Takim me përpunuesit e ullirit Berisha: Jo heqjes së TVSH-së për prodhimet, programi i PS-së kokëposhtë

0
166

Ina Jano

berishaSubvencionim për mbrojtjen e ullirit. Grantet për projektin kombëtar të mbjelljes së ullirit do të trefishohen

 

Duke e quajtur kokëposhtë programin e Partisë Socialiste, kreu i ekzekutivit, Berisha, deklaroi se në projektin e selisë blu për “Shqipërinë e zhvilluar”, të gjitha prodhimet e fermerëve do të mbrohen. Sipas numrit një të mazhorancës, është e domosdoshme që TVSH-ja për prodhimet të mos hiqet, pasi ajo nënkupton një mbrojtje të të gjitha prodhimeve shqiptare. Berisha nënvizoi se PD-ja është e hapur që të vijojë me heqjen e taksave dhe TVSH-së për të gjitha inputet, por jo për prodhimet bujqësore. “Ne votuam tani në parlament ligjin që heq çdo lloj takse për çdo mjet dhe makineri bujqësore, për çdo input bujqësor përveç atyre që dëmtojnë prodhimin e vendit, atë nuk do ta pranojmë. Ju i keni dëgjuar ata të tjerët. Çfarë thonë ata? Do të heqim TVSH për prodhimet bujqësore. Por nëse heq TVSH për prodhimet bujqësore t’ia jua kalb në fushë prodhimet shqiptarëve, sepse në këtë tokë kemi, ne kemi tokë me pak se të gjithë kombet e tjera në Evropë për frymë. Nëse heqim TVSH-së për prodhimet bujqësore, natyrisht hapet çdo mundësi për një konkurrim të egër dhe të pandershëm ndaj nesh, sepse në të gjithë hapësirën evropiane paguhen 3 euro në ditë për lopën dhe sigurisht po t’i japësh 3 euro në ditë subvencion për lopën, atij i del ta shesë qumështin më lirë. Ne heqim TVSH-në për makineritë, heqim për inputet, për çdo gjë që ju duhet ju për të rritur prodhimin, por ne nuk do heqim TVSH për prodhimet tuaja, sepse duhet ti mbrojmë ato. Kjo është politika kokëposhtë që propozojnë ata. Të rrisin taksat për të shkatërruar vendet e punës, të heqin TVSH-në për të shkatërruar prodhimin”, – u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, lideri i mazhorancës u shpreh edhe në lidhje me projektin kombëtar të ullirit dhe pohoi se do të vijojë që kjo të mbetët një ndër përparësitë e qeverisë, ndërsa u shpreh i hapur për të dëgjuar pyetjet e përpunuesve, të cilëve u deklaroi se sugjerimet e tyre do të mishërohen në programin e selisë blu. Kryeministri bëri me dije gjithashtu se qeveria ka financuar vetëm në ullinj mbi 9 mijë hektarë, dhe se ajo është e vendosur që katër vitet që vijnë të trefishojë grandet për fermerët shqiptarë, ç’ka do të thotë trefishim i grandeve për ullirin. Ndërsa një problem i ngritur në takim ishte edhe ai i vaditjes, një çështje kjo që është diskutuar edhe herë të tjera me grupet e interesit, për të cilën Berisha ka dhënë garancitë më maksimale se do të rregullohet. “Ne fillojmë një projekt të madh, projektin e ujitjes. Fillimisht me 60 milion euro dhe fillon shumë shpejt në zonat pilot. Me këtë projekt ne duhet të shfrytëzojmë në shumë forma dhe ato forma, të cilat garantojnë një ujitje ndoshta fillimisht jo kaq të plotë, por më mirë sesa mungesa e saj. Ndaj dhe investimet do të jenë shumë të mëdha. Siç ndërtuam rrugët, do të ndërtojë shteti ujitjen dhe ky është projekti i katër viteve që vijnë”, – u shpreh lideri i mazhorancës.

Bashkëbisedimi me fermerët dhe përpunuesit e produkteve bujqësore u zhvillua në serën e qendrës se transferimit të teknologjive bujqësore (QTTB) në Vlorë. QTTB ka një sipërfaqe prej 59 ha me pemëtari ku zhvillohen teknologjitë dhe që ka në përbërje një bazë të rëndësishme të resurseve gjenetike me rëndësi kombëtare: në pemë frutore – 146 kultivarë me rreth 20 specie; në hardhi – 57 kultivarë të vendit dhe 86 kultivarë të huaj; në ullinj 22 kultivarë të vendit dhe 30 kultivarë të huaj. QTTB Vlorë është modeluar për të funksionuar dhe si një qendër shumëfunksionale për prodhimin e materialit bimor dhe furnizimin e fidanishteve frutore të vendit. Kjo serë e prodhimit të fidanëve të ullirit është ndërtuar me financim të qeverisë me fond të realizuar 52 milion lekë. Sera ka sipërfaqe totale 4000 m² me kapacitet vjetor deri 200.000 mijë fidanë. Nga viti 2011, çdo vit janë prodhuar 100 mijë fidanë me kultivarë autokton, kryesisht të varietetit Kalinjot, që është bazë për zonën jugore të vendit.

 

 

 

Mediu: Taksat e ulëta, e vetmja mënyrë për të nxitur biznesin

E ardhmja e Shqipërisë duhet të jetë djathtas si një pakt i qytetarit me të ardhmen e tij evropiane. Kështu u shpreh kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu gjatë një takimi me qytetarë të zonës së Kombinatit në kryeqytet. Ndërsa prezantoi kandidatin për deputet të republikanëve në këtë zonë, Afrim Tolën, ai u ndal tek politika fiskale e së djathtës që sipas tij synon zhvillimin e biznesit dhe te ekonomisë. “Me taksat e ulëta u përpoqëm të ndihmojmë biznesin e këtë e bëmë jo pa qëllim sepse kemi bindjen se taksat e ulëta janë e vetmja mënyrë për ta zhvilluar ekonominë e vendit. Në mënyrë të padiskutueshme pozicioni ynë është të ndihmojmë të gjithë ata që kanë shpirtin e lirë për të ndërtuar e për të punuar, jo thjesht për veten e tyre, por duke ndihmuar edhe gjithë të tjerët. Një biznes plus në Shqipëri do të thotë vende pune, do të thotë zhvillim ekonomik, do të thotë një mundësi për punësim”, – tha Mediu. Ndihma ndaj biznesit sipas kreut republikan nuk synon të favorizojë grupe të caktuara por t’i japë shansin të gjithëve që nëpërmjet punës të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

 

 

Berisha merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

Kryeministri Berisha do të marrë sot pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që do të mbahet në Azerbajxhan, me temë “Dialogu strategjik për të ardhmen e Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore”, që zhvillohet më 7-8 prill në kryeqytetin azer, Baku. Forumi Ekonomik Botëror është një event i rëndësishëm, ku debatohen sfidat ekonomike botërore, duke angazhuar politikëbërës, përfaqësues të institucioneve më të mëdha financiare, të korporatave të mëdha, mediave etj. Kryeministri do t’i drejtohet pjesëmarrësve në sesionin plenar të pasdites dhe do të fokusohet në zhvillimet ekonomike në Shqipëri, reformat fiskale dhe administrative të ndërmarra për një klimë sa më të favorshme për biznes dhe investime, si dhe potencialet që Shqipëria ofron për investitorët, veçanërisht në fushën energjetike, në burime natyrore etj. Gjatë qëndrimit në Baku, lideri i qeverisë do të zhvillojë një takim me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe me Kryeministrin Artur Rasi-zade. Gjatë kësaj vizite do të nënshkruhet marrëveshja “Për bashkëpunim ekonomik, industrial dhe teknologjik” midis dy qeverive. Kryetari i ekzekutivit do të vizitojë gjithashtu kompaninë shtetërore të naftës SOCAR dhe do të takohet me presidentin e saj Rovnag Abdullayev.

 

350 të rinj i bashkohen FRPD-së në Bushat

Festë dhe anëtarësime të reja drejt fitores në zgjedhjet e 23 qershorit për Partinë Demokratike. Ka qenë kjo motoja e aktivitetet festiv të organizuar në Komunën e Bushatit me pjesëmarrjen e të rinjve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, nisur edhe nga porosia e Kryeministrit Berisha për përfshirjen e sa më shumë të rinjve në radhët e kësaj force politike. Rreth 350 anëtarë i janë bashkuar forumit rinor të forcës më të madhe politike në vendi në komunën e Bushatit. Në këtë aktivitet festiv krahas qindra të pranishmëve ishin kreu i FRPD-së Gerti Bogdani, deputeti i zonës Gjokë Uldedaj, kryetari i PD Shkodër Astrit Bushati. “Kryeministri Berisha beson se të rinjtë shqiptarë, janë jo vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja! Sot Shqipëria po ndryshon dhe duke u anëtarësuar në FRPD ju bëheni pjesë e këtij ndryshimi, bëheni lajmëtarë të fitores së 23 qershorit”, – u shpreh gjatë fjalës së tij Gerti Bogdani, i cili foli edhe për koalicionin e dështuar PS-LSI, ku, sipas tij “simbolika e datës 1 prill, dita e gënjeshtrave, por edhe dita kur z. Rama zgjodhi te deklaronte koalicionin, i përshtatet më së miri atij, sepse në fund të fundit ai është gënjeshtra më e madhe për shqiptarët”. Deputeti Bogdani e cilësoi atë bashkim të vakët përballë vrullit të të rinjve të Partisë Demokratike dhe theksoi se të rinjtë janë prioritet i selisë blu dhe i Kryeministrit, sepse ai beson se të rinjtë shqiptare më të fortë dhe më të përgatitur sot, do të thotë një Shqipëri më e zhvilluar në të ardhmen!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency