Analiza, qumështi “Primalat” dhe “Fast”, me përmbajtje kanceri

0
240

Driçim Çaka

primalsatprimalatSkandali i qumështit është përhapur në disa vende të rajonit, si në Kroaci, Bosnjë, Serbi dhe Mal të Zi. Midis këtyre vendeve përfshihet dhe qumështi “Primalat” dhe “Lara” nga Shqipëria

 

Dyshimet e hedhura në Kosovë se qumështi “Primalat” dhe “Fast” kanë përmbajtje Aflatoksine, një substancë e cila ndikon direkt për krijimin e kacerit, janë vërtetuar ditën e djeshme. Pas marrjes së mostrave nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit dhe vërtetimit se kjo substancë është mbi normën e lejuar, AKU u ka bërë thirrje tregtarëve të heqin qumështin nga tregu. ”Kemi kërkuar të hiqen nga tregu këto produkte. Rezultatet e analizave paraprake (e theksoj, paraprake) që u bënë gjatë së hënës në laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë na bëjnë të dyshojmë për përmbajtje mbi normat e lejuara nga Bashkimi Evropian, të Aflatoksinës në partitë e kontrolluara të disa subjekteve shqiptare dhe atyre të importit. Këto rezultate mbeten paraprake, pasi ISUV ende nuk është laborator i akredituar për analizat e Aflatoksinës”, – përmendi Artan Gjergji, drejtori i AKU-së.

Të hiqet qumështi menjëherë nga tregu

Altin Goxhaj, kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka reaguar për qumështin, i cili nuk duhet konsumuar nga qytetarët shqiptarë. “Sot (dje) është marrë një vendim i gabuar nga AKU-ja që u është bërë thirrje tregtarëve të tërheqin në mënyrë vullnetare prodhimet nga tregu. Kjo është një mënyrë e gabuar, pasi sinjalet, faktet dhe dokumentet e deritanishme janë kusht i mjaftueshëm dhe i nevojshëm që të bllokohet gjithë sasia e produktit të qumështit me detyrim dhe jo në mënyrë vullnetare. Kjo, sepse Aflatoksina është një nga substancat më kancerogjene në produktet ushqimore”, – theksoi Goxhaj.

Bllokimi në Kosovë

“Disa lloje të produkteve kanë rezultuar si të dyshimta në bazë të rezultatit të parë të analizave. Këto produkte janë duke u hequr nga tregu nga inspektorët veterinarë të AUV-së dhe nga importuesit të cilët përmes pikave të tyre të shitjes janë urdhëruar që t’i heqin nga shitja deri ne marrjen e super analizës e cila vërteton rezultatin e parë ku në bazë të saj do të vendoset për kthim eventual ne treg apo për asgjësim”, – bën me dije Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë.

 

Çfarë duhet të bëhet?

Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, duhet bërë bllokimi i menjëhershëm i të gjithë produkteve. “Duke qenë se kemi të bëjmë me një qëndrim të një autoriteti zyrtar (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës) dhe të njohur nga shteti shqiptar, ky akt bllokimi dhe vlerësimi laboratorik është kusht i mjaftueshëm që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të Republikës së Shqipërisë të ndërhyjë në treg dhe të marrë masa të menjëhershme bllokimi të përkohshëm deri në sqarimin e plotë të situatës pasi në rast se do të konstatohet e njëjta situatë me produktet e eksportuara apo të importuara, kush do të mbante përgjegjësi për shëndetin e konsumatorëve dhe sidomos të fëmijëve që kanë konsumuar dhe po konsumojnë në këtë periudhë këto produkte?”, – thuhet në deklaratën e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Majko

Deputeti i opozitës Pandeli Majko e ka quajtur skandalin e mishit një situatë e cila nuk do të kishte zgjidhje nëse nuk do të publikohej në Kosovë “Edhe!? Vetëm kaq?! Kush mban përgjegjësi për këtë ushqim që ushqejmë fëmijët tanë?!”- shkruan deputeti socialist në rrjetin social Facebook, I cili rendit një sërë pyetjesh të tjera. “Ka ndërmend prokuroria t’i hedhë prangat dikujt që do të vazhdonte i qetë këtë krim në tregun e Shqipërisë? Cilet janë përgjegjësit e kësaj situate?” – shtoi Pandeli Majko.

 

Çfarë është Aflatoksina?

Aflatoksina është një mikotoksin që ndikon në krijimin e kërpudhave organike që mund të shkaktojnë kancer. Ajo mund të gjendet në qumështin e kafshëve, si pasojë e ushqimit të kontaminuar që kanë konsumuar kafshët, kryesisht ushqimet bimore. Norma e lartë e Aflatoksinës mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin e njeriut. Prania e Alfatoksinës në trupin e njeriut mund të zbulohet në dy mënyra. Një formë është analizimi i urinës, i cili tregon për përmbajtjen në trupin e njeriut, nëse virusi është përthithur në 24 orët e fundit. Ndërsa mënyra tjetër me e sigurt është analiza e gjakut, e cila tregon praninë në trup gjatë muajve dhe javëve të fundit, ekspozimin që ka pasur trupi ndaj Alfatoksinës. Ekspozimi i gjatë i Alfatoksinës mund të shkaktojë tumor në mëlçi, hemorragji, ënjtje, probleme me tretjen, probleme me metabolizmin e njeriut, probleme mendore dhe deri në gjendje kome.

Skandal në mbarë rajonin

Skandali i shitjes së qumështit kancerogjen ka ditë që ka përfshirë të gjitha vendet e rajonit. Raftet e supermarketeve janë boshatisur nga disa lloje qumështi që ka rezultuar i kontaminuar me Aflatoksinë, në Kroaci, Bosnjë, Serbi e Mal të Zi. Analizat e disa kampionëve qumështi kanë rezultuar pozitiv me Aflatoksinë si pasojë e ushqimit të kafshëve me prani të shtuar të Aflatoksinës që ka ardhur si pasojë e thatësisë. Kafshët kanë ngrënë misër e ushqime të tjera që kanë pasur përbërje të lartë kancerogjene.

 

 

 

Zbulimi “Primalat”, një vit pa u kontrolluar

Qumështi “Primalat” prej një viti shitet në treg pa u kryer asnjë kontroll për sa u përket përbërjeve që ka. Burime të “Standard” bëjnë të ditur se është nënvlerësuar kontrolli me qumështin “Primalat” dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka marrë asnjë mostër kontrolli për të parë nëse qumështi duhet të dalë në treg ose jo. Të njëjtat burime theksojnë se “Primalat” nuk është kontrolluar për një kohë të gjatë dhe në vendin ku prodhohet dhe bëhet ambalazhimi i qumështit. Prej një viti qytetarët shqiptarë konsumojnë një qumësht të pakontrolluar, një qumësht që mund të sjellë sëmundje për të rriturit dhe fëmijët, një qumësht që sipas analizave ka përmbajtje myku dhe transmetohet direkt në trupin e njeriut. “Kontrolli për sa i përket qumështit “Primalat” ka qenë në program disa herë, madje d të kontrollohej dhe lëndë e parë që prodhohej qumështi, por në asnjë rast nuk ka pasur të dhëna zyrtare për këtë lloj qumështi, se çfarë përmbajte kishte dhe a duhej të konsumohej apo jo”, – përmendin burimet të “Standard”.

Qytetarët “braktisin” qumështin

Publikimi i lajmit se qumështi “Primalat” nuk duhet konsumuar ka sjellë edhe braktisjen e tij në tregun shqiptar dhe kosovar. Disa prej pikave ku shitet ky qumësht kanë përmendur për gazetën se në 2 ditët e fundit asnjë qytetar nuk e ka blerë qumështin. “Në 2-3 ditët e fundit nuk kemi bërë asnjë shitje të këtij lloj qumështi, kur ditë më parë konsumohej normalisht nga një pjesë e madhe e familjeve”, – përmendin disa prej shitësve në Kryeqytet.

 

Masat që duhen marrë

1. Bllokimi i të gjitha llojeve të produkteve të qumështit që janë bllokuar në Kosovë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës.
2. Kryerja e analizave të kompletuara në të gjithë produktet e qumështit dhe mishit që prodhohen apo tregtohen në Republikën e Shqipërisë në lidhje me përmbajtjen mikrobike.
3. Vlerësimi i tregut të të gjitha mallrave veterinare që hyjnë dhe qarkullojnë në tregun shqiptar të cilat nga përdorimi i papërgjegjshëm i tyre edhe si pasojë e aftësisë së kufizuar të gjurmimit të AKU dhe institucioneve të tjera përgjegjëse mund të përdoren për qëllime ndotje të përmbajtjes së ushqimeve që prodhohen dhe tregtohen në Republikën e Shqipërisë.
4. Prononcim zyrtar për praninë ose jo në tregun e ushqimeve dhe të importit të mishit të mishit të kalit për të cilat është shprehur BE.
5. Thirrja urgjente e Bordit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili në kundërshtim me ligjin ka 2 vjet që nuk mblidhet.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency