Vrasja e Lamajt, agjentë të antiterrorit në hetimet për vrasësit e kryekomisarit

0
130

Elton Qyno

frrokuPas 16 ditësh nga ekzekutimi i Dritan Lamajt, hyjnë në hetime edhe specialistë të antiterrorit

Analizë 6-orëshe tek Krimet e Rënda. Kërkohet gjetja e vjedhësit të makinës së përdorur në vrasje

 

Kur janë mbushur plot 16 ditë nga vrasja e efektivit të Policisë së Shtetit Dritan Lamaj, grupit të hetimit tashmë i janë bashkuar edhe specialistë të sektorit të antiterrorit. Pikërisht këta specialistë së bashku me kolegët e tyre të Krimeve të Rënda kanë diskutuar për rreth 6 orë kokë më kokë me prokurorët që janë ngarkuar të hetojnë vrasjen mafioze të kryekomisarit Dritan Lamaj. Që prej orës 13:00 dhe deri në orët e mbrëmjes, në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është zhvilluar një analizë rreth provave dhe fakteve që janë administruar në dosje lidhur me vrasjen e ish-shefit të komisariatit nr. 6 në Kombinat. Ajo që ra në sy në këtë analizë, ishte pjesëmarrja e specialistëve të antiterrorit, të cilët, siç mësohet, në analizat e disa ditëve më parë nuk kanë qenë të pranishëm në diskutime. Përballë tre prokurorëve të çështjes, Anton Martini, Kosta Beluri dhe Eugen Beci, kanë qëndruar tre specialistët e Policisë së Shtetit, si Bujar Hoxha, një specialist i antiterrorit si dhe një specialist tjetër, që është ngarkuar nga ana e tre prokurorëve për kryerjen e veprimeve operative dhe stimuluese në terren. Të gjithë anëtarët e grupit hetimor të dosjes së kryekomisarit të vrarë janë autorë të hetimit të një sërë ngjarjesh të rënda, duke filluar nga hetimi i bandës së Lushnjës, bandës së Durrësit etj. Për rreth 6 orë me radhë, në analizë është diskutuar rreth informacioneve të mbledhura për vendndodhjen e personit që arriti të grabiste BMW-në me targa DR 1944 F, automjet ky që është përdorur në vrasjen e kryekomisarit Lamaj mbrëmjen e 24 shkurtit 2013. Ndërkohë, një punë operative është duke u bërë edhe nga strukturat e antiterrorit, të cilat çdo informacion të mbledhur prej disa kohësh ia kanë dhënë me relacion Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Dëshmitari “i zhdukur”

Personi që mendohet se di shumë gjëra për vrasjen e ish-shefit të komisariatit nr. 6 në Kombinat, është hajduti i makinës tip “BMW” me targë DR 1944 F, e cila është përdorur në vrasje dhe më pas është gjendur gjysmë e djegur në fshatin Domje të Tiranës. Gjatë analizës rreth 6-orëshe nga ana e prokurorëve të Krimeve të Rënda, u është kërkuar drejtuesve të policisë marrjen sa më parë të masave për lokalizimin dhe arrestimin e këtij personi, që tashmë rezulton i identifikuar, por që ende nuk është prangosur. Në analizë është diskutuar rëndësia e këtij dëshmitari, i cili mund të tregojë detaje, që mund të çojnë prokurorët dhe efektivat e policisë në autorët e krimit. Lidhur me këtë fakt, gjatë kësaj jave Policia e Shtetit ka kryer dhjetëra kontrolle në banesa të ndryshme në disa qytete, por në fakt s’ka mundur të arrestojë vjedhësin e BMW-së. Ndërkohë, në analizë është diskutuar edhe dëshmia e një piceri, i cili rezulton të ketë parë të gjithë krimin e rëndë, skenë të cilën ai e ka treguar para oficerëve të policisë gati dy herë me radhë. Pikërisht për këtë picier, që punon me një motor shpërndarjeje pranë një picerie që ndodhet afër urrës tek kryqëzimi i shkollës “Vasil Shanto”, nuk jepet asnjë e dhënë, rreth qëndrimit që ka mbajtur në dëshminë e tij.

Konfliktet me Arben Frrokun

Gjatë analizës të zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pista e vetme që është diskutuar ka qenë ajo e përplasjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6 me biznesmenin e kompanisë “Xhoi Lloto”, Arben Frroku. Që prej ditës së vrasjes, të gjitha këto përplasje janë marrë në skaner nga ana e grupit hetimor, ndërkohë që në dosje janë administruar dhe rreth 15 kallëzime penale që Dritan Lamaj ka bërë rreth kërcënimeve të tij me jetë, por edhe në ngarkim të familjes së tij. “Të përqendruar jemi vetëm tek konfliktet me Arben Frrokun dhe me askënd tjetër. Konflikti ka degjeneruar në sherre deri në përplasje fizike dhe të gjitha provat që kemi mbledhur gjatë kësaj kohe, na çojnë në drejtim të biznesmenin Arben Frroku. Nuk mund të them se jemi të bindur, por kemi dyshime të forta se Frroku është personi që ka qëlluar me armë zjarri drejt Lamajt, duke u ndihmuar edhe nga nipi i tij Jak Jaku. Biznesmeni pretendon se ka provat e veta, por të gjitha provat vlerësohen duke u përballur në gjykatë dhe jo në gazeta”, – thanë për gazetën “Standard” burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

Përkthehet materiali, dosja dërgohet në Greqi

Biznesmeni Arben Frroku, gjyq në Selanik

për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë

Pas përkthimit të gjithë materialit në gjuhën greke, drejtësia shqiptare i ka dërguar autoriteteve të drejtësisë helene kërkesën për ekstradimin e biznesmenit Arben Frroku. Shumë shpejt Frroku dhe Jak Jaku do të dalin para Gjykatës së Selanikut, ku do të njihen me kërkesën e ardhur nga shteti shqiptar. Megjithëse zyrtarisht Arben Frroku ka pohuar se shumë shpejt do të kthehet në Shqipëri, lidhur me këtë çështje në Gjykatën e Selanikut do të zhvillohet një proces gjyqësor, ku prokuroria dhe avokatët e Arben Frrokut do të japin pretendimet e tyre. Pas dëgjimit të palëve, do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse do të miratojë ose jo kërkesën për ekstradimin e biznesmenit Frroku në Shqipëri, ku dhe akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Në disa dalje publike, Arben Frroku ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë se është ai autori i vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6, duke deklaruar se në momentin e ekzekutimit ai ka qenë në doganën e Kapshticës, duke firmosur pasaportën për të udhëtuar në drejtim të Selanikut. Një version mohues kanë nxjerrë dhe vëllai dhe djali i Arben Frrokut, të cilët kanë pohuar se kanë pasur konflikte me Dritan Lamaj, por i afërmi i tyre nuk është personi që ka qëlluar apo të ketë organizuar vrasjen e efektivit të policisë. Sipas tyre, Arben Frroku ka qenë në biznesin e tij në Kashar dhe më pas është larguar në drejtim të Greqisë, duke kaluar nga rruga e “Komunës së Parisit” dhe më pas ka dalë në unazën e madhe duke larguar drejt Elbasanit.

 

Trafiku në Kapshticë

Bllokohen 30 kg drogë, kapet korrieri

Policia Kufitare në bashkëpunim me seksionin kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Korçës ka sekuestruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm një sasi prej 30 kg drogë kanabis sativa. Droga është kapur në doganën e Kapshticës, ndërkohë që është vënë në pranga poseduesi i saj, 58-vjeçari Afrim Mullara. Droga ishte fshehur në shasinë e kamionit me targa TR 5327 L dhe kishte destinacion shtetin grek. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua gjatë një kontrolli rutinë të policisë kufitare në bashkëpunim me seksionin e antidrogës në Drejtorinë e Policisë Korçë. Pas sekuestrimit sasia e lëndës narkotike është sjellë në ambientet e policisë, ndërsa mjeti është bllokuar në Kapshticë. Ndërkaq, policia po vijon me hetimet për identifikimin e personave të tjerë në trafikun e drogës. Aktualisht hetimi rreth këtij rasti trafiku është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pritet që shumë shpejt të caktojë edhe masën e sigurisë ndaj korrierit. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, ky i fundit s’ka pranuar të tregojë rreth organizatorëve të drogës.

 

Ngjarja në Durrës

Shkon të takojë fëmijën, vjehrri rreh ish-nusen

Shkon të takojë fëmijët e saj, por has në dhunën e kushëririt të ish-bashkëshortit. Ka qenë ky fati i një 26-vjeçareje në Durrës, e cila është në proces divorci. Në kohën kur ajo ka shkuar sipas ditës së përcaktuar të takonte fëmijët e saj, M. M., 67 vjeç, babai i ish-bashkëshortit, e ka goditur me shkelma dhe me grushte. “Personi në fjalë dyshohet se ka goditur me grushte dhe shkelma një shtetase 26-vjeçare në kohën kur kjo e fundit ka shkuar sipas ditës së përcaktuar të takojë fëmijët e saj. Shtetasi në fjalë është ish-vjehrri i 26-vjeçares me djalin e të cilit kjo e fundit është në proces gjyqësor për divorc”, – bën të ditur policia. Ky rast nuk është i vetmi, pasi edhe herë të tjera 26-vjeçarja është kërcënuar me jetë nga ish-bashkëshorti dhe njerëzit e afërm të tij. Sipas burimeve të policisë, 26-vjeçarja, megjithëse ka marrë leje nga Gjykata e Durrësit për takimin e fëmijës së saj, ajo nuk është lejuar nga ish-burri dhe njerëzit e shtëpisë. Pikërisht këta të fundit nuk lejojnë edhe daljen e fëmijës jashtë, pasi pretendojnë se ai mund të rrëmbehet nga nëna e tij, e cila, sipas tyre, nuk është e denjë të rrisë fëmijën minoren.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency