Përgatiti Altin Vorpsi
Pas takimit të parë që u mbyll në shifrat e bardha, 0-0, Dortmundi mundi mbrëmë Malagën, 3-2. Po më ketë rezultat Reali u mposht në Turqi nga Gallata që nuk ia doli të kualifikohej pasi ishte mundur në Spanjë, 3-0
Ajo që ndodhi mbrëmë në “Westfalenstadion” është historia e Champions-it më e bukur për t’iu treguar nipërve… sigurisht pas finales dramatike të 26 majit të 1999 kur Mançester Junaitidi mundi Bajernin e Mynihut me dy gola të shënuar në minutat shtesë. 14 vite më pas rolin e Sheringamit dhe Solskjærit e bën Marko Rojs dhe Felipe Santana. Këtu dy të fundit kthyen përmbys një ndeshje që u vendos në minutën e 90 dhe atë 93’.
Në limit të perfeksionit
Ajo e mbrëmshmja ishte një Malagë në limitet e perfeksionit. “El Ingeniero” Manuel Pelegrini komandoi me meritë një skuadër që deri në minutën e fundit të kohës së rregullt udhëhiqte ndeshjen me rezultatin e ngushtë 2-1. Ndryshe nga Malaga (ishte për herë të parë në një fazë të tillë të Ligës së Kampiopneve), tekniku kilen kishte provuar shijen e suksesit edhe më parë duke dërguar Vijarelin në gjysëmfinale të Ligës së Kampioneve në edicionin 2005/2006.
Thyhet magjia
Magjia u thye pas minutës së 90’ kur në dy sulme të krijuara nga shumë lojtarë, Borusia e Dortmundit arriti që të kthejë takimin. Ishin Marko Rojs dhe Felipe Sanatana ato që i dhanë suksesit kësaj skuadre. Në këtë ndeshje shumë keq bën edhe arbitrat. Në fillim Elizeu dhe më pas Sanatana shënuan dy gola që nuk duhet të akordoheshin pasi lojtarët në fjalë ishin në pozicion të parregullt.
Kronika
E para kaloi në avantazh skuadra spanjolle. Ishte Hoakin që në minutën e 25’ mundi Vajdenfelin me një goditje të bukur nga jashtë zonës. Ndërkohë që për të shënuar golin e barazimit vendasve iu deshën mjaft minuta. Robert Levandovski ekuilibroi gjithçka pesë minuta para se të mbaronte fraksioni i parë i ndeshjes.
“Zonja e vjetër ” nuk e ka përmbysur kurrë rezultatin 2-0
Për të eliminuar Bajernin nga Europa, Juventusit i duhet të bëjë atë qëse ka bërë kurrë më parë: të rikuperojë humbjen 2-0 me një fitore me 3 gola diferencë në rast se gjermanët shënojnë në “Juventus Stadium”, ekzaktësisht siç bënte në fazën e 1/8-ave Barcelona ndaj Milanit. Është një arritje shumë e vështirë, duke marrë parasysh forcën e Bajernit. Historia e “Zonjës së Vjetër” nuk është shkruar mbi përmbysje të mëdha. Në të gjithë garat ndërkombëtare bardhezinjtë kanë arritur t’ia dalin 10 herë, 2 herë kundër një skuadre gjermane dhe statistikisht kanë përmbysur një herë çdo dekadë që prej vitit 1973. E fundit është përmbysja në 1/8-at e sezonit 2004/05 kur mundeshin 1-0 në “Bernabeu” nga Reali, por në “Delle Alpi” fitonin 2-0 pas shtesës, me gola të Trezegesë 75’ dhe Zalajetës 116’. Por në historinë e saj Juventusi nuk ka arritur kurrë të opërmbysë një rezultat 2-0 në ndeshjen e kthimit. Kush e di, ndoshta do të jetë hera e parë sot? Po të lëmë jashtë përmbysjen në Kupën e Panaireve, e cila zyrtarisht është e regjistruar si përmbysja e parë e kampionëve të Italisë në sezonit 1964-65 (eliminonin Atletikon e Madridit), përmbysja e vërtetë e parë e tyre është ajo në çerekfinalen e Kupës së Kampioneve (1967-68) kur përballë djemve të Heriberto Herrerës ishin gjermanët e Eintraht Braunshvajgut. Ndeshja e vajtjes në Gjermani përfundonte 3-2 për vendësit, ndërsa në Torino mjaftonte Magnuson nga penalltia për t’i eliminuar. 10 përmbysjet e Juventusit janë epike, dhe në tre rastet e fundit viktima ka qenë Reali në Champions. Të fundit e përmendëm, ndërsa dy të tjerat janë ajo e çerekfinaleve 1995/96 (1-0 në “Bernabeu” dhe 2-0 në “Delle Alpi”). Por e paharrueshme është edhe gjysmëfinalja e 2002-03 (2-1 në Madrid dhe 3-1 në Torino).
Përmbysjet e Juventusit në Europë
Sezoni Kompeticioni Vajtje Kthim
1964-65 Kupa e Panaireve Atl.Madrid-Juve 3-1 Juve-Atl.Madrid 3-1
1967-68 Kupa e Kampioneve E.Braunshvajg-Juve 3-2 Juve-Braunshvajg 1-0
1972-73 Kupa e Kampioneve Marsejë-Juve 1-0 Juve-Marsejë 3-0
1974-75 Kupa UEFA Forverts Laipcig-Juve 2-1 Juve-Forverts Laipcig 3-0
1975-76 Kupa e Kampioneve CSKA Sofje-Juve 2-1 Juve-CSKA Sofje 2-0
1981-82 Kupa e Kampioneve Sëlltik-Juve 1-0 Juve-Sëlltik 2-0
1992-93 Kupa UEFA Benfika-Juve 2-1 Juve-Benfika 3-0
1995-96 Champions R.Madrid-Juve 1-0 Juve-R.Madrid 2-0
2002-03 Champions R.Madrid-Juve 2-1 Juve-R.Madrid 3-1
2004-05 Champions R.Madrid-Juve 1-0 Juve-R.Madrid 2-0
Juve-Bajern
Hejnkes: Nuk ka përfunduar asgjë
Jup Hejnkes mendon se Bajerni i Mynihut nuk e ka të sigurt kualifikimin për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve edhe pse rezultati 2-0 i ndeshjes së parë ndaj Juventusit është shumë i favorshëm për gjermanët. “Nuk është një ndeshje e përfunduar, kualifikimi mbetet i hapur. Ata do të jenë shumë të motivuar dhe ne nuk duhet t’i japim shpresa. Nuk duhet të pësojmë gol”, theksoi “Don” Jup në konferencën për shtyp para ndeshjes. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se bavarezët do të luajnë në mbrojtje. Hejnkes shtoi: “Nuk do të dalim nga vetja në Torino. Do të kërkojmë golin në mënyrë që ta detyrojmë Juven të shënojë katër. Kemi eksperiencë dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë”. Në lidhje me deklaratat e Franz Bekenbauer mbi portierin e Juventusit, Xhanluixhi Bufon, tekniku veteran deklaroi: “Po flasim për një nga portierët më të mirë në histori. Bufon gaboi, por tregoi karakter dhe për këtë e admiroj. Për mua ai është një legjendë”.