Bashkohen PS dhe LSI: Shkarkim kreut të këshillit, Kosovrasti: Nuk jam njohur me kërkesën

0
135

Blerta Mrishaj

keshilliKëshilltarët e majtë dorëzojnë në bashki kërkesën për shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak Tiranë Niazi Kosovrasti

 

 

Brenda 24 orëve nga shkarkimi nga detyra i anëtarit të KQZ-së Ilirian Muho, Lëvizja Socialiste për Integrim merr hak duke deklaruar publikisht kalimin në koalicion me Partinë Socialiste në çdo këshill bashkiak. Në të njëjtën kohë po dje kanë dorëzuar në Bashkinë e Tiranës kërkesën për shkarkimin e kreut të këshillit, Niazi Kosovrasti. Kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, tha se i vetmi motivacion është ndryshimi i shumicës në këshill dhe si rrjedhim, duan edhe drejtimin. Pas deklaratave të këshilltarëve të majtë, për “Standard” kryetari i Këshillit Bashkiak, Niazi Kosovrasti, u shpreh se ende nuk është njohur me kërkesën, teksa deklaroi se për sa kohë jetojmë në demokraci, mund të ketë edhe kërkesa të tilla. Ndërkohë, nëse do të ketë shkarkim të tij, kjo mund të ndodhë, pasi mund të bëhet fjalë për një mazhorancë.

Vendimi

Pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura, këshilltarët e PS-së me ata të LSI-së vendosën të bashkonin votat në çdo këshill bashkiak të vendit, me qëllim balancimin e pushtetit vendor. Në një konferencë për mediat, dy kryetarët e grupeve të këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së, Aldrin Dalipi dhe Shezai Rrokaj, konfirmuan kërkesën për shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak, Niazi Kosovrasti. Mbledhja e këshilltarëve të PS-së me ata të LSI-së është e para që pas krijimit të koalicionit parazgjedhor PS-LSI. Mbledhje të ngjashme do të zhvillohen në të gjitha njësitë ku ka këshilltarë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe dy përfaqësuesit e PS-së dhe LSI-së, përkatësisht Saimir Tahiri dhe Ylli Manjani, nëpërmjet daljeve publike sqaruan aksionin e ri politik të opozitës për të bashkuar votat në këshillat vendorë. Kryetari i grupit të këshilltarëve të Lëvizjës Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak, Shezai Rrokaj, bëri me dije se vendimi i djeshëm është qëndrim politik i së majtës, në mbrojtje të votës së lirë. “Ky është qëndrim politik, që erdhi pas seancës maratonë ku u sulmua një institucion që ne e quajmë të shenjtë, pasi është institucioni i votës së lirë. Ne mendojmë se pushteti lokal ka një prioritet, që është mbrojtja e votës së lirë, që do thotë bashkimi i energjive në mbrojtje të votës së lirë. Në radhë të parë krijojmë një mazhorancë të natyrshme dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë për hapat e mëtejshëm. Në vazhdimësi të kësaj do ketë veprime të tjera. Ne do japim shembullin e qartë se jemi me ligjin”, – theksoi Rrokaj. Kreu i këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, njoftoi se pas mbledhjes së këshilltarëve të LSI-së dhe PS-së u vendos bashkimi i votës së tyre në çdo këshill bashkiak të vendit. Dalipi bëri me dije se dje i është dorëzuar kërkesa Këshillit Bashkiak për shkarkimin e kryetarit Niazi Kosovrasti. “Sapo përfunduam takimin e grupeve të këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së. Ju i keni ndjekur zhvillimet politike dhe që dje në Parlament u bë goditje e rëndë ndaj institucionit që garanton zgjedhjet. Në këtë pikëpamje, marrëveshja dhe koalicioni i ri nga sot kalon në bashkëpunim edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës. E majta do jetë forcë dominuese në Këshillin Bashkiak për të garantuar se vota e tyre do të jetë e garantuar për shkak të një shumice që do të vërë në radhë të parë interesin qytetar dhe një votë të dominuar nga interesi i demokracisë. Kjo është nisja dhe do t’i japim rrugë në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. Ne sot, grupet e këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së, sapo firmosëm kërkesën që do t’i drejtohet Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, për të marrë drejtimin e Këshillit Bashkiak në interes të vlerave”, – tha Dalipi. Ai theksoi se shkarkimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak Niazi Kosovrasti motivohet me ndryshimin e numrave pas bashkimit të LSI-së me PS-në, të cilat bëhen shumicë. “Motivet e shkarkimit janë të dukshme. Ju i keni ndjekur kur ne e kemi shprehur pikëpamjen tonë për shkelje të ligjit. Por kur ndryshon shumica në Këshillin Bashkiak, ndryshon edhe drejtimi, ne jemi shumica”, – tha Dalipi. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, në një prononcim për mediat, bëri me dije se PS dhe LSI do të bashkojnë votat në të gjithë këshillat bashkiakë. Tahiri tha se ky hap ka si qëllim kthimin e legjitimitetit demokratik të pushtetit vendor, sidomos pas uzurpimit të paligjshëm të KQZ-së. “Pas asaj që bëri Saliu dje me uzurpimin e paligjshëm të KQZ-së, ne kemi detyrë të rikthejmë legjitimitetin demokratik të çdo trupe kolegjiale dhe këtu, duke filluar më së pari nga Bashkia e Tiranës dhe më pas në çdo njësi tjetër vendore, që pushteti vendor nga njëra anë të mos kthehet në bunkerin e fundit të pushtetit të degraduar dhe ilegjitim të Sali Berishës, dhe nga ana tjetër, për ta kthyer pushtetin vendor në një kordon sanitar për të garantuar legjitimitetin demokratik të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të votës së qytetarëve shqiptarë. Mbledhja e sotme (e djeshme) do të thërrasë në mënyrë urgjente Këshillin Bashkiak të Tiranës për të shkarkuar kryetarin e aktual të Këshillit Bashkiak të Tiranës”, – tha Tahiri.

Ndryshimi

Zyrtarisht, në Këshillin Bashkiak janë 55 anëtarë, prej të cilëve Partia Demokratike ka 19 anëtarë, LSI 5 anëtarë dhe partitë e vogla 4 anëtarë, ku në total Aleanca për Qytetarin, deri më tani, kryesonte mazhorancën me 28 anëtarë. Partia Socialiste në këshill ka 25 anëtarë, dhe dy partitë e vogla të majta kanë nga një anëtar secila, ku në total janë 27 anëtarë. Deri më tani koalicioni i djathtë siguronte mazhorancën në këshill dhe votimet e deritanishme kanë qenë më shumicë votash, mirëpo me ndryshimin e situatës politike, edhe në këshill ka ndryshime, ku LSI do t’i bashkojë votat me PS-së, duke prishur kështu mazhorancën. Tani në Këshillin Bashkiak të Tiranës mazhorancën e kryeson Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency