Kosova bllokon qumështin shqiptar, Shqipëria i bllokon miellin

0
159

Driçim Çaka

mielliPas bllokimit prej disa ditësh që Kosova po i bën qumështit që prodhohet në vendin tonë, Shqipëria i është “kundërpërgjigjur”, duke bllokuar 20 kamionë me miell

 

Konkurrenca e fortë mes qumështit që prodhohet në Shqipëri dhe qumështit kosovar ka bërë që Kosova të vazhdojë bllokimin e qumështit që prodhohet në vendin tonë. Pas nxitimit të publikimit të analizave lidhur me përmbajtjen e aflatoksinës, këtë herë autoritet kosovare nuk kanë lejuar rreth 23 tonë qumësht të hyjë në shtetin e tyre. Sasia e qumështit, sipas palës kosovare, nuk ka qenë e pajisur me fletë analizat e nevojshme dhe me certifikatën e aflatoksinës në këtë produkt. Ministria e Bujqësisë së Kosovës ka nxjerrë në fillim të marsit një urdhër që detyron importuesit e qumështit dhe nënprodukteve të tij të pajisen me analizën e aflatoksinës. Kjo masë nuk është marrë më parë, por siç duket autoritete në Kosovë kanë vendosur t’i japin përparësi prodhimit vendas dhe nuk do të lejojnë konkurrencën e lirë me qumështin që prodhohet në vendin tonë. Sipas të dhënave, kompanitë që prodhojnë qumësht në Kosovë ndodhen në situatë të keqe me shitjet kjo për shkak të konkurrencës me qumështin që shkon nga Bosnja, qumështin që shkon nga Kroacia dhe me qumështin që shkon nga Shqipëria. Publikimi i analizave nga autoritetet kosovare lidhur me rrezikshmërinë e qumështit që prodhohet jashtë Kosovës është para nga disa analistë si manovër për të goditur kryesisht qumështin që prodhohet në Shqipëri.

“Kundërpërgjigjet” Shqipëria

Pas alarmit të pabaza të ngritur për qumështin shqiptar dhe pas bllokimit që po i bëhet qumështit nga dogana në Kosovë autoritetet shqiptare janë “kundërpërgjigjur” me të njëjtën monedhë. Sipas atyre që bëjnë të ditur mediat kosovare, Shqipëria nuk lejon kalimin e rreth 20 kamionëve me miell të futen në territorin tonë. Kjo nismë sipas gazetave në Kosovë është politike dhe ka lidhje direket me bllokimin që i bëri Kosova qumështit. “Një kompanie private të miellit i janë bllokuar mbi 20 kamionë më miell në kufi me Shqipërinë. Arsyet si duket janë më shumë politike. Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, humbjet janë me qindra mijëra euro. Gerald Wlflingseder, kryetar i bordit të kompanisë së miellit përmendi se për disa ditë rresht i janë bllokuar shumë kamionë të kompanisë të cilën ai e drejton. Ai tregoi se arsye nuk janë logjike dhe se i kanë plotësuar të gjitha kushtet që janë kërkuar nga autoritetet e atij shteti dhe ata sërish kanë kërkuar edhe gjëra tjera shtesë”, – thuhet në versionin online të gazetës “Ekspres” në Kosovë. Të gjithë mediat kosovare flasin për një “luftë të ftohtë” mes dy vendeve lidhur për bllokadën që po i bëjnë njëra-tjetrës. Duket se konflikti midis dy vendeve për bizneset private do të shuhet vetëm pas lejimit të qumështit që prodhohet në Shqipëri për t’u futur në tregjet kosovare. Pak ditë më parë, në Shqipëri ka qenë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili thuhet se ka ardhur për të qetësuar situatën konfliktuale mes bizneseve dhe ka premtuar konkurrencë të lirë mes qumështit shqiptar dhe atij kosovar.

Kritikohen marrëdhëniet konfliktuale

Të ashpra kanë qenë reagimet ditën e djeshme lidhur me bllokimit që Shqipëria dhe Kosova po i bëjnë njëra-tjetrës. Qytetarët janë shprehur të habitur dhe kanë shprehur indinjatën e tyre për mungesën e dëshirës së dy shteteve për të bashkëpunuar më shumë dhe jo për të bllokuar mallrat e njëra tjetrës. Si në Shqipëri dhe në Kosovë lexuesit e mediave online kanë kërkuar nga dy shtetet që të mendojnë më shumë për një bashkim kombëtar dhe jo për një ndarje të mëtejshme. Ka nga ata që kanë akuzuar politikën për mungesën e vëmendjes ndaj këtyre fenomeneve.

 

Miratohen ndryshimet në projektin e HEC-eve mbi Devoll

Ervin Kaduku

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi marrëveshjen mes kompanisë austriake “EVN AG” dhe asaj norvegjeze “Statkraft AS” për shitjen e 50% të aksioneve për ndërtimin e hidrocentralit të Devollit. Pak ditë më parë kompanitë “EVN AG” dhe “Statkraft A.S.” arritën një marrëveshje, për sa i përket shitjes së 50% të aksioneve të “EVN AG”-së në “Devoll Hydropower Sh.A.” për “Statkraft A.S.”. Investimi i përgjithshëm për ndërtimin e hidrocentralit, në kohën e dhënies me koncesion është përllogaritur nga “EVN AG”, në rreth 950 milionë euro. Kompania norvegjeze “Statkraft” ka treguar vullnet të plotë për të filluar punimet në kaskadën e Devollit në mënyrë të pandërprerë, sapo të bëhet e mundur formalizimi i këtyre ndryshimeve në Parlament.
Projekti i Devollit parashikon 1 miliard euro investime dhe mijëra vende pune të krijuara në një nga zonat më të varfra në Shqipëri nga Cërriku në Gramsh e deri në zonën e Korçës. Projekti pritej të vinte në punë hidrocentralin e Banjës në vitin 2014. Tashmë EVN do të mbetet e pranishme në Shqipëri me projektin tjetër, atë të HEC-it të Ashtës.
“Statkraft” është lider në tregun e energjive të rinovueshme në Evropë. Kompania zhvillon projekte për gjenerimin e energjisë nga uji, era, dielli, ngrohja qendrore dhe është një lojtar i rëndësishëm në bursën e shkëmbimit të energjisë në tregun evropian. “Statkraft” ka më shumë se 3.200 të punësuar në më shumë se 20 vende.

 

Hiqet TVSH-ja për makineritë bujqësore

Evin Kaduku

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të mërkurën projektligjin për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet në bujqësi. Drejtorja e politikave fiskale në ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi tha se nga heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet në sektorin e bujqësisë do të përfitojnë rreth 350 mijë ferma në vend. Sipas saj, nisma e ndërmarrë nga qeveria do të ndikojë në zhvillimin e këtij sektori. ”Kjo masë synon të ndihmojë fermerët, të cilët tashmë do të blejnë këto pajisje me një çmim 20 për qind më të ulët”, – tha Dyrmishi.
Ndërsa, lidhur me efektin financiar që do të ketë në buxhetin e shtetit heqja e TVSH-së, Dyrmishi theksoi se ai do të arrijë rreth 30 milionë euro. Sipas Dyrmishit, Ministria e Financave po harton aktet nënligjore në mënyrë që ligji të bëhet sa më shpejt funksional.
Deputetët socialist u shprehën se projektligjet e sjella nga qeveria, po bëhen për efekt elektoral. Sipas tyre këto projektligje janë propozuar kohë më parë nga PS dhe nuk kanë gjetur mbështetjen e qeverisë. “Çfarë ka ndryshuar nga dhjetori në mars, që ju e risillni në tryezë propozimin tonë”, – deklaroi deputeti i PS-së Erion Braçe. Ndërkohë ish-ministri i Financave, deputeti socialist Arben Malaj, tha se ndryshimet që bëhen nuk japin garanci për stabilitetin e buxhetit.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency