Gjyqi i Dajtit zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, kontroll edhe me qen antieksploziv

0
168

Sonja Caka

antieksplozivProcesi sërish në ngërç, avokati Visha kërkon largimin si mbrojtës i të pandehurit dhe përjashtim të kryetarit të trupit gjykues nga gjykimi. Shtyhet gjyqi, debate gjyqësore mes palëve

 

Për herë të dytë, paralelisht me zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katërfishtë të policëve në plazhin e Durrësit, masa të rrepta sigurie dhe kontrolli në gjykatë, ndërsa jashtë saj edhe një qen antieksploziv që kontrollonte pëllëmbë për pëllëmbë gjykatën. Ky kontroll filloi në orët e para të ditës, kur gjyqtarët sapo kishin filluar punët, ndërsa u ripërsërit në momentin kur ishte duke filluar gjyqi ndaj këtij të pandehuri. Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasjen e policëve duket sikur po shkon sërish drejt ngërçit, pasi edhe avokati i zgjedhur prej gjykatës, i cili pranoi edhe të njihet me aktet, dje kërkoi të tërhiqet nga mbrojtja. “Kërkoj të pranoni dorëheqjen time, pasi nuk jam avokat kryesisht dhe nuk ndodhem më në listën e ardhur nga Dhoma e Avokatëve Penalistë në gjykatë. Gjithashtu, kam konstatuar se jam thirrur si avokat dy herë për të njëjtën çështje, ndërsa ka të tjerë avokatë që mund të paraqiten në gjykatë për mbrojtjen e Dajtit”, – bëri me dije për trupin gjykues avokati Sajmir Visha. Por, kërkesa e tij nuk u pranua nga trupi gjykues, i cili vendosi të vijojë procesi, pasi avokati ka pranuar të mbrojë të pandehurin Dajti. Në këtë moment të procesit, avokati Visha kërkoi përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues Idriz Mulkurti, me argumentin se ky gjyqtar i ka kërkuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë procedimin disiplinor të tij dhe për këtë arsye nuk mund të jenë në të njëjtin proces bashkë. “Nuk mund të jem avokat në një proces të drejtuar prej jush, në momentin kur jeni ju që keni kërkuar heqjen e licencës për mua. Ky është një konflikt i hapur mes nesh dhe personal dhe për këtë arsye kërkoj përjashtimin tuaj si kryesues i trupit gjykues”, – përfundoi avokati Visha, ndërsa kërkoi shtyrjen e gjyqit. Përplasjet mes gjykatës dhe avokatit Visha për afro 1 orë e spostuan vëmendjen nga qëllimi i procesit, vijimit të gjyqit të tejzgjatur për Dritan Dajtin.

Kontrolli

Mëngjesin e djeshëm, por edhe në mesditë ndërsa zhvillohej procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, policia kontrolloi të gjithë perimetrin e jashtëm të gjykatës, madje duke hapur edhe pusetat, por nuk u dha ndonjë argument zyrtar nëse kjo kishte lidhje me ndonjë informacion për ndonjë ngjarje në lidhje me të pandehurin në fjalë apo me ndonjë alarm për bombë në ambientet e gjykatës. Para sallës ku zhvillohej gjyqi i Dajtit ndodheshin dy efektivë të burgjeve të pajisur me jelekë antiplumb, ndërsa jashtë qeni-antieksploziv nuk la pëllëmbë të gjykatës pa kontrolluar.

 

Skrapar

Denoncohet nga ish-e dashura për ngacmim seksual, arrestohet

Një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Poliçan, pasi akuzohet për ngacmim seksual. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se shtetasi Sybi Ahmetbeja u arrestua pas denoncimit të bërë nga ish-bashkëjetuesja e tij 27-vjeçare, e cila pretendonte se 52-vjeçari kishte tentuar ta zhvishte në publik. Sipas dëshmisë së gruas, 52-vjeçari nuk pranonte faktin që ajo kishte vendosur të ndaheshin, dhe për këtë arsye vijonte ta ngacmonte sa herë dilte në rrugë. Mësohet se 52-vjeçari ishte i martuar dhe kishte kërkuar divorcin nga gruaja e tij, për të bashkëjetuar me 27-vjeçaren, por kjo e fundit kishte kërkuar ta ndërpriste marrëdhënien me të. Por, 52-vjeçari nuk e ka duruar këtë ndarje, aq më tepër që ishte duke prishur edhe familjen e tij dhe në formë hakmarrjeje tentoi ta zhvishte atë në mes të njerëzve.

Durrës

Vjedh banesën e të moshuarit i maskuar, arrestohet

Policia e Durrësit ka arrestuar një 29-vjeçar pasi akuzohet se në bashkëpunim me një tjetër kanë vjedhur banesën e një të moshuari. Sipas burimeve zyrtare policore, u arrit të zbardhet një vjedhje me dhunë e ndodhur në fshatin Rinia në Durrës, më datë 25 mars 2013. Pas identifikimit, një ditë më parë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Ardian Kusaj, 29 vjeç, banues në fshatin Rinia Durrës. Ky person, sipas policisë, në bashkëpunim me një shtetas të dytë për të cilin po punohet për ta identifikuar, dyshohet se rreth orës 22:00, kanë shkuar të maskuar në banesën e shtetasit A. V., 70 vjeç, banues në fshatin Rinia Durrës, dhe pasi i kanë lidhur me litar gjymtyrët, i kanë kontrolluar banesën në të cilën kanë gjetur e marrë shumën prej 50.000 lekësh. Nga ana e policisë po vazhdon puna për identifikimin e bashkautorit në këtë ngjarje. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “Vjedhje me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.

 

Hodhi fëmijën nga dritarja e maternitetit, gjykata e mbyll në psikiatri

Vendimi për Hysen Bibën, pas kërkesës së prokurorit për mjekim të detyrueshëm në Spital Psikiatrik. I pandehuri, me probleme të theksuara mendore

Sonja Caka

Të shtrohet në Spital Psikiatrik për mjekim të detyrueshëm. Kjo ka qenë kërkesa e prokurorit për Hysen Bibën, i akuzuar për vrasjen e fëmijës së tij, duke e hedhur nga dritarja e katit të 4-t të maternitetit “Koço Gliozheni” në kryeqytet. Pasi ka dëgjuar kërkesën e përfaqësuesit të akuzës, i cili e ka cilësuar si të paaftë mendërisht të pandehurin, dëgjoi edhe avokatin e tij që e konfirmoi këtë fakt, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu vendosi ta pranojë këtë kërkesë dhe të vendosë shtrim të detyrueshëm në Spitalin Psikiatrik për Hysen Bibën. Vendimi është marrë pas 6 seancash të zhvilluara, ndërsa procesi gjyqësor ka startuar më 21 janar të këtij viti. Një seancë më parë, gjykata e kishte shtyrë gjyqin për t’i lënë kohë prokurorit Shpëtim Kurti për të paraqitur konkluzionet përfundimtare. Në përfundim të procesit, duke pasur në dorë edhe rezultatet e ekspertizave psikike të të pandehurit, prokurori kërkoi mjekim dhe shtrim të detyrueshëm në Spital Psikiatrik të Bibës për shkak të problemeve të theksuara mendore, kërkesë që u pranua edhe nga trupi gjykues.

Ngjarja

Hysen Biba akuzohet se mbrëmjen e 30 korrikut të vitit të kaluar, në ambientet e maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë, ka hedhur foshnjën e tij të porsalindur nga kati i katërt, ku ndodhej bashkë me bashkëshorten. Bib, u vetëdorëzua disa orë më pas në komisariatin e policisë së Kamzës dhe prej asaj kohe ka qëndruar në paraburgim. Hysen Biba akuzonte të shoqen se nuk e kishte fëmijën me të dhe 3 ditë pas lindjes së djalit, ai ka shkuar në dhomën e bashkëshortes ku gjendej me të motrën e saj, ka marrë foshnjën në krah dhe pa thënë asgjë e ka hedhur atë nga kati i 4-t i dhomës. Menjëherë janë lajmëruar policia dhe stafi mjekësor ka ndërhyrë, por për foshnjën nuk mund të bëhej asgjë. Policia nisi kërkimet dhe disa orë pas ngjarjes ka mundur të vërë në pranga autorin. Pas ngjarjes u mësua se Biba kishte pasur dyshime edhe për fëmijën e parë të çiftit dhe për këtë arsye kishte bërë fshehtas ADN-në e fëmijës, ku i ka rezultuar se e kishte të tijin.

Avokati dhe familjarët deklaruan problemet e tij mendore

Problemet psikike të Bibës i kanë deklaruar qysh në momentet e para të afërmit dhe familjarët e tij, ndërsa vetë avokati Gëzim Allaraj e ka deklaruar këtë gjë edhe para gjykatës kur klientit të tij iu caktua masa e sigurisë. “Deri tani, unë kam siguruar disa dokumente zyrtare, që ai para ngjarjes ishte duke u mjekuar, për shkak se kishte kaluar edhe më përpara disa turbullira të forta psikike që kanë bërë të mundur moskontrollimin e veprimeve të tij”, – ka deklaruar avokati, fakt që pas afro nëntë muajsh u vulos edhe me vendim gjykate.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency