Dita e Demokracisë Berisha: Më 23 qershor rrëzojmë bijtë e atyre që përmbysëm në 22 mars

0
164

Ina Jano

dita e 22Mijëra qytetarë në shesh festuan dje 21 vjetorin e fitores së Partisë Demokratike. Kryeministri shpalosi disa nga pikat e programit për mandatin e ardhshëm qeverisës

 

 

Në zgjedhjet e 23 qershorit, Partia Demokratike do të përsëritë 22 marsin e 1992. Ky ishte mesazhi më i fuqishëm që u drejtoi Kryeministri Berisha të gjithë të pranishmëve dje në Sheshin “Nënë Tereza” të cilët ishin mbledhur për të festuar 21 vjetorin e fitores së parë të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse mes mijërave qytetarëve në shesh, shefi i qeverisë tha se në 23 qershor do të përmbysen bijtë e atyre të cilët u përmbysën 21 vjet më parë. “Ne jemi ndryshimi, sepse ne, me reforma të thella, me sakrifica, me vepra dhe jo me fjalë, merituam statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokuan bijtë e atyre që përmbysëm në 22 mars, 21 vjet më parë. Le t’u themi atyre se ëndrra jonë evropiane nuk ka dhe nuk mund të ketë të ndalur. Në 23 qershor, me forcën e lirisë së votës sonë, ne do të shembim murin tuaj të bllokimit, do të bëjmë gjithçka. Shqipëria drejt Evropës, Shqipëria në rrugën e integrimit”,  – u shpreh Kryeministri. Gjatë fjalës së tij ai përsëriti disa herë parrullën, “Ne jemi ndryshimi, përpara”, më saktësisht 9 herë përkatësisht ndryshimi dhe përpara. Shefi i qeverisë nuk la pa falënderuar të gjithë ata që kanë bërë të mundur shembjen e komunizmit. Ai vuri theksin se Shqipëria do të përsërisë një 22 mars të dytë, ai u shpreh:  “Përpara për konsolidimin e pandërprerë të lirive dhe të drejtave njerëzore, zgjedhje të lira e dinjitoze, për një 22 mars të dytë më 23 qershorin që po vjen, ne do fitojmë. Ne jemi ndryshimi sepse bëmë të vërtetë ëndrrën europiane, atë të 22 marsit dhe anëtarësimin e Shqipërinë në NATO. Ne jemi ndryshimi sepse me reformat e thella dhe të gjithanshme bëmë që shqiptarët të lëvizin të lirë pa viza në mbarë Europën”. Duke akuzuar sërish opozitën për bllokimin e integrimit të vendit,  kryeministri Berisha ka theksuar se  më 23 qershor shqiptarët me votë do të shembin murin e bllokimit.  Kryeministri Berisha shtoi më tej zgjedhjet e lira dhe fitorja e PD-së në 23 qershor janë vendimtare për shqiptarët të cilët kërkojnë punësim, një rrogë më të mirë dhe mirëqenie. “22 marsi na frymëzon që me iniciativën tonë të lirë, me reformat e thella dhe të gjithanshme t`i shndërrojmë pasuritë kombëtare në pasuri për qytetarët, në burim të pashtershëm të punësimit të tyre. Përpara drejt 23 qershorit, për më shumë vend pune, për rroga më të larta, për mirëqenie. Sot pas 21 vitesh nga 22 marsi i viti 1091 Shqipëria është vite drite larg Shqipërisë të 21 viteve më parë. Por sot për çdo njërin prej jush, për çdo qytetar vazhdimi i ndryshimit, fitorja e 23 qershorit është vendimtare dhe përcaktuese për të ardhmen e saj. Fitorja dhe zgjedhjet e lira janë vendimtare për çdo të ri që do të shkollohet, të zërë një vend pune dinjitoze për veten, familjen dhe shoqërinë. Për ne shkollimi i të rinjve dhe punësimi i tyre janë objektivat tona” tha numri një i qeverisë. Kryeministri Berisha në fjalën e tij e cilësoi 22 Marsin si ditën ku u firmos për ndryshimin me të madh të historisë sonë kombëtare. “Jemi mbledhur sot në këtë miting madhështor për të festuar se bashku 22 Marsin ditën e parë të demokracisë, ditën e mundësive. Qytetarët me votën e tyre të lirë firmosen për ndryshimin më të madh të historisë sonë kombëtare. Ne u shkëputëm nga diktatura më e egër që shoqëria shqiptare kishte njohur. Në vitin 1992, shqiptarët votuan për sistemin e bazuar në vlerat e shoqërisë. Gëzuar 22 Marsin, ditën e madhe festën e lirisë, gëzuar Sulltan Nevruzin,” – tha zoti Berisha. Në fjalën e tij, Kryeministri shprehu mirënjohje për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët votuan për sistemin e bazuar në vlerat e lirisë, dinjitetin njerëzor, besimin te Zoti dhe te demokracia. “22 marsi është vepra e përjetshme e të rejave dhe të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi që në tërësi nuk kishin jetuar një ditë të vetme në liri, por me zjarrin e saj të pashuar në shpirt, me adhurimin për idealin e saj, me besimin te Zoti, me besimin te njëri – tjetri, te Shqipëria, nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë, pasi me uraganin e tyre të lirisë kishin shembur “murin e Berlinit”, me një akt guximi, vendosmërie, mençurie, shndërruan votën e tyre të bekuar në themel të demokracisë shqiptare”, – u shpreh Kryeministri.

Mobilizimi

Edhe për shkak të fushatës elektorale e cila edhe pse nuk ka nisur zyrtarisht, ndihet në atmosferë, mobilizimi nga ana e selisë blu këtë herë ishte dukshëm më i madh. Përtej faktit që çdo fundjavë krerët e seksioneve shpërndahen në bazë për të folur më të votuesit, për këtë festë të gjithë deputetët demokratë shfrytëzuan çdo mjet komunikimi. Gatishmëri e madhe u vu re sidomos në radhët e ministrave të cilët, ishin edhe më “korrektët” me arritjen e tyre në koncert, duke qenë në ballë të skenës së ngritur. Ditë më parë ministrat e kabinetit Berisha i përdorën faqet e tyre zyrtare në të gjitha rrjetet sociale për tu bërë thirrje miqve të tyre, që të festonin me ta në shesh. Sigurisht që ndër më aktivët edhe si herët e tjera, ndër më aktivët ishin ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ai i Transporteve Sokol Olldashi dhe ministri i Financave Ridvan Bode. Por të njëjtën metodë kanë ndjekur edhe deputetët e tjerë. Ajo që binte në sy gjatë ceremonisë ishte edhe prania e një prej themeluesve të selisë blu, Eduard Selami, i sapo rikthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes ligjvënësve aktualë demokratë.  Në mes të gjithë deputetëve të grupit parlamentar ra në sy edhe prania e Ferdinand Xhaferrit, i cili kishte kohë që nuk ishte pjesëmarrës në aktivitetet e PD-së. Ndërkohë që po aq e madhe ishte jehona edhe pas mbarimit të festës. Ministrja Bregu shkroi se në shesh gjendeshin mbi 100 mijë qytetarë, të mbledhur në takimin madhështor të organizuar nga Partia Demokratike.

Koncerti festiv

Në koncertin që filloi dje rreth mesditës morën pjesë emrat më në zë të muzikës shqiptare, ndërsa vendosën që këngët e tyre t’ia dedikonin ditës së demokracisë. Ajo që ra në sy mes të gjithë të pranishmëve në shesh ishte dedikimi i Bleona Qerretit, e cila përveçse kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara, vetëm për këtë koncert, kishte një dedikim të veçantë për Kryeministrin Berisha. E bindur për një fitore tjetër në 23 qershor, këngëtarja ndër të tjera u shpreh: “Zoti ju bekoftë ju zoti Kryeministër. I love you Sali Berisha”, duke u drejtuar për në radhën e parë, ku ndodhej kreu i qeverisë. Ndërsa minuta më vonë ajo ka ndarë me ndjekësit e saj në Tëitter të gjithë kënaqësinë që ka marrë nga koncerti, Bleona ndër të tjera shkruan, Today at the concert ! Pretty cool ! I Love Dr Berisha” apo “Sot në koncert, shumë “cool”, E dashuroj Dr Berishën”. Të tjerë në skenë u ngjitën për të përshëndetur të gjithë publikun edhe emra të tillë si Noizy, Renis Gjoka, Xhensila Myrteza, Eni Koçi, Redon Makashi etj, duke e shndërruar në një ditë festë të premten, jo vetëm për kryeqytetasit por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë të ardhur nga rrethet, ndikuar kjo edhe nga fakti se për shkak të ditës së Sulltan Nervruzit, 22 marsi është një ditë zyrtare pushimi.

 

 

“Facebook” për të ftuar njerëzit

Momente më herët se të fillonte në faqen e tij në Facebook, Kryeministri Berisha shkruante se kjo është dita e frymëzimit për fitore në zgjedhjet e 23 qershorit. “Gëzuar 22 Marsin, ditën e parë të Demokracisë!” Me këtë status në Facebook nisi aktivitetet politike të ditës Kryeministri Sali Berisha. “Sot është 22 Marsi, dita që ne me votën e lirë sollëm ndryshimin më të madh në tërë historinë tonë kombëtare, ndryshuam epoka, sisteme dhe kaluam nga diktatura komuniste me çnjerëzore, sistemi i shtypjes dhe mbijetesës në skllavëri shtetërore, në sistemin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe ndërtimit të të ardhmes europiane që meritojmë”- shkroi Kryeministri duke e mbyllur se kjo ditë duhet t’i frymëzojë qytetarët për zgjedhjet e 23 qershorit. Po të njëjtën thithje ka bërë edhe Kryeparlamentarja Topalli në Facebook. “Të dashur miq! Uragani i fuqishëm i lirisë e shpresës, që buroi nga shpirti i shqiptarëve bëri që në 22 mars të vitit 92’ me votën të lirë, të shembim regjimin më çnjerëzor komunist. Sot ne festojmë Ditën e bukur të Demokracisë! Sot ne festojmë ecjen përpara! Sot ne hapim siparin e fitores së fuqishme të 23 Qershorit! Sot, bashkë me motrat e vëllezërit, miqtë e mikeshat ejani të festojmë në sheshin Nënë Tereza në orën 12.00! Ne jemi Ndryshimi – Përpara!”, – u shpreh dje për të gjithë miqtë e saj virtualë në Facebook, zonja Topalli, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e këtij aktiviteti të madh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency