Bursa dhe strehim falas për maturantët dhe studentët më të mirë. Ja kush përfiton

0
179

Driçim Çaka

bursatPër marrjen e bursës nuk do të merren parasysh vetëm notat e provimeve të maturës, por edhe mesatarja e shkollës së mesme përgjatë tri viteve

 

Drafti i ri për financimin e universiteteve, përveç favorizimit që u bën universiteteve private, u jep më shumë mundësi maturantëve dhe studentëve më të mirë. Kështu, maturantët me rezultatet më të mira do të mund të marrin bursa jo vetëm nga universitetet publike, por edhe nga privatët, kjo falë detyrimit që i bën drafti i ri çdo universiteti. Bursat do të jenë të plota ose për një vit në varësi të vlerësimeve që do të ketë për kandidatët. Nga sistemi i bursave nuk do të përfitojnë një numër i caktuar maturantësh, por të gjithë ata kandidatët që do të kenë një mesatare mbi kuotën e caktuar nga MASH. Për marrjen e bursës nuk do të merren parasysh vetëm notat e provimeve të maturës, por edhe mesatarja e shkollës së mesme përgjatë tri viteve.

 

Strehimi

 

Përveç bursës për të studiuar, studentët më të mirë do të kenë mundësinë edhe të subvencionimit për strehim. Kjo mundësi do t’i jepet një sërë kategorish, duke filluar nga familjet pa të ardhura deri te shtresat sociale si romët dhe ballkano-egjiptianët. Po kështu, do të mund të përfitojnë strehim edhe të rinjtë të cilët nuk do të kenë mundësi financimi nga familjet e tyre dhe kjo do të bëhet nëpërmjet një skeme transparente. Strehimi i studentëve falas duket se do të jetë risia më e madhe e draftit të ri që po përgatit Ministria e Arsimit. Maturantët do të kenë mbështetje edhe nëpërmjet kredive që mund të marrin. Sipas burimeve pranë MASH, po merren masa që çdo student të marrë një kredi me interes shumë të vogël ose me interes 0, ku do të jetë shteti ai që do ta subvencionojë të rinjtë.

 

 

Skema favorizon privatët

 

Skema e re për financimin e universiteteve duket se i jep një shtysë të madhe zhvillimit të privatëve dhe “harron” universitetet publike. Kjo, për shkak se fondet do t’u jepen maturantëve dhe do të jenë këta të cilët do të zgjedhin mes një universiteti publik apo një privat. Aktualisht, drafti i MASH për financimin e universiteteve është ende në fazë diskutimi, por shumë shpejt pritet të miratohet si nga ministria, por edhe nga Këshilli i Ministrave.

 

 

Maturantët shpejtojnë të plotësojnë A1-shin. MASH: Shumë formularë me gabime

Plotësimi i formularit A1 është në ditët e fundit. Sipas Ministrisë së Arsimit, pjesa më e madhe e kandidatëve e kanë plotësuar formularin. Burime pranë MASH bëjnë me dije se ka shumë formularë me gabime, madje ka nga ata kandidatë që kanë gabuar edhe në fazën e plotësimit në shkollë dhe tashmë nuk rregullojnë dot gjë. “Ka shumë maturantë të cilët, duke shfrytëzuar teknologjinë e internetit, e kanë plotësuar në shtëpi formularin. Normalisht mungesa e eksperiencës ka bërë që shumë prej tyre të gabojnë dhe të zgjedhin lëndë të cilat u ulin shanset për në universitet. Jo vetëm maturantët, por na rezulton që kanë gabuar edhe mësuesit përgjegjës, që nuk i kanë këshilluar në mënyrën që duhet kandidatët. Këto raste janë të pakta, por më shqetësues mbetet plotësimi i formularit nga shtëpia, duke mos lexuar më parë udhëzimet e ministrisë për plotësimin”, – theksojnë burime pranë MASH. Për pjesën tjetër të maturantëve, që nuk e kanë plotësuar ende formularin, do të ketë kohë më shumë se 2 ditë pavarësisht se zyrtarisht afati i fundit është data 20 mars. Kjo datë pritet të shtyhet edhe me disa ditë për t’i dhënë mundësi çdo maturanti për ta plotësuar. Ndërkohë, menjëherë pas përfundimit të A1-shit do të jetë formulari A1Z, që do të plotësohet nga kandidatët e viteve të kaluara. Zyrtarisht, formulari do të fillojë të plotësohet pas datës 21 mars.

 

 

 

Kartëmonedhat e skaduara? Mund të thyhen edhe për 10 vjet të tjera në bankë

Kartëmonedhat pa kurs ligjor do të mblidhen për këmbim, kundrejt pagesës së vlerës fillestare të emetimit

 

Ervin Kaduku

 

Kush ka ende në zotërim kartëmonedha të ndryshme pa kurs ligjor, nuk duhet të shkujarohet. Ato ende mund të zëvendësohen në banka me lekë të rregullta, madje një gjë e tillë do të mund të kryhet edhe për më shumë se 10 vjet.

Pas 15 ditësh, kur të hyjë në fuqi një vendim i Bankës së Shqipërisë lidhur me një gjë të tillë, kartëmonedhat pa kurs ligjor do të mblidhen për këmbim, kundrejt pagesës së vlerës fillestare të emetimit, me kartëmonedha dhe monedha të tjera në qarkullim, deri në datën 31.12.2023.

 

Kartëmonedhat

Do të mund të zëvendësohen kartëmonedhat si më poshtë:

 

a) 100 lekë, emetim i viteve 1993, 1994, 1996, imazhi i Luftëtarit Kombëtar;

 

b) 100 lekë, emetim i vitit 1996, imazhi i Fan S. Nolit;

 

c) 200 lekë, emetim i viteve 1992, 1994, 1996, imazhi i Ismail Qemalit;

 

d) 500 lekë, emetim i vitit 1991,1992,1993,1996,1997, imazhi lule dielli;

 

e) 500 lekë, emetim i vitit 1992, 1994, 1996, imazhi i Naim Frashërit; dhe

 

f) 1000 lekë, emetim i vitit 1992,1994,1995,1996, imazhi i Skënderbeut.

 

Të gjitha bankat, degët e bankave të huaja dhe zyrat e këmbimit valutor do të pranojnë për këmbim, deri në datën 31.12.2023, kartëmonedhat pa kurs ligjor dhe t’i dërgojnë ato menjëherë pranë Bankës së Shqipërisë dhe degëve të saj.

Kartëmonedhat që kanë dalë nga qarkullimi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency