Komunikimi online Rama: Metën e dua për të fituar, kundërshtitë janë dokrra hini

0
150

Gëzim Saliu

ramaKritikat e forta brenda radhëve të së majtës ndaj koalicionit PS-LSI “detyrojnë” kreun socialist Rama të riflasë për arsyet e këtij bashkëpunimi paraelektoral, ku, sipas tij, prioritet mbetet largimi i Kryeministrit Berisha nga pushteti.

 

Aleanca me Lëvizjen Socialiste për Integrim siguron materializimin përmes instrumentit të qeverisjes të programit “Rilindja shqiptare”. Kështu e ka komentuar dje në komunikimin online me qytetarët në blogun e tij kryesocialisti Edi Rama bashkëpunimin e fundit me kreun e LSI-së, Ilir Meta, duke theksuar nga ana tjetër se pa këtë aleancë viheshin në rrezik zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas lidershipit socialist, ajo që ka rëndësi është fitorja në zgjedhje dhe, siç theksoi ai, të tjerat janë thjesht dokrra hini. “A ka moral tjetër përveç fitores së 23 qershorit për të larguar Saliun dhe shpëtuar zgjedhjet nga manipulimi i radhës? Fitoret “morale” që rezultojnë humbje pas vjedhjes së zgjedhjeve nuk i duhen dreqit jo më popullit! Popullit i duhet mirëqeverisje dhe mirëqeverisja do të fillojë me fitoren mbi Saliun. Të tjerat janë dokrra hini siç thoshte Fishta”, – tha Rama.

 

Bashkëbisedimi

Në përgjigje të vazhdueshme ndaj kritikave të shumta që kanë nisur që prej tre ditësh si reagim ndaj vendimit të PS-së për të bashkëpunuar me LSI-në, Rama ka pohuar dje se rilindjen e vendit, realizohet përmes pushtetit, jo përmes ngurrimit sipas tij për t’u bashkuar në funksion të fitores. “Që vullneti sovran i shqiptarëve në 23 qershor të mbrohet prej çdo manipulimi dhe që ne të hapim një periudhë transformimi rrënjësor demokratik, ekonomik e social; Për të garantuar zgjedhjet; Për të fituar zgjedhjet; Për të dalë fitues në sfidat e mëdha të kësaj kohe dramatike për Shqipërinë. Në emër të interesit kombëtar dhe publik, si edhe në emër të interesit të PS-së për të materializuar përmes instrumentit të qeverisjes programin tonë të ri për një Rilindje Shqiptare”, – shkruante kreu socialist. Më tej për t’iu përgjigjur një qytetareje, e cila theksonte se me këtë koalicion ra koncepti i Rilindjes, Rama përdori një tjetër koment të bërë në blogun e tij, ku sipas të cilit, aleanca me LSI-në, pavarësisht humbjes së moralit, siguron fitoren dhe largimin e PD-së nga pushteti. “Të uroj për koalicionin para zgjedhor me LSI-në!!! Si shumë shqiptarë të tjerë që tani për tani nuk i lidh asnjë interes personal me pushtetin, kam qenë kundër një aleance të tillë!!! Duke parë se ku degjeneroi situata paraelektorale dhe zhvillimet që mund të pasonin atë ju keni bërë një zgjedhje të përkryer!!! Mundësitë për kalim paqësor dhe rotacion te pushtetit kanë qenë pothuajse zero! Pa Sali Berishën nëpër këmbë dhe me një qeveri që nuk vjedh vota, zgjedhjet mund të bëhen në çdo kohë për t’i dhënë gjithsecilit atë që meriton, për t’u ndarë nga ligësia Meta e kushdo tjetër”, citon Rama e-mail-in që i kishte ardhur në faqen e tij në blog. Ndërsa në përgjigje të një pyetje tjetër lidhur me sigurinë e fitores së të majtës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Rama pohoi: “Ne po bëjmë gjithçka që kemi në dorë që siguron votën e shqiptarëve në 23 qershor, duke ia kthyer shumicës reale të popullit, të drejtën e qeverisjes së vendit”.

 

 

Komunikimi pyetje-përgjigje

Ridvan

Unë mendoj se do të ofrohen më shumë njerëz për të votuar PS sikur ta refuzosh Ilir Metën, se sa elektorati që mund të ketë marrë Ilir Meta nga PS. Gjithsesi ju e dini vetë se çfarë bëni. Ridvan

Edi Rama:

A ka moral tjetër përveç fitores së 23 qershorit për të larguar Saliun dhe shpëtuar zgjedhjet nga manipulimi i radhës? Fitoret “morale” që rezultojnë humbje pas vjedhjes së zgjedhjeve nuk i duhen dreqit jo më popullit! Popullit i duhet mirëqeverisje dhe mirëqeverisja do të fillojë me fitoren mbi Saliun. Të tjerat janë dokrra hini siç thoshte Fishta. Gjithë të mirat.

Anxhelo Beqiri

Përshëndetje zoti Rama. Pyetja ime është më se e thjeshtë për tu komplikuar me fjalë të panevojshme. Si mund të ftoni në koalicion një parti, lideri i së cilës është akuzuar për korrupsion, e vërtetuar gjithashtu me videon e cila bëri bujë në të gjitha skajet e Shqipërisë, ndërkohë që pretendoni të luftoni korrupsionin pas marrjes së mandatit qeverisës, Si mendoni se do të reagojë elektorati për këtë zgjedhje tuajën ? Faleminderit

 Edi Rama

Që vullneti sovran i shqiptarëve në 23 qershor të mbrohet prej çdo manipulimi dhe që ne të hapim një periudhë transformimi rrënjësor demokratik, ekonomik e social; Për të garantuar zgjedhjet; Për të fituar zgjedhjet; Për të dalë fitues në sfidat e mëdha të kësaj kohe dramatike për Shqipërinë. Në emër të interesit kombëtar dhe publik, si edhe në emër të interesit të PS-së për të materializuar përmes instrumentit të qeverisjes programin tonë të ri për një Rilindje Shqiptare Ju garantoj se asgjë nuk do të lihet jashtë programit e sidomos lufta kundër korrupsionit por gjithkush që do rilindjen e këtij vendi, duhet ta kuptojë se ajo realizohet përmes pushtetit jo përmes ngurrimit për t’u bashkuar në funksion të fitores.

 

 

Meta: Asnjë qejfmbetje me PD-në, “mistrecllëqet”, nga ata që s’dinë të bëjnë politikë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur dje Komitetin Drejtues Kombëtar, ku kryetari i kësaj force, Ilir Meta, ka kërkuar konsensusin e çdo anëtari të këtij komiteti për marrëveshjen e re me PS-në. Duke e cilësuar si të natyrshme dhe të domosdoshme këtë bashkëpunim, Meta tha se koalicioni katër vjeçar me PD-në ishte i imponuar. “Kryesia e LSI në përgjigje të ftesës zyrtare për bashkëpunim dhe koalicion parazgjedhor ka vendosur të bashkëpunojë në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit. Kryesia e cilësoi të përfunduar marrëveshjen 4-vjeçare me PD. Ne nuk kemi asnjë qejfmbetje dhe asnjë pakënaqësi me Partinë Demokratike. Ajo marrëveshje nuk ishte një koalicion i lehtë për ne në 2009, por një koalicion i papritur, i paparashikuar dhe i panatyrshëm, një vendim i drejtë dhe i imponuar nga interesi i vendit dhe stabiliteti i tij. Besoj se koha na ka dhënë të drejtë. Ne jemi një forcë politike atdhetare e drejtë, që i përmbahemi marrëveshjeve. Një marrëveshje në thelb është një ligj”, – u shpreh Meta. Ndërkohë referuar kritikave të ardhura në adresë të bashkëpunimit të ri politik mes PS-së dhe LSI-së, Meta pohoi se të gjithë ata që kritikojnë këtë marrëveshje për të ardhmen janë njerëz të vegjël që nuk dinë të bëjnë politikë. “LSI është parti e sfidave, e dialogut bashkëpunimit dhe marrëveshjeve. Në thelb të saj ka ligjin dhe zbatimin e ligjit, nuk ka thashethemet si një rudiment anadollak që vjen nga e kaluara. Është një parti e pjekur që nuk mund të mbetet peng e së shkuarës, apo të ngacmohet nga mistrecllëqe, që u takojnë njerëzve të vegjël që s’kanë bërë ndonjëherë politikë, ne krenarë që do sjellim ndryshimin për vendin”, – deklaroi kreu i LSI-së Ilir Meta.

 

Tryeza për dhunën ndaj fëmijëve, Rama: Burg për drejtorët që i sjellin më mitingje

Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë një tryeze për dhunën ndaj fëmijëve bëri të ditur se detyrimi i mësuesve dhe nxënësve të shkolla që të marrin pjesë në mitingje duhet te konsiderohet vepër penale. “Nuk duhet që nxënësit e shkollave të vihen në rresht dhe të shkojnë në mitingje të konsiderohet vepër penale . Një drejtor që merr me zor mësuesit dhe nxënësit dhe i dërgon në miting duhet të çohet në burg dhe mos të trajtohet si militant”, – tha Rama. Sipas kreut të PS-së politikat e qeverisë në mbrojtje të kësaj kategorie kanë qenë të varfra dhe diskriminuese, ndërkohë që PS-ja sipas tij do të ndërtojë politika funksionale, me efekt të drejtpërdrejtë me qëllim mbrojtjen, edukimin dhe përmirësimin e jetës së fëmijëve. “Nëse duam ta shpëtojmë fëmijën shqiptar nga çorodia, ne duhet të transformojmë shkollën në qendër komunitare, ku komuniteti duhet të punojë së bashku për miredukimin e fëmijëve”, – u shpreh Rama.

Tafaj: Rama jeton në Shqipërinë e gënjeshtërt

Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj i është kundërpërgjigjur dje akuzave të ardhura nga kreu socialist Edi Rama të bëra gjatë tryezën për dhunën kundër fëmijëve. Sipas ministrit, Rama jeton në një botë të gënjeshtërt dhe se pushtetin e do për të arrestuar e burgosur mësues. “Me këtë qëndrim zoti Rama dëshmon se nuk e njeh ligjin e ri i të arsimit parauniversitar, i cili garanton statusin e mësuesit. Zoti Rama jeton në Shqipërinë e gënjeshtërt, në Shqipërinë e nihilizmit. Ai për karrigen e tij është i gatshëm të mohojë çdo gjë, të kërcënojë këdo, madje të fyejë dhe fëmijët e këtij vendi”, – tha Tafaj.

 

Njësoj si Metës, Braçe: PS, ftesë zyrtare AK-së së Spahiut

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe kërkon nga kryesia e PS-së, ashtu si në rastin e LSI-së, të shqyrtojë dhe diskutojë mundësinë e një ftese zyrtare për një koalicion paraelektoral me AKZ-në e Kreshnik Spahiut. “Duke besuar fort në argumentin e paraqitur në fillimjavë në kryesinë e PSSH – “izolimin elektoral të Sali Berishës”: I kërkoj kryesisë së PS-së të shqyrtojë, diskutojë dhe miratojë një ftesë po aq serioze, konkrete, të barabartë e publike (siç ftesat e mëparshme) ndaj “Aleancës Kuq e Zi”, për ta ftuar zyrtarisht në koalicion parazgjedhor të opozitës së drejtuar nga Partia Socialiste. Besoj se kjo do të jetë në funksion të zgjerimit të koalicionit aktual me forca të tjera opozitare kundër regjimit të Sali Berishës por edhe në funksion të maksimizimit të votave antiregjim”, – shkruante anëtari i kryesisë së PS-së në FB.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency