Ankesat Avokatët kryesisht denoncojnë: Nuk paguhemi nga gjykatat prej dy vitesh

0
153

Sonja Caka

avokatetFinanca: Nuk ka para, buxheti i pamjaftueshëm. Avokatët: Jemi të fyer, u jemi përgjigjur gjykatave sa herë na kanë thirrur

 

Avokatët kryesisht denoncojnë se prej afro 2 vjetësh nuk kanë marrë pagesat nga gjykatat dhe organet e akuzës në kryeqytet. Nuk janë pak por 89 avokatë kryesisht, të caktuar nga Dhoma e Avokatisë Tiranë si përfaqësues ligjor kryesisht, të cilët prej afro dy vjetësh nuk kanë marrë pagesat nga gjykata. Shuma e papaguar arrin në shifrën e 3 milion lekëve, ndërkohë që burime nga zyra e financës pranë Gjykatës së Tiranës u shprehen se ky është një problem i akumuluar prej vitesh. Madje, sipas të njëjtave burime, pagesa e vitit 2011 për avokatët kryesisht u bë nga buxheti i këtij viti, ndërsa pritet që pagesa për vitin 2012 të bëhet nga buxheti i vitit të vjen. Pra, pavarësisht se avokatët kryesisht tregohen korrekt sa herë që gjykata i thërret nëpër procese, ata vazhdojnë të paraqiten në çdo seanca, të paguajnë taksa, por të mos paguhen prej dy vjetësh. Burime nga gjykata bënë me dije se buxheti i caktuar nga shteti për pagesën e avokatëve kryesisht nuk është i mjaftueshëm.

Reagimi

Drejtues të gjykatës bëjnë me dije se një pjesë e parave të caktuara në buxhet për avokatët janë përdorur për shpenzime të tjera brenda gjyqësorit, si blerja e letrës dhe bojës që përdoret për zbardhjen e vendimeve. Por, edhe vetë avokatët e prekur nga ky problem janë shprehur të fyer nga trajtimi që i bëhet dhe mosmarrja e pagesës prej Gjykatave të Shkallëve të Para dhe Apele, si në ato të zakonshme, ashtu dhe te Krimet e Rënda. Avokatët ngrenë edhe probleme të tjera që lidhen me pagesën për një seancë gjyqësore. Kjo pagesë me ligj është caktuar 5 deri në 10 mije lekë, por në gjykatë në shumicën e rasteve bëhet në bazë të preferencave të gjyqtarëve apo dhe në bazë të çështjeve. Ndërkohë që edhe selektimi i avokatëve kryesisht nuk bëhet nëpërmjet shortit elektronik, por me telefon nga kryesuesit e seancës. Sipas disa prej avokatëve të pyetur, vetëm me njërin prej tyre gjykata ishte në borxh në shumën e 500 mijë lekëve të reja, ndërsa një tjetër avokate bën me dije se i duhet të marrë nga gjykatat shumën prej 300 mijë lekësh të reja. Ndërkohë, avokatët bëjnë me dije se më ndryshe paraqitet gjendja në organet e akuzës, të cilat deri tani kanë bërë disa nga pagesat.

 

Krimet e Rënda

Dajti, akuza për njëanshmëri të gjykatës, shtyhet sërish gjyqi

Gjykata Krimeve të Rënda ka caktuar sërish avokatin Sokol Mëngjesi dje për të kryer mbrojtjen e të pandehurit Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve në Durrës, në gusht të vitit 2009. Ndërkohë që, sërish dje i pandehuri Dajti ka braktisur sallën e gjyqit, për shkak të mungesës së një avokati mbrojtës, ndërsa nuk ka pranuar vijimin e gjykimit pa avokat. Në seancën e zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, Dajti e konsideroi trupën gjyqësore të paaftë, të njëanshme dhe penguese për një proces të rregullt ligjor. Ai e argumentoi kërkesën e tij me faktin se gjykata nuk po zhvillon seancat dhe nuk pranon të gjykohet pa një avokat mbrojtës. Por kërkesa e tij, e shqyrtuar nga një gjykatës tjetër, u hodh poshtë dhe ai do të vazhdojë të gjykohet nga e njëjta trupë gjyqësore. Për zhvillimin e proceseve trupi gjykues ka vënë në dijeni përmes një shkrese edhe Ministrinë e Drejtësisë, KLD, si edhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Mungesa e avokatëve mbrojtës është bërë shkak për shtyrjen e seancave të mëparshme, gjë që ka shkaktuar dhe përplasje mes Krimeve të Rënda dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Seminari

Arvizu: Drejtësia për qytetarët të jetë e barabartë

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë një seminari me studentët e Shkollës së Magjistraturës, u kërkoi që të drejtësia për qytetarët të jetë e barabartë. Ambasadori Arvizu në fjalën e tij udhëzoi prokurorët dhe gjyqtarët e ardhshëm të ndjekin shembullin amerikan të dhënies së drejtësisë. Sipas tij, drejtësia duhet të jetë e barabartë për çdo qytetar, siç ndodh në SHBA, ku si senatori, shoferi i kamionit apo një shtëpiake i paguajnë detyrimet të barabarta para ligjit. “Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka rëndësi nëse je senator, nëse je shofer kamioni apo shtëpiake, nëse e kalon cakun do të marrësh penalitetin për këtë. Kjo lidhet me një prokuror të mirë, me një gjyqtar të mirë, pra do të vuash pasojat e asaj që ke bërë. Ne flasim gjithnjë për shtetin ligjor, për sistemin ligjor, pas pak kohësh na mësohen veshët dhe na tingëllon si fjalë. Duhet ta kuptojmë që shteti ligjor është një sistem dhe në SHBA nëse kapesh, atëherë do të paguash për atë që ke bërë”, – u shpreh Arvizu. Ambasadori u kujtoi studentëve rastin e vrasjes së 25-vjeçares amerikane në Afganistan pak ditë më parë, për t’u dhënë mesazhin prokurorëve dhe gjyqtarëve të ardhshëm se duhet të jenë të vetëdijshme për zgjedhjen dhe përgjegjësinë që kanë për të ushtruar drejt detyrën e tyre. “Ju kërkoj të kujtoni këtë gjë që unë shpreha dhe ju thashë, dy gjëra; së pari unë bëra zgjidhjen time, dhe së dyti, unë mund të sjell ndryshim”, – tha Arvizu.

Gjykatë

Shtatë shqiptarët e arrestuar, në pritje të ekstradimit

Shtatë shqiptarët e arrestuar disa ditë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë në pritje të ekstradimit. Gjykata i ka lënë kohë 40 ditë Prokurorisë të paraqesë dokumentacionin e plotësuar për të vendosur mbi fatin e 8 të arrestuarve, nëse do të pranohet apo jo dërgimi i tyre drejt shtetit fqinj të Italisë për t’u përballur me drejtësinë për akuzën e drogës. Me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata e Elbasanit, Tiranës dhe Vlorës i cilësoi të ligjshme arrestet në flagrancë të 7 të dyshuarve të arrestuar pak ditë më parë në bashkëpunim me “Eurojustin dhe Europolin”. Ndaj tyre, gjykatat caktuan masat e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditor. Asnjë nga të dyshuarit si bashkëpunëtor të “trafikut ndërkombëtar të drogës” nuk ka pranuar akuzat, duke I cilësuar si shpifje të autoriteteve të drejtësisë italiane. Në pritje të kërkesës për ekstradim nga autoritetet italiane, gjykata izoloi në qeli të arrestuarit: Festim Hoxha, Sokol Tafani, Besnik Lleshi, Altin Poda alias Rinor Hajdari, Brunild Ramaj, Rezart Jaho dhe Tigert Allko alias Florin Arseni. Në kuadër të këtij operacioni, policia ka arrestuar edhe disa shqiptare të tjerë në Belgjikë, Francë, Zvicer, Holande, Spanjë dhe Itali. Operacioni policor është shtrirë në disa qytete: Belsh, Durrës, Vlorë, Librazhd, Elbasan dhe Tiranë, pasi pikërisht në këto vende ndodheshin anëtarët e një celule të krimit të organizuar, që ka shpërndarë në vite të ndryshme lëndë narkotike kokainë dhe heroinë nga Holanda në drejtim të Italisë, Francës, Zvicrës dhe Belgjikës. Hetimet ndaj kësaj bande janë kryer për disa vite me radhë nga prokuroria italiane, ndërkohë që në bashkëpunim edhe me strukturat e “Eurojust”, hetimet janë koordinuar në disa shtete, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency