Minibashkive u kalon kontrolli i ndërtimeve dhe tregjet

0
169

Blerta Mrishaj

tabakuDrafti miratohet të enjten, Tabaku: Do të delegohen 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh

 

11 minibashkitë e Tiranës do të kenë më shumë kompetenca në zgjidhjen e një sërë çështjesh që lidhen me jetën e qytetarëve të kryeqytetit. Në ndryshim nga 13 vite rresht, kur këto zyra funksiononin duke nxjerrë certifikata dhe vërtetime, Bashkia e Tiranës ka përgatitur një draft, i cili do t’i paraqitet për miratim në mbledhjen e 28 shkurtit Këshillit Bashkiak, përmes të cilit njësitë bashkiake do të kontrollojnë pronat si dhe kontrollin e territorit të tregjeve. Ndërkohë, për herë të parë do të kryejnë edhe funksionin e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit. Deklarata është dhënë nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku, e cila përmes një daljeje publike ka njoftuar se drafti tashmë është përgatitur nga bashkia e Tiranës për t’u miratuar në mbledhjen e enjtes në Këshill Bashkiak.

Njoftimi

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, siç edhe kishte premtuar gjatë fushatës elektorale, i ka propozuar Këshillit Bashkiak në mbledhjen e datës 28 shkurt, të miratojë delegimin tek 11 njësitë bashkiake të kompetencave që lidhen me kontrollin e territorit të tregjeve, me sigurinë etj.”, – tha nënkryetarja Tabaku. Pas miratimit në Këshillin Bashkiak, njësitë vendore do të ushtrojnë pjesërisht funksionet e sigurimit, të rendit e qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit përkatës, funksionet e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit, funksionet e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit, sipas ligjit për bashkëpronësinë nga inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik. Për të kryer këto funksione, njësive bashkiake u delegohen 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh, për shpenzimet operative. Nënkryetarja Tabaku tha: “Ne besojmë fuqimisht se kur kompetencat janë më pranë qytetarit, edhe shërbimi është më i mirë. Për këtë arsye, ne kemi vullnetin e plotë për të vijuar edhe më tej me delegimin e kompetencave tek njësitë bashkiake. 32 milionë lekë për shpenzim”.

Kompetencat

Paketa synon që njësitë bashkiake të jenë më afër zgjidhjes së problematikës së qytetarëve në territoret që ato mbulojnë. Mësohet, sipas burimeve zyrtare të bashkisë së Tiranës, se “grupi i punës ka punuar dhe po përgatitet një paketë që do të paraqitet së shpejti në Këshillin Bashkiak. Kontrolli mbi territoret është problematika më e madhe. Besojmë se ne jemi shumë më afër terrenit dhe e kontrollojmë më mirë atë, sepse kemi mundësinë ta bëjmë. Kërkojmë të jemi hallkë e fortë e bashkisë”. Kësaj nisme i janë bashkuar të gjithë drejtuesit e minibashkive në Tiranë, duke e parë këtë hap si shumë të rëndësishëm. Në këtë mënyrë, me miratimin në Këshill Bashkiak, njësitë vendore do të ushtrojnë pjesërisht funksionet e sigurimit, të rendit e qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit përkatës, funksionet e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit, sipas ligjit për bashkëpronësinë nga inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik.

 

 

 

Fushata zgjedhore

Urdhri i Mjekut: Spitalet të mos përdoren si arenë politike

Mjekët të qëndrojnë larg politikës dhe institucionet shëndetësore nuk duhet të përdoren si arenë për fushatë politike. Përmes një deklarate për shtyp, Urdhri i Mjekut u ka kërkuar bluzave të bardha që idetë dhe votën e tyre ta bëjnë publike në kutinë e votimit, teksa në vendin e punës u kërkoi atyre profesionalizëm dhe përkushtim ndaj të sëmurëve. “Fushata elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, siç po shihet, i ka ndezur fuqishëm motorët e saj. Urojmë të jetë një fushatë e qetë, e moralshme, me alternativa e programe vizionare të besueshme dhe të zbatueshme në të mirë të këtij vendi, cilido qoftë fituesi. Me këtë rast, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë bashkë me këto urime, me dashamirësi e respekt për çdo forcë politike, u drejtohet atyre me thirrjen që të mos përdoren e shfrytëzohen spitalet dhe institucionet e tjera shëndetësore si arena të kësaj fushate. Institucionet dhe profesionistët e shëndetit në punën e tyre brenda këtyre institucioneve, duhet të lihen të qetë, të ushtrojnë profesionin të lirë, të pavarur, jashtë ndikimeve politike dhe çdo oferte apo ndikimi tjetër qoftë, në respekt dhe përputhje të plotë vetëm me parimet dhe principet e Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, si Kushtetutë e tyre profesionale”. Politizimi i mjekëve dhe ndasitë e tyre të ndikuara nga politika, dëmtojnë harmoninë, bashkëpunimin dhe integritetin profesional, të cilat do të karakterizoheshin me një impakt negativ në kujdesin shëndetësor ndaj të sëmurit dhe ulin besimin e të sëmurit ndaj mjekut për shkak të këtyre ndasive dhe bindjeve të kundërta. Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë u drejtohet mjekëve dhe institucioneve shëndetësore me thirrjen, në vend të politizimit të rrisin, të pasurojnë dhe të perfeksionojnë më tej dijet dhe performancën e tyre profesionale, në vend të politizimit të rrisin profesionalizimin në mënyrë që institucionet shëndetësore të jenë më të sigurta dhe më cilësore në shërbim të të sëmurëve dhe publikut. Për këtë në deklaratën e Urdhrit të Mjekëve kërkohet që orientimi i vetëm i mjekëve dhe bindje e palëkundur në të gjithë veprimtarinë e tyre brenda institucioneve shëndetësore, të jetë vetëm Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.

 

Mjedisi

Në mbrojtje të pyjeve, Mediu: Ekspertët po hartojnë planin

Shpyllëzimet dhe degradimi i pyjeve minojnë një ekonomi të gjelbër dhe pakësojnë ndjeshëm kapacitetet për të plotësuar nevojat e komunitetit, ndaj është i domosdoshëm angazhimi i ekspertëve për hartimin e një plani menaxhimi për mbrojtjen e pyjeve. Një qëndrim i tillë u bë publik nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, në konferencën me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë pyjore”. Në gjykimin e ministrit Mediu është e nevojshme që të dilet me projekte konkrete për mbrojtjen e pyjeve, si dhe të merren masa për rehabilitimin e këtyre zonave. “Duhet angazhimi i ekspertëve për rehabilitimin e zonave si Lura, të cilat kanë nevojë për projekte konkrete që ti kthejnë siç kanë qenë. Reformat që janë ndërmarrë për mbarëvajtjen e pyjeve janë të nevojshme për vendosjen e standardeve evropiane. Ka progres të dukshëm për mbrojtjen dhe mbarëvajtjen e pyjeve. Ministria e mjedisit me mbështetjen e donatorëve ka investuar me miliona euro për mbarëvajtjen e pyjeve”, – vuri në dukje Mediu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency