Do kishte pak analogji, nëse LSI do qëndronte në aleancë me PD-në, në pushtetin vendor, ashtu siç pati deklaruar fillimisht. Anëtari i LSI-së, do të ishte pozitë, apo opozitë? Detyrimisht ligji, në qoftë se parashikon krijimin e një aleance, duhet të parashikojë edhe prishjen e saj.

Ajo që ligji nuk parashikon janë edhe politikat ekstreme. Në momentet që Rama po këshillohej, të ndiqte politika të besueshme, apo sjellje politike të besueshme dhe kur fasadat vizuale, mbase po fillonin të gënjenin elektoratin për ndryshim, rishfaqet sjellja politike atavike, bojkoti. Këto ditë kemi dëgjuar shpesh politikanë dhe analistë, të të gjitha krahëve, që të flasin mbi diversion të qeverisë në KQZ, dhunim i hapur i institucioneve, apo mbrojtje e balancave në to. Por, në asnjë rast nuk kemi dëgjuar, qoftë edhe një të mundshëm të thotë, se si do të zgjidheshin problemet në KQZ, në rast se shumica, madje dërmuese do t’i përkiste opozitës dhe në këtë mënyrë, vertikalisht, edhe në të gjitha komisionet e vogla zgjedhore. Përgjegjësia për zhvillimin e zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e procesit, është e shumicës në pushtet, dhe jo e shumicës në opozitë, që vetëm përgjegjësi nuk ka dhe nuk dëshiron të marrë.

LSI-ja, që në fillesë të aleancës me Berishën, deklaroi që do bashkëpunonte me krahun e djathtë, për hir të stabilitetit qeverisës, e cila do ishte gur themeli për integrimin evropian. Edhe sot, në aleancën e re me Ramën, justifikim ka integrimin evropian. Mirëpo, aleati aktual i LSI-së, iu rikthye një atavizmi politik, siç është bojkoti i institucioneve, jashtë dialogut. Largimi i dy anëtarëve të KQZ-së, paralizon punën për përgatitjen e zgjedhjeve dhe i rrezikon ato, pikërisht ndërsa vlerësohen kushtin kryesor për integrimin. Për hir të integrimit, a do ta mbështesë Ilir Meta, bojkotin? Mos vallë do të bëjë ndonjë përpjekje, që të ndikojë tek aleati, për këtë hap të gabuar, që ai të mos i kthehet institucionit të bojkotit, që përkthehet, politikë ekstreme.

Një gjë është e qartë, që me kode e me ligje, deri më tash, politika nuk i ka zgjidhur problemet e saj, por vetëm me ulje në tavolinë dhe me marrëveshje. Marrëveshja, megjithëse politike, mbi të gjitha, është një ekuilibër politik. Për sa kohë, të gjitha institucionet e shtetit dhe institucionet zgjedhore, ku sigurisht këtu përfshihet edhe KQZ-ja, pasqyrojnë raportet pushtet-opozitë, nuk mundet që ky raport, të prishet në një hallkë dhe të përmbysë humbësin, për ta shndërruar në fitues.

Në qoftë se do të ishte kështu, do të kishte rënë qeveria, gjë që nuk ndodhi. Ashtu siç u prish aleanca PD-LSI, ashtu u prishën edhe ekuilibrat brenda humbësve, duke e lënë, në po atë pozitë, ose më saktë, në opozitë. Nuk mundet, që në të gjitha nivelet, të jesh humbës dhe në një nivel, që është kryesor, të jesh fitues. Ndryshe, në qoftë se KQZ-ja do të ishte formuar me teknicienë.

Realiteti shqiptar është predominimi i politikës, në çdo hallkë mundësisht. Të gjithë pra, janë dakord që ky institucion duhet apolitik, që nga shoqëria civile, juristët, apo ndërkombëtarët, për një perceptim institucioni të pavarur, por ja që nuk na qenka dakord politika. Meraku i ndërkombëtarëve duket të jetë perceptimi tek votuesit, për një institucion të pavarur. Mirëpo, kaq nuk mjafton, pasi duhet të jetë i pavarur realisht, jo të perceptohet si i tillë.

Kur dëgjon debatet, duket sikur konkurrenca vihet në balancën, politika, apo ligji. Demokracia tejet e brishtë në Shqipëri, me një kulturë të paktë të saj, reflektohet direkt, në ligje, apo kode, e cila evidentohet më dhunshëm se kurrë sidomos kur preken interesat e politikës. Aty ku preken interesat e qytetarëve nuk dalin problemet kaq evidente.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency